07/11/2024

KUQ E ZI NGA LEGJENDARI LEK PERVIZI

0

Nga Visar Zhiti

Doli numri i ri i revistës “Kuq e zi”, i legjendarit Lek Pervizi, që i vetëm e përgatit në Bruksel, ku jeton e vazhdon të punojë, edhe pse tashmë i kaloi 95 vjetët.

Ashtu si ai na është bërë e dashur revista “kulturore dhe euro shqiptare” – kështu e quan, që ka mbi 3 dekada që e nxjerr, është bërë ndërkaq dhe një organ mediatik i kujtesës kombëtare, i historisë dhe i gjuhës, i pikturës dhe poezisë siç është dhe vetë Lek Pervizi, historian, studiues, poet e mbi të gjitha piktor, ai u laurua në Itali, studioi për artet në Torino, Firence dhe Romë dhe, kur u kthye në atdhe, gjithë jeta e tij mbas Luftës II Botërore deri sa ra komunizmi kaloi burgjeve dhe internimeve dhe revista e tij në çdo numur të saj është me dëshmi të tilla dhe me atë dhimbje e qendresë dhe me mrekullinë e pikturës së tij, Lek Pervizi sjell vizatime infernale nga kampet famëkeqe të Tepelenës, të Porto Palermos, të burgut të Kalasë së Gjirokastrës, ku dhe vuajti, të të pushkatuarve, edhe nga familja e tij e madhe, portrete bashkëvuajtësish e bashkëvuajtësesh, vetëm ai ia ka dalë t’i sjellë nga harresa si imazhe tronditëse.

Edhe në këtë numur të ri të revistës “Kuq e zi” janë disa skica nga internimi në Plukun e Lushnjës, por nga i biri, Leonardi, ku ai lindi dhe u rrit pa asnjë të drejtë, ku nuk i lejohej të pikturonte, madje ndoca shkrimtarë të Partisë së Lushnjës, të shquar vetëm për luftën e klasave dhe spiunllëqe, ia kishin caktuar, “ti s’mund të ekspozosh, as fëmijët e tu, të shohim për nipat…” – kishin profetizuar mynxyrshëm. Por Leonard Pervizi përkundrazi, tashmë është piktor i njohur dhe akademik në Bruksel, me ekspozita nëpër botë, hapi dhe një në Tiranën tonë, jo se ktheu kokën pas, por e pa si pjesë të ardhmërisë europiane.

Në këtë numur të revistës është dhe një kritikë letrare nga Prof. Thanas Gjika për romanin tim “Funerali i pafundmë” si metaforë e kalvarit absurd në regjimet totalitare. Leka e ka shoqëruar shkrimin me  portretin e autorit të romanit, bërë me kujtesë dhe si homazh ashtu siç e kishte vizatuar dikur në internim në Pluk, në mungesë, kur atë e kishin burgosur për poezitë e tij.

Revista “Kuq e zi” si Flamuri ynë është dhe enciklopedi e patriotizmit, me materiale skenderbejane, me bekimet e shenjtes Nënë Tereza e britma lirie, plot me emra të njohur e të panjohur, me zbulime, pra ka dhe ngjyrën e kuqe të gjakut dhe atë zinë e natës së gjatë që s’duhet harruar…

E përsëris, revistën e bën i vetëm artisti 95 vjeçar, i përndjekuri dhe triumfatori, legjenda e gjallë Lek Pervizi. A ka ndonjë mbështetje institucionale, mirënjohje, titull a dekoratë?

Po ai është përtej tyre dhe më shumë se ato.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok