05/02/2026

KUR POLITIKANËT E SHQIPËRISË DHE TË KOSOVËS “PUSHTOJNË” WASHINGTONIN PËR – “Lutje”, kamera, turizëm politik dhe dështime politike të importuara

0
Nene-Tereza

Nënë Tereza duke folur në Lutjen e Mengjesit, 3 shkurt, 1994 e rrethuar nga Presidenti Bill Clinton, Zëvëndës Presidenti Al Gore dhe udhëheqës të Kongresit amerikan

Nga Frank Shkreli

Çdo vit, pothuajse pa përjashtim, politikanë nga Tirana dhe Prishtina zbarkojnë në Washington për të marrë pjesë në të ashtuquajturin “Mëngjesi Kombëtar i Lutjeve”, (National Prayer Breakfast). Këtu e kam fjalën për të gjithë dhe pa dallim, dmth – pjesëmarrës të pozitës dhe opozitës – sepse në frymën e pa-anësisë, autoritetet amerikane në bashkrendim me Fondacionin që organizon këtë tubim vjetor, ftojnë në këtë tubim përfaqësues politikë — pa dallim dhe pa preferencë politike nga shumë vende të botës, 2-3 mijë veta – përfshir trojet shqiptare, përfaqsues të pozitës dhe opozitës politike, por edhe përfaqësues nga, shoqëria civile e ente të tjera, përfshir ato fetare.

Që nga viti 1953, Mëngjesi Kombëtar i Lutjes ka bashkuar liderë, miq dhe pjesëmarrës nga i gjithë spektri politik amerikan dhe ndërkombëtar për një qëllim të vetëm dhe të thjeshtë – lutjen!  Frank Shkreli: Fuqia e lutjeve | Gazeta Telegraf – “Tubimi është një mundësi për anëtarët e Kongresit amerikan që të lutën së bashku për Amerikën, Presidentin e Shteteve të Bashkuara dhe liderë të tjerë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, në frymën e dashurisë dhe pajtimit, ashtu si e mësoi Jezusi i Nazaretit 2,000 vjet më parë. Çdo president i Shteteve të Bashkuara, pa marrë parasysh partinë ose bindjen fetare, ka marrë pjesë që atëherë. Të gjitha besimet janë të mirëpritura.” National Prayer Breakfast – The purpose of National Prayer Breakfast Foundation is to organize and allow members of the United States House of Representatives and the United States Senate to host an annual National Prayer Breakfast.

Ky pra është qëllimi i këtyre tubimeve kombëtare/ndërkombëtare në Washington për të gjithë të ftuarit në Mengjesin e Lutjeve, përfshir përfaqsuesit politikë e fetarë të Kombit shqiptar, si çdo vit më parë, ashtu edhe këto ditë në Washington. Nuk dua të përmend emra sepse ky shënim nuk ka në shënjestër asnjë politikan/e aktual, ose parti politike, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë.  Kam venë re se për dekada që kam punuar e jetuar në Washington, e njëjta ka ndohdur sa u përket pjesëmarrësve shqiptarë në Mengjesin e Lutjeve: e kanë përdorur këtë takim, jo aq shumë për lutje, por më shumë si një rast për promovimin politik të vetes dhe të partive plitike që ata përfaqësojnë, duke menduar gabimisht se Mengjesi i Lutjeve është një tubim zyrtar shtetëror. Gati pa përjashtim, pjesëmarrësit politikë shqiptarë në këto tubime kthehen në atdhe me valixhe plot fotografi, deklarata pompoze dhe tituj propagandistikë që ata vet shpërndajnë në rrjetet sociale dhe në mediat mbështetse të tyre në atdhe, në përpjekjet për ta “shitur” këtë event ceremonial si një sukses madhor diplomatik, për ata si individ dhe për partitë e tyre. Kthehen n atdhe edhe deklarata pompoze dhe propagandë të gatshme për konsum të brendshëm, sikur të kishin firmosur traktate shtetërore. Në realitet, nuk kanë firmosur asgjë.  E vetmja gjë që mungon sivjet, është vizita tek VOA, normalisht e doemosdoshme për politikanët shqiptarë në Washington gjatë viteve, për tu intervistuar nga redaksia shqip e Zërit të Amerikës.

Por sa për informacion për të gjithë ata, që gjatë tre dekadave të fundit, për të cilët e kam fjalën, për pjesëmarrsit pra të partive politike shqiptare këtë vit dhe në të kaluarën, realiteti i këtyre tubimeve vjetore është më i thjeshtë dhe e vërteta ndoshta pak më e hidhur. Nëqoftse mendojnë se pjesëmarrja e tyre në Mengjesin e Lutjeve dhe fotografitë me zyrtarë të lartë amerikan me shtërngim duarsh është një dëshmi influence politike, atëherë ata gënjejnë veten, por edhe më keq gënjejnë zgjedhsit shqiptarë tëcilët ata përfaqësojnë. E vërteta është se Mengjesi i Lutjeve është një ngjarje simbolike, fetare dhe publike, ku marrin pjesë mijëra të ftuar nga e gjithë bota, shumica pa asnjë rol vendimmarrës në politikën amerikane. Nuk është pra takim diplomatik as zyrtar, në asnjë kuptim të fjalës.

Por, ashtu si në të kaluarën, elita politike e Shqipërisë dhe Kosovës edhe sot këtë ritual lutjesh po e shndërrojnë në një instrument mashtrimi politik për publikun vendas. Realiteti është se Shqipëri, politikanë që flasin për “partneritet strategjik me SHBA-të” përdorin Washingtonin si sfond, ndërsa në Tiranë drejtësia mbetet e politizuar, korrupsioni mbrohet nga pushteti zgjedhjet kontestohen dhe institucionet përdoren si zgjatim partie.  Në Kosovë, ndërkohë, politikanët që predikojnë “vlera perëndimore” bëjnë selfie në Capitol Hill, ndërsa në Prishtinë: përçahen institucionet, tensionohen raportet me aleatët, relativizohet përgjegjësia shtetërore, politika e brendshme sundohet nga populizmi dhe konfrontimi politik.  Pra me gjithë fotografitë me buzqeshje të shkrepura me zyrtarë amerikanë për albume private fotografishë, sin ë Tiranë ashtu edhe në Prishtinë, Washingtoni përdoret si dekor legjitimiteti, jo si burim parimesh.

Ironia është e thellë: shkojnë për t’u lutur në SHBA, por nuk qeverisin me etikë në shtëpi. Mund të luten ndoshta në grup me të tjerët për bekim ndërkombëtar, por shmangin llogaridhënien kombëtare në vendet e tyre.   Amerika, nga ana tjetër, megjithe as ajo nuk pretendon se është e përsosur, nuk e matë miqësinë me foto, as me pjesëmarrje ceremoniale.  Washingtoni zyrtar, në përgjithsi, e matë miqësinë me respekt për sundimin e ligjit, për funksionim të institucioneve, për ndarje të pushteteve dhe për mbrojtje të lirisë dhe të dinjitetit njerëzor, Prandaj, për derisa këto vlera mungojnë në Shqipëri dhe Kosovë, çdo “pushtim” i Washingtonit për Mëngjesin e Lutjeve mbetet një shfaqje e zbrazët propagandistike—një lutje publike për të fshehur dështimet politike në shtëpi. Është hipokrizi, gjoja të lutesh në Mengjesin e Lutjeve në Washington, nëse qeveris kundër vlerave që përfaqëson Amerika.

Edhe njëherë pra, Mëngjesi i Lutjeve në Washington nuk është diplomaci shtetërore as nuk është takim zyrtar i Shtëpisë së Bardhë. Por mbi të gjitha nuk është dëshmi e mbështetjes amerikane për politikat e e njerës apo tjetrës qeveri në Tiranë e Prishtinë. Por është një tubim kombëtar/ndërkombëtar, simbolik, ceremonial, ku ftohen mijëra njerëz nga e gjithë bota—politikanë, klerikë, biznesmenë, aktivistë, shumica pa asnjë peshë reale në vendimarrjen amerikane.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok