12/12/2024

Kosova në kuadër të ndryshimeve kushtetuese të vitit 1968  (1)

0
Buxhovi-Kosova

NË MBLEDHJEN E AKTIVIT POLITIK TË GJAKOVËS DOLI  KËRKESA PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS

Nga Jusuf BUXHOVI

Plenumi i Katër i Komitetit Qendror të LKJ-së i quajtur edhe  Plenum i  Brioneve, i mbajtur më 1 korriku të vitit 1966, me rrëzimin e linjës etatise të Rankoviqit, Titos ia krijoi mundësitë që kursin e vetëqeverisjes socialiste ta vërë në binarët e një procesi me ndihmën forcimit të federatës jugosllave jashtë mbikëqyrjes së Beogradit. Kjo hapte mundësitë për shqyrtimin e avancimit të  pozitës së Kosovës si krahinë nga ajo në kuadër të Serbi në drejtim të federatës jugosllave. Në mbledhjen e Komisionit të Komitetit Qendror të LKJ për marrëdhënie ndërnacionale dhe ndërrepublikane, më 20 shkurt 1967, me rastin e shqyrtimit të tezave “Karakteri dhe roli i Federatës në kushtet e sistemit të vetëqeverisjes shoqërore dhe struktura e organeve të Federatës në lidhje me këtë rol”, përfaqësuesi i Kosovës në këtë Komision, Asllan Fazlia, paraqiti mendimin: “meqenëse të njëjtët faktorë që kanë sjellë krijimin e njësive federale – kanë sjellë edhe krijimin e njësive autonome, atëherë edhe shkalla e të drejtave të republikave dhe të krahinave autonome duhet të jetë e njëjtë, përkatësisht duhet të bëhet një hap më tutje në krahasim me Kushtetutën e RSFJ të vitit 1963 dhe bartja e të drejtave dhe e detyrave të Federatës në republika duhet të përcillet edhe me bartjen e të drejtave dhe të detyrave të republikës – në krahinat autonome.”

Propozimi i A. Fazlisë shkonte në disa drejtime: ose lidhje e drejtpërdrejtë e krahinave autonome me Federatën, ose themelimi i Serbisë federative me disa republika federale (autonome). Motoja e mendimit të tij ishte se “marrëdhëniet në republikë nuk janë zgjidhur si duhet”.

Këtë qëndrim e kishte pjesa më e madhe e klasës politike të Kosovës nga radhët e Shqiptarëve dhe kjo kishte rëndësi, meqë mbi këtë do të ndërtohet e gjithë strategjia e ngritjes së Kosovës në subjekt të federatës, me çka ajo mund të nxirrej nga tutela e Serbisë.

Meqë trysnia për ndryshime kushtetuese bëhej gjithnjë e më e madhe dhe ajo rëndom vinte nga Kroacia dhe Kosova, ku e para kërkonte forcimin e rolit të republikave në Federatë, ndërsa Kosova që të fitonte statusin e njësisë së barabartë federative duke e zënë në gojë gjithnjë e më shpesh edhe kërkesën për republikë, Komiteti Qendror i LKJ, në mbarim të vitit 1967 dhe në fillim të vitit 1968, e përcaktoi platformën ideopolitike dhe drejtimet e ndryshimeve kushtetuese mbi vlerësimin se meqë federalizmi është një proces dhe jo formulë, ishte e natyrshme që, me transformimet në shoqëri – të transformohej edhe Federata, madje në atë kuptim që në vend që të mbështetej në baza shtetërore, të mbështetej gjithnjë e më tepër në baza vetëqeverisëse.

Në përputhje me këtë platformë mund të pritej që udhëheqja politike e Kosovës, të përcaktojë platformën e vet, e cila përpiqej të ruante ekuilibrat e brendshëm politikë, por që për moto kishte të drejtën për vetëvendosje. Me këtë rast, referencat shkonin te Bujani, por edhe te vendimet me të cilat ishte themeluar Jugosllavia sipas parimit të vetëvendosjes që përfshinë edhe të drejtën e shkëputjes. Kështu, në prill 1968, Fadil Hoxha, kryetar i atëhershëm, i Kuvendit të Kosovës, duke folur për drejtimet e ndryshimeve kushtetuese, pos të tjerash tha:

“Konsiderojmë se disa gjëra na mungojnë. Ta marrim njërën nga tezat themelore – Jugosllavia është bashkësi e kombeve dhe e kombësive të Jugosllavisë, sepse, në qoftë se nuk është edhe bashkësi e kombësive të Jugosllavisë, atëherë kjo kombësi do të ishte jashtë ose mysafire apo diçka tjetër. Meqenëse kjo është bashkësi e kombeve dhe e kombësive, atëherë ky koncept duhet të shprehet në mënyrë konsekuente në tezat e Kushtetutës, madje jo vetëm në një paragraf të hyrjes, por gjithkund ku përmenden kombet dhe kombësitë e Jugosllavisë, kur është fjala se ato e përbëjnë këtë bashkësi si të tillë.”

Sipas Fadil Hoxhës, meqë statusi i krahinave autonome, si bashkësi më e gjerë shoqërore-politike, të krijuar në bazë të vetëvendosjes së popujve të këtyre krahinave në kuadrin e Federatës, është ndryshuar, atëherë ai duhet të kthehet në gjendjen burimore prej nga kanë dalë ato, që do të thotë se Kosova duhet ta fitonte të drejtën që të jetë pjesë e federalizmit, pavarësisht si do të definohet, duke pasur parasysh faktin se njësitë autonome në Jugosllavinë e re janë formuar në bazë të vendimeve të Seancës së Dytë e të Tretë të KAÇKJ, sipas parimit të vetëvendosjes që përfshin edhe të drejtën e shkëputjes.

Atë që Fadil Hoxha do ta prejudikojë në prill 1968 kur do të shtrojë çështjen e të drejtës burimore të Kosovës për vetëvendosje, të cilën ai dhe bashkërendimtarët e tij e kishin shprehur në Rezolutën e Bujanit, por që në përputhje me rrethanat e kohës (mbetjes së Jugosllavisë dhe të Shqipërisë në kampin komunist nën ombrellën sovjetike), ishte anuluar në saje të pajtimit Tito-Enver Hoxha, që për pasojë do të ketë aneksimin e Kosovës nga ana e Serbisë dhe futjen e dhunshme nën tutelën e saj, do të thuhet në gushtin e atij viti, në mbledhjen e Aktivit të Komunistëve në Gjakovë, prej nga do të dalë qëndrimi se “Kosova do të mund të bëhet republikë”.

Aktivi i Komunistëve të Gjakovës nxori këto konkluzione, të cilat njëherësh ishin kërkesa politike të Aktivit Politik të Kosovës, që jo rastësisht nga Gjakova i bëheshin të ditura opinionit të Kosovës dhe me këtë edhe atij jugosllav.

Pra, në Gjakovë u kërkua:

  1. Në Kushtetutën e Republikës Socialiste të Jugosllavisë, kombësia shqiptare të emërtohet si kombi shqiptar,
  2. Me kushtetutë dhe me ligj të përcaktohet përdorimi i flamurit kombëtar shqiptar,
  3. Krahina e Kosovës të shpallet R e p u b l i k a e K o s o v ë s.

Në këtë mbledhje  dolën edhe këto kërkesa:

  1. a) E drejta për v e t ë v e n d o s j e,
  2. b) Në vend të statutit Kosova të ketë K u s h t e t u t ë n,
  3. c) Në Dhomën e Kombeve të Kuvendit Federativ Kosova të ketë 20 përfaqësues si republikat e tjera.

Qëndrimet e Aktivit Politik të Gjakovës u përkrahën me të shpejtë nga aktivet politike të të gjitha qyteteve të Kosovës. E rëndësishme ishte edhe përkrahja e Aktivit Politik të Prishtinë, ku reflektonte inteligjencia dhe kreu politik i Kosovës. Edhe aty, pas shumë diskutimesh u nxorën disa kërkesa:

– Që Kushtetua e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe e Republikës së Serbisë duhet të pranojnë të drejtën dhe dëshirën e Shqiptarëve për vetëvendosje;

– Që krahina duhet të bëhet njësi federale;

– Që të ndërrohet neni 2 i Kushtetutës së RSFJ-së dhe të insistohet që Jugosllavinë ta përbëjnë tetë njësi federale;

Në fund u tha se është e drejtë e çdo kombi dhe kombësie për të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje. Pra, duhet të kërkohet që Krahina të bëhet Republikë.

Nxjerrja e kërkesës për Republikën e Kosovës, pavarësisht reagimeve të Beogradit, në Kosovë kishte gjetur përkrahje të madhe dhe ishte kthyer në një atmosferë të paparë mobilizimi intelektual dhe politik në të cilin ishin përfshirë thuajse që të gjitha shtresat shoqërore shqiptare. Meqë kishin filluar diskutimet publike rreth ndryshimeve kushtetuese, qarqet intelektuale shqiptare në Kosovë, nga ato akademike (nëpër fakultete, institute, e deri te mjetet e informimit), do të vihen në krye të këtyre kërkesave.

Atyre do t’u bëhet jehonë në shtypin e Kosovës, bajrakun e të cilit e mbante gazeta “Rilindja” me botimet e saj, por do t’u bëhet jehonë e madhe edhe në atë të Beogradit (i cili kishte filluar t’i quante “ide nacionaliste dhe separatiste”), por edhe të qendrave të tjera, veçmas në Zagreb dhe Lubjanë, të cilave u mbahej isoja pse ngritja e statusit të Kosovës në atë të Republikës atyre ua krijonte mundësinë e mirë që përfundimisht të liroheshin nga rreziku i unitarizmit serb, i cili në Plenumin e Gjashtë të KQ të Serbisë në qershorit të atij viti, me rastin e prononcimit të Dobrica Qosiqit kundër ndryshimeve kushtetuese, veçmas atyre sipas të cilave Kosova të fitonte statusin e subjektit të Federatës, kishin marrë mesazhe të qarta se një ditë ai do të dilte në skenë, kur për këtë do ta gjente mundësinë (mendohej te koha pas Titos).

Intelektualët e Kosovës nuk do të ndalen para kërcënimeve të nacionalistëve serbë. Do të vazhdojnë të mbështesin kërkesën për Republikën e Kosovës, duke e arsyetuar atë me të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje si dhe realitetet nëpër të cilat kishte kaluar Jugosllavia, pa marrë parasysh si dhe sa ishte trajtuar “vullneti” i Shqiptarëve në të gjitha fazat e konstituimit të saj dhe si ishte interpretuar ai për marrjen e vendimeve që nuk kishin qenë në përputhje me të, por që edhe si të tilla ishin deponuar në krijimin e Jugosllavisë, ndaj duhej që ato të shfrytëzoheshin.

Gjatë këtyre diskutimeve intelektualët shqiptarë rëndom përdornin parimin leninist të vetëvendosjes së popujve deri në shkëputje dhe të zgjidhjes, që kishte pranuar edhe Kominterni dhe kishin qenë pjesë e platformës politike të komunistëve jugosllavë për zgjidhjen e problemeve nacionale në Jugosllavinë e Versajës, që nga Kongresi Themelues i Drezdenit në viti 1924. Me këtë rast, me të madhe përkujtohej Rezoluta e Kongresit IV të Partisë Komuniste të Jugosllavisë e vitit 1928, e nxjerrë në përputhje me qëndrimet e Kominternit rreth rrënimit të Jugosllavisë si krijesë e Versajës, në të cilën, në përputhje me opsionin për rrënimin e një Jugosllavie të tillë të quajtur “burg popujsh”, bëhej fjalë për bashkimin e Kosovës Shqipërisë.

Duke u bazuar në këto dokumente dhe të ngjashme, historiani Ali Hadri përkujtonte se “duke shfrytëzuar të drejtën për vetëvendosje, popujt e Kosovës ishin element kreativ në krijimin e Jugosllavisë së re”. Ndonëse ky “kreativitet” ishte i dhunshëm dhe në kundërshtim edhe me parimet ideologjike mbi të cilat ishte ndërtuar Jugosllavia e re. Duke e përkrahur vetëvendosjen si një çështje të rrethanave faktike, profesor Gazmend Zajmi, vlerësonte se “Kombësisë si kolektivitet i takon kjo e drejtë siç i takon edhe kombit”. Fehmi Agani kishte bërë të ditur se “duhet përkrahur të gjitha kërkesat që janë prezantuar si kërkesa të shumicës dërrmuese të popullsisë.” Ai theksonte“ se ato duhet të jenë kërkesat tona”. Ndërsa, Rezak Shala, prokuror krahinor, ngulmonte:

“Republika e Kosovës është imperativ i kohës dhe nga kjo e drejtë nuk duhet hequr dorë”.

Natyrisht se nga ana e intelektualëve shqiptarë gjatë bisedimeve kushtetuese do të dalin edhe shumë e shumë argumente të tjera të kësaj natyre. Por, pas një muaji, atyre do t’u ndalet hovi, e madje do të mbyllen fare, nga një reagim i  udhëheqjes më të lartë partiake e Kosovës, e cila kishte dalë me qëndrimin se “opsioni i Republikës së Kosovës nuk kishte qenë asnjëherë pjesë e kërkesave të komunistëve të Kosovës”, por ku theksohej angazhimi “për pasurimin e pozitës kushtetuese të Kosovës në nivel të Federatës, në mënyrë që edhe në atë nivel të realizoheshin të drejtat e saj”.

Ishte më se e qartë se Tito dhe Kardeli, pasi që kishin vënë në peshojë dëshirat e Shqiptarëve si dhe qëndrimin e Serbëve, po ku ishte matë edhe qëndrimi i faktorit ndërkombëtar rreth kësaj çështje (ai europiano-perëndimor dhe sovjetik), veçmas ky i dyti, nga dilema e drejtë se mos pas marshimit të tyre në Pragë në vitin 1968, ata do të kërkonin pretekste nga reagimi serb për ndonjë ndërhyrje, kishin ardhur te përfundimi se Kosova dhe Vojvodina duhej ngritur në shkallën e njësive federative. Se duhej t’u jepej edhe konsensusi dhe subjektiviteti federativ. Por, me arsyetimin e forcimit të vetëqeverisjes dhe të jetësimit të barazisë së kombeve dhe të kombësive, formalisht duhej të mbete-shin të lidhura edhe me Serbinë.

Esencën e këtij kompromisi, që kishte ardhur nga lartë, më së miri do ta paraqesë vetë Fadil Hoxha, me të cilin, në nivelin politik të Kosovës, do të nisë dhe do të përfundojë hapja e çështjes së Kosovës Republikë:

“Nuk do të thotë se nuk mund të shtrohet çështja e Republikës… Por, duhet të vlerësojmë se çka është reale, vërtet reale dhe e mundshme në këtë drejtim të afirmimit të autonomisë, që do të thotë esenca të arrihet dhe, nga ana tjetër, të kuptohet se çka është dëshirë.”

Me këtë kompromis në Kosovë nuk do të pajtohej askush. Elita intelektuale dhe ajo shoqërore, e cila kishte marrë pjesë në diskutimet kushtetuese me kërkesën për republikën e Kosovës – si zgjidhje që ishte e dobishme për të gjithë, e me të cilën mund të ruhej edhe Federata Jugosllave nga sfidat serbe, me të cilat ajo patjetër se një ditë do të ballafaqohej – me të drejtë do të ndjehet e zhgënjyer, por edhe e tradhtuar madje.

Edhe pse kërkesa për Republikën e Kosovës në debatet publike nuk do të sanksionohet me ndjekje gjyqësore, siç do të ndodhë pak më vonë ndaj demonstruesve, megjithatë disa nga intelektualët e njohur do të anatemohen edhe si nacionalistë, me ç’rast disave do t’u merret drejtimi i katedrave, ose e instituteve, sado që nuk do të mbesin pa punë. Ngjashëm do të ndodhë edhe me disa nga prokurorët ose gjyqtarët, të cilët do të humbin postet, por jo edhe punën.

(Shkëputje nga libri “Kosova – histori e shkurtër”, 2021, faqe 571-575).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok