23/11/2024

Kur fliste populli para “drejtësisë”

0

Nga Kastriot Dervishi

Gjyqet popullore që zhvilloheshin në kinema, menca, mjedise të hapura, etj, kishin karakter masiv, në proces merrte pjesë edhe populli. Juridikja, ideologjikja dhe popullorja, përziheshin me njëra-tjetrën. Në kujtimet e Bedri Blloshmit, për nisjen e gjyqit ndaj poetëve, më 6.6.1977, veçoj pjesën e mëposhtme:

Pas pak na morën përsëri dhe na çuan në sallë. Gjyqtari tani i gjallëruar foli me ton të sigurt: “Kush e do fjalën nga salla?”.

U ngrit një pensionist bashkëfshatar i ynë, Mit’hat Leka ish-mësues. Nisi të mërmëriste: “Shoku kryetar i seancës, më lejoni të them dy fjalë. Të gjithë këta unë i njoh, i kam bashkëfshatarë dhe Gencin e njoh shumë mirë. Është djali i tradhtarit Bardho Leka. Po ashtu armiqtë e tjerë, Vilsonin dhe Bedri Blloshmin që vijnë nga familje kulakësh. Xhaxhanë dhe babanë e tyrë i kanë pasur nëpër burgje. Këtyre u dhembin sytë kur shikojnë arritjet tona dhe mirëqënien e popullit nën udhëheqjen e partisë… Prandaj unë kërkoj të mos merremi me këta bij armiqsh e tradhtarësh, t’i nxjerrim në shesh e t’i varim një e nga një e mos harxhoni kot frymën e as letra për këta armiq.”

I dyti ishte një oficer, Isa Kopaçi nga fshati Qukës që kurrë nuk e kishim parë si fytyrë. Ai nisi të flasë për mbrojtjen e socializmit dhe u bashkua me mendimin e parafolësit.

Mbas tij u ngrit një barkalec i quajtur Todi Bardhi: “Jam komunist, jam sekretar partie në kooperativën e Lunikut. Unë edhe pse nuk i njoh këta armiq kam besimin te partia se do t’ua gjejë vendin dhe do ta shpartallojë këtë grup të rrezikshëm”. Pasi u ul, u ngritën dy nxënës të gjimnazit, lexuan disa fletë mëk mëk, të cilat kuptova që ua kishin dhënë. Nuk zgjati shumë ky lexim qesharak i gjimnazistëve, gjykatësi ua ndërpreu dhe thirri “të hapet seanca gjyqësore”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok