22/12/2024

Kujtim Mateli: Ylli S. Hoxhaj si eseist dhe kritik letrar në librin më të ri “Me miqtë e mi krijues”

0
Ylli-Hoxhaj

Ylli S. Hoxhaj si eseist dhe kritik letrar në librin më të ri “Me miqtë e mi krijues”

Nga Kujtim Mateli

Libri me ese, studime dhe kritikë letrare “Me miqtë e mi krijues” të autorit Ylli S. Hoxhaj, përbën një vlerë të veçantë në tërësinë e librave që autorët shqiptarë kanë botuar këto vitet e fundit. Autori është poet dhe ka sjellë në poezitë e tij mjeshtërinë e baladës bashkëkohore. Me botimin në fjalë, Ai  na shfaq edhe përmasën e eseistit të kompletuar. Është studiues i këngës popullore dhe i letërsisë, i historisë, i traditave dhe zakoneve tona të shkëlqyera. Një numër i madh autorësh, nën penën mjeshtërore të tij, kanë shkuar më shpejt pranë lexuesit dhe janë bërë pronë shpirtërore e tyre.
1

Libri  “Me miqtë e mi krijues” hapet me dy ese kushtuar Poetit Kombëtar Naim Frashëri. Çelja e një libri me Naim Frashërin flet për një burim të pashtershëm  poetik e atdhetar  që ushqen pambarimisht shpirtin, lirinë e përparimimin e këtij kombi. Studiuesi na thotë që këtë ese e ka shkruar në pranverën e vitit 1997, viti  i mbrapshtë që përmbysi shtetin, shpërtheu depot e armatimit ushtarak e u armatos i madh e i vogël. Filluan grabitjet, vrasjet, bandat kriminale,… një kaos i vërtetë… Duhej  dritë, …duhej Ylli i Karvanit, të printe e të  ndriçonte përpara  rrugën e mjegullt. Shpirti i trazuar i kombit ndjente dhimbjet e trupit e të turpit dhe  me drithërimë u thërriste Bijve…, Orakujve, Apostujve… Këtë ndjesi e ndjenim të gjithë… Kështu e përjetonte edhe autori i kësaj ese-je . Edhe  ai në këto ditë  të errëta shkruante esenë dhe  kuvendonte  me Naimin, Apostullin e Shqiptarizmës. Aty gjente besimin, shpresën, qetësinë e shpirtit. Nën këto impresione shpirtërore është shkruar kjo ese. Ndaj dhe  studiuesi , që në rreshtat e parë thotë se na duhen  Orakujt, Diejtë, Ylli i Karvanit, … Poeti dhe Profeti… Na duhet të rilexojmë  të plotë  Naimin… Ai është dritë e udhës  sonë, është shpirti i bukur i Mëmëdheut. Që në gjallje të tij shqiptarët  e kanë pranuar  si Apostull i shqiptarizmës. Në çdo terr e udhëkryq që mund të bjerë ky komb, Naimi do të vijë me një shkëlqim të ri.

Më tej, studiuesi evokon punët e mëdha që bëri Naimi për kombin e gjuhën shqipe. Ai me veprën e tij arriti ta shenjtërojë Shqipërinë. Pa asnjë  dallim: Perëndia ishte  Shqipëria dhe  Shqipëria  ishte Perëndia. Kështu e gjen këtë togfjalësh, kudo, në veprën e Naimit. Në këtë ese, autori  na sjell informacion edhe për veprat pak të njohura e pak të botuara të  Naimit, ( në vitet e socializmit), për shkak të të  ashtuquajturit: “kufizime ideore e botëkuptimore.” … Ky qëndrim ndaj Poetit është një absurditet, si shumë absurde të asaj kohe… Duke u maskuar pas të ashtuquajturave “vepra të zgjedhura” selektohej e liheshin jashtë vargjet për Zotin e Vërtetë, Perëndinë, etj. Kësaj krasitjeje  nuk i shpëtuan  as veprat e mëdha: “Bagëti e bujqësia” , “Historia e  Shkënderbeut”, “Qerbelaja”, “Lulet e verës”, etj… Tërë kjo masakër rëndon mbi ndërgjegjen tonë. Ja një shembull që të lë pa fjalë: Në botimin përmbledhës, ”Poezi”, Tiranë 1977, vetëm poemës “Bagëti e bujqësia” i janë përjashtuar 84 vargje, d.m.th 20% e saj. Poema ka gjithsej 454 vargje. Vargjet e “krasitura” janë vargje, ku Poeti përmend fjalët: Perëndi, Zot i Vërtetë, si dhe idetë e tij panteiste, humaniste… Përballë Naimit,- parashtron  autori,- a nuk ndihemi mëkatarë, dhe  si do t’i kërkojmë ndjesë Apostullit tonë të dritës…

Në këtë libër do të gjejmë ese të mrekullueshme të ngritura mbi tema të qenësishme të kombit tonë, ese të ndërtuara nga leximi i disa prej librave që kanë dalë këto vitet e fundit si: eseja “Thirrje Laokoontiane”,  mbi librin e Nuri Dragoit “Rreziku i shkombëtarëzimit”, ku autori njëson  simbolikën e Laookonit që  paralajmëronte rrezikun e rënies së Trojës dhe thirrjet e  historianit të mirënjohur Nuri Dragoi për rreziqet e mundshme kombëtare. Kështu vijnë edhe vlerësimet për: ”Përkushtim admirues për vendlindjen” mbi librin e Gëzim Vodës “Fjalë shpirti të dëshnicarëve”; eseja “Transheja e një shkrimtari të angazhuar” mbi librin e Paskal Zotos “Dodona e shqiptarizmës” apo eseja “Vëllai i katërt i Abdyllit” kushtuar historianit të shquar Kristo Frashëri.

2

Daut Gumeni, një nga shkrimtarët disidentë që e kaloi jetën burgjeve të diktaturës, ka ardhur në vëmendjen e kritikut në dy këndvështrime: si shok i shkollës së mesme, si dhe për vlerat artistike të vëllimit poetik “Kënga e zezakut të bardhë”  që ua kushton bashkëvuajtësve të tij në burgjet e diktaturës, ku shumë prej tyre nuk dolën gjallë prej asaj skëterre. Edhe pse brenda hekurave të burgut, poeti nuk mbeti skllav i tyre, i përgjunjur dhe i demoralizuar, por i shpërtheu ato hekura dhe doli përtej tyre në jetën e madhe të njerëzve. të thjeshtë që ecnin në shtratin e rrjedhës së tyre historike, megjithë devijimin që i kishte bërë diktatura. Aty do të gjesh prindërit e tij që asnjëherë nuk e braktisën birin e tyre në atë jetë të vështirë që kaloi, do të gjesh shokët dhe miqtë e tij  “ të çapit fëminor”, do të gjesh poetët e mëdhenj tek të cilët ushqeu guximin t`i kundërvihej diktaturës. Aty, brenda atyre hekurave që nuk të linin të të shihje dhe qiellin: poeti është optimist dhe plot besim tek e ardhmja që do të vinte:

“ Pas rrjete ndiej agimin pranveror
Dhe vargjet i rreshtoj mbi aktakuzë.”

Është me shumë interes se si Ylli Hoxhaj ka përcjellë vëllimin poetik të Anila Krutit “Tej skajeve me ëndrrën”. Është libri i parë poetik i saj dhe kritiku Ylli Hoxhaj në këtë vëllim ka parë fillesën, por dhe rritjen e saj në poezi, ka parë bukurinë e fjalës dhe thellësinë e mendimit, vërtetësinë e emocionit dhe mesazhet që ajo përcillte. Ishin vjersha që premtonin se poetja do të ecte pa u ndalur në rrugëtimin e saj dhe syri i kritikut nuk gaboi. Anila është rritur poetikisht dhe poezia e saj ushqen lexuesit e shumtë në të gjitha trojet shqiptare dhe më tej. Ajo ka krijuar profilin e saj poetik dhe është vazhdimisht në ngjitje për të arritur kuota poetike përtej skajeve që ka shënuar deri më sot letërsia shqiptare.
Dhimitër Miti, poeti përmetar me ndjeshmëri të thellë dhe krijime artistike që konkurojnë denjësisht në tregun e letrave shqipe, është bërë objekt i disa shkrimeve të Ylli Hoxhaj. Janë vëllimet e para të tij, të cilat ashtu siç kanë tërhequr vëmendjen e lexuesit, kanë tërhequr dhe vëmendjen e kritikës. Veçanërisht ndalet tek vëllimi poetik “Trokitje në bosh”. Poezia e Dhimitër Mitit është e gjallë dhe jetësore, ngrihet mbi detaje konkrete nga jeta e përditshme ku përfitohen prej saj mesazhe të fuqishme poetike. Dhe kritiku do të nënvizojë: “Tharmi filozofiko-etik, dashuria dhe humanizmi, dëshirat njerëzore dhe metaforat e goditura, janë bukuria e kurorës së poezisë së tij”. (Ylli Hoxhaj “Me miqtë e mi krijues”, faqe 108”
Pjesë e këtij libri është bërë krijimtaria e poetit Lumo Kolleshi. Ylli Hoxhaj e ndjek vargun e poetit hap pas hapi: ndjek lëvizjet e sigurta që të shpien drejt perfeksionit e maturisë, depërton thellësive të poezisë së tij duke e sjellë sa më pranë lexuesit: “Poezia e Lumos të merr e të fut në ca hapësira të blerta e të begata, në ca kopshte të punuara me merak, të qëndisura me një bukuri shpirtërore dhe mjeshtërore, në tërë ato vende ku ka jetë, ku ka njerëz që punojnë, këndojnë, kujtojnë, brengosen, lindin e vdesin. Krijojnë e përballojnë jetën”. (Ylli Hoxhaj “Me miqtë e mi krijues”, faqe 133)

Me merakun e krijuesit dhe të kritikut janë analizuar dhe është hedhur dritë mbi disa vëllime poetike si: “ Do të këndoj si djalë vendi” me autor Muhamet Tako, “ E pafaj është dashuria” me autore Anila Mihali, “Klithmëlindjet” me autor Artur Vrekaj, “365 fjalë të arta” dhe “ Panairi  i xhevahireve” me autor Josif Nika, “Buzëqesh hidhur” me autor Izet Çuli, “Kur mendon për të tjerët” me autor Kujtim Mateli apo përkthimi i 23 autorëve italianë nga poeti dhe përkthyesi përmetar Sinan Vaka.

3

Autori ndalet hollësisht në tre romanet e parë të shkrimtaritpërmetar Ligor Shyti të cilët janë: “Letër nga ferri”, “Çmimi i faljes” dhe “Frençi mbesa e kapitenit”. Në analizën e kritikut të tria veprat vështrohen si një prurje e re që autori ka sjellë në letërsinë shqipe, të cilën e ka pasuruar me personazhe dhe karaktere që kërkojnë të sjellin ndryshime në jetën shoqërore dhe politike të vendit, në përsosjen e marrëdhënieve midis shteteve dhe qeverive përkatëse. Autori është ndalur në strukturën ndërtimore të këtyre romaneve që sjellin risi dhe vlera në letërsinë shqipe. Raportet që krijohen midis reales dhe ireales, midis mitit dhe të vërtetës historike, në romanet e Ligor Shytit janë përthyer si realitete estetike nëpërmjet të cilave depërtohet në thellësi dhe në thelbin e fenomeneve të vjetra dhe të reja që kanë karakterizuar dhe karakterizojnë shoqërinë shqiptare, si dhe më gjerë: në marrëdhënie me fqinjët. Kritiku ka zbritur në thellësi të këtyre fenomeneve bashkë me autorin, i ka përjetuar estetikisht ato dhe u sjell lexuesve copëza jete njerëzore  që kanë brenda filozofinë e jetës së njeriut të zakonshëm. Në romanet e Ligor Shytit realiteti udhëton bashkë me personazhin e tij në kufijtë e ireales, përplaset me të me plotfuqishmërinë që të krijon forca e mendimit të njeriu të zakonshëm që kërkon të thyejë muret artificiale që politika të gabuara kanë krijuar midis popujve. Romani “Frençi mbesa e kapitenit” jep realitetin që u krijua pas viteve 1990  në  marrëdhëniet midis shqiptarëve që shkuan në Greqi dhe popullsisë pritëse. Kjo marrëdhënie përfshin gjithë kuadrin historik të marrëdhënieve shqiptaro-greke. Ja si e përshkruan këtë realitet pena e kritikut Ylli Hoxhaj: “Autorët duke u marrë me çështjet historike, i ndriçojnë ose i mjegullojnë ato, e në rastet më të këqija, nxisin dhe armiqësojnë popujt fqinj. Në rastin e romanit tonë, avokatia e historisë bëhet nga ide të avancuara demokratike, bashkëkohore, nga fryma e miqësisë tradicionale e shekullore, nga ato ndjenja njerëzore që sjellin paqe, mirëkuptim, dashuri, përkrahje, bashkëveprim edhe kur personazhet vepruese kanë qenë apo janë të gjallë, por edhe kur disave, toka shqiptare me humanizëm e mirëkuptim u ka dhënë prehje për eshtrat e tyre duke e konsideruar njeriun e vdekur si amanet i brezave, pa marrë parasysh se ata shpesh kanë qenë të huaj, madje dhe pushtues”. (Ylli Hoxhaj “Me miqtë e mi krijues”, faqe 128)
Ky këndvështrim i gjerë në planin filozofik dhe politik, që krijon besim e siguri midis individëve dhe popujve, ngritur në një nivel të lartë artisitik, i bën romanet e Ligor Shytit të jenë të dashur për lexuesin dhe udhërrëfyes për ato institucione që duhet të realizojnë hapësira paqeje dhe mirëkuptimi në marrëdhëniet midis shteteve dhe popujve.

Romani i shkrimtarit Koço Kosta “Nata e Sofije Kondilit”, tregon për një ngjarje të dhimbshme në kohën e Luftës NacionalÇlirimtare, ku Sofija bën dashuri me partizanin Kristofor Kutulla. Ky akt i  ndaluar nga ligjet e Luftës dënohet me vdekje nga formacioni partizan. Në vështrimin realist të kësaj ngjarjeje, kritiku vëren misionin e shkrimtarit që kërkon të bëjë art, të përjetësojë në art një natë që lindi një dashuri të madhe dhe që ditën tjetër u kthye në dramë dhe nënvizon:
“Ai e përshkruan luftën natyrshëm: pa glorifikime dhe shtrëmbërime, pa mallkime dhe zbukurime. Ka fisnikërinë e intelektualit, fisnikërinë e krijuesit, e njeriut që nuk e shpërdoron mendimin e gjykimin, duke mbajtur pozicione politike dhe ideologjike”. (Ylli Hoxhaj “Me miqtë e mi krijues”, faqe 101)

Paanshmëria ndaj një ngjarjeje e lartëson shkrimtarin. Ngjarja shkon në përmasat reale, lartësohet dhe kthehet në histori të vërtetë, ku më pas shkojnë studiuesit e fushave të tjera duke e bërë lëndë të parë në studimet e tyre..
Ky roman i Koço Kostës, pikërisht këtu e ka forcën: tek paanshmëria ndaj ngjarjes. Tek qëndrimi i autorit si artist, jashtë qëndrimeve politike dhe atyre fetare. Koço Kosta ka bërë art dhe e ka shenjtëruar Sofije Kondilin.

Në libër gjenden vështrime të hollësishme për disa vepra në prozë si: romani “Bletë dhe fishekë” i Daut Gumenit,  libri me tregime “Të doje Irenën” i Lliko Nanos,  përmbledhja me tregime “Lulja e murrizit” e Kristaq Kristos,  romani “Financieri rrebel i Përmetit” dhe novela “Një kirurg i çmendur” i Muçi Fezgës, për romanin ” Mëkatet e një shoqërie në tranzicion “ të Dashnor Selimit.

Në fokusin e vlerësimeve të krijimeve të Ylli Hoxhajt janë dhe disa libra si: “Monografi për Gani Jasharin” me autor Xhafer Sadiku, “Sporti në Përmet” me autor Hetem Bejo, “Një jetë me basketbollin” me autor Et`hem Kaso, “Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit I” me autor Kujtim Mateli.

Përfundim: Libri “ Me miqtë e mi krijues” eshtë një libër i ri që ia vlen të lexohet, një vlerë më shumë në fushën e studimeve  letrare. Ai u flet bashkëkohësve dhe do t’u flasë edhe brezave  që do të vijnë…

Tetor  2018

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok