26/12/2024

Kraleva, emër që kullon gjak

0
Ushtari i Kosoves

Emri Kralevë në Skenderaj ka të njëjtën domethënie si emri Holokaust për hebrenjtë. Ai është një emër që kullon gjak. Ja pse?

Nga Blerim Latifi

Pas vrasjes së Azem Bejtës dhe shuarjes së Lëvizjes Kaçake në Drenicë dhe në Kosovë, në vitin 1924, pushteti serb vendosi të themelojë një qytezë pikërisht në vendin ku ishte menduar të ndërtoheshin Sarajet Osmane me emrin Hamidie, e të cilave në vitin 1891 ua kishte vënë flakën Ahmet Delia duke i bërë rrafsh me tokë. Qyteza do të kishte funksione administrative dhe do të shërbente si vendbanim për kolonë serbë, të cilët Serbia po i vendoste gjithandej Kosovës, në kuadër të asaj që quhej reformë agrare, e që në fakt ishte plan i kolonizimit të Kosovës me serbë të sjellë nga pjesët tjera të Mbretërisë së atëhershme jugosllave. Me këtë, kuptohet, synohej ndryshimi i strukturës etnike të popullatës së Kosovës, e cila në shumicën e saj ishte shqiptare. Në fillim serbët kishin dilemë se çfarë emri t’i vinin qytetit të ri. Disa donin që ai të quhej Serbicë. Disa donin të quhej Kralevë e Vogël. Në fund u zgjodh emri Serbicë. Të dy emrat, në mënyrë shumë eksplicite, shprehnin qëllimin e pushtetit serb: serbizimin e territorit të Drenicës dhe kjo gjë duhej të fillonte qysh me emërtimin. Emri Kralevë në Skenderaj ka të njëjtën domethënie si emri Holokaust për hebrenjtë. Ai është një emër që kullon gjak.Prandaj mos ua përmendi këtë emër bashkëvendasve të mi, edhe kur nuk mendoni politikisht si ata, por edhe kur ata bëjnë ndonjë gabim, siç bëjnë të gjithë njerëzit e kësaj bote.

_________

Katër tregimet kryesore të fushatës zgjedhore

Tregimi i VV: Këta e kanë vjedhë, degradu e shkatërru Kosovën që 20 vjet, ja ku jemi ne për t’i bërë gjërat siç duhet!

Tregimi i LDK: Ne i rivendosëm marrëdhëniet me Amerikën dhe aleatët, të cilat i prishi VV.

Tregimi i PDK: VV dhe LDK dështuan të qeverisin ; UÇK! UÇK! UÇK!

Tregimi i AAK-: Ramushi president! Ramushi president!

__________

Mos u premtoni tekste në gjuhën shqipe të hartuara në Kosovë shqiptarëve në Luginë të Preshevës, sepse nuk do të jeni në gjëndje t’i dërgoni atje.Këtë e di gjithkush që ka pak mend në kokë. Mos u premtoni reciprocitet të drejtash me serbët e Kosovës, sepse nuk do të jeni në gjëndje ta bëni këtë.Dhe, përsëri, këtë e di gjithkush që ka pak mend në kokë. Ju mund t’u jepni pasaporta kosovare të gjithë shqiptarëve të Luginës së Preshevës, por me këtë nuk e ndaloni dot fshirjen e emrave të tyre nga regjistrat shtetërorë të gjendjes civile në Serbi. Mos e përdorni për vota gjëndjen e tyre të vështirë, sepse është e pamoralshme të abuzosh me vuajtjen e tjetrit për qëllimet tua egoiste.

__________

Mbajtja e tubimeve partiake në kohë pandemie dhe kur ekziston një urdhër institucional që ndalon grumbullimet e njerëzve, tregon hapur dhe qartë se sa shqetësohen partitë tona për jetën e njerëzve dhe për respektimin e ligjit. Dhe ende vazhdojmë me ushqy iluzione politike dhe me besu se këta bëjnë shtet.

__________

Çka janë zgjedhjet, në thelb? Ngrihet një popull i tërë për t’i punësuar në shtet 120 njerëz që quhen deputetë. Këta, pastaj, punësojnë nja 15 të tjerë që quhen ministra dhe një shef të tyre që quhet kryeministër. Këta, pastaj, punësojnë edhe nja 40 zëvendës të tyre dhe rreth 100 këshilltarë. Pas tyre edhe disa anëtarë bordesh dhe ku të munden ndonjë militant partie.Dhe me kaq përfundon filmi i quajtur Zgjedhje.

__________

MASAKRA E HARRUAR

Mbushen rrafsh 100 vjet nga Masakra e Prapashticës, masakra më e madhe e kryer nga serbët mbi shqiptarët në periudhën midis dy luftërave botërore. Nën pretekstin e ndjekjes së kaçakëve të Tahir Ukës, brenda 24 orësh, ushtria e xhandarmaria serbe, e mbështetur nga kolonët serbë, në Prapashticë dhe fshatrat rreth saj, masakruan mbi 1500 shqiptarë të të gjitha moshave. Përveç Komitetit “Mbrojtja kombëtare e Kosovës”, me seli në Shkodër, askush tjetër nuk protestoi.Masakra u harrua shpejt dhe sot veç historianëve të asaj kohe dhe banorëve të fshatrave ku ndodhi ajo, pothuajse askush nuk di gjë për të. Para disa ditësh lexova se në vendin e krimit kurrë nuk u vendos një shenjë kujtese dhe pasardhësit e të masakruarve nuk kishin rënë dakord se ku duhej vendosur memoriali, për të cilin dikush u kujtua së fundi. Thuhet se harresa i ka mbuluar edhe varret e viktimave, ngase shumica e tyre sot janë të paidentifikueshme.Prej kohësh njihet e vërteta se harresa është falje e heshtur e krimit.Dhe krimi i harruar gjithmonë shërben si motiv për kriminelin që një ditë të kthehet në vendin e krimit.

_________

Ushtari i Kosovës:

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok