12/03/2025

Kthehem në universin magjeps të Martin Camajt

0
Martin-Camaj

Nga Ndue Ukaj

Sot, në përvjetorin e 33-të të vdekjes, kthehem në universin magjeps të Martin Camajt. Lexoj poezi të tij që i kam fort përzemër. Dhe leximi, në raste të tilla, përveç kënaqësisë që më jep, me nxit të reflektoj, të reflektoj për forcën që ka arti për ta bërë jetën më të kuptueshme e njëkohësisht më të bukur; të reflektoj për forcën e atyre krijuesve të mëdhenj të kulturës, që i dolën përballë së keqes, me art të bukur. Camaj ishte i tillë dhe mbetet shkritmar model.

Pasi i lexova disa poezi të tij që përherë më kënaqin, u ndala gjatë te poezia “Frika prej dimnit të gjatë”, më saktësisht te vargjet që për mua kanë një forcë të jashtëzakonshme:

“S’due me qenë si moti i lig,

i vramë në shpirt

e me gjallnue me plagë të mbulueme

nën njiqind lëkura.”

Kjo force e madhe krijuese, mund të burojë vetëm prej një shpirti human dhe prej një krijuesi me ndjeshmëri të thella.

Këto katër vargje shpalosin një zemër të butë e të përvujtë, që nuk e njihte mëninë shqiptare; janë vargje të një krijuesi të larguar nga atdheu, i shpallur tradhtar e armik në vendin e vet. E poeti, i vramë në shpirt, nuk pranon të bëhet i lig si moti dhe nuk bëhet pjesë e zymtësisë së asaj stine të egër njerëzore. Kjo forcë shpirtërore është madhështore dhe e bën artin e Camajt krejt të veçantë në letërsinë shqipe.

Camaj vërtet është shëmbëlltyrë frymëzuese, për kohë të liga, për kohë kur, njerëzit stimulohen që ta mësojnë “gjuhën e gjarpnit” e kur politika e egër tenton t’i shpërfytyrojë e t’i bëjë  vegla shërbyese në funksion të fuqisë së pushtetit.

Camaj është prej atyre shkrimtarëve që edhe jetën e ka letërsi në vetvete.  Vërtet, jeta dhe vepra e tij përbëjnë një ekzemplar të veçantë ne letërsinë shqipe dhe një rrëfim që të ngjeth trupin. I lindur në Temal të Dukagjinit, ai shkoi në Kolegjin Saverian, ku para tij u edukuan shumë shkrimtarë dhe dijetarë shqiptarë. Aty mori bazat e para të formimit klasik, të cilat i thelloi, më vonë, nëpër qendra të ndryshme të dijes dhe të kulturës.

Djaloshi i ri, la malet Temalit, “ku s’ka shkelë kurrë kamba e kalit” dhe zbriti në Shkodrën e kulturës, ku, në kolegj, pati fatin të kishte për rektor, eruditin At Zef Valentini. Por shkollimi iu ndërpre në vitin 1946, kur regjimi barbar komunist ndaloi përfundimisht aktivitet e kolegjit. Dhe, nga këtu, kaloi 4 vite të vështira në Prekal dhe pastaj vendosi të largohej nga atdheu, për të punoi me forcë krijuese e intelektuale tërë jetën.

Trashëgimia letrare e Camajt, është prej më të begatshmeve në letërsinë shqipe, dhe ne, breznia jonë, e kemi për detyrë ta ruajmë, si njëlloj farmacie, për shëndetin tonë shpirtëror.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok