15/11/2024

KUMTET HUMANE QË PËRCJELL ZËRI I NJË SHPIRTI POETIK

0

Rreth librit “Zëri i shpirtit tim – Poezi të Muzikuara” të Zhuliana Jorganxhi, i përgatitur për botim nga Ilir Çumani

NGA JOSIF PAPAGJONI

Lloje-soje librash gëlltit tregu, titujt e tyre shpesh “ulërijnë”, por pak syresh radhiten në bibliotekat tona, si lexues që dimë të përzgjedhim. Libri “Zëri i shpirtit tim – poezi të muzikuara” i Zhuliana Jorganxhiut, përgatitur për botim nga Ilir Çumani, është i mirëpritur për vetë emrin që ajo ka krijuar, për tekstet e saj të njohur. Këto tekste e këngë i kanë dhënë, mbase, emër më të madh se shumëkujt tjetri, qoftë ky dhe një mjeshtër i shkrimit. Sepse kënga është hit. Këngën e marrim në buzë, në mendje, e fishkëllejmë. Kudo. Kurdo. Është si fryma. Ilir Çumani te ky libër i poeteshës së këngës është një dorëzanës. Por një dorëzanës besnik. Sidomos i mbushur me mall. Bash për këtë përkujdesje, ai përkëdhelet edhe nga vetë autorja, çka ajo i ka blatuar mirësinë e vargut të saj në vend të një ninulle të munguar, shushuritur prej nënës së tij të munguar. Se Iliri është rritur jetim “si një bisk i rënë në tokë, / ti i mitur, jetimmbetur… / zëri yt me forcë ngrihet, / zemra jote hapur rri, / çdo jetim të mos ndihet, / si fëmijë pa fëmijëri…”

E paske marrë, Ilir, një varg zemre nga Zhuliana! Një blatim. Viteve të rinisë sime e më pas, turbull-turbull, të mbaj mend mik rrugëve të qytetit tonë, Sarandës, prej nga jemi e kemi bredhur brigjeve të detit. Ishim, madje, fqinjë. Dhe ti, mungesën e ninullës mëmësore, e përktheve në një kauzë dhe përkushtim për fëmijtë jetimë, e përktheve në dashuri e mirësi, e përktheve si respekt edhe në fletët e këtij libri. T’i përfalesh një poeteshe e gruaje shpirtbutë si Zhuliana, është diçka më shumë se kujdes, më shumë se respekt. Është një monopat kujtese, një pergamenë dhembshurie dhe vlerësimi, që na çon në aq çaste të bukura teksa vargjet e muzikuara të kësaj gruaje të butë i kemi fishkëllyer a kënduar me veten e me/për të dashurit tanë. Ti na e ke sjellë portretin e saj në dhjetëra qasje e fjalë të bukura, duke i ftuar njerëzit e penës dhe të tingullit në një sofër dashamirësie. Mjaft të lexosh vlerësimet e ngrohta nga Ilirian Zhupa, Timo Flloko, Besnik Mustafai, Agim Krajka, Aleksandër Peçi, Limoz Dizdari, Shaban Sinani, Përparim Kabo, Margarita Xhepa, Flutura Açka, Arben Duka, Bardhyl Londo, Martin Leka, Vllasova Musta, Jorgo Papingji, Zija Çela, Mimoza Ahmeti, Petrit Ruka e shumë të tjerë… Dhe lexuesi sheh se si buron kjo dashuri, ky respekt, ashtu lirisht, si një… “këngë për këngën”: Zhuliana Jorganxhiun. Mirë e thashë: Këngë për këngën.

A nuk i thuri ajo “këngë”, këngës shqiptare? Padyshim, nuk ishte e vetmja. Jorgo Papingji, Gjokë Beci, Agim Doçi, Arben Duka e të tjerë “këngëtarë” kësilloji e lëruan në vite këtë arë të begatë e të spërndritur të artit tonë. Por Zhuliana është një tastjerë e mëvetshme. Fati e ndihmoi që këngët e saj të qenë fituese duke u bërë hitet e kohës. Muzikantët më të mirë shqiptarë si Agim Krajka, Agim Prodani, Enver Shëngjergji, Flamur Shehu, Gjergj Leka, Ardit Gjebrea etj., kanë qenë grahës të këtij fati. Porse fati nuk është i sheshtë, i ngjan një pjerrine. Nganjëherë ferrat e gjembat e zinj ku ti ecën, të çjerrin e t’i bëjnë, këmbë e duar, gjak. Ti dëshiron t’i ngjitesh vezullimit të fatit e famës, a të kacavjerresh, por diku edhe rrëshqet e thyen kokën mbi shkëmbin e zilisë, konkurencës, përqeshjes, “humb në humbellë”. E pra drita e suksesit s’është për të gjithë. Zhuliana e pati atë dritë. E pati, më së pari, jo se ishte “grua e butë, shpirtbardhë”, por nga tingujt, muzika, sidomos nga vargu, i cili bujtte ëmbël-ëmbël në shpirtrat tanë. Dikur, para vitit 1990, rëndom tekstet e këngëve tona qenë krejt të zhveshur, mbytur në propagandë; pas këtij viti, ato u krodhën herë në tallava, kichart e boshësi idiote e herë në zhgënjime e dëshpërime shpirtrash të egërsuar. Poezia e Zhulianës u bishtnoi këtyre skajeve zvetënuese. Ka qenë koherente: si dje, edhe sot. Ka qenë një frullimë humane. Një mision. Se ajo “çdo ëndërrim/ dua ta shikoj në jetë/ dua emri im/ një kuptim të më ketë…” (Agim Krajka, këndon Parashqevi Simaku). Dhe e vuajti tmerrësisht eksodin apokaliptik të vitit ’90, “kur deti u bë valë me njerëz/ dhe toka det me lot… kur anijet si fantazma, nëpër det me aventura, klithnin: “Liberta!”…”  Shqiptarët morën udhën e të panjohurës, me plagë të shqyera identiteti. Andaj dhe në këngën “Jon” të Ardit Gjebresë, e dëshpëruar, përtej ngazëllimit të lirisë, ajo e porosit të birin me emër deti, Jonin: “Bekimin merr nga mua, / o shpirt i patrazuar, / një fjalë të thënë ma dëgjo: / “Zinxhirë të praruar, / të kanë për të ofruar, / por prap do jet’ skllavëri! / Në skllav, jo, nuk të dua, nga vetja i mohuar, / Jon!” Sa aktual është ky mesazh, sa dramatik! Vezullimi tash ka rënë, iluzionet po ashtu dhe emigrantët tanë, mes mundimit të mbijetesës e dinë se aroma e tokës prej nga ikën mbetet një stërpeshë identiteti mbi shpinën e tyre prej Sizifi. Veçse kjo këngë nuk ka mort. Kaluan 30 vjet. E dëgjon dhe e dëgjon, dhe emocioni të mbush.

Kujtoni tani pak “Këngët e Rinisë”, me tekst të Zhulianës dhe kompozim të Agim Krajkës: “Si zogjtë e shqipes kur fluturojnë, / për herë të parë lart në qiell, / dhe shqipja Nënë me krahë të fortë, / fluturimin bashkë me bijtë ajo merr…” Mos vallë, ndokush, do të më thoshte se këto janë vargje të cytur e përgjakur nga gjembat e klishesë letrare të socrealizmit..!? Jo! Aty nuk është ngujuar kufoma e një heroizmi kallp, as një katallan i zi nuk duket pas zogjve të shqipes, ca më pak një lulnajë lumturie. Aty është vetë jeta e kombit, afërmendsh e sublimuar si një ekstrat dhe fosil i ngrohtë i identitetit dhe përvojës sonë kombëtare shekullore. “Në çdo prag, në çdo kasolle, / Hynit, dilnit porsi yj,/ “ilegale” ju dhanë emrin,/ vitet, që s’harrohen kurrë!” (Agim Prodani, “Shoqet tona ilegale”). Prapë do më thotë ndokush: Ja, shihe, ulërin skema e kohës! Jo, or mik, do t’i them sërish, ato 6000 vajza e gra që rrokën armët në kohë të rënda pushtimi, e meritojnë respektin e historisë, e meritojnë këngën tonë. Edhe kur i këndon atdheut, popullit, vendit, në vargjet e Zhulianës ka një lloj erotizmi të ëmbël që lidhet me dashurinë, mallin, tingujt, detin, që emri i saj një kuptim të ketë. Andaj dhe prej dëshirave vetjake poetja vrapon drejt diçkaje më të madhe: “Dua vendi im, / të jesh si vetë rinia, / në shekuj këndo / pa fund melodi. / Dua të këndoj / o, dashuria ime, / emri më merr kuptim / nga ty vendi im. (“Jetoj”, Agim Krajka). Ose: “Të madhen dashuri, / që nëna na mëkoi / ia falëm Shqipërisë, / ndaj zemr’e saj gufon, / se qumështi që pikoi, / oh, iu bë dritë…” Vallë skemë do ta quanim këtë?

Në një shumësi emrash që çmojnë te ky libër talentin e Zhuliana Jorganxhiut si poetesha e radhës së parë të këngëve shqiptare, edhe unë pata shkruar: “Zhuliana Jorganxhiu e fitoi herët emrin e saj në meset artistike posaçërisht për tekstet e saj muzikore, si art tejet i pëlqyer dhe publik mes të rinjve e më gjerë, duke i dhënë tingullit një veshje ndjesore elegante, mendim, gazmend, sa dhe trishtimin e dashurisë, ëndrrën, ngashnjimin rinor. Kjo ishte pjesa e dukshme e saj, ndërsa puna e ëmbël bri tryezës së shkrimit me net pafund mbi qindra vargje poetikë, vinin te ne mes një vesku estetik prej gruaje e një spërndritje që poezia e saj na fal vetiu. Me artin e saj Zhuliana ka ardhur nën një vel respekti në tavolinat dhe bisedat për letërsinë. Poezinë ajo e mbarti viteve, sepse poezia i ka mbushur jetën, i ka dhënë ëmbëlsinë prej gruaje si dhe, me patjetër, rininë e përjetshme”.

Shumë fjalë domethënëse has në parathënien e këtij libri nga poetja e mirënjohur Natasha Lako, e cila jo vetëm e risjellë poezinë e Zhulianës në disa kënvështrime, por e përzien atë me mbresa e përthyerje të saj si mikeshë, çka e bën ligjërimin të bukur. “Kënga kur pëlqehet pranohet deri në subkoshiencë, pa shpjegime të mëdha”, thotë Lako. Pikërisht ky pranim nga mijëra e mijëra dëgjues udhës së viteve e ka bërë Zhulianën një EMËR. “Nëna e këngës shqiptare”, e vlerëson më tej ajo, ku vargjet rrjedhin, kullojnë në një sitë të hollë poetike e ndjeshmërie. Të shumta janë motivet, por Zhuliana nuk ia heq sytë asaj teme e atij motivi të tërëjetshëm, falë të cilës mbruhen së toku edhe poezia, edhe kënga: DASHURIA. Sepse dashuria është “Canti Canticum”, himni i vetë jetës, qysh nga Salomoni e gjer te Krishti; jo “afsh’i puthjes ledhatare”, por vetë muzika, tingulli madhështor dhe i lumnueshëm, ku lumi i zemërimit ndalet dhe njeriu shpërthen: “Të dua, të dua, të dua! O fjalë hyjnore e kësaj bote! U pëshpërite nga buz’ e dashuruar, që frymë ty të dha. Shumë të kërkova, gjersa të gjeta dhe nëse vdes, mos u trishto, por ti jeto!…”. Dhe kjo dashuri mbërrin në flijim, si një ekuaresti ungjillore, si një kryq Golgote: “Jetën time po e deshe, eja dhe merre, veç ti jeto!…” Se njeriu, sipas poetes, “bëhet fllad, bëhet re, të prek me sy e të shikoj”, dhe atë çast ti e kupton “përse zogu me një krah nuk fluturon…” Dëshpërimi diku gjetkë ikën prej krahut të thyer të zogut dhe kërkon ndihmën e Zotit: “Po ku ishe ti o Zot, për një çast kur të mohuam?!…” Si për t’i ikur boshit, zezonës, trushkuljes, shkretisë, poetesha e gris terrin e natës. Dhe ja ku bie një këmbanë që ditën e afron, këmbanë e shpirtit tonë!… Dhe teksa vajza shkon të takoj të dashurin e vet nën një qiell pezmi e pikëllimi, ku dhe “yjet kullojnë lot” e prej buzëve të tij kërkonte një puthje, zemra i klith: “Lutu zemra ime, ti dhembjen mos e mbaj! Puthe zemra ime atë dorë pa faj! Sa pak ne kërkojmë nga kjo jetë, o Zot a kemi të drejtë?!” Është një zemër që nuk kërkon shpagë nga zhgënjimi, por një shpresë, një pemë të lulëzuar, ku gonxhet të mos bien përdhe e shpirtin ta helmojnë… (Kujtim Laro, “Këmbanat e shpresës”). Ose vargjet e tjerë sjellin situata kur shpirti plas nga zhgënjimi teksa ti e kupton se je dashuruar me “djallin e bardhë”, në natën kur vdesin yjet dhe mëkatin e bën strehë. Sytë s’i besojnë se “gjak e shpirt i helmuar shkon n’atë terr, n’atë ferr, vret lirinë e bekuar”. Po kush e kishte çuar ëngjëllin krahëkëputur n’atë terr e n’atë ferr? Ndofta koha, ndofta dëshpërimi, ndofta helmi i mëkatit të paprovuar, andaj: “Dil nga ky terr, ku je verbuar! Zogjtë nga shtegtuan, prapë do vijnë, ç’do t’u thuash, ku je strukur për një stinë? Dil nga kjo strofkë, grackë e mallkuar, kthehu për vete, për mua…” (“Kthehu për vete, për mua”, Gazmend Mullahi).

Pas shkulmesh të tilla dramatike ritmet poetike nis e zbuten, vargjet bëhen të përmallshëm. “Tek çdo këngë, një ninullë dëgjo,/ tek çdo nënë një fëmijë shiko,/ dashurinë toka jonë mëkon,/ ndaj dhe ti me të jeto!” (Gjergj Leka, “Jetën dashuro!”). Ja diku… biri kthehet në shtëpi dhe aty e pret ajo, e mallëngjyeshmja dhe e pazëvendësueshmja: Nëna. “Vij nga rrugë e gjatë, ti më pret e para. / T’i puth ato duar mbushur plot me mall. / Në çdo rrudhën tënde, në çdo flok’ të bardhë, të bardhë, / unë shoh fëmijërinë, hapin tim të parë. / Dhe nga unë fëmija kërkove në jetë, / të rritem i mbarë, për kët’ tokë të shtrenjtë…” (“Në duart e nënës”, Gjergj Leka, këndon Bashkim Alibali). Ose: “Një pikë vese mbi faqe ra… O motër, unë lulet ku t’i gjej?…” – dhe më vjen në vesh zëri i ëmbël i shkodranit Frederik Ndoci. Vargu këtu sikur ikën prej mallit dhe narrativës fëmijërore dhe ulet pa zhurmë te bulbi i jetës, se pranvera nuk vjen me një lule, se jeta bëhet e bukur jo me një, por me shumë shokë. Se “edhe jetën s’e bën një ditë, as një lumë i vetëm s’e bën një det…”

Zhuliana e qëmtonte jetën dhe, ndofta, diku syri i saj shihte se si “papritur një njeri të bëhet kaq i shtrenjtë”, andaj dhe portreti i tij i çiltër, në çdo hap të ndjek ngado, në ditë e net… Poetesha shihte se si sytë e bukur të atij djali e ndiqnin vashën dhe mes njerëzish, çiltërsisht, ai shkonte dhe e uronte me zemër… Ja, ashtu, në ngazëllimin e dashurisë, vasha po mes njerëzish e kërkonte djaloshin, me sytë që vezullonin, udhëve të atdheut, sepse e dinte që motivi i tyre muzikor do të mbetej përherë një refren i dashur: i tyre, por edhe përtej tyre; një farë talismani i shpërndarë njerëzve të mirë të atij dheu. (“Nuk e harroj”, Agim Krajka, këndon Irma Libohova). Dhe kur pluhuri i purpurt i amëshimit do të vijë një ditë e mes të gjallëve ti s’do të jesh, larg nga kjo botë, në tjetër jetë, ta dish se “mbi plagë shpirti si melhem, çdo gjë krijova dua të jetë…” Këtë ndershmëri e pastërti shpirtërore poetesha e kërkon gjithkah: “Erdha prapë te ky prag i dashur, / ku gjithçka me zë të ngrohtë më thotë: “Mirësevjen!” / dhe çdo zemër portat m’i mban hapur,/ vendlindje, që në krah më ke mbajtur, / mua birin tënd me mall, më pret dhe më përcjell.” (“Pragu i vegjëlisë”, Flamur Shehu, këndon Kozma Dushi). Por Zhulianën e rrëmben edhe ashku i vargut popullor, si te kënga “Shoqeni, moj motrani!” të Simon Gjonit. Ose “Me bukën e fushës-o, / me erën e malit-o, / rritin dashurinë vashat, / për djemtë e fshatit-o… (Enver Shëngjergji, këndon Alida Hisku). Ose “Unë e di çfarë ke në zemër/ ma thonë ata sy./ Lule je, lule ke emrin, / lumi unë për ty…” (Pjetër Gaci). Dhe shumë e shumë të tjera.

Epoooo…., në të 75 – sat e lindjes së poetes, le ta mbyllim me këto vargje nga Zhuliana për Zhulianën: “T’i puth ato duar mbushur plot me mall…”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok