30/01/2025

KOSOVA, NJËRA NDËR QENËSITË E POEZIVE TË KADARESË

0
Prend-Buzhala-Kadare

(Çaste me poezinë “Kosova” të Ismail Kadaresë, në 89-vjetorin e lindjes së tij)

Nga Prend BUZHALA

Ismail Kadare, shkrimtari më i njohur dhe ndër më të rëndësishmit e letërsisë shqipe, ka shkruar për Kosovën poezi, tregime, ese, trajtesa socio-politike e kulturologjike. ka shkruar si pjesë e angazhimit të tij për të reflektuar mbi çështjet dhe realitetet që prekin tërë hapësirën shqiptare. Përsiatjet dhe ndjesitë e Kadaresë për Kosovën janë komplekse dhe shumëdimensionale, si rrjedhojë e shumë faktorëve të ndryshëm historikë, kulturorë dhe personalë. Kadare ka pasur një përkushtim të thellë ndaj çështjes kombëtare shqiptare, dhe Kosova ka qenë një pjesë e rëndësishme e këtij angazhimi. Kosova ka pasur një histori të ngarkuar dhe të ndërlikuar, me periudha të ndryshme luftërash dhe vuajtjesh. Kadare, në shumë nga veprat e tij, ka reflektuar mbi këto çështje dhe i ka përshkruar përjetimet e popullit të Kosovës përmes një vije këmbëngulëse artistike dhe shpirtërore. Në shumë poezi dhe shkrime të Kadaresë, ndjesitë e mungesës dhe nostalgjisë për Kosovën janë të theksuara. Kadare e shqipton këtë lidhje të thellë emocionale dhe historike me Kosovën, e shprehur përmes përshkrimeve të natyrës dhe peizazheve, protagonistëve dhe ngjarjeve.

Kosova ka pasur një peshë të rëndësishme dhe shumëdimensionale te Kadare e te krijimtaria e tij letrare. Kjo jehonë shumëzërëshe artistike te Kadare kushtuar Kosovës ishte një proces i vazhdueshëm krijues e i angazhimit të tij edhe jetësor në çastet vendimtare, si më 1999. Kujtimet, ndjesitë dhe përjetimet e lidhura me Kosovën, rezonojnë brenda tij, si një tingull që zgjat tej çastit fillestar. Kjo lidhje është sa konkrete e intelektuale, po aq edhe emocionale, të cilat rrezatojnë në krijimtarinë e tij letrare.

Ndër këto poezi, po i përmendim krijiemt poetike “Kosova” (vitet ’60-70, kur ai fluturonte me aeroplan e nuk lejohej të vinte në Kosovë), poezia “Terrori në Kosovë” që iu kushtohet demonstratave të vitit 1981, “Bjeshkët e Namuna në dimër”, “Mundja e ballkanasve nga turqit në Fushë të Kosovës më 1389”, “Atje larg në veri”, etj. Ngjarjeve të vitit 1981 i kushtohet edhe novela „Krushqit janë të ngrirë”.

1.

Kësaj radhe, po e marrim për lexim poezinë e parë, Kosova”, të shkruar më 1966.

Bedri Islami e përshkruan kështu këtë poezi dhe ndërlidhjen me jetën e Kadaresë: “Kishte pasur një periudhë të dyfishtë qetësie por, si gjithçka tjetër mes dy kombeve të rënë në mëri shekullore, kishte qenë një paqe e rremë, megjithëse herën e parë gjithçka ishte shfaqur si një ndër aktet më të lashta të tragjedive epike e, më pas, si një butafori vrasëse. Herën e parë kur, “Kosova ishte bërë Shqipëri” e herën e dytë, “Kur Shqipëria desh bëhej Jugosllavi”. Aludimet janë të qarta: , “Kosova ishte bërë Shqipëri” i takon Luftës së dytë Botërore (pa kufij në mes), herën e dytë “Kur Shqipëria desh bëhej Jugosllavi”, ende kufijtë ishin të hapur, por me rrezikun që të gllabërohej shteti shqiptar. Pra, fraza e parë i referohet periudhës së Luftës së Dytë Botërore kur Kosova u bashkua përkohësisht me Shqipërinë nën kontrollin italian e gjerman. Kjo periudhë përshkruhet si një farsë shkatërrimtare, ku aleancat dhe veprimet politike të asaj kohe e zhveshën marrëdhënien nga ndjenja e vërtetë kombëtare dhe e kthyen atë në një skenë teatrale me pasoja të rënda.

Këto dy frazema evokojnë dhimbjen e një kombi të ndarë dhe të shpërndarë në interesa të ndryshme politike. Kadare e trajton këtë histori jo vetëm si një fakt historik, por si një dramë njerëzore dhe kombëtare, ku përplasja mes aspiratës për bashkim dhe realitetit të ndarjes ka lënë pasoja të thella shpirtërore dhe politike.

Raportet ishin tejet të ndërlikuara në të dy situatat: përçohet ideja se marrëdhëniet historike midis shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë kanë qenë të trazuara, të mbushulluara me shpresa të thyera dhe iluzione. Në këtë kontekst, qetësia është vetëm një ndërprerje e përkohshme e tragjedisë, e cila zëvendësohet me konflikte të reja ose imponime politike të dhimbshme. Shprehja “qetësi e dyfishtë” është një thënie ironike për t’i përshkruar situatat që, ndonëse duken të stabilizuara nga jashtë, në fakt fshehin tensione të thella politike e kombëtare. Edhe shprehja “paqe e rreme” i karakterizon më së miri këto periudha historike të ngrira. Kjo frazemë dëfton marrëveshje të përkohshme apo gjendje stabile të detyruara nga rrethana historike, por që janë larg të qenit të sinqerta dhe të qëndrueshme. Paqja nuk është e ndershme, por një fasadë që përfundon në zhgënjim dhe konflikte të reja. Fraza e dytë i referohet periudhës pas Luftës së Dytë Botërore, kur Shqipëria ishte afër të bëhej një republikë e shtatë e Jugosllavisë socialiste, një projekt që dështoi për shkak të ndërhyrjes së Stalinit dhe prishjes së marrëdhënieve mes Enver Hoxhës dhe Tito-s. Këto dy fraza krahasojnë dy situata ekstreme: herën e parë, Kosova përjetoi një bashkim të përkohshëm me Shqipërinë, por jo në rrethana të natyrshme apo të qëndrueshme, por si rezultat i planeve të huaja imperialiste. Herën e dytë, Shqipëria gati humbi pavarësinë e saj politike dhe kulturore, duke u nënshtruar ndikimit jugosllav dhe duke rrezikuar të bëhej një republikë e re jugosllave.

Qetësia e rreme shqipton iluzionin e harmonisë mes dy realiteteve politike dhe etnike që ishin të ndara nga kufijtë dhe fuqitë e mëdha. Nënvizohet, pra, se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk janë ndërtuar mbi baza të barabarta apo të natyrshme, por janë deformuar nga faktorët e jashtëm.

2.

Poezia “Kosova” e Ismail Kadaresë mishëron mallin, ndalimin dhe ndarjen që ka përjetuar autori nga Kosova gjatë një periudhe, kur ndalimi për të vizituar këtë tokë shqiptare ishte një realitet politik dhe kulturor. Atmosfera që krijohet është një gërshetim i trishtimit dhe misticizmit, ku natyra bëhet simbol dhe ndërmjetëse mes poetit dhe vendit të ndaluar. Shiu, retë dhe bubullimat- të gjitha janë pamje figurative e poetike që krijojnë ndjesinë e lidhjes së largët.

Aq afër Kosova e aq e largët lidhja!

Natyra e Kosovës, vëzhguar nga avioni, mbetet e paarritshme për poetin, ashtu si vetë toka që ai s’mund ta prekte. Një vetëtimë që ia “bëri me dorë” përçon ndjenjën se Kosova, në mënyrë të fshehtë e metaforike, e përshëndet poetin nga larg, ia kujton këtë lidhje shpirtërore të pathyeshme. Avioni është fifurë poetike e ndarjes dhe izolimit. Krahu i këtij avioni që “në qindra copa të pret”, dëfton pengesën fizike e shpirtërore që e ndan Kadarenë nga Kosova. Ai është dëshmitar i një peizazhi që vetëm kalon përbri, pa mundësi ta prekë ose përjetojë plotësisht. Ka një kontrast mes qetësisë së fluturimit dhe peshës së rëndë të kujtimeve e emocioneve. Kosova duket si një ëndërr që zhduket nën mjegullën e reve dhe kthehet në një kujtim të zymtë, por gjithnjë të dashur.

Poezia shpreh një dhimbje personale, por edhe një dhimbje kombëtare për ndarjen dhe pengesat që përjetojnë shqiptarët mes njëri-tjetrit në kontekste politike të kohës. Folësi lirik ndien një mall të thellë për Kosovën, të cilën e sheh vetëm nga larg, pa mundësi ta prekë fizikisht. Edhe pse i ndarë fizikisht, poeti ruan një lidhje të pandashme shpirtërore me tokën kosovare përmes kujtesës dhe përfytyrimit. Natyra bëhet një ndërmjetëse mes poetit dhe Kosovës, meqë bart semantikisht simbolet e një lidhjeje të fshehtë dhe të pazgjidhshme. Poezia aludon për një realitet të ashpër politik, ku kufijtë dhe ndalimet shfaqen si pengesa për lirinë e lëvizjes, pengesa edhe për të mos e përjetuar të plotë identitetin kombëtar. Ai ndërton një dialog emocional mes individit dhe vendit të tij të dashur, duke lartësuar fuqinë e kujtesës dhe të lidhjes shpirtërore përtej kufijve fizikë. , Kadare ndërton mesazhin se as ndarjet politike e fizike nuk mund t’i shkëpusin lidhjet shpirtërore të një njeriu me atdheun e copëtuar.

3.

Poeti i jep natyrës një përmasë metaforikë, e cila e identifikon Kosovën dhe ndarjen e dhimbshme të autorit nga ajo. Shiu, retë dhe bubullimat shfaqen si shënjues figurativë që bartin mesazhe të fshehta të vendlindjes, ndërsa vetëtima është një sinjal përshëndetës. Vetëtima që ia bën me dorë dhe pikat e shiut që “diç thanë” japin ndjesinë se natyra është e gjallë dhe komunikon me poetin. Fluturimi i qetë i avionit vihet përballë rrëmujës së natyrës në Kosovë, që është tregues për trazirat shpirtërore të poetit. Gjithashtu, largësia fizike kontraston me prirjen shpirtërore të poetit me tokën e tij të dashur. Krahu i avionit që “pret në qindra copa” është metaforë për pengesat e ndalimet. që e ndajnë autorin nga Kosova, duke simbolizuar ndalimin politik dhe izolimin shpirtëror.

E pra. ky është shiu yt, retë e tua, bubullimat e tua.

Ca sinjale të shpejta, xixëllima mendimi inkandeshente.

Kurse kurrizi i gjerë i tokës sate vrapon diku poshtë,

Duket e zhduket i zymtë midis zgavrave dhe humnerave të reve.

Këto vargje të poezisë së Ismail Kadaresë përshkruajnë përjetimet komplekse lidhur me Kosovën, përmes figurave poetike nga natyra dhe me anë të metaforës për të shprehur perceptimet e tij për këtë hapësirë etnike, të[ ndarë me kufij. “E pra. ky është shiu yt, retë e tua, bubullimat e tua.” – është varg që pohon se gjithçka që ka parë është pjesë e Kosovës. “Shiu yt,” “retë e tua,” dhe “bubullimat e tua” personalizojnë elementët natyrorë dhe për t’i lidhur ata me identitetin dhe përvojat e Kosovës. Për Kadarenë, këto fenomene natyrore janë pjesë e pandashme e identitetit të këtij vendi dhe dëshmojnë një lidhje të thellë dhe të ngushtë me të. Ja edhe vargu “Ca sinjale të shpejta, xixëllima mendimi inkandeshente.” “Sinjale e shpejta dhe xixëllimat e mendimit inkandeshent, japin mendimet që shfaqen në mënyrë të papritur dhe të ndritshme. “Xixëllima mendimi inkandeshente” sugjeron përjetimet refleksionet që ndodhin në mënyrë intensive dhe të shpejtë, krijon një pasqyre të ndritshme dhe të thellë të emocioneve për Kosovën. “Kurse kurrizi i gjerë i tokës sate vrapon diku poshtë,” sugjeron përshkrimin e tokës si një strukturë të madhe dhe të gjerë. Ky kurriz – simbolizojë thellësinë dhe gjerësinë e Kosovës, duke e bërë atë të duket tërheqëse dhe enigmatike. “Vrapon diku poshtë” dhuron krijimin e një ndjenje të dinamikës dhe të ndryshimit të përhershëm të peizazhit, si përsiatje e ndjesive të ndryshueshme të subjektit a foklësit lirikk ndaj Kosovës.

Dhe vargu i fundit i kësaj strofe: “Duket e zhduket i zymtë midis zgavrave dhe humnerave të reve.” Ky përshkrim poetik krijon një pamje të errët dhe të ndërlikuar të peizazhit, ku tokat e Kosovës janë të mbuluara dhe të fshehura: shënjojnë humbjen dhe situatat e ndërliqshme. Kadare zhdrivillon krijimin e një pasqyre të ndërlikuar dhe shumëdimensionale të Kosovës, me përshkrime lirike që sugjerojnë një lidhje të thellë dhe shpirtërore me këtë hapësirë etnike.

4.

Poezia “Kosova” e Ismail Kadaresë na përcjell një mesazh të ndërlikuar që ndërlidhet me ndjenjat e tij për Kosovën. Punktet kryesore të një game të gjerë idesh, janë: përshtypjet e shpejta dhe intensiteti i emocioneve, ndjesia e largësisë dhe e mungesës, distancës fizike dhe emocionale nga Kosova, simbolika e natyrës, si dhe ndjesia e ndërlikimit dhe enigmatikës. Punkti i fi=undit ideor, na sugjeron se këtë territor e ndjek një mister me pamje të errëta e të fshehura, si zgavrat dhe humnerat e reve… Kosova për Kadarenë është qenësi e rëndësishme dhe emocionale që ka ndikim të thellë dhe të ndërlikuar.

Mesazhi kryesor i poezisë “Kosova” të Ismail Kadaresë është paraqitja e thellë dhe emocionale e ndërllidhjes së tij me Kosovën, duke shpërfaqur përjetime të kompleksitetit, distancës dhe ndikimit të natyrës.

Shiu shpesh përdoret në krijimtarinë e Kadaresë (në romane, tregime, poezi. Shiu simbolizo pastrimin dhe ringjalljen, sugjeron freskinë dhe të ndryshimin që ndodh në lidhje me Kosovën. Është simbol i katarsisit, i një pastrimi emocional ose shpirtëror që Kadare përjeton në lidhje me Kosovën nga lart, nga avioni, nga largësia. Na duket sikur ai endet me ato qerret zeusiane të Olimpit mbi tragjeditë e tokës… së paku, ta lejonin të jetë pjesë e kësaj tragjedie… Porse, kjo tragjedi po ndodhte në heshtje, si një mister…

Nga an tjetër, shiu gjithashtu shënjon ndryshueshmërinë dhe dinamikën e përjetime që ka Kadare për Kosovën. Shiu, së bashku me retë dhe bubullimat, krijon një ndjenjë të largësisë dhe distancës nga Kosova. Kjo peshë e natyrës paraqet ndjenjën e humbjes dhe ndërlikimit që ndjek folësin lirik dhe ndikimin që kjo hapësirë ka në jetën dhe mendimet e tij.

Ndërkaq, bubullima është simbol që ka disa kuptime dhe funksione të rëndësishme për të ppriatur për përjetimet dhe përvojat lidhur me Kosovën. Bubullima është fenomen natyror që ndodhet në fund të një stuhie ose një reshjeje të madhe shiu. Ajo krijon ndjesinë e fuqisë dhe intensitetit, birën emocionale që Kadare ka për Kosovën, duke i përshkruar ndjesitë e forta dhe emocionet e thella që ndodhin në lidhje me Kosovën.

Bubullima ndodh papritmas dhe është e shpejtë, krijon efekt të befasishëm dhe të shqetësuar. Kjo befasi dhe ky intensitet paraqesin natyrën e mendimeve dhe përjetimeve që ndodhin për Kosovën, duke sugjeruar se ato janë të papritura dhe të fuqishme, si një bubullimë. Vërtet, këto përshkrime janë figura ë paralelizmit figurativ, ku natyra merr pjesë në përjetimet e autorit.

Në një nivel më të thellë semantik, bubullima simbolizon përfaqësimin e historisë dhe traditës së Kosovës, forcat historike dhe kombëtare që kanë ndikuar në formimin e identitetit të Kosovës dhe përjetimeve që ndihen në lidhje me të.

(28 janar 2025)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok