05/01/2025

Kosova në fillim të vitit 2025

0
Ndue-Ukaj

Nga Ndue Ukaj

Vendi ynë është në mjegull të madhe e kryeqyteti ynë radhitet ndër më të ndoturit në botë, gjë e frikshme për shëndetin, por kjo mjegull nuk është asgjë krahasuar me mjegullën e madhe e smogun mendore, në të cilën jemi katandisë dhe si mjerana ankohemi përditë, shajmë e tufullojmë, duke treguar sa të këqij janë tjerët ama bash asnjë gjë me vlerë nuk e bëjmë që të tregojmë sa të mirë jemi ne.

Me gjasë, mjegulla ballkanike e verbërisë politike, ka pllakosë mbi vendin tonë dhe ne ka lënë të mpirë, pa shikim e pa horizont.

Çfarë duhet të bëjmë kur humbim rrugën?

Që të dalim nga kjo mjegull e ky smog mendor, duhet të gjejmë rrugën e duhur, që të mund të ecim përpara. Rruga që kemi ndjekë deri tash, është e gabuar dhe nuk na çon askund, pos në mjegull edhe më të madhe.

Më saktë, rruga që kemi ndjekë, ngjajn me atë personazhin që udhëtonte në një tren lokal dhe në secilin stacion, pasi treni ndalej, ai e zgjaste kryet jashtë dritares, lexonte emrin e vendbanimit dhe psherëtinte thellë. Duke e vërejtur këtë sjellje të çuditshëm, një bashkudhëtar, i ulur përballë tij, e pyeti: “Pse psherëtini aq trishtueshëm? Ju lutem, a mund t’iu ndihmoj gjë”?

E bashkudhëtari iu përgjigj:  “Faleminderit, nuk kam nevojë për ndihmë, por, t’iu thënë të drejtën, qysh kaherë është dashur të zbrisja, sepse po udhëtoj në drejtim të gabuar.”

Kosova qëmoti është duke udhëtuar në një drejtim të gabuar, me një lokomotiv të stërvjetruar, me drejtues që nuk i lexojnë e as nuk i përfillin shenjat, dhe si rrjedhojë, kjo rrugë nuk shpie askund, pos që shton psherëtimat e kukamat e njerëzve të vendit tonë.

Dhe meqë jemi në fillim të një viti të ri, e pas tij kemi lënë një vit tepër të rëndë, duke ecë të trullosur e pa përfillë asnjë shenjë, është e udhës që në këtë fillimvit, të fillojmë t’i lexojmë shenjat e kohës dhe të dalim prej mjegullës e smogut të madh mendore.

Fillimvitet janë momente ideale për të bërë një gjë të tillë, një shqyrtim të thellë ndërgjegjes.

E para, t’i hapim dyert e dritaret e të ajrosemi me vlera të njëmenda, pikësëpari, me vlera të demokracisë perëndimore, të cilat i kemi ngulfatë. Pa të nuk zhvillim.

E dyta, të kuptojmë se pa i përfillë shenjat e kohës, të rregullimit demokratik, futemi në kaos total, prej të cilit dalja është e zorshme e me pasoja fatale.

Rrugët që kemi ndjekë tash e sa vjet, vendit tonë i ka sjellë sanksione, stagnim të përgjithshëm, mjegull e paqartësi, ndarje e përçarje të frikshme

shoqërore, izolim e mjerim, acarim e frikë.

Asgjë nuk fitojmë duke luajtë rolin e qaramanëve dhe arsyet për probleme tona, duke i kërkuar sa atje e sa këtu.

Vendi ynë, vërtet ka probleme me Serbinë, bandat në veri, ama problemin më të mëdha e ka me vetveten, me krizën që e kanë shkaktuar dhe e mirëmbajnë kukëkrisurit e injoranëtët, që paaftësinë për të krijuar e zhvilluar vendin e ‘këmbejnë’ me polarizime, urrejtje e tërbim.

Dihet, asgjë nuk mund të ndryshojmë nga e djeshmja, mirëpo, nëse duam të mësojmë, ajo na flet shumë, mbi të gjitha, nëse duam të gjejmë rrugën e duhur e të ecim krahëpërkrahë me vendet e përparuara, duhet t’i hapim sytë që të dalim prej mjegullës e smogut të madh mendor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok