26/12/2024

Kujt i shërbeu Televizioni Top Channel me një sugjestionim të teleshikuesve?!

0
Eshref-Ymeri1

Nga Eshref Ymeri

Më 17 korrik, në youtube, në kanalin televiziv Top Channel, ndoqa emisionin “Lindje Perëndim. Rusia i shkatërron vendet e NATO-s brenda gjysmë ore, mit apo realitet?”.

Çuditërisht, emisioni u hap me një video, ku transmetoheshin pamje nga Sheshi i Kuq i Moskës, në ditën e paradës ushtarake më 09 maj. Në ekran shfaqeshin skena nga rreshtimi i trupave, gati për parakalim, lëvizja e kamionëve të rëndë ushtarakë, ngarkuar me raketa balistike ndërkontinentale, fluturimi i helikopterëve dhe i avionëve luftarakë mbi Sheshin e Kuq, që lëshonin nga prapa varganë tymi të ngjyrosur, mandej parakalimi i trupave para udhëheqjes së lartë dhe veteranëve të luftës, me Putinin në krye, që mbajti fjalën e rastit.

Paskëtaj, në ekran u shfaq fotografia e politikanit Dmitri Rogozin, dikur zëvendëskryeministër i Federatës Ruse dhe më pas Drejtor i Roskosmosit (Korporata ruse që drejton degën  kozmike të vendit).

Gazetari lexoi deklaratën e tij që shfaqet edhe në ekran:

“NATO-ja po nis një luftë kundër nesh. Nuk është se e kanë thënë hapur, por kjo nuk ndryshon asgjë. Sepse është mëse e qartë për të gjithë”.

Pas gazetarit, vijon komenti i gazetares:

“Si njëri prej besnikëve më të ngushtë të Vladimir Putinit, Rogozin-i nuk mund ta zhgënjente presidentin rus me mbështetjen e tij, e cila shkoi përtej deklaratave konvencionale të një fitoreje dërrmuese mbi këtë armik të madh, që, në sytë e Rusisë, vazhdon të mbetet kërcënimi kryesor për të. Deklarata që Rogozin-i do të bënte më pas ngjan sa qesharake, aq edhe arsye për të ulur e për të menduar. A mundet Moska ta bëjë vërtetë një gjë të tillë?”.

Më tej gazetari lexon vazhdimin e deklaratës së Rogozin-it, të cilën teleshikuesit e ndjekin  edhe në ekran:

“Nëse arrihet te lufta bërthamore, vendet e NATO-s do të shkatërrohen prej nesh brenda gjysmë ore. Do të jetë një rrënim i paparë. Po këtë ne nuk duhet ta lejojmë, pikërisht për shkak të pasojave që do të kishte mbi planetin tonë një shkëmbim sulmesh atomike. Kjo është arsyeja përse ne duhet që këtë armik tepër të fuqishëm ekonomikisht dhe ushtarakisht, ta mposhtim me armë konvencionale… Forcat e armatosura të Ukrainës janë mish për top i NATO-s. Janë thjesht operatorë, të trajnuar nga instruktorë të NATO-s që shtypin levat dhe  butonët e armëve të aleancës. Po e çlirojmë Ukrainën nga pushtimi i NATO-s dhe po e largojmë armikun më të keq nga kufijtë e tyre perëndimorë”.

Në ekranin e televizionit shfaqeshin kohë pas kohe pamje pallatesh të shkatërruara në Ukrainë, pasoja këto të barbarisë së  ushtrisë fashiste ruse.

Por, në vijim të atij emisioni, ajo që më la mbresa sa të fuqishme, aq edhe tronditëse, ishte përmbajtja e tekstit të mëposhtëm, që u shfaq në ekran dhe që u lexua nga gazetari:

“Arma kontinentale, e cila peshon 49,6 tonë, mund të udhëtojë deri në 24 500 km në orë dhe është e aftë të godasë objektivat deri në 12 mijë km larg, që do të thotë se mund të godasë vërtet Londrën ose Nju Jorkun brenda disa minutave…”.

Të gjitha pamjet nga Sheshi i Kuq, të transmetuara në ekran herë pas here, qëllimisht, shërbenin  për sugjestionimin e teleshikuesve, në mënyrë që ata të arsyetonin me vetveten për “madhështinë” e forcave ushtarake ruse dhe për armatimin e tyre, si “më të mirin” në botë.

Veçanërisht informacioni për atë armën kontinentale, e cila, brenda disa minutave, mund të godasë Londrën dhe Nju Jorkun, ishte shumë më tepër sugjestionues për teleshikuesit.

Diçka më bëri përshtypje jo të mirë në atë e mision. Aty u citua disa herë ish-zëvendëskryeministri Rogozin. Po si është e mundur që redaktori i atij emisioni nuk qenka interesuar për të siguruar shumë më tepër të dhëna për figurën e tij? Sot bota e internetit të krijon mundësi të jashtëzakonshme.

Le të kthehemi disa vite prapa dhe të kujtojmë se çfarë deklarate pati bërë në vitin 2014 ky ish-zëvendëskryeministri rus Rogozin. Por, fillimisht, lexuesit e nderuar po i sqaroj se cila ishte arsyeja që e pati nxitur ta bënte atë deklaratë.

Kryefashisti i tanishëm Putin, sapo u zgjodh president më 26 mars 2020, pati vendosur, që, me kalimin  e viteve, të merrte tiparet e një cari të ri, të një diktatori të etur për pushtet. Dhe dihet që çdo diktator, në synimin e përhershëm për përjetësimin e pushtetit, bën ç’është e mundur për të grumbulluar rreth vetes gazetarë servilë shembullorë, të cilët, përmes mjeteve të informimit masiv, bëjnë gjithçka për propagandimin, deri në hyjnizim, të kultit të tij.

Zejen e kryeservilit të Putinit ka vite që e ushtron me një zell të jashtëzakonshëm gazetari Dmitri Kiselov, drejtues emisionesh televizive në Televizionin shtetëror të Moskës “Rusia 1”.

Me rastin e 60-vjetorit të lindjes së Putinit (07 tetor 2012), gjatë zhvillimit të programit televiziv, ai pati përgatitur një koment, në të cilin u shpreh:

“Për nga përmasat e veprimtarisë, Putini-politikan, në krahasim me paraardhësit e tij të shek XX, është i krahasueshëm vetëm më Stalinin”.

Ndërsa në një tjetër shfaqje puthadorësie, Dmitri Kiselovi i drejtohet Putinit me një tjetër deklaratë, këtë herë vetëposhtëruese:

“Vladimir Vladimiroviç, mua më keni besnik, çizmet do t’ju pastrohen me floknajën time, më pas do t’ju thur dhe këngë” (Citohet sipas: Helena Rikovceva. “Ishte Kiselovi ai që tha për Putinin: mua më keni besnik”. Faqja e internetit “svoboda.org”. 13 dhjetor 2013).

Në një emision televiziv përmbyllës të programit “Vjesti njedeli” (Lajmet e javës), asokohe Dmitri Kiselovi pati deklaruar se Rusia na qenkej i vetmi vend, i cili “ka aftësinë t’i shndërrojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në hi radioaktiv”.  (Citohet sipas: “Dmitri Kiselovi: “Rusia është e aftë t’i shndërrojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në hi radioaktiv”. Faqja e internetit “Delfi”. 17 mars 2014).

Kërcënimi i gazetarit-puthador të Putinit në adresë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ishte pasojë e rrënjosjes së “universitetit” të servilizmit politik në Rusi, për të cilin vetë kreu i Kremlinit ka treguar dhe vazhdon të tregojë një kujdes të jashtëzakonshëm për lulëzimin e tij. Në “auditoret” e këtij “universiteti” të servilizmit janë edukuar dhe edukohen jo vetëm breza gazetarësh të shumtë servilë, por edhe politikanë.

Ajo deklaratë e këtij puthadori të regjur të politikës së Kremlinit bëhej në një kohë kur Rusia pati kryer pushtimin e Krimesë nën maskën e një të ashtuquajturi referendum dhe kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës qenë pozicionuar prerë kundër atij pushtimi.

Pas deklaratës së mësipërme kërcënuese të Dmitri Kiselovit (në të vërtetë, me gjuhën e Putinit) në adresë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, erdhi menjëherë reagimi i zëvendëskryeministrit Dmitri Rogozin. Në një dalje publike ai tha:

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, brenda disa orëve, mund të zhdukin deri në 90% të potencialit tonë bërthamor. Gjatë më shumë se dhjetë vjetëve, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përpunohet koncepti i një goditjeje globale të rrufeshme. Sipas atij koncepti, parashikohet dhënia e goditjes me armatim jobërthamor në çdo pikë të planetit brenda një ore. Në bazë të rezultateve të lojës luftarake që u zhvillua në Pentagon në fund të vitit të kaluar, me ndihmën e 3,5-4 njësive të armëve të precizionit të lartë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në gjendje që brenda gjashtë orëve të shfarosin objektet kryesore infrastrukturore të kundërshtarit dhe t’i heqin atij mundësinë për të rezistuar” (Citohet sipas: “Dmitri Rogozin përgënjeshtron Kiselovin: Rusia do ta humbasë luftën me Amerikën brenda gjashtë orëve”. Faqja e internetit “Livejournal”. 17 mars 2014).

Pra, sikur drejtuesit e atij emisioni të ishin informuar për jetëshkrimin e Rogozin-it, do të ballafaqonin deklaratën e tij të vitit 2014 me deklaratën e tanishme dhe do të nxirrnin në pah mashtrimin e tij në këtë të fundit, me të vetmin qëllim që, ashtu si edhe krejt klika fashiste e Kremlinit, me Putinin në krye, të shpëlajë trurin e delepopullit rus me gënjeshtra të sajuara me shumë kujdes në arsenalin e mashrimeve të politikës ruse

Më erdhi keq që redaktorit dhe dy gazetarëve të televizionit nuk u kishte bërë përshtypje absolutisht fjalia në vijim e Rogozin-it:

“Kjo është arsyeja përse ne duhet që këtë armik tepër të fuqishëm ekonomikisht dhe ushtarakisht, ta mposhtim me armë konvencionale”.

Së pari, vallë mos nuk duhej që ata të reflektonin dhe të shtronin pyetjen:

“Po si është e mundur të mposhtet një armik tepër i  fuqishëm ekonomikisht dhe ushtarakisht?”.

Po ta kishin shtruar këtë pyetje, redaktori dhe gazetarët duhej të rezervoheshin për transmetimin e atij emisioni dhe drejtorit ose edhe presidentes së televizionit duhej t’i ishin drejtuar me kërkesën për dërgimin  me shërbim në Rusi të një gazetari dhe të një kameramani, për të shkuar jo në Moskë, por diku në zonat e brendshme të Rusisë, me qëllim që ta shikonin me sytë e tyre se në ç’gjendje jeton  populli rus në ato zona, të shikonin pirgjet me mbeturina gjithandej, jetën e varfër të njerëzve të thjeshtë, të mësonin  se cili është niveli i pagave dhe i pensioneve, në mënyrë që të bindeshin për mashtrimin e ish-zëvendëskryeministrit Rogozin për të mposhtur 30 vendet e NATO-s “brenda gjysmë ore”. Sepse redaktori dhe gazetarët duhet të jenë të bindur se në shumicën dërrmuese të rasteve luftën  e bën ekonomia, jo arma.

Së dyti, si është e mundur që redaktori dhe gazetarët nuk reaguan fare ndaj fjalëve të Rogozin-it për mposhtjen e vendeve të NATO-s me armë konvencionale? Pas këtyre fjalëve sa mashtruese, aq edhe absurde, ata a nuk duhej të ndaleshin dhe të analizonin “suksesin” e armëve konvencionale të ushtrisë gjakatare ruse në Ukrainë? Si është e mundur që në ekran të transmetoheshin pamje nga pallate të shkatërruara në Ukrainë nga barbarët e ushtrisë fashiste ruse dhe të mos thuhej asnjë fjalë për Ukrainën, ushtria heroike e së cilës, populli heroik i Ukrainës rreth saj dhe lëvizja partizane në mbarë vendin, e rrëzuan përdhe përfundimisht mitin e “madhështisë ushtarake” të Rusisë, të reklamuar çdo vit me aq pompozitet qesharak në Sheshin e Kuq, me paradat e 09 majit?

Pra, drejtuesit e atij emisioni, po të kishin “gërmuar” në internet për jetëshkrimin e Rogozin-it, vetvetiu do t’u lindte pyetja:

Si është e mundur që ky politikan me hundën në lis, para tetë vjetësh të deklaronte se “Rusia do ta humbasë luftën me Amerikën brenda gjashtë orëve”, kurse tani, tetë vjet më vonë, deklaruaka se nëse arrihet te lufta bërthamore, vendet e NATO-s do të shkatërrohen prej Rusisë brenda gjysmë ore”!

Pra, pas deklaratës së vitit 2014, Rogozin-i tani paska arritur në përfundimin se Rusia, pas tetë vjetësh, na qenka bërë fuqia më e madhe globale në botë, e cila do t’i shkatërruaka vendet e NATO-s “brenda gjysmë ore”!

Çdo mashtrim dhe çdo mburracakëri e një politikani e ka njëfarë kufiri, por “ofiçina politike” e “kryeinxhinierit” Putin ka arritur të nxjerrë nga “repartet” e saj gënjeshtarë, mashtrues dhe mburravecë të një kalibri shumë të lartë, të pakrahasueshëm në mbarë botën, propagandën trushpëlarëse të të cilëve delepopulli rus e “gëlltit pa e përtypur”.

Gazetarja bëri shumë mirë që deklaratën e Rogozinit e quajti qesharake, çka tingëlloi si demaskim i mashtrimit të kryefashistit Putin dhe të bandës rreth tij. Në fund të tekstit që lexoi, ajo shtroi edhe pyetjen:

“A mundet Moska ta bëjë vërtetë një gjë të tillë?”.

Gjatë emisionit, ajo, çuditërisht, nuk iu përgjigj kësaj pyetjeje.

Por ai teksti në ekran që lexoi gazetari për atë armën kontinentale, e cila mund të godasë Londrën dhe Nju Jorkun brenda disa minutave, jo vetëm që, tërthorazi, shërbeu si përgjigje e asaj pyetjeje, por edhe e zhvlerësoi tërësisht togfjalëshin e saj “deklaratë qesharake”.

Domosdo, se pavarësisht që në tekst nuk thuhej asgjë se nga mund të lëshohej ajo arma kontinentale, nënkuptohet fare qartë që një armë e përmasave të tilla gjigande mund të lëshohet nga Rusia. Ky ishte një sugjestionim i përsosur që u bëhej teleshikuesve, me të vetmin qëllim që ata të nxjerrin   përfundimin se “me Rusinë s’u bëka shaka”, se Rusia na qenka “tmerri” i Perëndimit dhe sidomos i Shteteve të Bashkuara të Amerikës!

Kjo ishte reklama më e shkëlqyer që Televizioni Top Channel i bënte politikës “superhegjemoniste” të Kremlinit. Kjo u dëshmua në atë emision me anashkalimin e qëllimshëm të arsenalit ushtarak të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët, sipas Rogozin-it, qenit roje të Putinit, pas tetë vjetësh, paskan “mbetur shumë prapa” Rusisë përsa i përket fuqisë mbrojtëse. Ai anashkalim dëshmonte konkretisht për solidarizimin e plotë të redaktorit dhe të gazetarëve me deklaratën e Rogozin-it për potencialin “e jashtëzakonshëm” të Rusisë për “shkatërrimin” e vendeve të NATO-s “brenda gjysmë ore”.

Vetë reklama që i bëhej paradës ushtarake në Sheshin e Kuq, transmetimi i skenave me pamje nga shkatërrimet e pallateve të banimit në Ukrainë, shmangia tërësore e skenave me varrosje të shumta të ushtarëve të vrarë rusë, të plagosur dhe të zënë robër, skena këto të transmetuara në internet kohë pas kohe, shmangia e informacionit nga interneti për kufomat e 1500 ushtarëve rusë, të cilat prehen në mortoret (morgët) e qyteteve të Ukrainës, kurse Moska nuk e çan kokën fare të shkojë e t’i tërheqë, për t’jua përcjellë familjeve të tyre, dëshmon pa mëdyshjen më të vogël se Televizioni Top Channel, si një mjet i fuqishëm i informimit masiv, në atë emision nuk pasqyroi të vërtetën.

Me sa duket, në këtë kanal televiziv mbizotëruaka majtizmi, rreshtimi përkrah Ramës, mikut besnik të Vuçiçit e sigurisht që edhe të Putinit. Se nuk i thonë kot asaj shprehjes “miku i mikut tim është edhe miku im”.

Në vijim të trashëgimisë politike të Enver Hoxhës, si kryeargat i serbosllavizmit, Rama, para do kohësh, në Bruksel, në kundërshtim me Perëndimin evropian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, doli hapur në përkrahje të Serbisë lidhur me sanksionet kundër Rusisë. Në informacionin e mëposhtëm thuhet:

“… presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, në konferencën për shtyp para gazetarëve, kur kujtoi se në shtypin evropian janë bërë plot 2629 artikuj kundër qëndrimeve të Beogradit, e pohoi me gojën e tij se krerët e BE patën ushtruar trysni gjatë samitit. Por, ai falënderoi Edi Ramën që e kishte mbrojtur. Sepse kryeministri ynë ka një qëndrim krej tjetër nga udhëheqësit e 27-shes. Ai mendon se Serbia është një vend i veçantë, të cilit nuk i duhet bërë presion për t’i vendosur sanksione Moskës” (Citohet sipas: “Brenda samitit / Rama gjen kohë të mbrojë Serbinë para liderve të BE”. Faqja e internetit “Lapsi.al”. 23 qershor 2022).

Jo vetëm kaq, por edhe në konferencën për shtyp Rama doli së bashku me Vuçiçin. Pse pikërisht me Vuçiçin? Se s’ndahet dot prej tij. Se që të dy janë bërë si vëllezërit siamezë.

Televizioni Top Channel, në atë emision nuk e përmendi absolutisht luftën heroike të forcave të armatosura të Ukrainës kundër ushtrisë gjakatare fashiste ruse. Ajo ushtri i ka dhënë asaj dajak pas dajaku, çka, sipas lajmeve të transmetuara më 20 korrik në kanalin televiziv “Unian”, dëshmohet nga shifra prej 50 mijë të vrarë dhe të sakatuar. Drejtuesit e atij emisioni u mjaftuan vetëm me pamje nga parada “madhështore” në Sheshin e Kuq dhe nga pallate të shkatërruara në Ukrainë nga raketat ruse. Ata  do të bënin shumë mirë t’i propozonin drejtorit të televizionit që videon e atij emisioni t’ia dërgojnë Dmitri Kiselovit. Ky do ta transmetojë patjetër në televizionin shtetëror rus, të cilin Putini e ndjek rregullisht. Dhe gjasat janë që ai do ta falënderojë Televizionin Top Channel dhe me siguri që do ta nderojë me një medalje të posaçme.

San Francisko, Kaliforni

20 korrik 2022

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok