Kultura dhe arti janë shpirti i një shoqërie
Nga Ndue Ukaj
E shikoj Koncerti madhështor të Vjenës dhe mahnitëm.
Vjena, gjeografikisht është afër nesh.
Vetëm gjeografikisht. Sepse, në aspektin kulturor dhe artistik është shumë larg.
Dhe e krahasoj me standardet tona artistike që ofrohen në çdo fundvit, ku gëlon injoranca kulturore, standardet e përçudnuara artistike dhe një gjuhë që më së paku ka të bëjë me artin.
Dhe përpara më kthjellohen përgjigjet në shumë dilelma, pyetje e pikëpyetje.
Mjerisht, as të imitojmë s’ dimë.
Para pesë vjetëve pata shkruar për degjenerimi kulturor që pasqyrohet në programe televizive të Vitit të Ri, të cilat, në masë të madhe, artistikisht janë sterile. Aty shkëlqen injoranca dhe kiçi kulturor.
Të dhimbset gjuha shqipe, e cila dvaret dhe sakatohet.
Gjuha e artit është fisnike: është gjuhë e kultivuar, e epërme, hyjnore dhe jo standardi i rrugëve dhe i kafeneve.
Tekstet e shumta të emisioneve tona janë nën çdo nivel, me një semantikë të çoroditur dhe shpeshherë u mungon logjika. E për vlera artistike, as që mund të bëhet fjalë.
Përsa kohë nuk divorcohemi prej këtyre performancave të shëmtuara “kulturore” e “artistike” nuk mund të ngritemi në asnjë aspekt.
Sepse kultura dhe arti janë shpirti i një shoqërie.
Shoqëria është organizëm që ushqehet, ha dhe pi, si çdo organizëm tjetër. Derisa ta ushqejmë me marrina, marrina do të korrim.
Njerëz, shikojeni koncertin e Filarmonisë së Vjenës.
Shikojeni çfarë është arti i përkryer.
Ne vërtet nuk mund të krahasohemi me ta, por nuk duhet assesi të lejojmë të instalohet kiçi si stamdard kulturor dhe vlerë e lartë.
I gëzuar dhe i bekuar qoftë 2023!