KRIMET SERBE NË SHQIPËRI
gjatë luftërave ballkanike dhe Luftës I Botërore
“Ditari i luftës” i Kosta Novakoviqit
Thjesht, Kosova është tokë shqiptare – thotë Novakoviqi në artikullin “Kolonizimi dhe serbizimi i Kosovës“
Nga Prof. Xhelal Zejneli
“Nuk duhet të habitemi shumë për instinktet brutale të masës sonë fshatare për shkollimin dhe qytetërimin e së cilës ky shtet (Serbia – Xh. Z.) kurrë nuk ka çarë kokën; nuk duhet të tmerrohemi as nga horizontet politike dhe shpirtërore të ngushta dhe të mjera të komandantëve tanë ushtarakë të cilët janë edukuar që vrasjen mizore dhe me gjakftohtësi të dhjetëra dhe të qindra shqiptarëve (Arbanasa – Xh. Z.), të grave të tyre dhe të fëmijëve të tyre, ta konsiderojnë si ndonjë heroizëm; nuk duhet të revoltohemi as nga opinioni publik borgjez i cili për të gjitha këto mizori jep një arsyetim moral, që akoma më shumë e nxit oreksin për shfarosjen e shqiptarëve dhe të familjeve të tyre… për arsye se parullën për një koncept dhe për një politikë të tillë e shkruajnë njerëzit që ndodhen në shkallën shoqërore dhe politike më të lartë të Serbisë.” – Dushan Popoviq
Shënim: Dushan A. Popoviqi (Dragovë / Dragovo, Serbi, 1885 – Londër, 1918) ka qenë gazetar, publicist dhe politikan serb. I përkiste Partisë Socialdemokrate Serbe.
* * *
Për krimet e ushtrisë serbe në Shqipëri gjatë luftërave ballkanike 1912-1913, socialdemokrati serb, Kosta Novakoviq, midis tjerash shkruan:
“Në shënimet nga Shqipëria e kam demaskuar politikën imperialiste serbomadhe.
Nuk mund t’ia fal Komandës supreme dhe qeverisë sonë aventurën e tyre që na kushtoi gjithë ato jetë njerëzish. Nuk mund t’ua fal mjekëve të cilët masën e të sëmurëve: reumatikë, tuberkulozë, të kapitur i dërguan për t’i lënë eshtrat e tyre në Shqipëri.
Edhe burrat edhe gratë ishin të bindur se është e pamundur që ne të shkojmë si pushtues, t’i nënshtrojmë, por shkojmë kundër ushtrisë turke të cilën ata e urrejnë. Prenk Bib Doda, epror i fisit në Mirditë, komandant i 4.000 pjesëtarëve të armatosur të fisit, e lëshoi në mënyrë paqësore aradhen tonë të parë vetëm me kusht që t’i jepet besë se ne nuk kemi për qëllim ta nënshtrojmë Shqipërinë. Komandanti i aradhes së parë, Buliqi, tani kolonel, ia dha besën. Përndryshe, Prenk Bib Doda do t’i shpallte luftë ushtrisë serbe.
Po theksojmë edhe njëherë se është fakt i pamohueshëm se mësymja në çfarëdo forme ndaj Shqipërisë, do të shkaktonte, me të drejtë, qëndresën e arnautëve.
Diçka pozitive që bëri ushtria serbe për popullin shqiptar është qëndresa unanime dhe armiqësia nda Serbisë.
Pas ardhjes në Shqipëri, për ushtrinë serbe nuk kishte dilemë në do të jetë Shqipëria serbe ose jo. Ajo kishte vendosur sakaq. Çështja ka qenë në do t’i zaptojë Serbia tokat deri në Tiranë apo derë në Shkumbin, me ç’rast do të kufizohej me Greqinë, e cila do ta kishte marrë gjysmën tjetër të Shqipërisë.
Oficerëve u është dhënë për nënshkrim urdhri në të cilin ata qortohen për butësinë e tyre. Me këtë urdhër, oficerët serbë urdhërohen që ndaj popullatës të zbatojnë veprime të pamëshirshme dhe mizore. Askush në komandat ushtarake të larta nuk ka menduar se çfarë jehone do të ketë veprimi mizor i ushtrisë serbe ndaj popullatës, çfarë disponimi do të shkaktojë në popull ndaj ushtrisë sonë dhe ndaj popullit serb, në emër të të cilit veprohet.
Regjimi ushtarak i tregoi të gjitha anët e veta të këqija. Mbartës të tij ishin nënoficerët dhe oficerët me psikologji kazerme: njerëz me horizonte tejet të ngushta dhe me koncepte morale të rrënuara: pa pasur skrupull ndaj njerëzve kombësish të tjera, pa pasur kriter për faktin se ç’është e lejueshme dhe çka nuk është e lejueshme.
Komandat ushtarake mendonin se Shqipëria, pikësëpari duhet të qeveriset nëpërmjet pajisjeve për varjen e njerëzve si dhe duke iu kanosur njerëzve me vdekje.
Kur është fjala për komandantin e njësitit në Krujë, atëherë duhet thënë se aty ka pasur një numër të madh dënimesh me vdekje, të ekzekutuara me pushkë, e sidomos me anë të varjes. Nuk ka turp më të madh për arnautin sesa t’i biesh me shuplakë apo ta godasësh para të tjerëve dhe nuk ka vdekje më përçmuese për të, sesa vdekja me varje. Varjet e shpeshta në Krujë ngjallën zemërimin e popullsisë së Krujës dhe të rrethinës si dhe të Matit.
Njerëzve u kërkohej që t’i lënë armët, duke u premtuar se nuk do të pësojnë gjë. Ka pasur raste kur disa njerëz i lënin armët dhe ktheheshin në vatrat e veta. Përkundër kësaj, këta e pësuan si mos më keq. I varën ose i vranë me pushkë.
Komitët ndërkaq, mendonin se kanë të drejtë të plotë për të bërë çmos. Ndonjërit prej tyre u njihej e drejta të qeverisin një zonë të caktuar. Mund të merret me mend se ç’mund të bëjnë njerëzit të cilët, me të hyrë në çetat e komitëve, haptas kanë deklaruar se shkojnë për të plaçkitur. Të ndarë prej njësiteve të larta apo prej trupave të rregullta, ata përpiqen që një kohë të gjatë të fshihen. Shumë prej tyre, duke mos pasur as në kohë paqeje kurrfarë skrupulli as konsiderate në jetë, gjatë kohës së luftës pushojnë së qeni njerëz dhe nuk shohin para vetes, pos parasë dhe thikës.
Përse ne nuk ishin ndihmues në krijimin e shtetit shqiptar? Përse nuk krijuam miqësi për ne aq të nevojshme, me një vend i cili mund të na pengojë shumë dhe i cili, duke na penguar neve, vret edhe veten? Përse qarqet tona udhëheqëse nuk mendojnë që këtë miqësi ta krijojnë në të ardhme?
Serbia fshatare nuk ekziston më… Në vitin 1912 ajo plotësisht pushoi së qeni. Në vend të saj është shfaqur një Serbi imperialiste, pan-Serbi, me dinastinë pan-serbe dhe me militarizmin pan-serb të saj. Ky imperializëm i ri, i egër, i vrazhdët, i pamëshirshëm ëndërron për kthimin e perandorisë së Dushanit dhe synon që dhjetë vitet e ardhshme t’i arrijë fuqitë imperialiste që ekzistojnë me qindra vjet.
Ne jemi për arnautët ajo që kanë qenë për ne turqit. Është çështje e kohës se kur do të harrohen veprat tona: është çështje e politikës tonë shtetërore nëse kjo harresë do të mund të përshpejtohet. Turqit për ne, nuk janë aq të neveritshëm si dikur, por që atëherë kanë kaluar 500 vjet. Duhet punuar që arnautëve të mos u duhet aq kohë që të na harrojnë si armiq.
Është një koncept i shëmtuar i patriotizmit që e vë atdheun mbi çdo gjë: mbi të drejtën dhe mbi fajin. Mbi moralin dhe mbi ndershmërinë, që pjesëtarëve të atij atdheu ia arsyeton edhe krimet. Tucoviqi (Dimitrije Tucoviqi – Xh. Z.) nuk ka qenë një patriot i tillë”.
Burime:
“Serbia dhe shqiptarët, Pasqyrë e politikës së Serbisë ndaj shqiptarëve prej vitit 1878 deri në vitin 1914” Libri 1; (Srbija i Albanci, Pregled politike Srbije prema Albancima od 1878 do 1914); Knjiga 1, Botues: Revista sllovene Časopis za kritiko znanosti (Revistë për kritikën e shkencës); Lubjanë, 1989; 153 faqe; në gjuhën serbe; kryeredaktor Bojan Korsika (slloven);
“Shqipëria dhe Kosova” (Albanija i Kosovo), kryeredaktor Bojan Korsika (slloven);
“Serbia dhe shqiptarët, Pasqyrë e politikës së Serbisë ndaj shqiptarëve prej vitit 1813 deri në vitin 1945” Libri 2; (Srbija i Albanci, Pregled politike Srbije prema Albancima od 1813 do 1945);
Lubica Shtefan, “Serbia dhe shqiptarët, Pasqyrë e politikës së Serbisë ndaj shqiptarëve prej vitit 1878 deri në vitin 1989”; (Ljubica Štefan, Srbija i Albanci, Pregled politike Srbije prema Albancima od 1878 do 1989);
“Serbia dhe shqiptarët, Pasqyrë e politikës së Serbisë ndaj shqiptarëve prej vitit 1944 deri në vitin 1989”, Libri 3; (Srbija i Albanci, Pregled politike Srbije prema Albancima od 1944 do 1989); Knjiga 3;
Kosta Novakoviq, “Ditari i luftës“ (Ratni dnevnik);
Kosta Novakoviq, “Kolonizimi dhe serbizimi i Kosovës“ (Kolonizacija i srbizacija Kosova).
Lubica Shtefan, „Serbia dhe shqiptarët“ (Srbija i Albanci);
Lubica Shtefan, „Terrori serb ndaj shqiptarëve prej viti 1978 deri në shkatërrimin e Jugoslalvisë“.
Shënim: Lubica Shtefan (Ljubica Štefan, 1921-2002) – historiane kroate.
* * *
Kosta Novakoviqi (rreth 1886-1939) ka qenë politikan serb, gazetar dhe profesor. Nuk i dihet saktë viti i lindjes. Thuhet se ka lindur në vitin 1891, 1886, 1889, 1896. Është një prej emrave më të mëdhenj të së majtës serbe të shekullit XX. Ka qenë një prej krerëve të Partisë Socialdemokrate Serbe, një prej themeluesve dhe udhëheqësve të Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Si ushtar serb, gjatë luftërave ballkanike ka kaluar nëpër Shqipëri. Gjatë kësaj ekspedite, e ka njoftuar publikun për krimet që i ka kryer atje ushtria serbe. Për t’i kundërshtuar synimet hegjemoniste serbe ndaj fqinjëve, shkruan dhe boton artikullin “Maqedonia maqedonasve, toka bujqve”. Për këtë, u dënua me burg. Nga Mbretëria e Jugosllavisë, emigroi në BRSS. U pushkatua gjatë pastrimeve staliniste. Nga pozitat e një socialdemokrati, iu kundërvu vendosmërisht planeve të borgjezisë serbomadhe për të shkaktuar konflikt midis shqiptarëve dhe maqedonasve. Gjatë luftërave ballkanike dhe Luftës I Botërore shkruan artikujt “Pushtimi serb i Shqipërisë” dhe “Golgota shqiptare”. Është pjesëmarrës i luftërave ballkanike (1912-1913) dhe i Luftës I Botërore (1915-1918).
Gjatë Luftës së Parë Ballkanike (1912-1913), si 26-vjeçar, është rekrutuar si kapter rezervë, pastaj si toger i ushtrisë serbe në ekspeditën ushtarake të kryeministrit serbomadh Nikolla Pashiq (1845’1926) në Shqipëri, ku i kaloi katër muaj. Në shënimet e veta nga fronti shkruan për “mjerimin e ushtarëve të thjeshtë serbë, të cilët qeveria dhe dinastia serbe, të zhveshur dhe të zbathur, për qëllimet e veta megalomane, i kanë dërguar në malet e akullta të Shqipërisë”. Po ashtu, ka lënë dëshmi edhe për tmerret që i ka kryer ushtria serbe ndaj popullsisë vendase. Nga Shqipëria u ka dërguar gazetave majtiste artikuj me të cilët e demaskuar “politikën imperialiste serbomadhe”. Gjatë Luftës I Botërore, si ushtar, ka kaluar nëpër grykat malore të Shqipërisë. Shkon në Paris ku vepron në radhët e emigracionit socialist serb.