22/12/2024

KORIFEU I PAVDEKSHȄM I KȄNGȄS SHQIPE

0
Luan-Hajra2

– Në kujtim të  jetës dhe veprimtarisë së këngëtarit të njohur kosovar Luan Hajra –

NGA VLASH PRENDI

Kanë kaluar shumë vite, kur së bashku me miq e shokë, mblidheshim në darkë pas pune dhe dëgjonim këngë dhe melodi që i transmetonte vazhdimisht Radio Prishtina. Madje duhet të theksoj se në shumë raste gëzimesh familjare, festash, fejesash, madje në shumë raste edhe dasmash, tingujt e muzikës që dilnin nga valet e kësaj radioje shoqëroheshin me gëzimin, entuziazmin dhe vallet e të pranishmëve. Emisionet muzikore si: “Këndoj për ju”, “Dëgjoje këngën time”, “Këngë pas kënge”, apo “Kënga ju shoqëron”, ishin bërë pjesë e çdo familje shqiptare. Kjo ndodhte sepse pjesë e këtyre programeve aq të këndëshmë ishin një kastë këngëtarësh mjaft të talentuar dhe mjaft të pëlqyer nga dëgjuesi, i cili jo vetëm perpiqëj t’i imitonte, por vargjet e këngëve të tyre në shumë raste, i mësonin përmendësh. Ishte e zakonshme që mjaft këngë të këngëtarit të njohur Luan Hajra, Esat Bicurri, Shahindere Berlajolli, Mazllam Mejzini, Hanife Sejfullariçani, Ismet Peja, ulqinakut Shaban Gjekaj e ndonjë tjetri, t’i dëgjoje të këndoheshin nga njerëz të thjeshtë në rrugë, në frontin e punës apo në arat e kooperativës. Kjo ndodhte sepse këto këngë këndoheshim mjeshtërisht nga këngëtarët e mrekullueshëm, këngët ishin bërë hit. Duhet theksuar se në atë periudhë të veshtirë për mbarë popullin shqiptar, kur shumica vuante në varfëri, kur lufta e klasave ishte në kulmin e saj, kur propaganda komuniste mbillte kudo dhunë, këto këngë ishin i vetmi ngushëllim, ku shpirti ynë gjente pak qetësi.

– Tani do të dëgjoni këngën “Ka një vit e disa mujë”, këndon Luan Hajra, – prezantonte folësja e radios. Aq duhej që grupi i të rinjve që po punonin në bujqësi, të linin punën dhe të vershonin tek një radio e vjetër “Iliria” me bateri, që pronari i saj e kishte varur në një degë lisi. Mblidheshin kokë më kokë Simoni, Nikolla, Lleshi, Doda, Ndoi,  Valbona, Alma dhe dëgjonin me kënaqësi këngëtarin e shquar duke realizuar pushimin dhe argëtimin më të bukur të mundshëm. Ky rit vazhdonte thuajse çdo ditë, sepse të rinjtë e atëhershëm i dinin oraret e programeve muzikore që transmetonte radio. Një ditë, autoritetet shtetërore e urdhëruan Gjergjin, pronarin e radios që të mos e merrte më radion në punë, për shkak se të rinjtë po dëgjonin muzikë revizioniste dhe po abuzonin me orarin e punës. Atëherë të rinjtë mësuan shumë këngë të këtyre këngëtarëve, të cilat i këndonin gjatë punës dhe pushimeve, megjithëse shpesh herë bëheshin objekt survejimesh nga punonjësit e Sigurimit të Shtetit. Veç të tjerësh, edhe këngëtari i shquar Luan Hajra ka mbetur përgjithmonë i skalitur me këngën dhe emrin e tij në kujtesën e bashkëkombasve të vet, për të mos u harruar kurrë. Ai së bashku me Nexhmije Pagarushën, Esat Bicurrin, Shahindere Berlajollin, Muharrem Micin, Mazllam Mejzinin, Hanife Sejfullariçanin, Ismet Pejën, Shaban Gjekajn, kishin krijuar një ansambël me një larmi zërash dhe këngësh, që do mbeten të paharruara në memorjen e kombit tonë. Ndoshta jo vetëm për këngën, por edhe për zërin e rrallë, për inionacionin e veçantë prej tenori, që këngën lirike e kishte në shpirtë, por edhe për veshjen, sepse në skenë gjithnjë dëshironte të paraqitej para publikut serioz, i disiplinuar dhe me imazh gjithonë të ri.

2

Këngëtari Luan Hajra ka lindur në qytetin e Mitrovicës më 31 korrik të vitit 1949, në atë qytet shqiptar që asnjëherë nuk kishte patur qetësi nga pretendimet armiqësore të pushtetit sllav, madje dikur rëndom thirrej edhe “Mitrovica e Titos”, për t’i dhënë tamam pasaportën e një province me prejardhje slave, kur të dhënat historike flasin ndryshe. Duhet theksuar se sipas burimeve historike në territoret e këtij rajoni, që në lashtësi kanë jetuar fiset dardane, të cilët u morën kryesisht me bujqësi. Kur këto territore u pushtuan nga romakët, në këtë qytet nisi përpunimi i metaleve. Pas rënies së perandorisë romake, ky territor bie nënë sundimin bullgar, i cili zëvendësohet nga familja serbe e Njemanjve, gjatë sundimit të së cilës në Mitrovicë vendosen kolonë sllavë, me qëllim që të shpërngulen banorët dardanë, që jetonin prej shekujsh në këto troje të lashta. Car Dushani, veç politikës së shfarosjes dhe shpërnguljes, ndoqi edhe politikën e konvertimit të banorëve dardanë, nga riti katolik në atë orthodokës. Për këtë arësye edhe sot e kësaj dite, lufta etnike mbetet gjithmonë e ndezur. Në këto kushte të rënda lufte u rrit edhe këngëtari i njohur, i cili u rrit thuajse pa njërin prind, që në moshë të re. Ishte periudha kur këngëtarit të ardhshëm i nevoitej më shumë se kurrë kujdesi familjarë dhe prindërorë, për të marrë një drejtim të caktuar në jetë. Por djaloshi i ri kishte lindur i talentuar, prandaj plot besim dhe me forca në vetëvete ndoqi rrugën e bukur të artit. Pasi mbaron studimet në shkollën 8 – vjeçare të qytetit të Mitrovicës, vashdon mësimet në një shkollë të mesme të profilit muzikor në qytet, të cilën nuk e pati perfunduar kurrë, pasi njihej si djali i Arifit, një nacionalisti të devotshëm që pati luftuar pas çlirimit i inkuadruar me forcat e Ballit Kombëtar. Pasi mbaron studimet në Shkollën e Mesme Ekonomike në Mitrovicë, djaloshi i ri ndjen nevojën e arsimimit të mëtejshëm, prandaj regjistrohet në Fakultetin e Ekonomik të Zveqanit, të cilin e përfundon duke u diplomuar në profesionin e ekonomistit, të cilin nuk e pati ushtruar kurrë.

Vetë mjeshtri i këngës tregon se në rrugën e artit të të kënduarit kishte hyrë fare rastësisht. Ka kënduar që kur ishte fëmijë, por pa u vënë re nga specialistët e muzikës. Siç pohon vetë këngëtari në një intervistë dhënë gazetarit të njohur Arbër Selmani, ishte Sheka, një komshi i tij që e kishte aktivizuar në grupin muzikorë që kishte formuar në atë kohë dhe e kishte futur në rrugën e këngës, madje në fillimet e tij muzikore, Luani kujton se ka kënduar edhe këngë meksikane, të cilat ishin në modë aso kohe. Më vonë bëhet pjesë e grupit muzikor “Yjet e zjarrta” në Mitrovicë, ku jepnin koncerte dhe merrnin pjesë në evente të ndryshme, por preludi i lavdisë së këngëtarit ishte pjesmarrja në grupin muzikor “Qëndresa”, një shoqëri mjaft e njohur në Kosovë dhe viset shqipfolëse në atë kohë. Me këtë shoqëri muzikore këngëtari i shquar u bë mjaft i njohur dhe i kërkuar. Ishin të shumta koncertet që jepeshin, festat që organizoheshin me pjesmarrjen e të madhit Luan Hajra. Kështu, dalëngadalë emri i këngëtarit të shquar Luan Hajra po kthehej në mit. Kudo ishte i pranishëm, kudo kërkohej, kudo njihej, por edhe kontrollohej dhe survejohej nga UDB – ja jugosllave dhe Sigurimi i Shtetit Shqiptar. Por e ardhmja e këngëtarit do të fliste çdo ditë e më shumë në favor të tij, sepse Ai po bëhej më i njohur, më i dashur për dëgjuesin dhe zëri i tij po tingëllonte edhe më i sigurtë. Në këto kushte bëhet pjesë e stafit profesionist të Radio Prishtinës, ku punoi, këndoi dhe dha kontribut të vyer për rreth 16 vjet me radhë. Ishin momentet më të lumtura në jetën e tij, sepse çdo rezultat që po arrinte, po e siguronte me punë, me sakrificë, me talent. – Në vitin 1968, – kujton artisti i njohur, – rastësisht isha në një aheng. Aty ishte edhe këngëtarja e njohur Valbona Nimani. Ajo lehtas vjen dhe më thotë: – Luan, a bon ti me ardhë në audicion në Radio? E mendoj dhe shkoj. Unë atëherë isha në shkollë të muzikës dhe e mësova një kangë që ma dhanë për detyrë. I mësova notat që m’i kishin dërgu dhe erdha në audicion. Redaktor i muzikës atëherë në Radio Prishtina ishte Kris Leka. Nexhmije Pagarusha, Liliana Çavolli, Jordan Nikoliqi, të gjithë e dëgjuan zërin tim dhe pyesnin se kush isha unë? E kujtimet për jetën e vështirë, për këngën, për publikun, për luftën, për perpjekjet për mbijetësë, nuk kanë të mbaruar. Kujton vitet e vështira që ka kaluar në Mitrovicë, në atë komunë kososovare me shumicë serbe dhe vitet e qeta të pleqërisë që i kaloi në qytetin e bukur të Prishtinës. Numri i këngëve që ka kënduar mjeshtri i këngës, është i konsiderueshëm, me shumë vlera dhe të mbështetura në tabanin kombëtar të muzikës popullore qytetare kosovare, duke ruajtur në çdo këngë identitetin kombëtar. Mjafton të dëgjosh këngët: “ Arabella”, “Rroka mandolinën”, “A s’ma falë…”, “Nëpër shtyllat e telefonit”, “Je e bukur…”, “Ka një vit e disa muajë”, “Lulëzoi fusha, lulëzoi mali”, “Kallma cigaren”, “Mezi po marrë frymë”, “Tuj shetit…”, “Në bankën e shkollës, o mike”, “Jasemin moj të vjen era”, “Sa fort t’dashuroj”, “Qaj kitarja ime”, “Gjith’ natën rri n’dritare”, “Te dugajt e reja”, “O ç’jam tuj shku moj, rrugës së ngushtë”, “Ore çun, bre çun”, “Isha vetem tuj mendu”, “Erë e letë”, “Lulzo natyrë”, “Unë me ty, ti me mu”, “Sytë e shkru”, “S’paske pas nji pikë mëshirë”, “Po t’a marr kangën me saze”, “Dashurova unë një vajzë”, “O zambak, zambaku i bardhë”, “Shkoj e vi, fluturim si zogu”, “Na ka çu Dudia letër”, e shumë të tjera që të shohësh dhe dëgjosh magjinë e krijimit, interpretimit, zërit karakteristik dhe melodioz të këtij artisti të madh. Festivali i njohur “Akordet e Kosovës”, do të ishte skena ku do të zinte fill rruga e lavdishme e këtij talenti të rrallë. Do të ishte viti 1971, kur Luan Hajra ishte 22 vjeç, kur do të përzgjidhej të merrte pjesë në këtë festival, me një kompozim të mjeshtrit Musa Piperku. E nisi rrugën e këngës me muzikë të lehtë, për t’i u përkushtuar pak më vonë tërësisht muzikës popullore. Kjo ndodhi, sepse Luan Hajra e konceptonte këngën si mesazh që i duhej dhënë publikut, si një bisedë e këndshme mes këngëtarit dhe dëgjuesit, e konceptonte si rrëfim artistik, që nëpërmjet fjalës dhe joneve të melodisë së bukur zgjonte emocione të forta tek spektatori. Luani zotëronte veç zërit edhe mjeshtërinë e të kënduarit. Ai e njihte mirë zërin e tij, kapacitetin, shtrirjen, fuqinë artistike, timbrin e mrekullueshëm, prandaj i përshtateshin edhe këngët që interpretonte, të cilat më pas bëheshin hit dhe këndoheshin gjithandej.

Këngëtari Luan Hajra gjatë jetës së tij prej artisti të spikatur është frymëzuar dhe motivuar nga këngëtarët e njohur të muzikës popullore shqiptare Qamili i Vogël, Bik Ndoja, Shyqyri Alushi, Mazllam Mejzini, Hafsa Zyberi, Naile Hoxha, Fitnete Rexha etj. Diferencën do t’a bënin këngët “Arabell” dhe “Rroka mandolinën”, të cilat do të këndoheshin rëndom edhe nga këngëtarë të tjerë, por jo në nivelin e tij. Kjo ndodhte sepse Luani interpretonte si një tenor i sprovuar, duke e pasuruar krijimin popullor me elementët e koloraturës interpretuese, që i përshtatej aq shumë zërit të tij të fuqishëm dhe të veçantë në llojin e vet. Këngën “Arabella”, këngëtari i shquar e pati interpretuar në vitin 1973 në festivalin e njohur “Akordet e Kosovës”, ku qe vlerësuar së tepërmi, madje me këtë rast pati fituar edhe statusin pedant të këngëtarit profesionist të këngës popullore qytetare. Ndërsa për këngën “Rroka mandolinën”, këngëtari kujton se në raste eventesh dhe manifestimesh artistike e ka përseritur disa herë për dëshirën e publikut, sepse kjo këngë kishte përmbajtje ideoemocionale, në të cilën përfshiheshin tonet më të bukura jetësore si epike dhe lirike. U bë shpejt i njohur edhe jashtë kufijëve shtetërorë të Kosovës, prandaj qe ftuar disa herë edhe në Shqipëri, Turqi dhe Serbi. Këngëtari kujton se kur këndonte në Beograd, të gjithë të pranishmit e shoqëronin duke e kënduar këngën në variantin shqip dhe për këtë fakt, ai ndjehej mjaft krenar. Shpesh, këngëtari i shquar Luan Hajra ftohej edhe me grupin e këngëtarëve të ish – Jugosllavisë për të bërë turne në vende të ndryshme të botës, deri në Amerikën e largët. Mjeshtri kujton se rasti i fundit kur ka qënë për të dhënë koncert në në Amerikë pati vajtur me grupin e Radio Prishtinës në përbërje të të cilit ishin edhe këngëtarët e njohur Shyhrete Behluli, Shkurte Fejza dhe Sabri Fejzullahu.

Momente të ndryshme të jetës së këngëtarit kanë kaluar plot gëzim, harmoni dhe muzikë, sepse tani këngëtari i mirënjohur Luan Hajra kishte arritur atë që dëshironte, famën. E kishte arritur me shumë sakrifica, mund e djersë, por gjatë kësaj rruge të gjatë, të bukur dhe plot emocion, këngëtari kishte njohur edhe vështirësi, vuajtje dhe pengesa në jetë. Si djalë i një nacionalisti dhe ballisti, këngëtari ishte i skeduar në listat e zeza të UDB – së dhe vëzhgohej ngado shkonte dhe çfarë aktiviteti kryente, por ai vazhdoi të bëntë detyrën me shumë zell dhe dashuri për të plotësuar në maksimum shijet e popullit të tij. Edhe kur vinte për të dhënë koncerte në Shqipëri, këngëtari shqiptar ishte gjithmonë nën vëzhgimin e Sigurimit të Shtetit, madje kur ka qënë në Shqipëri në vitin 1973 me Ansamblin “Shota”, Ai kujton se është thirrur nga organet e Sigurimit të Shtetit i dyshuar si agjent jugosllav, por kjo nuk e ka penguar artistin e njohur t’a dojë dhe t’a respektojë kombin shqiptar, pasi ai e ka mbështetur kurdoherë në rrugën e tij të gjatë artistike. Emocionet më të mëdha këngëtari i shquar i pati provuar, kur kishte qënë në një turne artistic në qytetin e Beratit. Në këtë qytet kishte ndodhur rastësisht në rolin e spektatorit edhe babaj i tij, dikur i internuar. Dhe artisti kujton: “…Momenti më i rëndë ka qenë ai kur në një koncert të mbajtur në Berat, në mesin e publikut ishte edhe babi im, dikur i internuar. Më duket se që të dy qanim. Ai me lot të vërtetë, kurse unë me zemër dhe shpirt. Mund të them se kur orkestra e Isak Muçollit ekzekutonte këngën “Lulëzoj fusha, lulëzoj mali”, sikur trandej baba Tomorri. Në një çast, babai im, befas u ngrit në këmbë dhe brohoriti me sa fuqi kishte emrin tim “Luuaaannn …!”. Pastaj, i tërë publiku u ngri në këmbë duke qarë me lot. Ky moment prekës më duket sikur ka ndodhur sot”. Këngëtari i madh ka dhënë koncerte në shumë qytete të Shqipërisë, por në memorjen e tij pati mbetur edhe një shfaqje e dhënë në vitin 1980 në qytetin e Shkodrës. Populli shkodran është shumë artdashës, është quajtur “Djepi i kulturës shqiptare”, prandaj e pati pritur këngëtarin me mjaft entuziazëm. Këngëtari i shquar ishte në shijet artistike të publikut shkodranë, prandaj në koncerte dhe festivale të ndryshme këngëtarët më të njohur kosovarë ftoheshin herë pashere. Kishte bashkëpunim të ngushtë me kompozitorët e shquar Kristë Leka, Musa Piperku, Gazmend Zajmi, Isak Muçolli, Mark Kaçinari, Reshat Randobrava, Tomorr Berisha, që aso kohe përbënin plejadën më të suksesshme të kompozimit muzikor të kohës, ndërsa tekstet e këngëvë që ka kënduar në fillim të karrjerës së tij ishin krijime të poetëve të njohur  Qerim Ujkani, Rifat Kukaj, Musa Ramadani, Eqrem Basha etj, derisa ra në kontakt me këngët e bukura popullore. Gjatë luftës në Kosovë thuhet se qe zhvendosur në Maqedoni, por për asnjë moment nuk e pati ndalur vrullin e këngës. Këndoi pas lufte në të gjitha trevat shqipfolëse duke sjellë edhe këngë të reja si “Hatixhe”, duke pasuruar kështu repertorin e tij. Për pesë vjet rresht pati kënduar në qytetin e Durrësit, por qe detyruar të largohej pasi i pati vdekur bashkëshortja Sania, për të cilën kishte mall dhe dashuri, fliste gjithmonë me respekt dhe mirnjohje të thellë. Shumicën e këngëve të reja, Luani i merrte kur këndonte nëpër dasma në vende të ndryshme. Kur këndonin dasmorët, ai shkruante tekstin e këngës, përvijonte vijën melodike dhe pastaj e këndonte.

Ka qënë dita e zezë e 27 shkurtit 2022, kur u përhap lajmi në të gjithë trojet shqiptare se kishte pushuar së rrahuri zemra e bilbilit të shqiptarisë Luan Hajra. Ishte një këngëtar dhe artist, që rrallë mund t’i vijë muzikës shqiptare, prandaj kishte merituar edhe simpatinë, respektin dhe dashurinë e pakufijshme të spektatorit shqiptarë. Ishte shuar përgjithmonë një zë i fuqishëm i këngës popullore shqiptare, por kishte lënë një pasuri të vyer, një numër pafund këngësh të interpretuara me mjeshtëri të rrallë dhe një album me këngë mjaft të pëlqyera me titull “Nga repertuari i Luan Hajrës”, për të mos u harruar ndër shekuj. I dëgjoja shpesh këngët e tij, madje përpiqesha t’ua mësoja edhe të tjerëve. Mbesa ime Valbona Marku, ishte vetëm tre vjeçe, kur e pati dëgjuar dhe i kishte shqiptuar emrin për here të pare. Ȅshtë mësuese e gjuhës shqipe, ndërsa sot është edhe anëtare e Shoqatës Kulturore dhe Arsimore “Ilirianët” në Fano të Italisë, ku jep mësim në shkollën shqipe të hapur kohët e fundit, duke përhapur tek emigrantët shqiptarë kulturën, gjuhën dhe traditat e kombit tonë, por shkruan edhe poezi. Ndoshta do bjerë rasti që Valbona t’u flasë nxënësve të saj emigrantë edhe për muzikën shqiptare, edhe për këngëtarin e shquar Luan Hajra që aq shumë e dëgjonte në vitet e rinisë. E pata njoftuar Valbonën nëpërmjet një mesazhi për vdekjen e këngëtarit dhe nuk vonon përgjigja e shoqëruar edhe me një poezi: “… më vjen shumë keq, sepse jam rritur me këngën e tij. Askush nuk është i perjetshëm, por lum kush le gjurmë të arta në jetë, siç la ky këngëtar i madh”, pastaj vijon vjersha kushtuar Luanit. E kishte titulluar: “Zëri yt i zgjon dhe zanat”, pastaj vijonte: “Ndahet nga jeta një artist gjigant, / La pas zërin melodioz – jehonë, / Luan Hajra me “Rroka mandolinën”, / Beri të kendojnë, Shqipëri, Jugosllavi e Kosovë. / Sot një emocion më përshkon qenien, / Dhimbje për humbjen dhe mallë, / Shkrimtari dhe studiuesi, daja im V. Prendi, / Më kthen në femijëri me një mesazh, / E prap aty kthehem në femijëri, / Në dhomën – studio veshur me libra, / Ushqyer me studime, romane e poezi. / Nga radioja e vogël në dimër dhe verë, / Këngët e tij i dëgjoja përherë. / Hap krahët, e më jep forcë nostalgjia, / Largohet artisti Luan Hajra sot, / E i shtrenjti poet nga larg më përshendet, / Largohet fizikisht… unë se besoj dot, / Le gjurmë, zë, e kengë e tij kurrë nuk vdes, / Arome e fëmijërisë sime krenarinë sot më përkëdhel…”. Luan Hajra, artisti dhe këngëtari aq i dashur për publikun, korifeu i pavdekshëm i këngës popullore shqipe shkoi në përjetësi, për të mos u harruar më kurrë.

VLASH PRENDI

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok