19/04/2024

KULLAT E SAHATIT NË SHQIPËRI, VLERA QYTETËRIMI

0

Një libër mirë, i shkruar me ndjenjë, përkushtim, përgjegjësi intelektuale e qytetare, është si pëllumb i bardhë lajmëtar. Atëherë librin me cilësi dhe vlera, nuk të bëhet ta heqësh prej dore, por e mban pranë, mbi komodinë. – Kristaq Turtulli

Punim shkencor nga Dritan Çoku

Nga Kadri Tarelli

Një libër i veçantë në llojin e tij: “Kullat e sahatit në Shqipëri”, e studiuesit arkeolog Dritan Çoku, Një vepër shkencore me peshë jo vetëm nga përmasat, por më shumë nga përmbajtja, që unë me bindje e quaj simbol dhe vlerë qytetërimi mbarë shqiptar, sepse bën fjalë për këto vepra arti ndërtimor, të përbashkëta në përditshmëri të qyteteve, për të matur e treguar kohën, por të veçanta e të dallueshme nga njëra tjetra, si pjesë e trashëgimisë qytetare dhe pasuri e kulturës kombëtare.

Në parathënie, thuhet se për këtë vepër madhore autori punoi rreth 14 vjet. Vetëm kaq. A thua se janë 14 dit pushimi në Durrës, Ulqin apo Pogradec. Pyesni Dritanin, dhe do t’u thotë ç’ ka hequr, për gjatë katërmbëdhjetë viteve punë e studim të hollë, shtruar e gatuar si brumë në magje, për të bërë një libër të tillë, pa u kujtuar fare për andrallat e botimit. Çdo lexues bindet mjaftueshëm për punën, po t’i hedhë një sy të shpejtë vetëm bibliografisë, që përmban afërsisht 170 referenca shkencore e studimore. Besoj, nuk janë pak, kur një pjesë e tyre duhet të përkthehet në shqip.

Para do kohësh, duke folur për dy historianët dhe arkeologët durrsak, Hava dhe Sali Hidri, kam shkruar: Janë treguar “kokëkrisur”, kur kanë vendosur dhe nisur të shkruajnë histori, pasi ata dhe vetëm ata e dinë se ç’ heq një historian, kur ulet të shkruajë”. Kadri Tarelli. Libri “Kur lexoj një liber”. F. 72. Fjalë që i shkojnë përshtat edhe Dritanit tonë.

Kështu, mund të them pa frikë, se fatmirësisht që historianët i kemi mes nesh. Atyre u skuqen sytë duke lexuar lloj-lloj shkrimi, i kërruset shpina mbi tavolinë, mbi libra e letra të vjetra të mbuluara nga pluhuri dhe myku, i zbehet fytyra duke qëndruar me orë, ditë dhe muaj në mjedise të mbyllura të arkivave dhe bibliotekave, ku ndonjëherë lëvizin lirisht edhe minjtë, që shohin me habi mikun e pa ftuar. Në fund ballafaqohet me kritikën që nuk të fal, shpesh jo profesionale. Poetit mund t’i thonë: të mungon frymëzimi dhe talenti, ndërsa historianit i drejtohen pa frikë: Je lodhur kot, sepse nuk ke parë edhe një dokument tjetër, apo nuk je i saktë se nuk më pyete edhe mua për mëhallën apo fshatin tim, dhe më keq akoma: i ke parë ngjarjet me syrin politik, etj, etj.

Unë e përgëzoj autorin, sepse na ka sjellë një libër-Monument për “Kullat e sahatit në Shqipëri”, për ta pasur në tavolinë, në bibliotekë, apo mbi oxhak në dhomën e pritjes, për ta shikuar e lexuar trashëgiminë e qytetit tim, qytetit tënd dhe qytetet e gjithë shqiptarisë, kudo në trojet ku flitet shqip dhe jetojnë shqiptarë. Besoj se çdo njëri nga ne, në heshtje do të shprehet: “Të lumtë mendja dhe pena i nderuar Dritan, sepse i bëre “Kullat e sahatit”, t’i flasin historisë edhe me heshtjen e tyre. Mirënjohje, sepse i solle historiografisë shqiptare një gur xhevahiri në thesarin e saj”.

Diku në fund të kapitujve, madje në fund të rreshtave, si pa u ndjerë, autori ka shkruar pak fjalë, që tregojnë vuajtjen e tij, por që ngacmojnë edhe dhimbjen tonë: – I kërkon instancave shtetërore që të kujdesen, të mirëmbajnë dhe të restaurojnë “Kullat e sahatit”, si monumente kulture, unike në llojin e tyre, që nesër mos të pendohemi. Unë me zërin e shakasë, po lus zotin, që ta dëgjojnë zërin tënd, sepse nuk po kërkon shtëpi e saraje për vete, por për kulturën tonë, që mos ta humbasim edhe këtë trashëgimi që na ka mbetur. Boll kemi humbur nga kapriçot shkatërrimtare të natyrës, viteve dhe shekujve, si tërmete apo erozione, përfshi edhe luftërat që në trojet tona kanë qenë të vazhdueshme.

Në këtë libër me dhimbje mësojmë, sa shumë dëmtime kemi pasur nga mos kujdesi i drejtuesve vendor, vite të shkuar, jo vetëm në ditë e sotme. Libri na flet: objektet publike të lëna pa zot, në mëshirë të fatit, dëmtuar shpesh edhe nga marria individuale dhe marrëzia kolektive, siç ndodhi në vite 1966-67. Lexojeni me kujdes dhe do të gjeni të pasqyruar veprime që nuk na nderojnë si qytetarë të këtij vendi, aq sa do t’u bjerë libri nga dora, jo nga zemërim por më shumë nga turpi. Autori i shmanget komenti, duke na lënë që, secili të mund të gjykojë vetë atë çka përjeton.

Nuk kam ndërmend të përshkruaj përmbajtjen, është e pa dobishme për lexuesin kureshtar dhe të pasionuar, veç dua të theksoj se i gjithë studimi është punuar hollë. Ai ka sjell plot kuriozitete të kohëve dhe shekujve, mbi përpjekjet e shoqërisë për të matur e treguar kohën. Ne shqiptarët kemi të drejtë të krenohemi për kulturën qytetare të zhvilluar në kushtet e mesjetës, sepse jemi të parët që brenda jetës qytetare të Perandorisë Osmane, ndërtuam “Kullat e Sahateve”, në qytetet tona, përmend, qytetin shqiptar të Shkupit (1566-1574). “Pra, duket qartësisht dhe bindshëm, se ndërtimi i kullave të sahatit në trojet shqiptare, është një veçori dhe diçka e rrallë për qendrat e tjera turke, në periudhën osmane”, – thekson autori që në hyrje te librit.

Në vazhdimësi, ajo që të nxit ta lexosh deri në fund këtë libër, është, se do të ndeshesh me historinë e 21 kullave të sahati, të veçuara e të përzgjedhura nga 52 të tilla në mbarë vendin, duke filluar me Kullën e Sahatit në kalanë e Krujës, për ta mbyllur me sahatin mbi godinën e Komunës në Librazhd.

Nuk po them gjë të re, kur po dua të shpreh një mendim, që besoj i bashkohet edhe dëshirës së autorit: – Se ky libër meriton të përurohet në të gjitha qytete shqiptare, si mesazh diturie, urtësie, vlere dhe krenarie. Është në interes të çdo qytetari, të njohë e të nderojë historinë e qytetit të vet. Kështu do të duam më shumë vendlindjen, qytetin dhe mëmëdheun. Për nostalgji të viteve, po shtoj pak mbresa të mbetura heshtur: Janë jo pak njerëz, bie fjalë në Durrës apo qytete te tjerë, që deri vonë kanë dëgjuar tingullin e kambanës, që lajmëronte pjesët dhe orën e plotë. Tingulli i orës ishte një zë që thërriste e kujtonte banorët, se qyteti jeton dhe punon. Çdo kush mund të bëjë pyetjen pa përgjigje: Pse sot heshtin, ç’ punë prishin, kë ngarkojnë, kë shqetësojnë dhe sa shpenzojnë?

Urime Dritan Çoku! Siç ke premtuar, vazhdo me sukses, studimin dhe pasqyrimin e të gjithë “Kullave të sahatit”, në mbarë trevat shqiptare të Ballkanit.

Është pasuri kombëtare që nuk duhet të tretet e të humbasë.

Mirënjohje për këtë vepër shkencore!

Kadri Tarelli

Vjeshta e parë, 2021.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok