17/11/2024

KUR DËSHTON POLITIKA – MBETET URATA

0

“Le të bashkojmë zemrat dhe zërat për paqë në botë” (Antonio Guterres)
Nga Frank Shkreli
Kur dështon politika vendore dhe ndërkombëtare për të sjellur paqë në botë, qoftë edhe Organizata e Kombeve të Bashkuarara (OKB) në Nju Jork, atëherë duhet t’i drejtohemi me uratë Perendisë që të ndihmojë për të siguruar paqën midis individëve, komuniteteve dhe shteteve të ndryshme, sidomos në këto kohë të turbullta për botën. Siç duket kështu mendon edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, se si rrjedhim i dështimit të përpjekjeve të politikës botërore në përgjithësi — për të siguruar paqën në këtë planet, atëherë, medoemos, nevojitet ndërhyrja e një force më të madhe.
Të premtën që kaloi, Shefi i OKB-së, Antonio Guterres organizoi një ceremoni lutjeje për paqë në botë me udhëheqës fetarë që u bashkuan me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, pikërisht, për të ofruar – në këtë periudhë fetsash fetare — lutjet e tyre për paqë në botë, për “qëllimin tonë më të çmueshëm”, siç e cilësoi Z. Guterres objektivin për të siguruar paqën në botë, përball konflikteve aktuale në botë, përfshir agresionin e Rusisë në Ukrainë. Në një njoftim të OKB-së për median botërore thuhet se, “në një kohë shumë të keqe ndarjesh e përçarjesh në botë, udhëheqës të feve të ndryshme u mblodhën së bashku, të premtën që kaloi, në Kryqendrën e OKB-së në Nju Jork, për një moment lutjesh për paqe në botë”. Me këtë rast citohet Sekretari i Përgjithshëm, i OKB, Guterres, të ketë thenë se ky takim u mbajt në një moment ibekuar dhe unik, pasi ata u mblodhën aty: të Premten e fundit të Ramazanit, ndërkohë që të krishterët festuan Pashkët, hebrenjtë shënuan mbarimin e “Passover” dhe sikët festuan festivalin Vaisakhi. “Madje edhe vet kalendari na dërgon një mesazh uniteti”, ka theksuar Shefi i OKB-së, Antonio Guterres në atë takim, duke shtuar se, “Sot, në këtë moment të shenjtë për të gjitha fetë, le të bashkojmë zemrat dhe zërat tonë për paqë – e që është qëllimi ynë më i çmueshëm.” Guterres tha në vazhdim se sot “paqeja në botë është më e nevojshme se kurrë, sepse lufta dhe konfliktet po shkaktojnë përhapjen e urisë dhe varfëri shkatërruese kudo, ndërkohë që detyron njëherazi edhe largimin e detyrueshëm të dhjetra miliona njerëzve nga shtëpitë e tyre, nga atdheu i tyre. I gjithë planeti, tha ai, është në një kaos klimaterik, ndërsa edhe vendet ku mbretëron paqeja, përballen me padrejtësi dhe pabarazi të tmershme, përfshir polarizimet politike.” Udhëheqsi i organizatës botërore u bëri thirrje udhëheqsve fetarë që të “qendrojnë të vendosur në besimin e tyre të përbashkët — besim që bashkon mbarë familjen njerëzore.” Ai kërkoi nga fetarët: “Le të bashkohemi si komunitete dhe si shtete. Le të lutemi të gjithë për paqë në botë.”
Në këtë ceremoni lutjesh për paqë në botë, që u mbajt në Sheshin e Vizitorëve para Sekretariatit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, morën pjesë pjesëtarë të stafit të OKB-së, anëtarë të komunitetit diplomatik botëror, si dhe vizitorë vendas dhe të huaj, ndërkohë që udhëheqës-përfaquses të feve kryesore në botë ofruan, individualisht dhe si komunitete fetare, lutjet e tyre të paqës për njerzimin. Duke theksuar gjërat që i bashkojnë njerzit anë e mbanë botës, dhe jo ato që i ndajnë — fakti se njerëzit me tradita të ndryshme fetare janë të bashkuar në OKB për tu lutur për paqë në botë — jep një shembull të fuqishëm për mbarë njerzimin, u shpreh Dr. Simran Jeet Singh, përfaqsues i fesë Sikh, Drejtor Ekzekutiv i Programit Feja dhe Shoqëria pranë Institutit Aspen, një organizatë kjo ndërkombëtare jo fitimprurëse dhe njëri prej pjesëmarrësve në takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Guterres. “Gjëja që më pëlqen në lidhje me këtë takim të përfaqsuesve të feve të ndryshme në Kombet e Bashkuara, me rastin e këtyre festave fetare, është fakti se aq shumë komunitete të ndryshme janë duke festuar së bashku. Ata po pasqyrojnë dhe po theksojnë gjërat e përbashkëta, gjërat që na bashkojnë të gjithë neve”, tha Dr. Simran Jeet Singh.
Në pëmbyllje të këtij takimi në Nju Jork, Përfaqësuesi i Lartë i Aleancës së OKB-së për Qytetërimet (UNAOC), Migel Angel Moratinos, e përshkroi ceremoninë si një moment të bukur harmonie, “veçanërisht gjatë këtyre kohëve të vështira që po sfidojnë mbarë njerëzimin.” Ai tha se ceremonia (në Nju Jork) e lutjeve fetare për paqë në botë, demonstroi se si njerzit anë e mbanë botës, duhet të mobilizojnë aktivitetet e tyre dhe të veprojnë në solidaritet dhe me respekt ndaj njëri tjetrit. UNAOC, si ent i OKB-së, promovon mirëkuptimin dhe bashkpunimin ndërkulturor midis komuniteteve dhe popujve. Z. Moratinos, si përfaqsues i lartë i këtij enti të organizatës botërore, nënvijoi mbështetjen e vazhdueshme të tij dhe të organizatës që ai kryeson, ndaj përpjekjeve që kanë për synim “ndërtimin e urave të mirëkuptimit dhe jo mureve të urrejtjes duke shkaktuar ndarje e përçarje”, midis individëve, komuniteteve dhe shteteve, duke kërcënuar, në këtë mënyrë, paqën në mbarë botën, është shprehur zyrtari i lartë i OKB-së, Migel Angel Moratinos, duke mbyllur ceremoninë e lutjeve fetare të organizuar nga OKB-ja, të premtën që kaloi, në Nju Jork me rastin e festave fetare botërore.
Ndërkaq, edhe Papa Francesku ofroi lutjet e tija për paqe në botë me rastin e Ditës së Pashkëve Katolike, javën që kaloi nga Vatikani – përkrah kardinalit shqiptar Ernest Simon Troshani. duke iu drejtuar “Urbi et Orbi”, qytetit të Romës dhe mbarë botës. Papa ofroi lutjet e tija, veçanërisht, për popullin ukrainas dhe atë rus dhe për paqë midis këtyre dy kombeve. Udhëheqsi i Kishës Katolike ofroi, me atë rast, gjithashtu uratët e tija për dhënjen fund të dhunës, anë e mbanë botës dhe për paqë midis individëve, komuniteteve dhe kombeve, në një “frymë besimi” ndaj njëri tjerit dhe Perendisë, ka thenë Papa Françesku. Me atë rast, Papa 86-vjeçar, në predikimin e tij tradicional për festën e Pashkëve inkurajoi, “mirëkutimin dhe besimin midis individëve, popujve dhe kombeve”, duke thenë se festa e Pashkëve “shëndritë terrin, pesimizmin dhe trishtimin në këtë bote”.
Ditën e Pashkëve, 2023 në sheshin e Shën Pjetrit ishte i pranishëm përkrah Papa Françeskut, edhe kardinali Shqiptar 94-vjeçar Ernest Simoni, për të festuar Pashkën në mbarë botën, si edhe për të marrë pjesë në bekimin e përvitshëm Urbi et Orbi – si përfaqësues i Kombit shqiptar, historia e të cilit në përgjithësi dhe gjymën e shekullit të kaluar në veçanti nën regjimin komunist nuk ka njohur as paqë as liri, as për shqiptarët në përgjithësi, as për Ernest Simon Troshanin, si individ. Historia e Kardinalit shqiptar ka tronditur botën kur vuajtjet e tija nën komunizëm iu njoftuan njerëzimit pas shembjes së regjimit komunist në Shqipëri. Ernest Simoni është arrestuar në vitin 1963 dhe gëzoi lirinë vetëm pas 27 vitesh të gjata persekutimi të ashpër komunist të regjimit enverist. Për shumicën e shqiptarëve, Ernest Simoni është një hero i cili përfaqëson paqën, lirinë dhe të drejtat bazë të njeriut, përpara të drejtave të tija fetare. Regjimi komunist i Enver Hoxhës e ka konsideruar atë si “armik i popullit” dhe vetëm në vitin 1990, me rënien e regjimit komunist, ai iu rikthye lirisë. Si njeri i lirë, ai vazhdon të punojë për paqe edhe për të tjerët duke sjellë pajtimin e njerëzve dhe familjeve të ndara, duke promovuar paqën midis shqiptarëve – gjatë tranzicionit të pafund nga komunizmi në demokraci — pa dallim dhe pa hakmarrje ndaj askujt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok