22/12/2024

KUR KȄNDONTE QAMILI I VOGȄL…

0
Qamili-Vogel

– Me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Bilbilit të Kosovës që i këndoi me shpirt atdheut dhe dashurisë –

NGA VLASH PRENDI

Që në vogëli më ka pelqyer të dëgjoja dhe të argëtohesha me këngën popullore, madje shpesh kam provuar edhe të shkruaj vargje popullore. Kënga popullore ishte një farë ngushëllimi për masën e punëtorëve dhe kooperativistëve, që të lodhur nga punët e shumta dhe të vështira në bujqësi, kërkonin të çlodheshin me pak muzikë. Në të kaluarën këngët transmetoheshin përmes radios, por edhe aparatet e radiove ishin të rralla, pasi kushtonin shtrenjt. Shpesh, kur kishim mundësi, dëgjonim këngë popullore, këngë nga anketat muzikore, festivale të ndryshme, që i transmetonte Radio Tirana. Por një nga stacionet më të ndjekura për dëgjuesin shqiptar dhe më gjërë ishte edhe Radio Prishtina, sinjali i së cilës arrinte me vështirësi deri në anët tona. Jeta e vështirë në fshat na kishte mësuar se i vetmi argëtim pas aktiviteteve ditore, ishte ndjekja e emisioneve të radios. Më habiste fakti se Radio Titogradi kishte një sinjal të forte dhe të qartë, ndërsa Radio Prishtina mezi dëgjohej në anët tona. Arësyet e vërteta i mësova më vonë. Kishte raste që tek ky stacion, dëgjoja pozdravin, një emision me muzikë popullore sllave, por që shumë këngë merreshin nga autorë kosovarë dhe përktheheshin në gjuhen sllave pastaj këndoheshin, siç ishte rasti i një kënge që transmetohej të dielave për rreth një gjysëm ore. Kjo këngë e marrë nga Cikli i Kreshnikëve këndohej me lahutë në gjuhën sllave, ndoshta për të krijuar idenë se Cikli ynë i Krshnikëve u përkiste atyre.

Por stacioni im më i dashur mbetej Radio Prishtina, e cila të entuziasmonte me programet e saj të larmishme, me emisionet me vlera patriotike, me këngët e bukura dhe melodioze që t’a ngrinin shpirtin peshë. Edhe tani që po shkruaj këto radhë kam emocione pafund kur kujtoj emisione të tilla si: ”Koncert sipas kërkesave të dëgjuesve”, “Dëgjoje këngën time”, ”Këndojmë për ju” apo “Këngë jeho”, emisione aq të dashura, të cilëve u kisha mësuar edhe oraret e transmetimit. Kënaqësia ime nuk kishte kufi, kur gozhdohesha para aparatit të radios sime të vjetër gjermane “Figaro” dhe spikerja përmendte emrat e këngëtarëve dhe titullin e këngës. Prisja me padurim të dëgjoja legjendën e këngës popullore kosovare Qamili i Vogël – Muhaxhiri, me atë zërin e tij brilant dhe kumbues që të mbushte jo vetëm me dashuri, por edhe me krenari kombëtare. E njihja nga zëri, e admiroja pa kufi atë dhe grupin e tij muzikorë, por… detyrohesha ta dëgjoja fshehurazi, pasi autoritetet shtetërore në vendin tone, nuk të lejonin të dëgjoje Radio Prishtinën e jo më këngëtarët kosovarë. Aty nga viti 1972, me shumë vështirësi mundëm të blenim një radio “Mimoza”, kështu m’u krijua mundësia të dëgjoja këngë dhe emisione të Radio Prishtinës, shpesh edhe në prani të shokëve, megjithse përseri survejohesha.

Të dëgjoje Qamilin e Vogël, këtë këngëtar të njohur, mjeshtër i muzikës burimore popullore, i veçantë në stilin e vet, ishte kurdoherë kënaqësi, të dridhej zemra kur e dëgjoje zërin e tij plot melodi dhe tingëllim artistik, këngët e të cilit të emocoinonin me tekstet dhe muzikën e krijuar mjeshtërisht. Nuk dija asgjë për jetën dhe veprën e tij, por kur nisa punën si mësues, duke shfletuar materiale të ndryshme mblodha disa të dhëna për jetën e këtij fenomeni, që sot është përfaqësuesi më i shquar i muzikës popullore shqiptare. I lindur në vitin e vështirë 1923 Qamili Vogël – Muhaxhiri, kaloi një jetë të vështirë të diktuar nga rrethanat politike dhe ekonomike të kohës, në qytetin e Gjakovës ku mësoi edhe njohuritë elementare të shkrimit dhe leximit, por më vonë ishte njëri ndër të parët që u kualifikua në degën e grafikës, në Shkollën Teknike të Prishtinës, në vitin 1965, ku krahas këngës ushtroi edhe profesionin si teknik – tipomakinist në shtypshkronjën Rilindja deri sa doli në pension.

Në moshë të re, mbeti jetim. I ndodhur në këto kushte tepër të vështira, djaloshi i ri ishte detyruar të vinte për punuar në Tiranë, si kamarier në një kafene të qytetit. E donte shumë muzikën popullore qytetare, prandaj shfrytëzoi rastin që të takohej me këngëtarët dhe krijuesit më të njohur të muzikës popullore dhe pse jo, edhe të ndikohej prej tyre. Thuhet se kontaktet e para i pati marrë me krijuesin dhe interpretuesin e njohur tiranas Muharrem Gurra dhe më vonë me mjeshtrin e këngës popullore të Shqipërisë së Mesme nga Elbasani Jusuf Myzyri, nga i cili pati marrë edhe shumë tekste, që bëjnë pjesë edhe sot në repertorin e tij të pasur. Mbase periudha e qëndrimit në Tiranë dhe takimi e bashkëpunimi me këto mjeshtra, mund të ketë ndikuar që këngëtari dhe kompozitori i ardhshëm të futet fuqishëm në rrugën e lavdishme të këngës. Tirana dhe mbarë Shqipëria, janë krenare që kanë kontribuar sadopak në formimin artistik të këtij mjeshtri të madh të muzikës sonë popullore. Pasi kthehet në Gjakovë, i përkushtohet tërësisht këngës dhe krijimtarisë artistike dhe muzikore. Gjithmonë pati treguar interes të tepruar ndaj muzikës dhe këngës popullore, sepse zëri i tij i bukur tingëlloi fuqishëm në evente të ndryshme familjare, dasma, festa e gëzime, por edhe në festivale dhe aktivitete të ndryshme zonale. Aso kohe, njihej një mjeshtër i madh i këngës popullore folklorike shoqëruar me sharki, i cili kishte bërë emër në gjithë Kosovën. Ky ishte këngëtari i njohur Ymer Riza, i cili kishte krijuar një Shoqëri Kulturore dhe Artistike dhe jepte koncerte në manifestime të ndryshme, në Gjakovë dhe në mbarë Kosovën. Në kujtimet e vetë këngëtarit, ky moment mbetet i paharruar sepse i hapi një perspective të re në jetën e tij. Për këtë ngjarje Ai kujton: ”Isha 12 vjeç kur Ymer Riza me grupin e tij erdhi në një dasëm në lagjen time, – kujton Qamili i Vogël, – Unë kisha zënë vend në fund të odes dhe poi  dëgjoja këngëtarët me vemendje. Kur pushoi orchestra njëri nga këngëtarët që më njihte i thotë këngëtarit të madh:

– Ymer Agë, këtu kemi edhe një këngëtar të ri shumë të mire!

– Ku asht? – thirri mjeshtri, – bjere këtu sepse ne për të ri kemi nevojë! Qe nga ajo ditë, ai nuk u shkëput më nga Ansambli Artistik i Ymer Rizës, me të cilin pati interpretuar mjeshtërisht edhe disa këngë. Madje këtij artisti të shquar, i cili ishte një virtuoz në instrumentin e sharkisë me 12 tela, i pati kushtuar edhe dy këngë, njëra nga të cilat ”E kam pas një jaran të vjetër”, këndohet me endje edhe sot. Ishte zëri i bukur dhe tingëllues, mënyra e interpretimit, magjia e kompozimit të këngëve, që tërhoqën vëmendjen e artistit të madh, i cili pa hezitim i ofron mundësinë të bëhet pjestar i Shoqërisë Kulturore dhe Artistike të tij. Pikërisht këtu, artisti i ri do të bëhej shumë shpejt këngëtari më i njohur dhe më i dashur dhe më popullorë për adhuruesit e këngës popullore në mbarë trojet tona kombëtare. Në këtë grup muzikorë bënte pjesë edhe një këngëtar i njohur i muzikës popullore, një veteran i shquar i këngëve me çifteli Qamil Haxhia. Kështu, për t’a dalluar nga Qamili i madh, Qamil Muhaxhirit i mbeti epiteti, Qamili i Vogël, emërtim me të cilin vetë Ymer Riza e pati thirrur gjithmonë.

Me kalimin e viteve, Ai djaloshi i vogël dhe i dobët, po rritej gradualisht dhe bashkë me të po rritej edhe niveli artistik i tij, interesi dhe dashuria për këngën, po shtohej lista e këngëve të interpretuara mjeshtërisht në studiot e Radio Prishtinës. Ȅshtë për t’u theksuar se në këtë institucion artisti dhe këngëtari i madh u pranua si pjesë e Ansamblit të Radio – Televizionit  të Prishtinës në vitin 1952, në moshën 29 vjeçare, kur ishte në kulmin e interpretimit dhe krijimtarisë së tij, duke u bërë një nga këngëtarët më të njohur dhe më të kërkuar në valet e këtij institucioni. Për rreth 40 vjet rresht, Qamili i Vogël ishte këngëtari dhe kompozitori i cili kompozonte me sukses këngët, krahas kompozitorëve të njohur Musa Piperku dhe Akil Koci, duke dhënë maksimumin në të gjitha aktivitetet muzikore dhe artistike që organizonte, apo merrte pjesë Ansambli Artistik i Radio Televizionit të Prishtinës. Duke pare se autoriteti dhe fama e tij po rritej, në vitin 1967, formon Shoqërinë Kulturore dhe Artistike “Ymer Riza”, ku bënin pjesë mjaft këngëtarë të njohur, të cilët gjallëruan së tepërmi jetën kulturore dhe artistike në trevat shqiptare, në Kosovë dhe më gjërë. Këngët e tija këndoheshin solo, duet, por shpesh edhe me grupin. Këngëtarë të pandashëm me të, të cilët kanë realizuar edhe një numër këngësh bashkë kanë qënë të mirënjohurit  Mazllom Mejzini, Ismet Peja, Bajrush Doda, Ymer Riza, Hashim Shala, Hadi Bajrami, Ukë Currani dhe shumë të tjerë. Tashmë kënga ishte bërë pjesë e jetës së tij. Ai punonte për këngën, sakrifikontë për këngën, mendonte për këngën dhe jetonte për këngën. Ka qënë me fat këngëtari i madh, sepsa ka pasur bashkëkohës shumë këngëtarë të talentuar, zëri i të cilëve i pati kaluar kufijtë e trojeve shqiptarësi: Luan Hajra, Ismet Peja, Nexhmije Pagarusha, Shaban Xhekaj, Shahindere Berlajolli, Liljana Çavolli, Pranvera Badivuku, Muharrem Mici, Hanife Sejfullariçani, Mazllom Mejzini, Gonxhe Gashi, Nezafete Shala dhe të paharrueshmin Esad Bicurri, i cili u ekzekutua nga plumbat e shovinistëve serbëbashkë me vëllezërit e tij, duke derdhur gjakun për larine e atdheut.

Në vitet 1980, isha i fiksuar të dëgjoja këngët e tij të bukura. Më intrigonin jo vetëm meloditë, por edhe tekstet e bukura të këngëve të tij. Dëgjoja plot emocion dhe kënaqësi këngët: ”Kadaldal po vjen pleqnia”, “Ku po knojn kto dy kumrija”, “Prej mallit të bukurisë”, “Ka nji vit e disa muji”, “O kandil…”, Pasha sytë e mi”, “N’ato kodra dhent i lshova”, T’shytoftë zana moj Xhevahire”, “Po vijnë zogjtë tuba – tuba”, “ Kanga e Mihanes”, “Pranvera ka nisë me dalë”, “Prej mallit të bukurisë”, “Zuna n’kaike e rash në det” e mjaft të tjera, të cilat i dëgjonim në menyrë ilegale, pasi autoritetet shtetërore komuniste nuk na lejonin. Mbaj mend, se në vitin 1983, në një dasëm në fshat kënduam bashkë me një shok timin këngën “O kandil…”, të cilën e interpretonin në duet Qamili i Vogël dhe Mazllom Mejzini. Të nesërmen, meqë isha edhe mësues, më thirrin autoritetet partiake dhe më këshilluan: “Nëse këndon edhe një herë tjetër këngë revizioniste, do të propozojmë pushimin tend nga puna”. U largova i pezmatuar nga zyra e pushtetit, duke menduar për varfërinë intelektuale dhe kulturore të këtyre njerzve, që nuk njihnin sa këngët e bukura dhe frymëzuese kosovare dhe shqiptare. Kujtimet mbeten në mendjet dhe në zemrat e dëgjuesëve të shumtë, të atyre që e kanë njohur, por edhe të dëgjuesëve të shumtë anë e mbanë trojeve shqiptare. Atë e bëri të njohur talenti për të krijuar dhe për të kënduar, zëri i tij i mrekullueshëm, e bënë të njohur vlerat e mëdha njerzore që i shpërfaqte me shokët herë pashere. Më kujtohet se para 20 vitesh, aty nga muaji gusht i vitit 2003, së bashku me disa miq të mi shkrimtarë dhe artiste, bëmë vizitën e parë në Kosovën e pasluftës. Në Gjakovë takuam poetin e njohur Engjëll Berisha, me të cilin diskutuam për punën krijuese dhe projektet për të ardhmen. Pastaj na u dha rasti të takojmë poetin e shquar Din Mehmeti dhe këngëtarin legjendar gjakovar Ismet Peja. Tepër i entuziazmuar për këtë takim të papritur, në një moment e pyes artistin e madh për Qamilin e Vogël, i cili më ishte fiksuar në kujtesë. – Po, – më tha, – e kam njohur, kemi bërë disa bashkëpunime. Ishte artist i madh, megjithse nuk dinte t’i binte asnjë vegle muzikore. Ai muzikën e kishte talent të lindur. Ishte i çuditshëm ky fakt që më bëri të njohur Prof. Ismeti, megjithatë mendoj se talentë të tillë lindin rrallë, por lënë gjurmë të pashlyera në kujtesën e popullit të tyre.

Arkiva krijuese dhe interpretuese e Qamilit të Vogël, është mjaft e pasur, Mjafton të themi se ai ka interpretuar mbi 100 këngë tërësisht të muzikës popullore dhe folklorike, ka xhiruar katër albume muzikore mes të cilëve, ”Bylbyl në Çabrat”, “Maroma nji kafe”, “Këngë popullore shqiptare”, “Këndojnë bylbylat” etj. Qamili Vogël ishte një këngëtar popullor, që shpesh thirrej me dashuri edhe “Bilbili i Kosovës”, por veç të tjerash ai ishte poet dhe kompozitor, ishte një talent i palodhur i cili tërë jetën dhe veprimtarinë e tij artistike ia kushtoi këngës, që pati synuar t’a përhapte gjithandej në trevat shqiptare. Prandaj sot, shumë këngëtarë të rinj synojnë të këndojnë këngët e tij dhe të ecin me guxim në gjurmët e tij. Shumë nga krijimet dhe këngët e tij, Ai i pati mbledhur dhe botuar në disa dispensa, të cilat i shpërndante me qëllim që të rinjt t’i mësonin vargjet e bukura të këngëve popullore. Si rrjedhim, sot kemi në duar 11 materiale me këngë të botuara në vite të ndryshme, që nisin që nga viti i largët 1957. Në këtë menyrë artisti i madh shumëdimensional na ka lënë një trshegimi të vyer kulturore dhe folklorike, që në të ardhme duhet vlerësuar seriozisht. Disa nga botimet e tij mund të përmendim: “Bylbyli në Çabrat” – Prishtinë 1957 dhe 1961, “Me sharkinë e Ymer Rizës” – Prishtinë 1959 dhe 1961, “Lulet e beharit” – Prishtinë 1963, “Tre hasjanë” – Prishtinë 1963, “Flaka e zemrës” – Prishtinë 1963,  “Këndojnë bylbylat” – Prishtinë 1973, “Fyelli i bariut” – Prishtinë 1973, “Lule gjaku” – Prishtinë 1975, “Valët e kohës” – Prishtinë 1975, “Këngë krenare” – Prishtinë 1978 dhe “Lulëkuqe të dashurisë” – Prishtinë 1978. Këto këngë poeti i shquar i la trashegim, me qëllim pasurimin e korpusit të këngës popullore dhe folklorike shqiptare, sepse ai punonte dhe krijonte që brezat e ardhshëm t’a trashëgonin dhe t’a këndonin këngën tonë popullore. Në këtë funksion, këngëtari i njohur incizoi edhe 9 disqe gramafoni me këngë e veta, me mjaft vlera për kohën, ndërsa në vijim edhe rreth 20 audio – kaseta me këngë e valle të trevave të ndryshme shqiptare. Këngët e Qamilit të Vogël tingëllojnë edhe sot mjaft të zjarrta, melodioze, të bukura dhe aktuale, kur po mbush 100 vjetorin e lindjes,. Kjo për shkak të tematikave të larmishme të cilat autori i ka trajtuar me mjeshtëri, si motivi i dashurisë së zjarrtë rinore, këngët që synojnë të stigmatizojnë dashurinë për vendlindjen, temë shumë e trajtuar edhe nga poetët e asaj kohe, si dhe këngët që pasqyrojnë dhimbshëm fatin tragjik të të riut në dashuri. Në një varr në Gjakovë është shkruar një epitaph që sintetizon jetën, veprën , talentin, vështirësitë dhe arritjet e këtij artisti fisnik. Ai e kishte parandjerë vdekjen, prandaj me penën e tij prej poeti të shquar kishte qëndisur pak para vdekjes këto vargje të dhimbshme: “O ju shokë, miq’ e dashamirë! / Kur t’kaloni ndoj her’ k’tu pari, /K’thehuni e m’kqyrni ku jam i shtrirë, / Ndoshta pak ju hiqet malli! / Këto fjalë që janë n’kët guri, / Për kujtim ja u lash n’atë jetë, / Se jam kenë gjithmonë i juaji, / Ju këndova pa hiç pritesë, / Një pjesë t’botës e kërkova, / Tuj këndu’ ndër mërgimtarë, / Me dëshirë gjithmonë u këndova. / Veç me i kënaqë kah ka shqiptarë! / Pra, m’kujtoni, or shokët e mi, / E mos e harroni kët’ arshik të vjetër! / Se jam kenë nji sevdali, / I mirë e i keq, si unë s’keni tjetër! / 68 vjetët që jetova, / Nuk u ngina me atë jetë! / …Boll fort pra që u mundova, / Por s’ish çare për pa vdek…! Këto vargje tregojnë qartë se Ai lindi, jetoi dhe vdiq si legjendë. Qamili i Vogël – Muhaxhiri, mbylli sytë përgjithmonë më 04. 11. 1991, në moshën 68 vjeçare, dukë na lënë një pasuri të pavdekshme, që do t’i shërbejë pasurisë sonë folklorike për shekuj me radhë. Personaliteti i tij do të kujtohet gjatë, ndërsa kënga e tij do të jehojë e kristaltë dhe plot dashuri ndër shekuj në trojet tona mbarëkombëtare.

VLASH PRENDI

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok