21/12/2024

Kujtesa, Holokausti dhe muzeumet

0
Dorian-Koci

Nga Dorian Koçi

Kush kontrollon të shkuarën, kontrollon të tashmen dhe kush kontrollon të tashmen kontrollon dhe të ardhmen”. Ky citat i shkëputur nga vepra “Viti 1984” i shkrimtarit britanik George Orwell duket sikur ilustron dhe përpjekjet për të rifituar lirinë individuale dhe kombëtare nën ankthin totalitarist të nazizmit dhe komunizmit që përjetoi Polonia në shekullin e XX. Për t’iu kundërvënë pikërisht këtyre përpjekjeve në Varshavë dhe gjithandej në Poloni  janë hapur shumë muzeume  si vende të rëndësishme të memories kolektive. Nazizmi pati një projekt politik, kulturor dhe ekonomik për të shbërë Poloninë dhe shpirtin polak duke arritur në eliminimin e 6.500.000 vetave nga të cilët 3.000.000 hebrenj në fabrikën e vdekjes në Aushvic  dhe ngritur një sistem të ashpër kundërpërgjigjeje e terrori ndaj çdo përpjekje rezistence. Muzeu i Revoltës Polake i ndërtuar në vitin 2004, pikërisht në prag të hyrjes së Polonisë në Bashkimin Europian është një pasqyrë e gjallë sesi një popullsi e tërë që nuk pajtohet me diktaturën dhe terrorin organizohet për të shpërthyer në kryengritje e revoltë për dinjitet e liri. Muzeu i Revoltës është i ndërtuar sipas një konceptualizimi modern të muzeologjisë ku gjen pasqyrim dhe historia sociale dhe dhimbja, ankthi, shpresa e liria pasqyrohen në linjë muzeale përmes objekteve e fotove të njerëzve të thjeshtë që jetonin në kuartetet e Varshavës. Pamja rrëqethëse e Varshavës e marrë nga një avion sovjetik Antonov në videot përkatëse tregon sesi godina të tëra u shkatrruan në masë me dinamit nga forcat e Rajhut III si kundërpërgjigje ndaj revoltës polake që për fat të keq u braktis edhe nga aleatët. Polonia ishte viktima e parë Paktit Molotov-Ribentrop të datës 23 gusht 1939, ku ajo u nda sërish në zona influence mes Gjermanisë Naziste dhe B.S. Agresioni gjerman filloi në datën 1 shtator 1939 çka shënon dhe fillimin e luftësssë Dytë Botërore. Disa ditë më vonë trupat sovjetike filluan sulmin nga kufijtë lindorë duke e futur ushtrinë polake në një darë të frikshme dhe pas 15 ditësh Polonia kapitulloi. Rreth 22.000 ushtarë e oficerë polakë u dorëzuan tek sovjetikët, të cilët në gushtin e  vitit 1940 nën organizmin e drejtë për së drejtë të famëkeqit Beria i pushkatuan në pyjet e Smolenskut, në Katin. Pushkatimi dhe egzekutimi në masë i lules së ushtrisë polake i shërbente tiparit të eliminimit të elitave që Stalini ushtronte prej kohësh në B.S dhe më vonë në gjithë territoret që pushtoi Ushtria e Kuqe.

ARBEIT MACHT FREI (Puna do t’ju bëjë të lirë), ky është mbishkrimi ironik i vendosur në hyrje të kampit të Aushvicit që sëbashku me Bikernaun , ngjitur me të, u kthyen në fabrika të vdekjes gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nazistët e hapën këtë kamp më 1940, në periferi të qytetit Osvieçim, që si shumë qytete polakë qe pushtuar nga forcat gjermane me shpërthimin e Luftës II Botërore. Godinat prej tulle, që kishin shërbyer për ushtrinë polake, por që ishin ndërtuar qysh në kohën e perandorisë austro-hungareze u shndrruan në godina kampi. Nazistët Gjermanë e ndryshuan emrin e qytetit në Aushvic dhe ky u bë emri i njohur i kampit. Në vitet në vazhdim kampi u rrit, derisa filloi të përbëhej nga tri pjesë të mëdha: Aushvic I, Aushvic II-Birkenau dhe Aushvic III-Monovic, si dhe më shumë se 40 nënkampe të vogla. Fillimisht, këtu burgoseshin polakët. Më vonë këtu vinin të burgosurit sovjetikë të luftës, romët dhe të burgosurit nga vendet e tjera. Në vitin 1947, një akt i Parlamentit polak themeloi Muzeun Aushvic-Birkenau, aty ku ndodhen Aushvici I dhe Aushvici II, pjesë të ruajtura të kampit më të madh nazist të vdekjes. Në vitin 1979, UNESCO e futi atë në listën e Trashëgimisë Botërore. Ai vizitohet nga 700.000 vizitorë në vit dhe shërben si një vend i memories kolektive të njerëzimit ku mund të shikoj sesi çmenduari njerëzore nën ideologjinë e superioritetit të racave mund të marrë në qafë gjithë njerëzimin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok