Kujtim Mateli parashtron katër tezat e tij për Dodonën dhe Epirin
Kujtim Mateli u lind në fshatin Mazhan të rrethit të Përmetit. Arsimin fillor dhe të mesëm e kreu në vendlindje, ndërsa studimet e larta i përfundoi në Universitetin e Elbasanit në degën gjuhë-letërsi shqipe.
Gjatë viteve 1972–1991 punoi si mësues në shkollat tetëvjeçare dhe të mesme në rrethin e Përmetit. Që nga viti 1992 jeton në Tiranë, ku ka ushtruar profesionin e mësuesit në disa institucione arsimore.
Ka botuar shkrimet e para letrare në vitin 1980 në gazetën “Drita” dhe ka bashkëpunuar me shtypin e shkruar, duke publikuar poezi, studime dhe artikuj publicistikë. Është kryeredaktor i gazetës “Dëshnica”.
Ka mbrojtur me dëshmi në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës gjuhën frënge (1998), greke (2001) dhe angleze (2004).
Është autor i disa librave me poezi dhe kritikë letrare. Ka botuar 5 libra studimorë për Dodonën dhe Epirin ku mbron katër teza, të cilat u kundërvihen qëndrimeve akademike të cilat nuk e njohin përkatësinë pellazgo-ilire të Dodonës dhe Epirit.
Teza e parë: Dodona nuk ndodhet në jugperëndim të Janinës, në luginën e Carakovistës.
-Autorët e antikitetit e vendosin orakullin e Dodonës ndanë një lumi, kurse në luginën e Carakovistës nuk ekziston lumi.
-Autorët e antikitetit e vendosin Dodonën në shpat të malit Tomar, kurse gjetjet arkeologjike në luginën e Carakovistës që pretendohet si qyteti i Dodonës ndodhen në krahun e kundërt të luginës, në kodrat e Kozmirasë.
-Autorët e antikitetit e vendosin Dodonën në veri të Epirit, në tokën e Molosisë, kurse lugina e Carakovistës ndodhet në zonën qendrore të Epirit.
-Dëshmitë historike vërtetojnë se Dodona ka ekzistuar nga lufta e Trojës deri në fund të shekullit të katërt (të erës së re), kurse gjetjet në luginën e Carakovistës i përkasin mesit të shekullit të katërt (para erës së re), deri në periudhën e pushtimit romak (345-167), pra, ky qytet ka pasur më pak se dy shekuj jetëgjatësi.
-Gjetjet arkeologjike vërtetojnë se ky qytet nderonte Di Nao, kurse në Dodonë sipas burimeve historike nderohej Di Dodonen.
– Nuk ekziston asnjë gjetje arkeologjike që të tregojë se ky qytet mbante emrin e Dodonës.
Teza e dytë: “Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit” Duke u nisur nga dëshmitë e autorëve të antikitetit që Dodona ndodhej në veri të Epirit, në tokën e Molosisë, në kufijtë e Atintanisë ilire, autori përcaktoi qartë kufijtë e Atintanisë në pjesën jugore dhe juglindore, si dhe veriun e Molosisë në takimin e saj me Atintaninë. Kjo vijë ndarëse shënjohej me kreshtën e malit të Trebeshinës. Në perëndim dhe veriperëndim të Trebeshinës, shtrihej Atintania ( Tepelena e sotme në të djathtë të Vjosës dhe rrethi i Mallakastrës), kurse në lindje dhe juglindje lugina e lumit të Dëshnicës dhe ajo e Vjosës. Pikërisht në shpat të malit Trebeshinë, në perëndim të qytetit të sotëm të Këlcyrës ndodhet kalaja antike (tempulli i Dodonës) dhe poshtë tij rrënojat e një qyteti antik (rreth 600) që ishin dikur qyteti i Dodonës. Lugina e Dëshnicës plotëson kushtin që japin autorët e antikitetit: ndodhet në veri të Molosisë, ndodhet në kufijtë e Atintanisë, ku ekziston ende qyteti dhe tempulli në shpat të malit, fusha Hellopia në fund të së cilës ishte ndërtuar qyteti i Dodonës dhe lumi Dodon ku ndodhej orakulli.
Teza e tretë: Epiri i përket qytetërimit pellazgo-ilir. Gërmimet arkeologjike në luginën e Carakovistës të bëra prej Karapanos dhe pasuesve të tij, si dhe ekspozimi i tyre para opinionit shkencor dhe atij public, vërtetuan se ky qytet nuk i përkiste botës helene, por asaj pellazgo-ilire, që ka lidhje të ngushta me banorët e Shqipërisë së Jugut edhe në ditët e sotme.
Gjetjet arkeologjike (statuja, bazorelieve, pllaka, etj prej bronzi ose bakri), të gjetura në këtë qytet të luginës së Carakovistës, vërtetojnë për një lidhje të ngushtë të banorëve të antikitetit me popullsinë shqiptare që jeton në këtë hapësirë që dikur quhej epirote. Ushtari epirot i kohës së Aleksandër Molosit dhe Piros së Epirit mbante si veshje të tij një qeleshe që është identike me qeleshen çame dhe atë labe të ditëve të sotme Po edhe banorët e kishin qeleshen të njëjtë me atë të ushtarit epirot, që do të thotë se shqiptarët janë pasardhës të epirotëve të antikitetit. Në gjetjet arkeologjike të luginës së Carakovistës, cyla dyjare që përdoret gjerësisht te shqiptarët e Shqipërisë së jugut, ka qenë e përdorur nga epirotët e antikitetit. Këto dhe gjetje të tjera arkeologjike, siç janë dy statujat e Dias së Dodonës të gjetura në Apoloni dhe Carakovistë, ku hyjnia mban në kokë një takije si ajo e myzeqarit të sotëm, vërtetojnë se stërgjyshërit e shqiptarëve janë banorët e Epirit antik.
Dallimin tjetër të rëndësishëm midis etnisë helene dhe asaj epirote e përbën gjuha që është përdorur në këto dy vende, të cilën e ka venë në dukje edhe njëri nga oponentët e Karapanos, M.E. Egger, i cili thotë se emrat e përveçëm të gjetura në luginën e Carakovistës, nuk i përkasin gjuhës helene. Mateli sjell dhe shumë emra të përgjithshëm të përdorur në Epir që nuk kishin lidhje me gjuhën helene, duke vërtetuar edhe me dëshmi të tjera të shumta dhe bindëse se epirotët dhe helenët u përkasin dy etnive të ndryshme.
Teza e katërt: Përkatësia etnike e Dodonës nuk është helene sikundër e pretendojnë grekët e sotëm, por pellazgo-ilire. Pretendimeve absurde të grekëve të sotëm se Dodona ka qenë një faltore helene, z. Mateli u ka dhënë një përgjigje të qartë, mbështetur te dëshmitë e autorëve të antikitetit, që përgjatë gjithë historisë Dodona është quajtur pellazge dhe nuk e humbi përcaktorin pellazg as në kohën e pushtimit romak. Hartat e hartografëve më të rëndësishëm evropianë provojnë ecurinë e ndryshimit të emrit nga Tomar në Trebeshinë: Tomar-Tomer-Temer-Tremer-Trebeten-Trebeshinë, që tregojnë se këto ndryshime gjuhësore i përkasin gjuhës shqipe
Ka botuar mbi 100 artikuj në shtypin e shkruar, në revista shkencore dhe letrare, brenda dhe jashtë vendit.
Është anëtar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve me seli në Nju Jork.
