06/12/2024

Kur foli ish-presidenti Moisiu!

0
Sali-Berisha2

Nga Eshref Ymeri

Gati tre muaj e gjysmë më parë, pikërisht më 29 mars, në youtube, në emisionin e mirënjohur të gazetarit Ylli Rakipi “Të paekspozuarit”, të transmetuar në kanalin televiziv “tvz.al”, ndoqa bisedën e tij me të ftuarin në studio, ish-presidentin  Alfred Moisiu.

Në qendër të bisedës ishte diskutimi për foltoret e organizuara në mbarë vendin për problemet brenda Partisë Demokratike dhe për shkëmbime mendimesh me ish-kryetarin e saj, Profesor Berishën.

Gazetari Ylli Rakipi ishte i interesuar të mësonte se cili ishte këndvështrimi i ish-presidentit Moisiu për ato foltore dhe për vetë Profesor Berishën.

Që në fillim, ish-presidenti u pozicionua hapur kundër foltoreve dhe kundër Profesor Berishës. Gazetari, në heshtje, i bindur për pjesëmarrjen e gjerë në ato foltore të simpatizantëve të partisë demokratike, tërthorazi, u mundua t’i jepte Moisiut të kuptonte se Profesor Berisha ka shumë përkrahës, të cilët e ndjekin me mjaft interes në ato kuvende me qytetarët, por ish-presidenti ishte mjaft i prerë në këndvështrimin  e tij. Madje deklaroi shkoqur:

Berishën e ndjek pjesa më e pakulturuar e popullit. Fundi i dynjasë, nëse vjen Berisha në pushtet!”.

U befasova nga kjo deklaratë e ish-presidentit, i cili ka qenë kryetar i shtetit që nga viti 2002 deri në vitin  2007. Si ishte e mundur që ai ta deklaronte aq hapur antipatinë e vet, mungesën e theksuar të respektit për gjithë ata qytetarë, të cilët, gjatë zhvillimit të foltoreve, me shumë të drejtë, ngrinin  mjaft probleme shqetësuese për gjendjen e mjeruar ku e ka katandisur vendin kasta politike majtiste me Ramën në krye.

Si është e mundur që atij ish-presidenti nuk i bënin  përshtypje  në ato foltore faktet që rreshtonin  qytetarët për varfërinë që ka pllakosur njerëzit e thjeshtë për shkak të qeverisjes antikombëtare të Ramës, e cila ka bërë çdo gjë për shpopullimin e vendit, me të vetmin  qëllim që numri i shqiptarëve që duan të ikin të jetë edhe më i madh? Çuditërisht, jo vetëm që nuk i bënin përshtypje, por, në një studio televizive, edhe i fyen publikisht, duke i etiketuar si “pjesa më e pakulturuar e vendit”! Po të kemi parasysh mitingun madhështor të protestës së 07 korrikut, sipas gjykimit racist të ish-presidentit Moisiu, rezultuaka se atje paskan marrë pjesë dhjetëra mijëra qytetarë “të pakulturuar”. Madje ai i deklaroi gazetarit:

“Ata që e ndjekin Berishën janë vetëm ish-doganierë, ish tatimorë, ish-financierë, ish-policë”.

Domethënë, sipas Moisiut, vetëm këta na paskan qenë të pranishëm në mitingun madhështor të protestës së 07 korrikut!!!

Këto shprehje fyese të ish-presidentit, më kthyen prapa në vite dhe më kujtuan menjëherë fjalët që ai pati thënë në një studio televizive, ku ishte i ftuar fill pas zgjedhjes së tij në krye të shtetit. Ai tha se kur e kishin transferuar në Burrel, kishte menduar të vriste veten! Që asokohe, humba çdo respekt për atë burrë, sepse më krijoi bindjen që ishte njeri me karakater dyfish të dobët:

Së pari, transferimi i tij në korpusin e Burrelit nuk ishte ndonjë tragjedi, sepse atje qe dërguar jo në rolin e një ushtari të thjeshtë, por për kryerjen e detyrës si një ushtarak i lartë. Aq më tepër që Burreli vetëm dy orë ishte larg nga Tirana.

Së dyti, kur një njeri serioz mendon të vrasë veten për një arsye që e di vetëm ai, këtë nuk ia rrëfen askujt, por kryen vetëvrasjen dhe largohet për në botën tjetër. Por kur deklaron publikisht se mendonte të kryente vetëvrasje, aëherë ai zbulon cektësinë e karakterit të vet, çka dëshmon se është gjysmak nga mendja.

Shtrohet pyetja: derisa, sipas Moisiut, krahu opozitar në mbështetje të Profesor Berishës, që përfaqëson të djathtën shqiptare, u përbëka nga njerëz “të pakulturuar”, atëherë cili krah përfaqësuaka pjesën më të kuluruar të popullit tonë? Përgjigjja nënkuptohet: krahun më të kulturuar na e përfaqësuaka majtizmi, me në krye Ramën!!!

Po atëherë, ish-presidenti Moisiu si e shpjegon që ky majtizmi i kulturuar, i udhëhequr nga Rama gjatë nëntë vjetëve, ka bërë gjithçka për varfërimin e pjesës dërrmuese të popullsisë së vendit tonë?

Se njerëzit e kulturuar, në krye të qeverisjes në çdo vend të botës, mendojnë se si e si t’ia bëjnë sa më të mirë jetesën popullit të vet. Por se si ka qeverisur dhe si vazhdon  të qeverisë Rama, le ta mësojmë nga disa materiale në vijim, të botuara në faqet e internetit, të cilat ish-presidenti Moisiu me siguri që i ka lexuar. Në njërin nga këto materiale, thuhet:

“Nga viti 2013 në vitin 2018 janë larguar nga vendi 875 mjekë. Teksa vetëm gjatë vitit 2018 janë larguar nga vendi, kryesisht drejt Gjermanisë, rreth 2 mijë infermierë. Sipas të dhënave nga numri i çertifikatave të kërkuara pranë Urdhrit të Mjekut, vetëm në vitin 2018 janë larguar 164 mjekë, nga 250 të diplomuar në fakultetin e mjekësisë… Studimi, i drejtuar nga Profesori anglez Russell King i University of Sussex dhe studiuesi shqiptar, dr. Ilir Gedeshi, zbuloi se 52% e shqiptarëve në moshë 18-40 vjeç, kanë dëshirë të largohen nga atdheu..Studimi tregon se një nga arsyet kryesore pse njerëzit duan të ikin, është se nuk shohin të ardhme për vete dhe fëmijët e tyre në Shqipëri. Pjesa më e madhe kërkojnë një shkollim më të mirë për fëmijët e tyre. Vendet e preferuara janë Gjermania dhe SHBA. Arsye tjetër kryesore janë të ardhurat shumë të ulëta në Shqipëri, ku kostoja e jetesës sa vjen e ngrihet… Është ky grup faktorësh: të ardhura të ulëta, pakënaqësia nga arsimi i lartë, perspektiva të vakëta pune, mungesa e perspektivës për brezin e ri, që vazhdojnë të ekzistojnë, duke e bërë Shqipërinë të zërë vendin e parë në Europë dhe të pestin në botë për dëshirën e madhe për të emigruar – në bazë të një studimi të IOM (International Organization for Migration). Në parlamentin francez u zhvillua një debat për azilkërkuesit. Kryeministri i Francës, Emanuel Makron, foli edhe për Shqipërinë, kur informoi se shqiptarët janë të dytët pas Afganistanit për numrin e lartë të azilkërkuesve. Ai deklaroi: “Një vend kandidat për në BE, që është i dyti për nga azilkërkuesit. Një paradoks”.Ne kemi një ministër e një qeveri që e stimulon emigrimin e bluzave të bardha drejt Gjermanisë. Ministri mburret se si qeveria ia ka dalë që, falë vëmendjes tek arsimi profesional, të përgatisë 250 infermierët e parë, të gatshëm për tregun gjerman. Kryeministri Edi Rama e sheh si një mundësi të mirë për ata profesionistë që kërkojnë të ardhmen e tyre në vende të ndryshme të perëndimit” (Citohes sipas: “Shqipëria po shpopullohet”. Faqja e internetit “Tetova News”. 09 korrik 2022).

Largimi i qëllimshëm i mjekëve dhe i infermierëve është mënyrë djallëzore, është vepër antikombëtare, sepse popullsia e mbetur në vend s’ka ku të drejtohet për probleme shëndetësore dhe domosdo që njerëzit do të detyrohen të largohen drejt vendeve të huaja.

Ja një fakt tragjik për fshatin Shishtavec, fakt që dëshmon fare qartë për strategjinë antikombëtare që ka ndjekur dhe vazhdon të ndjekë Rama për shpopullimin e vendit që kur erdhi në pushtet në shtator të vitit 2013:

“Fshati është thuajse i boshatisur. Sipas censusit të vitit 2011, Shishtaveci ishte një ndër zonat më të populluara të qarkut të Kukësit, me një popullsi prej rreth 3800 banorë. Tani atje kanë mbetur vetëm të moshuar që jetojnë të vetmuar” (po aty).

Domethënë, kryeministri Rama e deklaron hapur që profesionistët të ardhmen e paskan të siguruar vetëm në vende të huaja, duke i nxitur që të ikin me vrap. Ky është një turp i padëgjuar ndonjëherë në ndonjë vend të botës, ku kryeministri të ketë nxitur shpopullimin e vendit të vet. Kjo është tradhti e lartë. Po të kishim një shtet me të vërtetë ligjor, kryeministri duhej të merrej i pandehur dhe të dënohej në bazë të kodit penal për shpopullimin e qëllimshëm të vendit, me synimin përfundimtar shpërbërjen e Shqipërisë, ç’ka ka qenë strategji e kahershme e shovinizmit grekosllav, e përkrahur në heshtje nga Perëndimi evropian, i cili shqiptarët i ka urryer tradicionalisht.

Në një tjetër material thuhet:

“Niveli i popullsisë që jeton me më pak se 5.5 USD/ditë është dy herë më i lartë në vendin tonë se sa në të gjithë rajonin. T’i vrasësh rinisë shpresën është njësoj si ta dëbosh me forcë nga vendi. Është njësoj siç Sllobodan Millosheviçi dëbonte me forcë shqiptarët nga Kosova” (Citohet sipas: Shpopullimi i vendit, pedagogu Bundo: T’i vrasësh rinisë shpresën është njësoj si ta dëbosh me forcë nga vendi”. Faqja e internetit “Dosja”. 09 korrik 2022).

Po a e shqetëson ndopak ish-presidentin Moisiu fakti që vetë qeveria Rama ka qenë dhe është e interesuar për shpopullimin e vendit, sidomos për largimin e atyre intelektualëve profesionistë që përbëjnë trurin e mbarë kombit? Po a e di vallë ish-presidenti se ku po e çon vendin Rama me largimin e intelektualëve të përgatitur, duke nxitur shtimin e njerëzve pa arsim?

Eksperti i arsimit Ndriçim Mehmeti përjell shqetësimin në vijim:

“Njerëzit pa arsim qeverisen më lehtë, shtypen më lehtë dhe manipulohen më lehtë. Sot ia kemi mbërritur kësaj dite”. (Citohet sipas: “Njerëzit pa arsim qeverisen më lehtë”, Mehmeti: Në një kohë të afërt nuk do të ketë mësues për nxënësit”. Faqja e internetit “Livestream”. 29 qershor 2022).

Pas deklaratës së Moisiut se rikthimi i  Berishës në pushtet na qenka fundi i dynjasë, vetvetiu shtrohet një tjetër pyetje:

Ku e ka burimin  ky mllef i ish-Presidentit kundër Profesor Berishës? Sepse gjatë qeverisjes së tij prej vitit 2005 deri në vitin 2013, nuk qe vënë re absolutisht një shpopullim i tillë i vendit  me përmasa kaq katastrofike?

Ish-presidenti nuk mund të mos e dijë që kanë qenë disa arsye të forta ekonomike ato që nuk patën bërë të mundur shpopullimin e vendit në të tilla përmasa: rrogat dhe pensionet rriteshin çdo vit jo më pak se 04%. Vetëm më 01 maj të vitit 2009, rrogat dhe pensionet u u rritën me 10%. Gjtë tetë vjetëve, rrogat e mjekëve u trefishuan: nga 22 mijë lekë në vitin 2005, në 66 mijë në vitin 2013. Prandaj Shishtaveci, në kohën e qeverisjes së Profesor Berishës numëronte 3800 banorë. Po pas nëntë vjetësh të qeverisjes antikombëtare të Ramës, ore ish-president, çfarë ka ndodhur me Shishtavecin? Ja si shprehen pleqtë e mbetur atje:

“Jemi rreth 50 pleq e plaka që jetojmë në këtë fshat. Fëmijët kanë ikë. S’kanë me se të ushqehen këtu. Të gjithë kanë ikë… edhe unë që jam 67 vjeç do të ikja po të mundesha. Jemi vetëm ne… s’ka kush na varros” (Citohet sipas: “Shqipëria po shpopullohet”. Faqja e internetit “Tetova News”. 09 korrik 2022).

Ish-presidenti Moisiu nuk mund të mos e dijë, që, gjatë qeverisjes së Profesor Berishës, kur u hoqën  vizat në vitin 2010, nuk u vu re absolutisht ndonjë dyndje e njerëzve drejt Rinasit, për të braktisur vendin.

Moisiu deklaroi se ka respekt për Bashën. Po ku e bazonte këtë repekt? Nuk e ditka ish-Presidenti që Basha është një langua i Ramës, një paçavure e politikës opozitare, me të cilën  ai ka fshirë këmbët që prej takimit të fshehtë të 17 majit të vitit 2017?

Gjatë bisedës në studio, ish-presidenti, për të nxjerrë edhe më në pah antipatinë e tij për Berishën, deklaroi se në vitin 2009 paska botuar një libër, ku ka kritikuar problemet në minimin e demokracisë, në drejtësi dhe problemet e korrupsionit.

Po ai pse nuk qenka kujtuar të shkruajë një libër tjetër për periudhën e qeverisjes majtiste të Ramës që prej vitit 2013, për të nxjerrë në pah politikën e tij antikombëtare jo vetëm në ekonomi, me pasoja varfërimin e shumicës së popullit tonë, por edhe në politikën  e jashtme, për të demaskuar flirtet e kryesocialistit me Vuçiçin, kriminelin e Dardanisë?

Ish-presidenti nuk mund ta bëjë një gjë të tillë se ai, që në moshën e rinisë, është brumosur me ide komuniste dhe i përket krahut majtist. Ai është i biri Spiro Moisiut, i cili, bashkë me argatin e serbosllavizmit Enver Hoxha, respektivisht si komandant dhe komisar politik të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional Çlirimtare, gjatë luftës, dhe pikërisht më 20 korrik 1943, patën firmosur një dokument-autorizim, tepër poshtërues për dinjitetin tonë kombëtar, për çka flitet në vijim :

“Historiani Kastriot Dervishi ka publikuar në rrjetin social Facebook autorizimin që serbi Dushan Mugosha, i njohur gjatë luftës me nofkën “Sali Murati”, të ishte vendimmarrës në brigadën e parë komuniste. Dokumenti, sipas tij, nuk gjendet në Arkivin Qendror Shqiptar, por në Arkivat e Partisë Komuniste Jugosllave. Dervishi ngre pyetjen se pse Mugosha dhe Popoviçi ishin ende vendimmarrës në Shqipëri, dy vjet pasi themeluan PKSH-në?” (Citohet sipas: “Nga arkivi: E drejta e Dushan Mugoshës për të vendosur gjatë Luftës N-ÇL në Shqipëri”. Faqja e internetit “Pashtriku”. 03 nëntor 2016).

[Historiani Kastriot Dervishi ka shtruar një pyetje me shumë vend. Por Dushani dhe Miladini nuk mund të largoheshin nga Shqipëria, pasi na themeluan partinë për pazotësinë e komunistëve shqiptarë, sepse misioni i tyre, sipas porosisë që kishin marrë nga Beogradi, nuk përfundonte vetëm me themelimin. Ata duhej ta vazhdonin më tej  misionin e vet: të përgatisnin  terrenin për përçarjen e popullit shqiptar, të cilën kryeargati i tyre, tradhtari Enver Hoxha, e zbatoi me shumë egërsi nëpërmjet luftës vëllavrasëse që shpërtheu në shtator të vitit 1943 dhe pas vitit 1944 e vazhdoi edhe më me egërsi me luftën  e klasave.]

Kjo është arsyeja që ish-presidenti Moisiu, me antipatinë e tij kundër Profesor Berishës, rreshtohet në krah të Ramës, argatit të serbosllavizmit, sipas traditës së trashëguar nga i ati dhe nga Enver Hoxha. Atij nuk i bën absolutisht përshtypje qëndrimi burrëror i Profesor Berishës, si i vetmi politikan me dinjitet kombëtar, në mbrojtje të Dardanisë, me demaskimin që i ka bërë dhe po i bën vazhdimisht kriminelit Vuçiç, me të cilin Rama, në një takim të fshehtë në Nish, diskutoi për ndarjen e Dardanisë. Me siguri që ish-Presidenti e ka lexuar informacionin  në vijim:

“Në 2016, në Nish, Vuçiç filloi bisedimet me Ramën për ndarjen e Kosovës…” (Citohet sipas: Sonja Biserko: “Jo Bolton as Grenell, ja kush filloi bisedimet më 2016 për ndarjen e Kosovës”. Faqja e internetit e gazetës “Bota Sot”. 06 korrik 2020).

Pra, në personin e ish-presidentit të vendit Moisiu, zbulohet simpatia e tij për dyshen Rama-Soros, njëri tradhtar, kurse tjetri armik i kombit shqiptar, del në pah pozicionimi i tij si sorosist i thekur.

Me qëndrimin e tij kundër Profesor Berishës, ish-presidenti Moisiu është rreshtuar në krah të lukunisë së të ashtuquajturve gazetarë dhe analistë, që po ua rendis (disave disa herë) emrat më poshtë alfabetikisht, të cilët, me “parashikimet profetike” që kanë bërë për Profesor Berishën në internet dhe nëpër studio televizive, i kanë nxjerrë bojën vetes para lexuesve dhe teleshikuesve, si njerëz pa kurrfarë dinjiteti, si langonj të vërtetë të Ramës dhe të serbosllavizmit. Ata janë:

Altin Ketro: Përsiatje pas një mitingu butaforik”. Faqja e internetit e gazetës “Shqiptarja.com”. 09 korrik 2022).

Frrok Çupi. Deklarata bombë “Berisha futet në burg në këtë datë”. Çupi nxjerr gjithçka | Breaking Top News. 01 dhjetor 2021. Nga Skajpi Frrok Çupi deklaroi: “Nëse Partia Demokratike do të ekzistojë, duhet të përjashtojë Berishën” dhe u shpreh me shpërfillje për pjesëmarrësit e foltores.

Frrok Çupi: “Mendoj se nga data 8 dhjetor Sali Berisha do të jetë në burg, i arrestuar nga SPAK” (Citohet sipas: “Do ndodhë para Kuvendit të 11 dhjetorit, analisti plas “bombën”: Sali Berisha arrestohet nga SPAK”. Faqja e internetit “NEWSBOMB”. 03 dhjetor 2021).

Frrok Çupi në Top Talk: I qëndroj idesë së arrestimit të Berishës. Nuk ka rrugë tjetër. 17 dhjetor 2021.

Frrok Çupi në Top Talk: Arrestimi i Berishës çështje kohe. Këtë e di dhe pret edhe vetë ai. 03 janar 2022.

Jakin Marena. Shkruan Jakin Marena. Berisha i ‘djegur’ kërkon të poshtërojë e ‘përvëlojë’ dhe Bashën, PD drejt shuarjes. Pamflet. 31 dhjetor 2021.

Lorenc Vangjeli: Sali Berisha vijon të jetë infeksion i rëndë i politikës dhe shoqërisë shqiptare” (Citohet sipas: “Lorenc Vangjeli: Protestuesit VS Berisha, edhe perlat prodhohen nga infeksioni i midhjeve”. Faqja e internetit e gazetës “Shqiptarja.com”. 09 korrik 2022).

Mero Baze. Sali Berisha e meriton të vetëvritet! Shkruan Mero Baze. Pamflet. 11 nëntor 2021.

Mustafa Nano ka deklaruar: “Mund të mblidhen 1000-2000 demokratë, por nuk kanë për të bërë asgjë, sepse do të ishte “plumbi i fundit që do t’i fuste Berisha vetes”, – tha Nano për MCN Tv (Citohet sipas: “Nano paralajmëron fundin e hidhur të Berishës. Nëse ndodh kjo gjë, do të jetë plumbi i fundit që do t’i fuste vetes”. Faqja e internetit “Drini news”. 06 dhjetor 2021).

Skënder Minxhozi. Minxhozi kundër lëvizjes së fundit: Berisha incident historik, 77-vjeç dhe kthehet për të hapur… Deklaratë në Studion e Sokol Ballës. News 24. 13 dhjetor 2021.

Sokol Pepuishaj. SHBA urdhëron arrestimin e Sali Berishës (me autor Sokol Pepushaj). Pamflet.   Oct 27, 2021.

Sokol Pepushaj. Arrestimet VIP që nisin me Sali Berishën. Shkruan Sokol Pepushaj. Pamflet. 02 dhjetor 2021.

Sokol Pepushaj. Shkruan Sokol Pepushaj (deklaron se Sali Berisha dhe Ilir Meta do të vetëvriten): Shtëpia e Bardhë ia nxori tymin e zi. Pamflet. 10 dhjetor 2021.

Sokol Pepushaj. Shkruan Sokol Pepushaj: Saliu me “ushtri” gati të sulmojë Ambasadën Amerikane. Pamflet. 13 dhjetor 2021.

Sokol Pepushaj. Blindohet Shqipëria, Amerika rrethon Sali Berishën me 4200 “ushtarë”. Shkruan Sokol Pepushaj. Pamflet. 08 dhjetor 2021.

Sokol Pepushaj. Sali Berisha dorëzohet në Ambasadën Amerikane! Pamfleti. 23 maj 2022.

Spartak Ngjela. Ngjela zbërthen mesazhin e Kim: Berisha do ekstradohet në SHBA, vendimin e ka marrë FBI. Intervistë në News 24. 02 gusht 2021.

Spartak Ngjela. SHBA pritet të marrë vendimin final për Berishën; Saliut do i sekuestrohen të gjitha pasuritë. (Shkruan Spartak Ngjela). Pamflet. 01 nëntor 2021.

Spartak Ngjela. Exclusive nga avokat Ngjela: “Për 15 ditë dalin provat e Amerikës kundër Berishës”. | Breaking Top News. 05 nëntor 2021.

Spartak Ngjela. Ngjela zbulon strategjinë amerikane: Si do arrestohet Berisha, ekspertët e FBI në SPAK… Intervistë në News 24. 09 nëntor 2021.

Spartak Ngjela. Ngjela i fut të “dridhurat” Berishës. “Ka frikë nga ndonjë ekstradim dhe…” | Breaking Top News. 24 nëntor 2021.

Spartak Ngjela. Diplomacia e fortë e ambasadores Yuri Kim, Sali Berisha është afër goditjes penale. Shkruan Spartak Ngjela. Pamflet. 30 nëntor 2021.

Spartak Ngjela. Fati politik i Berishës? Ngjela: Doli nga selia nga frika se mos arrestohej ose “goditej”, fiton Basha. News 24. 15 dhjetor 2021.

Spartak Ngjela. Ngjela: Berisha arrestohet nëse hyn në zyrën e kreut të PD-së, protesta i dështoi – Vizion Plus. 21 dhjetor 2021.

Ylli Pata. Shkruan Ylli Pata. Letra e Gary Kokalarit, goditja fatale për “Foltoren” e Berishës në SHBA. Pamflet. 30 nëntor 2021

Siç shihet, kryekaragjozi dhe kryemashtruesi i kësaj liste është Spartak Ngjela, që është bërë si një teneqe e shpuar nëpër studiot televizive, i pasuar nga Sokol Pepushaj, Frrok Çupi dhe të tjerë. Sigurisht që ka edhe më, por u mjaftova vetëm me këta. Lind pyetja: cila është ajo “ofiçinë politike” që prodhon modele të tilla servilësh dhe mashtruesish të pështirë? Dihet. Çdokush që është i dashuruar me pushtetin, kur ia arrin ta hedhë në dorë, ka si synim të përhershëm përjetësimin e tij, duke bërë ç’është e mundur për të grumbulluar rreth vetes një tufë servilësh shembullorë, të cilët, përmes mjeteve të informimit masiv, vijnë e shndërrohen në puthadorë të kalitur të agait të tyre në artin e gënjeshtarisë, duke mashtruar paturpësisht opinionin e gjerë, pa u bërë merak fare për poshtërimin e vetvetes. Tek po rreshtoja emrat e mashtruesve të mësipërm, m’u kujtuan ca fjalë të arta të dy personaliteteve të kulturës botërore. Ata janë filozofi dhe historiani anglez Bekon ( Francis Bacon 1561-1626) dhe shkrimtarja dhe filozofja amerikane Ain Rend (Ayn Rand – 1905-1982). Ata kanë thënë:

Bekon: “Gënjeshtra zbulon shpirtin e dobët, mendjen gjysmake dhe karakterin mëkatar”.

Ain Rend: “Forma më e ulët e vetëposhtërimit dhe e vetëshkatërrimit, është nënshtrimi i arsyes tënde para arsyes së tjetrit, pranimi i një autoriteti mbi trurin tënd, pranimi i pohimeve të tij si fakte, pranimi i thënieve të tij si të vërteta, pranimi i tekave të tij si ndërmjetëse mes ndërgjegjes dhe ekzistencës tënde”.

Me të pavërtetat që i kanë përcjellë publikut për Profesor Berishën, këta gënjeshtarë, këta mashtrues të sojit të rrallë, e kanë ngritur tepër lartë stekën e vetëposhtërimit në shërbim të majtizmit në tërësi dhe të Ramës në veçanti. Ata më sollën ndër mend fjalët e shkrimtarit dhe të përkthyesit çek Karel Çapek (1890-1938), i cili, për gazetarë të këtij kallëpi, ka thënë se ata “kanë ca ngjashmëri me të bijat e Danait, të cilat perënditë i dënuan të mbushnin me ujë një vozë të shpuar nga poshtë”.

E kuptoj që mitingu madhështor i protestës së 07 korrikut, i ka çarmatosur keq, ua ka nxjerrë sheshit natyrën e tyre prej njerëzish pa kurrfarë karakteri, prej njerëzish kurrizshtruar para agait të tyre Rama.

Më ka lënë mbresa të thella një shkrim i zonjës Beta Njuma, e cila, në këndvështrimin tim, është një ikonë e gazetarisë shqiptare, sepse e çmon lart dinjitetin personal dhe profesional. Ajo shkruan:

“Dy ditë më parë gazetarët, në fakt një pjesë fare e vogël e tyre, dolën në protestë kundër kryeministrit Rama dhe masës ndëshkimore që ai mori kundër një kolegu me “riedukim”, që në gjuhën e kryeministrit do të thotë përjashtim nga konferencat për shtyp që ai jep dhe e drejta për pyetje. Nuk është hera e parë që kryeministri Rama përdor këtë standard për gazetarët që nuk thonë atë që ai do, që nuk mendojnë si ai dhe bëjnë pyetje që nuk i pëlqejnë. Riedukimi ka prekur më parë shumë kolegë, të cilëve Edi Rama u ka bojkotuar studiot, që nga Sonila Meço e deri tek unë, Beti Njuma. Unë prej tre vitesh jam në riedukim, sepse kryeministrit nuk i ka pëlqyer një status i imi në Facebook. Kolegët tanë kanë qëndruar indiferentë ndaj këtyre sjelljeve kryeministrore, kanë heshtur për mesazhet kërcënuese ndaj meje të kryetarit të Bashkisë Veliaj. Kryeministri ka marrë mandat për të qeverisur Shqipërinë, jo për të bërë edukatorin e punonjësve të medias, apo, më keq akoma, prokurorin, policin dhe gjykatësin” (Citohet sipas:  Beti Njuma. “Në “edukim të përjetshëm””. Faqja e internetit “Livestream”. 06 korrik 2022).

Gazetarë të formatit të zonjës Beta Njuma janë shumë të rrallë në mjetet e informimit masiv. Aristotel Petro, në një shënim, të botuar në internet pas largimit të papritur për në botën tjetër të analistit Kastriot Myftaraj, ndihet i revoltuar nga disa faqezinj që kanë bërë komente fyese për të ndjerin. Ai shkruan:

Nuk ka fatkeqësi më të madhe kur një Penë e lirë shkruan të vërteta për t’i hapur sytë këtij populli të shumëvuajtur e të marrë pas tërë ato fyerje, edhe pse asnjëherë nuk ka fyer asnjë nga komentuesit zemërkatranë! Për kë duhet të përpiqet e të punojë një gazetar sot?… Fatkeqësi dhe humbje për median e lirë, për gazetarinë e vërtetë që, edhe kështu, në Shqipëri të tillët janë aq pak, sa mund të numërohen me gishtat e një dore! (Citohet sipas: Aristotel Petro: “Kastriotin e kanë vrarë”.  Faqja e internetit “Tetova News”. 09 korrik 2022).

Mashtrimet e ish-presidentit Moisiu dhe të lukunisë së gazetarucëve të lartpërmendur, që i janë përcjellë opinionit publik në mjetet e informimit masiv për Profesor Berishën, ngjajnë si dy pika uji me mashtrimet e gazetarit-kryeservil të Putinit, Dmitër Kiselov, i cili, në mars të vitit 2014, pati deklaruar se Rusia na qenkej e aftë t’i shndërrojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në hi radioaktiv!!! Në përgjigje të kryeservilit Kiselov, reagoi zëvendëskryeministri, Dmitri Rogozin (1963), i cili e njoftoi publikun rus me deklaratën në vijim:

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, brenda disa orëve, mund të zhdukin deri në 90% të potencialit tonë bërthamor” (Citohet sipas: Dmitri Rogozin. “Rusia do ta humbasë luftën me Amerikën brenda gjashtë orëve”. Faqja e internetit “Mikru”. 28 qershor 2014).

Ish-presidenti Moisiu dhe lukunia e të ashtuquajturve gazetarë dhe analistë, pavarësisht nga mashtrimet e tyre të shpifura për mbështetësit e Profesor Berishës dhe për vetë figurën e tij, duhet ta dinë mirë dhe të vetëngushëllohen se ai gëzon respekt nga përkrahës të shumtë  jo vetëm në atdheun amë, por edhe në Dardani. Në një faqe interneti të ditëve të fundit, thuhet:

“Historia dhe historianët e ardhshëm do të shkruajnë dhe do të flasin   për një Shqipëri shumë më ndryshe, dhe për një shqiptar të dijshëm, të dinjitetshëm dhe të guximshëm, ish-kryeministrin dhe liderin historik të PD, Sali Berisha. Ky i mbeti konsitent politikës parimore, politikës për shtet dhe për komb. Politika e Sali Berishës është politikë thellësisht për trasim të një rruge të ndritur, të një rruge, e cila e dërgon vendin e shqiponjave në BE. Berisha nuk kishte kurrë politikë të rreme, nuk kishte kurrë politika jo të  sinqerta ndaj shtetit dhe shqiptarëve… Protesta e Tiranës është fillimi dhe fundi i një regjimi sadist, i një regjimi, i cili rregullisht po koketon me pasardhësin e Millosheviçit, presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç” (Citohet sipas: Analisti Skënder Mulliqi.“Protesta e Tiranës është fillimi dhe fundi i regjimit totalitar të Edi Ramës”. Faqja e internetit e gazetës “Kosova sot”. 08 korrik 2022).

Kaliforni, 11 korrik 2022

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok