23/11/2024

KOSOVA DHE INTERPOLI – DËSHTIMI I POLITIKËS DHE I DIPLOMACISË SË KOSOVËS

0

Nga Xhelal Zejenli

Interpoli është organizatë ndërkombëtare që lufton krimin transnacional. Anëtare të Interpolit janë 192 shtete të botës. Kosova tri herë ka paraqitur kërkesë për t’u bërë anëtare e kësaj organizate botërore të policisë, e pikërisht: në vitet 2010, 2015 dhe 2017.

Më 20 nëntor të vitit 2018 në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe u mbajt Asambleja e përgjithshme e agjencisë ndërkombëtare të policisë – Interpolit. Për t’u bërë anëtarë të kësaj organizate, përveç Kosovës, kishin paraqitur kërkesë dy vende të Paqësorit – Kiribati dhe Vanutu. Votimi është bërë në mënyrë të fshehtë. Për t’u pranuar në organizatën e Interpolit, duhet të sigurohet dy e treta e votave të përfaqësuesve të pranishëm të vendeve anëtare. Dy vendet e sipërthëna – Kiribati dhe Vanutu u bënë anëtare, Kosova ndërkaq, nuk arriti të sigurojë numrin e duhur të votave.

Në të vërtetë, me lobimin e Rusisë, Serbia ia doli të parandalojë anëtarësimin Kosovës.

Të parët që e mbështetën Serbinë gjatë Asamblesë së përgjithshme të Interpolit në Dubai ishin Namibia, Rumania, Venezuela dhe Surinami. Pas përfaqësuesve të këtyre katër shteteve, e morën fjalën dhe folën në favor të Serbisë edhe përfaqësuesit e Spanjës, të Marokut, të Qipros, të Kinës, të Bjellorusisë, të Rusisë.

Është votuar dy herë. Në rrethin e parë të votimit, votuan përfaqësues apo delegatë të 154 shteteve. Prej tyre, në favor të anëtarësimit të Kosovës votuan 76 shtete, kundër votuan 56 vende, ndërsa 22 vende abstenuan, d.m.th. u përmbajtën.

76 votat që i mori Kosova në rrethin e parë të votimit, përbëjnë 49% të numrit të përgjithshëm të votave. Për t’u bërë anëtar, i nevojiteshin dy të tretat e numrit të përgjithshëm të votave, domethënë 96 vota.

Rrethi i dytë i votimit pasoi pas 20 minutave. Këtë herë votuan përfaqësues të 135 vendeve – anëtare. Prej tyre, përfaqësues të 68 vendeve votuan për Kosovën, përfaqësues të 51 vendeve – kundër anëtarësimit të saj, ndërsa përfaqësues të 16 vendeve u përmbajtën.

Edhe në rrethin e dytë të votimit, Kosova merr po atë përqindje të votave – 50%  numrit të përgjithshëm. Tani i nevojiteshin 90 vota, domethënë 22 vota ka më pak se numri i nevojshëm.

Shtetet që votuan për anëtarësimin e Kosovës:

ShBA-ja, Gjermania, Britania e Madhe, Franca, Austria, Italia, Kanadaja, Australia, Portugalia, Shqipëria, Sllovenia, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Bullgaria, Polonia, Çekia, Zvicra, Norvegjia, Suedia, Islanda, Finlanda, Lituania, Letonia, Estonia, Holanda, Belgjika, Luksemburgu, Turqia, Arabia Saudite etj. Për anëtarësimin e Kosovës në organizatën botërore të policë, kanë votuar pothuajse të gjitha vendet e Bashkimit Evropian.

Atyre që votuan për Kosovën, kombi shqiptar në gadishull, përfshi edhe shqiptarët në diasporë, u është mirënjohës deri në jetë të jetëve.

Është e dhimbshme kur mësojmë që Rumania dhe Greqia të jenë kundër shqiptarëve.

Duke qenë se votimi ka qenë i fshehtë, në çastet e para nuk mund të dihet me saktësi se kush si ka votuar. Përveç kësaj, ka edhe spekulime të mëdha, të përcjella me luftë speciale dhe me luftë psikologjike.

Për shtetet si Hungaria, Sllovakia, Etiopia, Izraeli, Japonia, Xhamajka, Kenia, Vietnami, Mongolia, Nikaragua, Uzbekistani, Taxhikistani, Peruja, Republika e Seishelëve – herë thuhej se kanë votuar në favor të Kosovës, herë publikohej se janë përmbajtur apo se s’kanë votuar fare.

Bie në sy se kundër Kosovës kanë votuar vende të caktuara të Afrikës, të Azisë, të Amerikës Latine si dhe një numër i madh i vendeve arabe apo i vendeve me popullsi të fesë islame.

Vende arabe dhe vende me popullsi myslimane votojnë në favor të një Serbie, e cila në fillim të viteve ’90 të qindvjeçarit XX, bëri gjenocid në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe masakër në Srebrenicë.

Në rrethin e parë, kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol votuan:

Afrika e Jugut, Angola, Argjentina, Azerbajxhani, Bjellorusia, Bolivia, Bosnja dhe Hercegovina, Botsvana, Brazili, Buriti, Eritreja, Filipinet, Greqia, Granada, Guineja, Guineja Ekuatoriale, Guatemala, Gjeorgjia, Ishujt e Solomonit, Indonezia, Irani, Kamboxhia, Kameruni, Kili, Kina, Kongo, Kirgizia, Laosi, Lesoto, Libani, Malajzia, Maroku, Mauriciusi, Meksika, Moldavia, Mozambiku, Nianmari, Namibia, Nepali, Qiproja, Republika Dominikane, Rumania, Rusia, Serbia, Siria, Spanja, Somalia, Sudani, Surinami, Tunizia, Uganda, Venezuela, Xhibuti. Këtu figurojnë 54 shtete. Në rrethin e dytë të votimit që është mbajtur pas 20 minutave, përfaqësuesit e tre nga shtetet e sipërthëna, ose kanë abstenuar ose fare nuk kanë marrë pjesë në votim.

Në rrethin e parë të votimit kanë abstenuar përfaqësuesit e vendeve të poshtëshënuara:

Algjeri, Antigua dhe Barbuda, Burkina Faso, Ishujt e Kepit të Gjelbër, Republika e Koresë, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Ekuadori, Etiopia, Hungaria, Izraeli, Japonia, Kenia, Mongolia, Nikaragua, Peruja, Republika e Seishelëve, Sllovakia, Taxhikistani, Uzbekistani, Vietnami, Xhamajka. Janë gjithsej përfaqësues të 22 shteteve. Në rrethin e dytë të votimit, gjashtë prej tyre nuk kanë votuar fare ose ndonjë prej tyre mund të ketë votuar për Kosovën.

*   *   *

Me këtë sjellje irracionale, destruktive dhe luftënxitëse, Serbia nuk do të ketë perspektivë evropiane. Sa më shumë që e mbështet Moska, aq më tepër e largon nga procesi i integrimit.

Pas këtyre veprimeve absurde, destruktive dhe destabilizuese të A. Vuçiqit dhe të I. Daçiqit – pasaardhës të devotshëm të Sheshelit dhe të Millosheviqit, ç’kuptim ka dialogu në Bruksel.

Thuhej se për anëtarësimin e Kosovës në Interpol janë vënë në veprim vende të caktuara të Perëndimit. Si u bë që ndikimi serb nëpër vende të ndryshme të rruzullit, të ketë qenë më efektiv dhe më frytdhënës se ai qendrave politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtonit, Londrës dhe Berlinit, miq të shqiptarëve?!

Politika dhe diplomacia e qendrave politike shqiptare – Tiranës dhe Prishtinës – duhet të jetë më në krye të detyrës. Inteligjencia shqiptare ndërkaq, duhet të zgjohet nga letargjia.

Fitorja i përket atij i cili shkon çdo ditë në luftë për të (Gëte). Fajësia është gjendja në të cilën ndodhemi të gjithë ne, pavarësisht nga faji (Kafka). Fajin për fatkeqësinë e vet, njeriu duhet ta kërkojë në vete – Sartrë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok