13/10/2024

Kosova e artë e shndërruar në bronz!

0

Shkruan Florim Zeqa

Me të përfunduar lufta çlirimtare, në Kosovë vërshuam lapidaret e mermerit më të kushtueshëm në tregun botërorë. Pllakat gjigante dhe të kushtueshme gjithandej varrezave, arave dhe maleve, vendbanimeve urbane, lagjeve e fshatrave. Mirëpo, viteve të fundit, më nuk bëhet fjalë për pllaka, por për permendore enorme që po mbijnë sikurse këpurdhat pas shiut.

Pllakat e mermerit dhe varfëria në Kosovë

Para dhe gjatë luftes në Kosovë ekzistonte bindja e përgjithshme qytetare, se pas perfundimit të luftës Kosova do të ecë më hapa të shpejt përpara dhe se gjërat do ta marrin të mbarën, do të rritet dashuria në mes të njerëzve, do të shtohet humanizmi e solidariteti ndërqytetar, do të ketë rimëkëmbje e zhvillim ekonomik të vendit, e çka jo tjetër.

Të bindur në këto gjëra që s’ndodhën asnjëhere në Kosovën tonë të dashur, shumë nga mërgimtarët e viteve të ’90-ta, qoftë azilkërkues apo më statut të rregulluar të emigrantit, i lanë ato vendet e bukura, ia kthyen shpinën luksit të perëndimit dhe u kthyen në atdheun e tyre të shënjt-Kosovën e lirë dhe të pavarur, për të rifilluar jetën në shtetin e ri.

Në fillim, vullneti dhe shpresat e të riatdhesuarve në vendin e tyre të lindjes ishin shumë të mëdha, ngase pritnin zhvillim ekonomik, hapje të vendeve të punës, por më kalimin e viteve shpresat filluan të veniten nga zhvillimet e papritura e të padëshiruara si pasojë e futjes së kulturave të huaja në vendin tonë, e për më tepër nga çasja e gabuar e qeverisjes së vendit, sidomos pas shpalljes së pavarësisë e këndej.

Çasja egoiste për përfitime materiale e “historike”, fillimisht u shfaq nga grupe të caktuara, me tendencën e përfitimit moral e material nga lufta e pastër çlirimtare e UÇK-së, nga rezistenca dhe qëndresa heroike e popullit të Kosovës, më qëllimin e marrjes së primatit të çlirimtarëve dhe e shpëtimtarëve të vendit!

Pa ikur koha e lapidareve, erdhi koha e shtatoreve (permendoreve)

Kjo dukuri fillimisht u shfaq më ndërtimin e lapidarëve të dëshmorëve e martirëve të lirisë, për të vazhduar tutje më ndërtimin e komplekseve memoriale, ndërtimin e shesheve e rrugëve, të veshura në pllaka mermeri, granit e gurë të çmueshëm, varësisht prej fuqisë politike e “ekonomike” të “bosëve” partiak.

Madhështia e këtyre komplekseve e shesheve dallon jo për nga madhështia e të rënëve, por nga “madhështia” e liderëve partiak, nga e cila varion edhe kostoja e komplekseve dhe shesheve, duke filluar nga dhjetramijra euro, në qindramijra e deri në miliona euro.

Kjo ndodhi dhe po ndodh në Kosovën e varfër, në vendin e vetëm në rajon ku qytetarët nuk gezojnë nga shteti sigurime shëndetësore, ku pensionistet marrin vetëm rreth 100 euro në muaj, ku rreth 30 % e popullatës janë të papunë, ku rroga mesatare e atyre që punojnë në ketë vend është e pamjaftueshme për të mbijetuar nga ngritja e inflacionit.

Në të gjitha vendet ku kanë ndodhur luftërat çlirimtare, ekziston një memorial i lirisë për të gjithë të rënët dhe vetëm një ditë e dëshmorëve, por jo dhjetra e qindra sosh çfarë janë sot në Kosovën tonë të dashur.

Pa ikur koha e lapidareve, erdhi koha e shtatoreve (permendoreve) super të kushtueshme!

Viteve të fundit është duke ndodhur një garë e pashëmbullt në ndërtimin e permendoreve të kushtueshme anë e kënd Kosovës, varësisht prej shtrirjes gjeografike të krahëve të luftës dhe paqes, duke uzurpuar prona të lira publike me ndërtimin e shtatoreve partiake!

Përderisa në të kaluarën permendoret ishin të pakta në numër dhe ishin pikëtakim i të rinjëve, sot kur janë bërë shumë, të rinjët mungojnë (kanë ikur në perendim), tek permendoret takohen vetëm fajdegjinjët, narkomanët, hajdutët, të korruptuarit dhe bosët e krimit të organizuar!

Ndarja në baza partiake e dëshmorëve

Ndarja dhe përçarja e skenës politike, mes partive dhe grupeve të caktuara të interesit brenda tyre është duke reflektuar edhe në ndarjen e dëshmorëve të lirisë, në ndarje rajonale dhe partiake të dëshmorëve: Drenicës, Dukagjinit, Llapit, Gollakut, Pashtrikut, Rugovës, e kështu më radhë deri të ndarjet partiake, në dëshmorë të PDK-së, AAK-së, LDK-së, PSD-së, NISMA-s, Listës GUXO dhe të LVV-së!

Një ndarje e tillë e dëshmorëve dhe martirëve të lirisë është më tepër së fyerje që ju bëhet atyre që ranë në altarin e lirisë, të cilët ranë, jo si anëtarë të kësaj apo asaj partie politike, por pse ishin patriot e liridashës të vërtetë të atdheut, për të cilin dhanë më të shtrënjtën-jetën e tyre.

Sot në Kosovë janë me qindra, ndoshta edhe mijëra familje të dëshmorëve që janë lënë në harresë të plotë nga shteti, të zhytur thellë në varfëri të skajshme, më thyerje të mëdha shpirtërore nga denigrimi socio-ekonomik.

Shumë nga çlirimtarët e djeshëm, sot luftojnë për ekzistencë, duke punuar si hamall rrugëve të kryeqytetit e gjithë Kosovës për të siguruar kafshatën e gojes për fëmijet e tyre.

Si pasojë e kësaj situate, viteve të fundit janë shpeshtuar rastet e vetëvrasjeve të ish çlirimtarëve, veprimtarëve dhe aktivistëve më të devotshëm të çështjes kombëtare, të shkaktuara nga thyerjet e mëdha shpirtërore dhe çasja e gabuar e qeverisjeve të vendit nga paslufta e këndej e sidomos pas shpalljes së pavarësisë së 17 Shkurtit 2008.

Është e rëndë dhe e papërballueshme për luftëtarët, invalidët dhe veteranët e vërtetë të UÇK-së, veprimtarët e aktivistët të mbetur në varfëri, kur i shohin kolegët e tyre të deridjeshëm (të luftës e të paqes) të shndërruar në milonerë brenda natës, me biznese të shumta, me shtëpi të mëdha dhe luksoze, me vetura nga më të shtrënjtat e më privilegje të shumta që ua garanton ky shtet i kthyer në bronz, i cili për dikë është bërë nënë e për dikë tjetër njerkë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok