22/12/2024

Kosova e të gjallëve

0
Edison_Ypi

Nga Edison Ypi

Isha në Kosovën e të gjallëve. Për të katërtën herë. Pas pak do bëhem si kolonjari tjetër, Sejfi Vllamasi, që tha: “Pesë herë e vizitova Kosovën, pesë herë u bëra dashnor i saj”.

Sa herë shkoj në Kosovë, e shijoj në mënyra të ndryshme, të gjitha të hatashme, të gjitha të mrekullueshme, njëra më interesante se tjetra, pak a shumë si më ndodh kur eci rrugës e them me vete vargjet e një poezie që më tingëllojnë çdo herë ndryshe, çdo herë më bukur, duke më lënë çdo herë të pakënaqur, përherë të pangopur.

U nisa pra, si për në një ceremoni solemne gjigande, si për në një mega-koncert që do vazhdojë disa ditë, ku skena do të jetë e gjithë Kosova, ndërsa në “Plate” do jetë vetem 1 spektator, i dridhëshmi unë.

Jam me Arbenin dhe Agimin, dy vellezër kosovarë.

Rruga Tirane-Kukës po ndreqet dhe pritet të asfaltohet. Janë mbushur miliona gropa. Por, ka pluhur të skëterrshëm. Pa është edhe e frikshme për shkak të maskave që dalin hera-herës, që neve, falë hyjnive që na mbrojnë, nuk na dolën.

Gjatë rrugës takuam disa autokolona kosovarësh që kthehen nga Perëndimi për pushime verore.

Tiranë – Prizren, shtatë orë duke ndalur për të pirë kafe, ujë, dhe duke bërë muhabet.

Kur ramë në civilizim, d.m.th., kur kaluam nga Ferri-Kukës dhe po i afroheshim Xhehnetit-Prizren, sapo hymë në Kosovë, hëngrëm drekë me peshk në një restorant fantastik me përrua që kalonte duke gurgulluar mespërmes restorantit në formën e një kaskade të vogël. Kishte dhe basen me peshq brenda rrjedhës. Atje, mesa kuptova, veç të tjerash, vinin të dashuruarit nga anekënd Kosovës. Ishin tre ose katër çifte të tilla, çika të bukura kosovare dhe djem shtatlartë. Edhe nëpër Shqipëri sheh pamje të tilla në restorantet jashtë qyteteve, veçse pak më ndryshe, “ato” janë shumë të tendosura, të fryra, të pispillosura, ndërsa “ata” janë zakonisht ca “të fortë” me muskuj dhe fuoristrada që dalje të tilla i bëjnë për t’u dukur, për t’u ngrefosur. Jo, djelmoshat kosovarë, nuk vijnë me fuoristrada, dhe nuk vijnë për t’u dukur, por për t’u puthur, e janë edhe ata me muskuj, por aspak kërcënues si të fortët tanë.

Pak më tutje, pasi i kemi lënë tashmë pas malet tona të thepisura e kemi rënë mes kodrave të buta plot gjelbërim, pamë një si tabelë të madhe ku shkruhej emri i një firme ndërtimi “Vëllezerit e Bashkuar”. Në asnjë vend në Kosovë nuk mungojnë shtëpitë e “vëllezerve të bashkuar”, nga tre ose katër e deri në dhjetë, të gjitha identike, të gjitha me tre ose edhe katër kate, gjithmonë në rresht ose në mënyrë simetrike si koshere bletësh. Këto shtëpi të mëdhaja dhe të shumta që i ndertojnë kurbetlinjtë mbeten të zbrazëta për me vite derisa djemtë vinë nga kurbeti dhe babai ua ndan shtëpitë si i duhet atij e arsyeshme, dhe djemtë kurrë nuk kundershtojnë.

Ne Prizren nuk ndalem gjatë. Duhet me u ngut me u sistemu ne Gjakovë.

Mitrush Kuteli thotë se ne Prizren hyrja ne vorreza i ishte dukur; “si vajtja nga të gjallët tek të vdekurit”.

Mua që vij nga Kukësi, hyrja në Prizren më është dukur gjithmonë si vajtja nga të vdekurit te të gjallët.

Mitrushi, që ishte vet ortodoks, ka dhënë definicionin perfekt për ortodoksinë;

Mistike, sentimentale, lakrimogjene.

Ja dhe Prizreni mahnitës mitrushian: Me xhami, manastir, pazar, ura guri, shatërvan, dyqanka te vogla, rrugica te ngushta me kalldrem, kafene te vogla me vetëm dy ose edhe vetëm një tavolinë përpara.

Ku është porta qe të con n’faqe t’kodrës, n’manastirin qe ruhet nga KFOR-i, mbi porte është shkruar ne disa gjuhë; “rojat që e ruajnë kët’ manastir, qëllojnë me armë nëse dikush afrohet”.

Në Gjakovë vajta në Hotel Pashtriku.

Pashtriku ëeshtë një mal i lartë aty pranë. I lashë Arbenin dhe Agimin ne intimitetin e familjes, te nëna dhe babait, tezet, hallat, xhajat, djemtë dhe çikat e pafund te xhajave te hallave, te tezeve etj. etj. Hotel Pashtriku, qe me thanë se e kishte ideuar nje arkitekt kroat, ishte krejt si cdo “Turizëm” i qyteteve shqiptare.

Në mbremje në Gjakovë, ne rrugën kryesore nja 200 apo 300 metra, diku degjohet Jaaz, diku tjetër Blues, në një restorant-lulishte këndohet live muzikë kosovare, edhe pak më tutje nje Internet Cafe.

Isha një mbrëmje me Arbenin dhe disa kushërinj të tij në një restorant. Këndonin këngë të vjetra kosovare por dhe të Shqipërisë së Mesme. Kur ja muar “këngës së mësuesit me traktoristen”, Arbeni më tha të mos cuditesha që kosovarët atë këngë e dinë për “këngë dashurie” dhe as nuk mund ta imagjinojnë makabritetin që ajo këngë fsheh.

Te nesermen vajta tek çarshia e vjeter e Gjakoves.

Nuk mund te mos veja. E kisha pare te djegur shkrumb dy vite me pare.

Çarshia e vjetër e Gjakovës është pak a shumë si ka qenë Pazari i vjetër i Tiranës. Shumica e dugajave ishin ndrequr dhe zjente Çarshia nga kallaballeku. Ndreqjet ishin bërë mirë, sipas stilit origjinal me dru. Por druri i rini freskët me ngjyrë kafe te hapur mundet mme i shku kafeneve dhe restora teve te sotme, por nuk i shkon Çarshise se Gjakoves, dhe kjo me la shijen e turbullt se kush rri e pret tani sa te nxihet druri dhe Çarshia te bëhet hijerëndë si më parë për të mos i ngjarë Pazarit të Vjetër të rindërtuar të Krujës me dru të ri.

Hëngra një Çorbë fantastike te nje restorant që kishte mbetur i padjegur dhe i paprekur.

Çorbe dhe jo Pasul, sepse “Pasul” nuk kishte.

Ne ditët e mëpastajme vura re me keqardhje se Pasuli me tavë në Kosovë po behet i rrallë si elefantat në Afrikë. Për këtë gjëmë e këtë krim duhet njoftuar urgjent Kofi Anani, Bushi, i riu, i vjetri, Tribunali i Hagës, Xhorxh Sorosi për të ngritur OJQ-ra të tjera ne mbrojtje të Pasulit madhështor në tas balte të thellë qe po zevendesohet nga zhabat dhe bifteqet e neveritshëm mbi pjata të cekta, po ashtu si letrat për së mbari me zarf, pullë, peshtymë, zamk, mall, lot, po zëvendësohen me mesazhe dhe e-maila te ftohta si Ferri.

Ky Restoranti ishte tek një shesh qe quhet “Sheshi i Lëmit” ku si më tha pronari kuzhinier, më parë ai vend kishte qenë lëmë për të shirë drithin.

Pronari plak i këndahëm në muhabet ma tregoi historinë sesi restoranti i tij kishte shpëtuar pa u djegur. Kur ishte djegur Çarshia, një serb gjakovar me të cilin pronari shqiptar njihej, kishte ardhur dhe i kishte thënë: “Nuk do i lë ta djegin restorantin. Nëse “ne” do të rrimë këtu, dyqani do të bëhet imi, nëse do ktheheni “ju”, merre përsëri t’i, veç kur ta marrësh mos harro të më falënderosh qe ta shpëtova nga djegja dhe shkaterrimi”.

Plaku dukej i kënaqur nga kjo marrëveshje e rrallë. Kur mbarova çorbën dhe muhabetin, i thashë se do vija në mbrëmje për të ngrenë Pasul. Tha “mirardhç”. Shtoi se Pasul nuk mund të bënte në mbrëmje. Por, këmbënguli që të vija se do të më përgatiste “diçka tjetër shumë të mirë”. Bëra një shenjë të vakët miratimi dhe falënderimi, por më vete thashë jo, dhe nuk shkova, Pasulin nuk e tradhëtova.

Vajtëm në Prizren dhe Pejë. Herët e tjera kam qenë këtu në Dimër dhe nuk e kisha parë të plotë gjelbërimin e Prizren – Gjakovë – Pejë. U mahnita nga gjithë ajo bukuri. Është diçka që nuk mund të krahasohet me vende të tjera të para, të dëgjuara ose lexuara, por vetëm me “fictions” biblike, me Parajsën, kopshtet e Edenit. Gjithçka është mahnitëse këtu, pyjet, arat e mbjella, koriet, livadhet. Dhe kudo, në çdo cep duket kujdesi njerëzor, gjithkund punohet me këmbëngulje dhe dashuri për vendin për tokën.

Mjetet e vaditjes të rregullta të sistemuara. Lënë mbresë lëvizjet e kujdeseshme nëpër fusha të traktorëve me rrota që transportojnë prodhime bujqësore etj.

Janë po ata traktorë sipër të cilëve kosovarët transportuan familjet e tyre gjatë eksodit. Kosova nga Prizreni në Istog është një parajsë më vete. Nuk mund të rrefehet nga askush sa e bukur është kjo pjesë e Kosovës. Çdo tentativeë do të ishte e kotë. Është aq e bukur dhe e pasur dhe e begatë, sa të interesuarit që bëjnë pyetjen “si është e mundur që u kthyen aq me ngut mbi mina dhe mbi bomba kosovarët”, mund të gjejnë në këtë parajsë një pjesë të përgjigjes dhe të mos e zgjasin më atë muhabet. Kanë qarkulluar këtu përralla dashakeqe sikur kosovarët u kthyen me ngut për t’u siguruar për qypet me florinj të fshehura neën tokë para ikjes etj. O çfarë çmendurie. As qypa askurgjë. Këtu floriri është i gjithi mbi tokë.

Kur vete ndonjëherë në Elbasan nuk e lë kurrë pa vajtur deri tek Labinoti Fushe per tu kenaqur me gjelberimin anes rruges duke thene me vete sa e bukur eshte Shqiperia. Mirpo Kosova ka me mijera vende si Labinoti Fushe. Ajo eshte e gjitha e tille.

Kosova ka ende gjurme te luftes, shkaterrime, djegje etj. Mirpo në Kosovë nuk sheh asgjë si ketej nga ne; “në pritje” për t’u rregulluar. Në Kosovë gjërat janë ose të dëmtuara ose të ndrequra. Ndreqja bëhet me shpejtësi, sa hap e mbyll sytë.

Në Mitrovicë ndejta dy ditë. Mitrovica, ah Mitrovica “me ato rrugë, me ato rrugica” është qytet i sëmurë. Rrugët janë pis, ka shumë rrëmujë, frikë, shqetësim, padurim, dhe shumë dëshpërim në fytyrat e njerëzve. Qyteti nuk ka asnjë hotel, asnjë parking natë, asnjë shkëlqim, as kurrgjë. Në veshtrim të parë duket qetësi, sepse kosovarët nuk e lëshojnë veten, dinë të përmbahen, por kazani zien nga brenda, Qebaptoret dhe restorantet mezi mbahen me cilësi të keqe shërbimi, dhe kafehanet dhe çajtoret po ashtu. Një miku im këtu është drejtor i një radioje. Më fton t’i bej një vizitë. Vajta një mbremje. Gjeta atje një “mysafir” që do të zhvillonte një bisede me rastin e dy korrikut. Ky mysafiri ishte një ish-deputet, drejtor i një ndëmarrjeje, tip i lëpire, i shpëlarë, i rrumbullakët, me veshje dhe pamje tipike të burokratëve të viteve ’70 në Shqipëri. Nuke kuptova nëse këtë prototip të pështirë ua kemi dhënë në kosovarëve apo e kemi peshqesh nga kosovarët.

U ndava nga kërrmilli në fjalë pas disa minuta muhabeti të sforcuar me një keqardhje tepër të madhe që në Kosovë ekzistojnë ende të tillë të tillë mamutha.

Më pas, duke u menduar më thellë, ia qava hallin Kosovës se bukur që ndoshta nuk e ka rastësisht emrin të gjinisë femërore, ndoshta burokratët si ai janë të vetmit që mund të bëjnë një fare pune, sepse, e kam vënë re, kosovarët e pakultivuar, fillimisht janë të mirë, të urtë, të dedikuar, mirëpo sa bëjnë hapat e parë në drejtim të pushtetit ose politikës shndërrohen në të korruptueshëm dhe të korruptuar.

Një miteovicali mik i vjetër i Arbenit roje në UNMIK, na bëri një xhiro me makinën e tij në lagjen e boshnjakëve që e kanë krijuar me zor ndërkombetarët mes dy pjesëve të ndara të qytetit, në formë eksperimenti ku jetojnë pak familje shqiptare, serbe dhe boshnjake bashkë, me plot probleme sigurisht, dhe gjithë kohën nën mbikqyrjen e militarëve të KFOR-it.

Lagja e Boshnjakëve, si e vendosur e gjitha mbi exploziv, një rrugë e vetme nja 200 metra, tepër e frikshme, e ngrirë, me pak kreatura të kërrusura aty-këtu në zvarritje të ngadaltë kafkiane, skenar i përsosur ku në filmat neorealiste mafia kryen vrasjet.

Një mikesha e Agimit, baba boshnjak, nënë shqiptare, që jetonte “andej” dhe punonte “këtej” qytetit në një zyrë të UNMIK-ut, na ftoi mua dhe Agimin të hynim “andej” në thellësi të qytetit në anën veriore të urës ku ka vetëm serbë dhe një numër fare të vogel shqiptarësh pleq që ose nuk dalin fare nga shtëpia ose dalin shumë rrallë brenda ndonjë tanku të KFOR-it, na ftoi pra qe te shkonim edhe ne brenda nje tanku te kfor-it, por pasi e pleqëruam ndërruam mendje, na kapi frika, dhe nuk vajtëm.

Pranë kioskave në Mitrovicë nga tre e nga katër kosovarë gërvishtnin mbi biletat e llotarisë “Gërvisht dhe Fito”. Virus i ardhur nga Shqipëria sigurisht.

Në Prishtinë ndejta pak, vetëm disa orë, sa takuam disa miq, hëngrëm “Pasul me Tavë”, të cilin mezi e gjetëm se edhe këtu për fat të keq elefantët po rrallohen.

Ferizaj është i gjallë, i shëndetshëm, i ngjeshur, si Prizreni dhe Gjakova, ndoshta edhe më tepër.

Në kthim ndalem te restoranti i peshkut pranë Morinit.

Kufirin e kaluam pa probleme.

Sapo hymë në Shqipëri, na thanë se maskat kishin përgjakur një kosovar që kthehej me makinën e tij nga Perëndimi me gruan dhe femijën. Në lidhje me këto ngjarje mu kujtua një kuksian në një restorant në Pejë kur tha pa pikë turpi se, “Maskat në Kukës dalin për bukën e gojës”.

Nejse, pra kthimi filloi mirë, por vazhdoi dhe mbaroi ndryshe.

Nja njëzet kilometra pas Kukësit, u nxeh jashtë mase motori i makinës. Ik e hidh ujë çdo pesë ose dhjetë kilometra sa na iku krejt humori dhe muhabeti.

Në një vend dikush kishte improvizuar një si tip lavazhi me depozitë në majë të kodrës prej nga uji vinte me presion për shkak të disnivelit. E freskova makinën dhe pagova. Ishte atje në një qoshe një bidon 20 litra që thashë ta bleja, ta merrja me vete për të pasur rezervë uji, sepse bidoni që kisha më vete ishte i vogël 5 litra. Nuk e shes, tha me fodullëk, gati me kërcënim, pronari i lavazhit, një djalë nja 25 vjeç. E vura re se, duke na parë në vështirësi, mendja kishte filluar t’i punonte ters. Vendosa të “hakmerrem” për këtë sjellje të shëmtuar që s’ka shans të ndodhi në vendin e Pasul-it. E lashë t’a rriste çmimin në 30 mijë bidonit që kushton vetëm 2 mijë. Vazhdoi të bëjë naze edhe pse e lashë ta çonte në 50 mijë. Pastaj i thashë: “epo mirë, po iki atëherë se s’u marrkemi vesh”. U nxi. U muar vesh, se deshte të arrinte 100 mijët. Ik e ik deri përtej Fush-Aërrzit ku na u çpua një gomë. E ndërruam me gomën rezervë.

Kur mezi e kaluam qafën e malit fare pranë Shpal-it të Mirditës, atje ku është një si restorant dhe vend shplodhje…prit, i dashur lexues, prit pak para se të tregoj ç’na ndodhi në Shpal, po tregoj më parë diçka tjeter. Gjatë kthimit, për shkak të ecjes në drejtim të kundërt, pamë disa autokolona kosovarësh me nga pesë deri në dhjetë makina dhe furgona që shkonin drejt Kosovës. Kosovarët tani janë duke ardhur nga rruga e Kukësit për shkak të mbylljes së rrugëve të Maqedonisë. Dhe kanë gjetur këtë zgjidhje, karshi një pagesë, pajtojnë polica në Tiranë për t’u shoqëruar prej tyre deri kufi në Morini dhe mbaron puna. Nuk ma merr mendja se kjo bëhet zyrtarisht, por sidoqoftë karvanet e makinave të kosovarëve që pamë prihen prej furgonave të Policisë ose makinave me një ose dy ose tre policë brenda. Interesante karvanat. Djem të rinj të shëndetshëm dhe çika kosovare të reja e të bukura, ngasin makinat të përqendruara, të kërrusura mbi timonat, duke u habitur me peisazhin nëpër kthesat e panumërta të rrugës malore. Kishin një pamje sfiduese sikur thoshin: “ju doni të na vidhni duke na trembur me maska dhe kallashnikova, por ne ua shkërdhejmë “trimërinë” dhe ju japim një mesim, duke ju blerë me pak ‘dojç’ marka që për ne janë hiç gjë, ndërsa për ju janë shumë, dhe nuk ua prishim qefin çikave tona dhe djelmëve tanë, që ja ku janë, ja ku po zbaviten duke qeshur duke ngarë makinat e tyre nëpër këto rrugë të pabesueshme”.

Kthehemi ku e lamë, në Shpal të Mirditës. Atje afër atij vendit të shlodhjes, na u ça një gomë.

U tmerruam. Ishte ora rreth 3 pasdite. Ngecëm dhe nuk dinim, nuk kishim asnjë ide si mund të vazhdonte kjo mesele në vendin më të rrezikshëm të vendit dhe të planetit ku vjedhësit dhe djegësit dhe vrasësit largohen gjithmonë “në drejtim të paditur”.

Bëmë pak humor të zi në lidhje me variantet ç’mund të na ndodhte prej atij momenti fatal kur nuk mund të bënim dot asnjë metër përpara. Arbeni supozoi vjedhje, plaçkitje dhe djegje të makinës nga inati që nuk gjetën gjëra që u nevojiteshin, p.sh., pantollona me numër të papërshtatshëm etj. Unë kujtova filmin “Deliverance” ku disa miq që vendosën të kalojnë një “weekend”, duke kaluar me varka nëpër një kanion, larg, mes malesh, por i gjeti belaja, dhe çfarë belaje, me të egjërit lokalë.

Agimi sugjeroi të vinim në lëvizje mekanizmin e Besës aq prezente andejpari, pra t’i dorëzoheshim në Besë ndonjë kalimtari ose ndonjë shtëpie fshati.

U nisa me këmbë nja dy kilometra më tutje, tek ai vendi ku degëzon rruga që të çon në Spaç dhe Reps me një fije shprese të gjeja ndonjë Gomist të na ndreqte të paktën një gomë, atë të shpuarën, se tjetra u ça.

Kur arrita në kryqëzim pashë dy furgona policie dhe plot police që më panë të habitur dhe iu përgjigjen me kënaqësi përshendetjes sime. U gëzova unë për prezencën e policëve, por u gëzuan edhe ata që mesa kuptova deri në atë moment kishin qenë, duke gromësitur në atë majë mali. Për gomist s’behej fjalë. Policët e ngeshëm ma qanë hallin. U tregova qysh e tek. Ma bënë një propozim. Më thanë ta zvarisja makinën me gomë të çarë prej ku ishte makina deri aty. Pastaj, duke parë e duke berë. Ndoshta do gjenim një menyrë per ta riparuar një gomë në Rrëshen.

U nisa me zemër të thyer për të bërë si më thanë. Rrësheni, fjalë goje, 30 kilometra prej andej, dhe po errej.

Kur arrita te makina, Arbeni dhe Agimi kishin harruar çdo lloj humori. U bëra gati të nisëm zvarrë te policat me gomën e çarë. Ndërkohë ndejtëm edhe pak duke reflektuar. Makinat shumë të rralla kalonin duke bërë sikur nuk na vinin re. I nxjerr dorën një “Benz”-i me targë Tiranë. Ndali. Ia them hallin. Uau, e pabesueshme. Ma dha gomën e vet rezervë. Kujt ia kam thënë këtë në Tiranë nuk e ka besuar. Por, ma dha Ben Doçi, kështu quhej. Ia mora numrin e telefonit, ai nuk ma kërkoi fare timin, dhe ia ktheva gomën të nesërmen në mengjes.

Por, nuk mbaroi me kaq. Nuk shkonte disku. Vidat mbërthyese nuk kishin të njëjtën gjatësi. Mirëpo mesa duket jo vetëm të keqijat, por edhe të mirat ardhkan njëra pas tjetrës. Një “Benz” i madh ndali pas disa minutash. Mq jep dy vida, i thashq se kqshtu-keshtu e kam hallin. Menjëherë, tha. Dhe shtoi: “sa të duhen, 4, apo 5 apo dhjetë, 10 kam, po të duhen t’i jap të gjitha”.

Nuk po u besonim syve nga gjithë ai fat pas gjithë atyre fatkeësive.

Iku edhe ai i vidave pa na kërkuar as numër telefoni, as para, askurgjë.

U nisëm, pa gomë rezervë, duke shpresuar në Mëshirën Hyjnore.

Në Rrëshen arritëm rreth orës 9.

Dy gomista janë mbyllur. Është vonë.

Në Rubik na e qau hallin një gomist nokturn ku ndreqëm gomën e çarë.

Nga Kosova e të gjallëve në Shqipërinë e të vdekurve arrita i vdekur prej lodhjes. Deri në lodhjen tjetër. Deri në vdekjen tjetër. Që mezi e pres.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok