15/11/2024

AT’ GJERGJ FISHTA I LETRAVE SHQIPE

– në 152 vjetor, adhurim dhe antologji –

Nga Visar Zhiti

Përpara emrit të poetit GJERGJ FISHTA gjithsesi vemë atë fjalëzën e shkurtër, por të madhe dhe parake,  “Atë”, se vërtet At Gjergj Fishta ka diçka të përhershme prej ÁTI, që nuk i vjen vetëm prej hierarkisë kishtare si françeskan, ai është si atë në letrat shqipe dhe ende më thellë, në vetëdijën e shqiptarit.

Ai është mbartës dhe përcjellës i amaneteve, i kumteve që dalin nga goja e kombit, nga buzët e plagëve të shekujve, u bë vetë zë i madh, i ngritur në lartësitë e një eposi madhështor, me fuqinë e Mujsit dhe të Halyllit (kupto: Muji dhe Halili), legjendë moderne e shekullit XX, ndërkohë, me rrënjë shkëmbi, plot dije dhe urti, me dhëmbje dhe dufe, dhe befas si poet ai di të shndërrohet dhe në lirik, me një romantizëm po aq dhe europian, me një gjuhë të begatë dhe onomatopeike dimrash e lumenjsh. Por Átë Gjergji ka dhe zëmërim perëndish, që nga dashuria e kthen atë në satir(ik), ndoshta është satiristi më i mirë në Ballkan i kohës së tij. Po, po, At’ Gjergj Fishta ka kohën e tij, e krijoi vetë… Bëhet dhe i pakohë dhe po aq aktual, kur është qortues, duket sikur sapo e shkroi një satirë të tij dhe kjo e bën të ndjehet vazhdimisht mes njerëzve.

Átë Gjergj Fishta u shqua dhe si veprimtar, patriot i flaktë, edhe nën pushtuesin, aspak bashkëpunëtor me të në dëm të vendit të tij, politikan i atdheut, deputet në Tiranë, akademik në Romë, në kolonat e kulture europiane. Ai ka qenë i propozuar dhe për çmimin “Nobel”.

ÀT GJERGJ FISHTA është një fenomen Kombëtar, ai u bë shumë i njohur qysh në gjallje, madhor e deri dhe anekdodik. Kur dikush, p.sh, mes njerëzve niste të recitonte diçka prej tij,  – e kujtonte albanalogu i shquar Robert Elsie, – menjëherë të tjerë e vazhdonin recitimin, dukej sikur krijohej aty për aty kori antik, ti thoshe një varg, tjetri vargun tjetër, kështu ka ndodhur me të, nëpër popull, në teatër, por dhe në autobuz, në pllaja, në kuvende burrash, por dhe në burg.

Heshtja e dhunshme që e mbuloi gjatë diktaturës, që kërkonte harrim, e shoqëruar me denigrime e fyrje si askujt, nuk e trandën monumentin e tij, ai, siç thoshin latinët, e sprovoi veten duke mposhtur jo dy vdekjet e tij, por më shumë se aq. Vepra e At‘ Gjergj Fishtës është vetëdijë dhe qendresë, kushtrim dhe dinjitet, eshte shkëmb metaforik. Peizazhi më i fuqishëm i mendësisë shqiptare.  Së bashku me pararendësin e tij Naim Frashëri, që ai e adhuronte, të dy së bashku ata sikur bëjnë dy kokat e shqiponjës në Flamurin tonë.

* * *

Sot, më 23 Tetor, bëhen plot 152 vjet nga lindja e tij. Natyrisht populli dhe shteti ashtu si akademitë, Universitetit, kritika letrare, studiuesit, shkrimtarët, etj, e kanë thënë fjalën për At’ Gjergj Fishtën, gurra që nuk shterr… dhe duhet ta thonë në çdo përvjetor. Asnjë gazetë nuk e përkujtoi sot, më shkruan me dëshpërim njëri prej lexuesve të tij më pasionante, Zef Skanjeti, por për ta përkujtuar ne, kemi zgjedhur një veprim ndryshe, por risjell fjalët e mia të thëna shpesh për Fishtën dhe “antologjinë e vigël”, të përgatitur nga Zef Skanjeti, që vazhdimisht e hap Veprën e At Gjergj Fishtës, mrekullohet prej saj dhe dëshiron t’i japë lexuesit pjesë, që sipas tij, janë dhe aktuale, nga njëra anë për rëndësinë e kumtit e dritën udhërrëfyese dhe nga na tjetër si dukuri, pengesa, që duhen qëlluar me shigjetat e mprehta fishtiane.

Thjesht për të ndjerë se sa i madh është, pazgjidhshmëritsht me Shqipërinë dhe shqiptarët…

SHQYPNISË

(1909)

T’ falem, Shqypni, ti i shpirtit tem dishiri!

I lum njimend jam un n’gji tand tue rrnue,

Tue gzue t’pamt tand, tue t’hjekë atë ajr t’kullue

Si Leka i Madhi e Skanderbegu i biri

Kje Lumi vetë, qi mue m’dergoi ksi hiri

Për nën qiell tande t’kthielltë un me u perftue.

Malet e hjedhta e t’blerta me shikjue,

Ku Shqypnija e Burrit s’dron se i qaset niri.

Ktu trima lejn gjithmonë, pse ti je nana

E armvet n’za, qi shndrisin duert e t’lumit,

Kah des për ty i rrebtë e trim si zana:

Eden n’Balkan ti je; ti prej t’Amshuemit.

GJUHA SHQYPE

Porsi kanga e zogut t’verës,

qi vallzon n’blerim të prillit;

porsi i ambli fllad i erës,

qi lmon gjijt e drandofillit;

porsi vala e bregut t’detit,

porsi gjama e rrfés zhgjetare,

porsi ushtima e nji tërmetit,

ngjashtu a gjuha e jonë shqyptare.

Ah! po a e ambël fjala e saj,

porsi gjumi m’nji kërthi,

porsi drita plot uzdajë,

porsi gazi i pamashtri;

edhe ndihet tue kumbue;

porsi fleta e Kerubinit,

ka’i bien qiellvet tue flutrue

n’t’zjarrtat valle t’ameshimit.

……………………………………..

SHQIPNIA E LIRË

(1921)

Do t’valvitet m’Kaçanik

M’Kaçanik, po, do t’valvitet

Kuq e zi Flamuri i shqyptarvet,

Përse toka shqyp ku flitet,

Ajo vetë asht, q’i prej t’parvet

Trashigim na e kemi pasë:

Mbrendë i huej, jo ma s’do t’shklasë,

Posë atëherë kur vjen për mik.

Jo, jo: sot na ktu sundojmë;

Ktu s’hecë fjala e tjetër kuej;

Gjall Lirin’ na nuk e lshojmë

S’njohim mbret as krajl të huej.

Zoti n’qiell e na mbi tokë:

Me gjithkënd vllazen e shokë,

Por se i cili m’cak të vet.

DREDHA E DJALLIT

Tek satirat në “Anzat e Parnasit”, përveç tjerave nënvizojmë fuqinë profetike të mirfilltë si “Dredha e Djallit”, ku paralajmeron ardhjen e dreqit të kuq (komunizmit) në Shqipëri qysh më 1908, pra 9 vjet përpara se ai të triumfonte në Rusi, më 1917 (Shën. nga Z. S.)

……………………………………

E shka t’lânë kta kater ujq,

Qi i kercnohen shoqi-shojt,

Thonë, do t’dalë nji dreq i kuq,

Qi pa dhimbë do t’i a njesë thojt.

Edhe m’duket se per né,

Mor’ Shqyptarë, ky djáll i zi

Sa mâ para ka me lé,

Pse na dreqnit kem’ kojshi…

Qe, pra, tash se per ç’arsye

Punë n’Shqypni s’jet pa u shperthye,

Due me thânë, pa u partallisun

Çdo pûnë mbarë qi t’jete nisun

E kjo nâmë, ase kjo rrfé,

Ka me ngjatun, thom, nder né

Dersá menden na t’a rrisim

E me dije mos t’a shndrisim;

Dredha e djallit, pse s’âsht tjeter

Si e kam kndue nder libra t’vjeter

Veç padija dhe krenija,

Qi shkojn njitë si trupi e hija.

MOMI

(1902 )

(MOMI – I biri i Nates e i Gjumit, vellai i marrisë, hy prozhmimesh)

…Kushdo fjalet nuk matë ku vrasin,

Ate e ndjeke perhere rreziku;

Pse shqyptaret nje fjale e flasin:

Ç’ ka t’ ban goja, s’ t’ ban anmiku…

…………………………………………….

M’ kambe kryekungujt prej si u vune,

Duel padija n’ krye te vendit;

Njerzt e kenun u poshtnuene,

Mbeten t’urtit jashte kuvendit.

Duel me faqe t’ bardhe tradhtari,

Shpirt e fis qe ka kuleten;

U ndeshkue pa dhimbe shqyptari,

Qi per fis jep gjane e jeten.

Shqypnise zani atehere i humbi,

T’ huejt mbi qafe i a vune thembren,

E e mbloj skami, terri e gjumi,

Djemte e vet ia lnuren zemren.

E shqyptaret, jo veç s’e nisen

Per keto pune perjashta Momin,

Por ma fort madje e konisen,

Msue gjithmone me nderue llomin…

KOHA E ARIT NE SHQYPNI

(1907)

…Sot ma shpejt nje thes me pleshta

Ti ban bashke se dy shqyptarë.

Sa jane fise permbi dhe

Me bashkim kta n’drite kane dale:

Ka çite dreqi pushke mbi ne

Mos me u ba dy vete m’nji fjale.

…Sepse ktu kujton seicili

Se ka mend edhe me shitun:

Thue se mendja e holle e kshilli

Vijne prej vedit n’krye t’u rritun.

JO, heu paça ! S’jane mendte fieri

Per me u rrite neper morriza:

S’a ba i dijshem kush pa hiri,

Ndeje peshtete e tu njehe miza…

NEN HAJAT TE PARRIZIT (1914)

(Duke u nisur veçanerisht nga kjo “bisede”, shënim Z.S.)

Skanderbegu : A thue ka gjase se Shqypnija ka me pase nje Mbret te vetin?

Djalli : Nji? Njiqind ti thuej! Ne Shqypni moj faqja e bardhe, hiqet zi me gjete se kush me ndigjue, ketu asht halli; pse per me urdhnue gjen sa te duesh; çdo çaush beledijet n’ Shqypni kishte me dashte me u ba Mbret, veç per mos me ndigjue…

Shen Pjetri : …Por per inat te djallit e te shqyptarve Zoti ka me e mbajte Shqypnine ne kambe me nder e me lumni…

Skanderbegu : Si jane pra shqyptaret e Shqypnija?

Djalli : Si jane?… Si i don anmiku…

PALOKE CUCA

(Poeme satirike, 1922)

Fragment

Ah, ju grekomanë – do stramastikë qelbsina,

Motit si sot, ju te pabesë gjithmonë,

Me bark n’ Tiranë e kryet kthellë te Athina,

Rrashten të fortë si rrumi nen kumbonë

Që, sikur orli lëshon permbi stervina,

U lshuet ju mbi financa t’Shtetit tonë

E llapazana t’sterholluem tuj kenë,

Krejt mendsh i muert muhamedanë e t’kshtenë*.

……

*- të katolikë

( SQARIM – me “grekomanë” nuk nënkuptohen ortodoksët.)

“KORRUPSIONI”

— nga “Gomari i Babatasit”

Kush zhelan-kush sallahan,

Po yrysh lshue t’gjith m’pilaf,

Ta kanë qitë, po, Shqipnin n’grusht,

E toçë brryl mastikë e n’musht,

T’kanë ba zyret monopol

Ç’prej Koplikut m’Konispol,

Franka ar tue grrye me spol,

Do ministra-e Kryeministra,

Tjert prefekta-e nënprefekta,

Kta n’Botore ata n’Foshnjore,

Disa antarë-disa gjygjtarë:

Kush me da tokën e Shqipnisë…

Ju rrugaça e sallahana,

Vagabonda, shakllabana,

Rriqna t’ndyet, mikrobë të kqi,

Qi të mjerës moj Shqypni

Kthellë hi i keni në mushkni,

Pa dhimbë gjakun tuj ia pi,

Po der kur, bre batakçi!

Bre coftina kalbë mbi dhe!

Der kur ju tu’ u tallë npër ne,

Do t’na qelbni fis e atdhe?…..

Për do “gazetarë”

Edhe kshtu po qep e shkep,

Me nji shqipe per gazep

E si t’ishin ne kllapi,

Pa kqyre cak, pa mbajte hulli,

Pa pase shkrimi as kambe as krye,

N’ mereqep kartat kane zhye,

E t’ kane pjelle-me nder me thane-

Njata artikuj qe ty dhane

S’ t asht der sot me u vu me i kndue.

Se ata, besa – m’ndigjo mue-

Nuk i kane shkrimet zanat:

S’ jane per pendë, por jane per shat.

Jo, po, kshtu asht mor t’u ngjate jeta!

Per me shkrue zotni n’gazeta

Duhet shkruesi t’ jete ma parë

Njeri i ndershem e atdhetar,

T’ jete fisnik, zemer-bujar,

Jo intrigant e ngatrrestar

Edhe kenë mos t’ket hafije

Mandej duhet qe t’ kete dije-

Dije t’hàpt n’ekonomi,

N’histori e ne tregti,

N’politike e ne drejtsi;

Edhe t’dije shk’ asht shkolla e msimi

Shk’ asht lirija e qytetnimi,

T’ jete shqiptar ne shkrim e n’goje,

Fjala n’pende mos t’i ngurroje:

Mbare e mbare punte t’i kallzoje

Me t’ ngushtue me kndue perdhuni

Shka nder shtylla ai rresht vuni,

Tashti, pra nji sallahan,

Vagabond e shakllaban,

Njeri idiote e laraman,

Qe mendon se per taman

Te tane bote rri n’ “sahan”,

Çka mund t’ shkruej, po t’pyes une ty

Ky qi as byk nuk ka ne krye,

Jo ma tru?…

Lahuta e Malësisë

Fragmente

(Tek Epika shohim te skalitura si postulate pjese te historise se vertete te Shqiperise, te miqve e te armiqve te saj) Shënim i Z.S.)

Por kush tha Zot’ Harushes s’Verit *

N’dorë tande a mbarë Europa

Dert mos ki per t’drejta t’njerit

Si t’duesh ndaje copa-copa?

Cili zot tha shkjaut: Merr drapnin

korr ku s’mbolle, mbjell n’arë t’hueja

Der ku t’duesh ti mate hapin

Shqiptaria asht n’duer tueja?

……………………………………..

Bini Toskë ju n’pikë të vrapit

mos tu ndalin mal as zall

Naim Frashëri i ra Qitapit

Mos me e lshue Shqipninë për të gjallë

Ju prej Dibret, prej Bishkashit

Çohi djelm si shqipe t’lehta

Ka gjimon asht topi i Knjazit

Për Shipni t’mos u dhimet jeta.

Ma mirë dekë nën dhe me u kja

Se me marre gjallë mbi dhe

Për dhe t’vet kush dekë ka ra

Ai s’ka vdekun, por ka le.

*- Rusia

* * *

(Një ligjerim në gojën e Marash Ucit tek Lahuta… mund te cilesohet si amanet i Fishtes per brezat, nje “shkolle” e vertete edukimi, pse jo edhe per sot… Shënim i Z.S.)

Amanet un ‘jam t’u lanë,

Me ruejtë gjanë, me kqyrun sta’n,

Armet e mbushme mos me i dhanë,

Me shokë tuej kurr mos m’u xanë

Mos m’u xanë, as mos m’u nga

Pse n’ditë t’ngushtë këta u gjinden vlla

Si me pushkë ashtu me uha.

T’huejn me fjalë mos t’ a poshtnoni;

Bukën para, por t’ia shtroni

N’Shqiptari si a kenë zakoni

………………………………………

Edhe n’mend kinje nji fjalë:

Zemres s’frytë me i lanun dalë;

Fjalët për pajë kurr mos me i ndalë,

Ujit turbullt mos me i ra,

Mos me i dalun n’va t’pa va;

Me iu ruejtun shakës tërbueme,

Me iu ruejt , po, grues së lshueme;

Vendin tuej me dashtë përore,

Me ruejt besë, mos me çartë ndore.

* * *

Për deshmoret në Letersinë Shqipe zor se gjendet ndonjë poezi më e bukur e dinjitoze. Po tek Lahuta, tek Kanga Ndermjetesia, një perlë e veçante për armonie fetare të vertet në Shqiperi.

(Shën. i Z.S.)

…O ata t’lumtë qi dhanë jetën,

O ata t’lumtë, qi shkrinë vehten,

………………………………………..

derdhen gjakun tue luftue,

porsi t’Parët u pa’n punue!

Lehtë u kjoft mbi vorr ledina,

but u kjofshin moti e stina,

ak’lli, bora e serotina:

E der t’kndojnë në mal ndo i Zanë,

e der t’ketë n’det ujë e ranë,

der’ sa t’shndrisin diell e hanë,

ata kurr mos u harrojshin,

n’kangë e n’valle, por u kndojshin.

E njaj gjak qi kanë dikue,

ban, o Zot, qi t’jesë tue vlue

për m’ia nxe zemrën Shqiptarit,

për kah vendi e gjuha e t’Parit!

(I zgjodhi Zef Skanjeti)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok