22/12/2024

KOSOVA NDERON SË SHPEJTI ME STATUJË ISH- SENATORIN AMERIKAN ROBERT DOLE

0
u6_Robert-Dole-Frank-Shkreli

Nga Frank Shkreli

Disa ditë më parë, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës, Z. Filip Kosnett vizitoi ish-Senatorin amerikan, Z. Robert Dole në zyrën e tij në Washington.  Kryediplomati amerikan në Prishtinë njoftoi, në portalin e tij të internetit, qëllimin e takimit të tij me Z. Dole.  Ai ka shkruar se “Ishte kënaqësi për mua që t’i dorëzoja personalisht Senatorit Dole, fotografinë e statujës së tij që do të zbulohet së shpejti në Prishtinë, (punuar nga skulptori Luan Mulliqi) – për një burrë të shquar e plot merita”, është shprehur ambasadori Kosnett.  Senatori Dole, nga ana e tij, shfaqi kënaqësinë për vendosjen dhe zbulimin shpejt të statujës së tij në Prishtinë ndërsa falënderoi përfaqsuesin e lartë diplomatik amerikan në Kosovë për vizitën, duke shënuar gjithashtunë portalin e tij se Ambasadori Kosnett, “Po bën një punë të mrekullueshme, si përfaqësues i Shteteve të Bashkuara në Kosovë.”

Autoritetet e Republikës së Kosovës kishin marrë vendimin për të vendosur statujën e -ish Senatorit republikan Bob Dole në Prishtinë, në vitin 2018, me rastin e 95-vjetorit të ligjvensit amerikan, i njohur si njëri ndër politikanët më të dalluar amerikanë të fund shekullit të kaluar, për përpjekjet e tija në mbështetje të çlirimit dhe të pavarësisë së Kosovës.   Statuja e Senatorit Dole do të vendoset në një kënd të Rrugës Bob Dole dhe Bulevardit Bill Clinton, që siç tha edhe ambasadori amerikan Kosnett, në ianugurimin e vendit ku do vendoset statuja e Dolit, rrugë këto që janë emërua pas dy kundërshtarëve politikë amerikanë nga dy parti të ndryshme politike, njëri republikan e tjetri demokrat.  Megjithë ndryshimet në qëndrimet e tyre në rrafshin e zhvillimeve politike në Amerikë, ata ishin miq të ngushtë me njëri tjetrin.  Ata ndanin dashurinë për Atdheun e tyre dhe ishin të dedikuar shërbimit ndaj të tjerëve, ndërkohë që përpiqeshin të bashkpunonin kurdoherë që ishte e mundur, është shprehur ambasadori Kosnett, duke shtuar se “Do bënim mirë të gjithë, nëqoftse do të përqafonim filozofinë e Senatorit Bob Dole — se në politikë kemi kundërshtarë, por jo armiqë”.

Senatori Robert Dole, ish-veteran i Luftës së Dytë Botërore, Kongresmen dhe Senator nga shteti Kansas, udhëheqës I republikanëve në Senat dhe kandidat i Partisë Republikane për President, e kishte bërë çështjen e Kosovës kauzë të tijën, që në fillim të 90-atave të shekullit të kaluar.  Në një letër dërguar Dr. Ibrahim Rugovës, Senatori Dole, udhëheqës, në atë kohë i republikanëve në Senat dhe   kryetari i Komisionit të Senatit për punë të Jashtme, Senatori demokrat, Claiborne Pell – dy ligjëvensit e lartë amerikanë i shkruajnë presidentit të ardhëshëm historik të Kosovës se, “Siç e dini ne jemi shumë të shqetësuar rreth gjëndjes në Kosovë. Për vite tani, popullësia shqiptare në Kosovë është subjekt shtypjesh dhe mohimesh të të drejtave të njeriut nga një regjim i egër komunist i Republikës së Serbisë…”  Senatorët amerikanë shprehen se situata në Kosovë është e rrezikshme dhe e pa parashikueshme.  Ata ftojnë Dr. Ibrahim Rugovën që të vizitojë Washingtonin, sa më parë që të jetë e mundur për ‘të, “Për t’u takuar me ta dhe me senatorë të tjerë të interesuar për gjëndjen në Kosovë, për tu këshilluar me ju, për hapat më të mirë që duhet të merren, individualisht dhe në bashkpunim me njëri tjetrin”, shkruanin senatorët Claiborne Pell dhe Bob Dole në letrën e tyre drejtuar Dr. Ibrahim Rugovës të datës19 Shtator, 1991.

Kështu filloi edhe ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës.  Fillimisht me sensibilizimin e popullit amerikan dhe përfaqësuesve të tij në Kongres, siç ishte Senatori Bob Dole, i cili me letrat e tija të shumta dërguar udhëheqësve të botës për t’i njoftuar për gjëndjen në Kosovë, sensibilizoi edhe opinionin ndërkombëtar në favor të mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve të Kosovës dhe të aspiratave të tyre demokratike për një Kosovë të lirë dhe të pavarur.  Angazhimi dhe roli i tij, mbrenda dhe jashtë vendit në atë kohë,  ishte kritik për zhvillimin e punëve në favor të Kosovës, sidomos gjatë dekadës së fundit të shekullit të kaluar, përpjekje këto që më në fund çuan në çlirimin dhe më vonë në pavarësinë e Kosovës.

Statuja e Senatorit republikan Robert Dole në Prishtinë i bashkohet statujës së ish-presidentit amerikan demokrat Bill Klinton dhe bashkpuntores së tij, ish-Sekretares së Shtetit Madeleine Albright, në frymën e bashkpunimit të dy partive kryesore amerikane në mbështetje të aspiratave të Kosovës për liri e pavarësi.  Kjo frymë bashkpunimi midis dy partive amerikane republikanëve dhe demorkatëve – përsa i përket Kosovës, vazhdon edhe sot. Duke folur për angazhimin e ish-Senatorit Bob Dole ndaj lirisë dhe të drejtave të poullit të Kosovës gjatë inagurimit, vitin që kaloi të vendit ku do të zbulohet shpejt  statuja e Senatorit Dole, Ambasadori Kosnett e cilësoi, Z. Bob Dole si, “Një udhëheqës në promovimin e kauzës së lirisë anë e mbanë botës.  Nuk është për të çuditur që ai u bë një mbështetës i pa zevëndsueshëm i Kosovës, duke qëndruar pranë dhe në mbështetje të popullit të këtij vendi, në përpjekjet e tija, për të ndërtuar një shtet të fortë dhe të lirë”, ka thënë me atë rast, kryediplomati amerikan në Prishtinë.

Duhet thënë se në këtë frymë bashkpunimi është njohur dhe vlerësuar shumë prej popullit të Kosovës, ndihma e këtyre burrave dhe grave amerikane në mbështetje të Kosovës gjatë dekadave.  Siç është shprehur edhe Ibrahim Rugova, shpresojmë që më në fund, kjo frymë bashkpunimi, të sigurojë një miqësi të përhershme, jo vetëm, midis Shteteve të Bashkuara e Kosovës por edhe midis Kombit amerikan dhe Kombit shqiptar, në përgjithësi.  Megjithë grindjet dhe mosmarrveshjet midis partive të ndryshme politike në Kosovë dhe në Shqipëri, duket se të pakën deri tani, kjo miqësi është e paprekshme dhe gjesti për vendosjen e statujës së ish-Senatorit Republikan Robert Dole në Prishtinë pasqyron një qëndrim të përbashkët mirënjohjeje të klasës politike shqiptaredhe popullit të Kosovës, karshi burrave të shtetit amerikan që kontribuan në thememlimin e shtetit të pavarur e të lirë të Kosovës që është sot.

Duke aluduar se edhe midis miqësh mund të ketë mosmarrveshje, ambasadori amerikan në Prishtinë, Filip Kosnett, me rastin e inaugurimit të vendit ku do të vendoset statuja e Senatorit Dole në Prishtinë, është shprehur se,“Qeveritë tona nuk do të pajtohen gjithmonë për politikat e ndryshme dhe do të nevojitet punë serioze për të mbajtur qëndrimet tona në përputhje me njëra tjetrën, ndërsa rritet partneriteti i Kosovës me Shtetet e Bashkuara.  Por, një gjë është e qartë: se miqësia e qendrueshme midis popullit të Kosovës dhe popullit të Shteteve të Bashkuara, nuk varet nga ndonjë parti politike ose nga ndonjë individ, në veçanti”, është shprehur me atë rast, ambasadori amerikan në Prishtinë, por janë lidhje ndërmjet dy popujve tanë.

Po e përfundoj këtë shkrim me fjalët e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Z. Kosnett që shqiptoi në inaugurimin e vendit ku do të zbulohet së shpejti statuja e Senatorit Dole në Prishtinë, duke shpresuar se rasti i zbulimit të statujës së Senatorit Amerikan Robert Dole në Prishtinë, të jetë një moment që të fokusohemi në historinë dhe në vlerat tona të përbashkta që kanë bashkuar popullin e Shteteve të Bashkuara dhe popullin e Kosovës.  “Le të frymëzojë ky monument i Bob Dolit, përpjekje të reja për të ndërtuar — për fëmijt e Kosovës një atdhe që ata e meritojnë —  për një Kosovë në paqe me fiqnjtë e saj, me drejtësi dhe mundësi të barabarta për të gjithë, pa dallim”, është shprehur ambasadori amerikanë në Kosovë, Filip Kosnett.  Shpresojmë që ashtu të jetë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok