21/12/2024

KONGRESI I SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS: JO INFLUENCËS KOMUNISTE NË SHKOLLAT AMERIKANE!

0
Kongresi-Amerikan2

Nga Frank Shkreli

Rrallë ndodhë që Kongresi i Shteteve të Bashkuara të jetë aq i bashkuar në miratimin e një propjekt-ligji cilido qoftë, sa ç’ishte me 6 dhjetor 2024 kur Dhoma e Përfaqsuesve miratoi me vota dërmuese prej 327 në favor të Aktit Vendimtar të Mësimdhënies mbi Komunizmin dhe 62 kundër. Text – H.R.5349 – 118th Congress (2023-2024): Crucial Communism Teaching Act | Congress.gov | Library of Congress  Ky akt — autore e të cilit ishte përfaquesja republikane Maria Salazar e shtetit Florida — është miratuar nga përfaqësuesit republikanë dhe demokratë të Kongresit në një frymë bashkpunimi, me vota dërmuese,  me qëllim për të edukuar studentët e shkollave të mesme mbi rreziqet që vijnë nga komunizmi dhe totalitarizmi dhe se si këto sisteme janë në kundërshtim të plotë me parimet bazë të lirisë dhe demokracisë në Shtetet e Bashkuara, thuhet një njoftim të Kongresit, me këtë rast, për median. Sipas këtij Akti, materialet e mësimdhënies, mbi të vërtetat dhe rreziqet e komunizmit, do të shpërndahen nga Fondacioni Përkujtimor i Viktimave të Komunizmit me qëndër në Washington – me përqëndrimin në të kaluarën kriminale komuniste dhe në trashëgiminë e vazhdueshme të komunizmit edhe sot e kësaj dite.
Miratimi i këtij akti u cilësua si një “fitore monumentale për brezat e ardhëshëm të studentëve amerikanë”, nga Presidenti i Fondacionit Përkujtimor të Viktimave të Komunizmit, Dr. Eric Patterson. “Muri i Berlinit mund të jetë shembur në vitin 1989, por ideologjia djallëzore që fshihej pas tij nuk është zhdukur ende. Akti Vendimtar i Mësimdhënies mbi Komunizmin, i miratuar ditët e fundit nga Kongresi amerikan, “është një akt legjislativ i cili garanton që studentët tanë të mësoinë të vërtetën – të kaluarën dhe aktualën – mbi këtë ideologji vdekjeprurëse… pasi studentët amerikanë janë gjithnjë e më shumë të keq-informuar ose aspak të informuar mirë mbi historinë dhe trashëgiminë e komunizmit”, citohet të ketë thenë Drejtori i Fondacionit Përkujtimor të Viktimave të Komunizmit, Dr Eric Patterson.

Komunizmi botëror ka një histori të gjatë dhe të errët shtypjesh politike, persekutimesh, dhune, vrasjesh dhe në përgjithsi, një histori krimesh kundër njerëzimit, gjatë shekullit të kaluar e deri në ditët e sotëme. Një trashëgimi kjo, për të cilën, për fat të keq, po flitet gjithnjë e më pak, ndërkohë që aktorë të huaj djallëzorë po përpiqen ta infiltrojnë këtë ideologji kriminale edhe në institucionet arsimore amerikane.

Kështuqë, sipas autores së këtij akti legjislativ, Përfaqësueses republikane nga shteti Florida, kubano-amerikanes, Maria Elvira Salazar, “Me miratimin e  Aktit Vendimtar të Mësimdhënies mbi Komunizmin, Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara siguron se brezat e ardhëshëm do të kujtojnë vuajtjet dhe krimet e shkaktuara nga ideolgjia brutale komuniste. Komuniteti im në Miami i njeh shumë mirë krimet e komunizmit, prandaj ne duhet të sigurohemi që të gjithë amerikanët të kenë të dhënat dhe të njihen me mizoritë dhe vdekjet e shkaktuara nga komunizmi”, është shprehur ajo pas aprovimit të Aktit nga Dhoma e plotë e Përfaqsuesve e Kongresit amerikan, me mbështetjen dërmuese nga të dy partitë kryesore të vendit, demokratët dhe republikanët.

Zonja Maria Elvira Salazar, Përfaqsuesja republikane nga shteti Florida me disa kolegë të saj, ka punuar për një kohë të gjatë tani për të bindur opinionin publik amerikan dhe Kongresin e Shteteve të Bashkuara mbi krimet e komunizmit në botë — Frank Shkreli: Kongresi i Shteteve të Bashkuara denoncon tmerret e socializmit | Gazeta Telegraf — në të kaluarën dhe aktualisht si dhe për rreziqet që kjo ideologji kriminale paraqet për brezat e ardhëshëm. “Akti Vendimtar i Mësimdhënies mbi Komunizmin”, u shpreh ajo, “do të sigurojë që brezat e ardhëshëm do të kuptojnë më mirë historinë e tmershme dhe tragjike të komunizmit. Ne duhet të bëjmë çdo gjë të mundur që të ruajmë dhe të mbrojmë parimet themelore të lirisë dhe të demokracisë së vërtetë. Përpjekjet për mbrojtjen e endrrës amerikane për brezat e ardhëshëm, fillojnë që tani”, me miratimin e këtij Akti, ka thenë Maria Elvira Salazar.

Ndërkaq, Kryetari i Dhomës së Përfasueseve, Mike Johnson përshëndeti miratimin e Aktit duke thenë se ndërkohë që përballemi me sfida gjithnjë e më të mëdha nga kundërshtarët tanë ideologjikë, siç është Partia Komuniste e Kinës, Akti Vendimtar i Mësimdhënies mbi Komunizmin i aprovuar nga Kongresi amerikan është një qëndrim i qart legjislativ kundër prirjeve të tilla të rrezikshme komuniste. “Sot është më e rëndësishme se kurrë që studentët tanë të mësojnë mbi rreziqet e vërteta që vijnë nga komunizmi, por edhe mbi rëndësinë e mbrojtjes së lirive tona”, është shprehur me këtë rast Kryetari i Dhomës së Përfaqsuesve të Kongresit amerikan, duke shtuar se ky Akt garanton që sistemi arsimor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës t’i ketë rrënjët thellë në të vërtetën e historisë së regjimeve komuniste dhe në ruajtjen e vlerave tona.

Ndërsa përfaqsuesja e shtetit Indiana, me origjinë ukrainase, në fjalën e saja citoi Winston Churchillin i cili ka thenë se, “Ata që nuk mësojnë nga historia janë të destinuar ta përsërisin”, duke shtuar se ne duhet tu kujtojmë brezave të ardhëshëm, miliona viktimat e komunizmit, jetët e shkatërruara nga komunizmi ndërkombëtar, anë e mbanë botës, dhe që të mos harrojnë rëndësinë për të mbrojtur Republikën tonë të lirë dhe të fortë”, ka theksuar kongresistja me origjinë ukrainase. Frank Shkreli; Një frymë e re anti-socialiste /anti-komuniste në Kongresin e ardhshëm të ShBA-ve | Gazeta Telegraf

Miratimi me vota dërmuese (327 në favor-62 kundër) e Aktit Vendimtar i Mësimdhënies mbi Komunizmin, miratuar këto ditë nga Dhoma e Përfaqsuesve të Shteteve të Bashkuara në Washington, pason një numër përpjekjesh nga ana e një numri shtetesh amerikane për të pasqyruar krimet e komunizmit ndërkombëtar, ndonëse, historikisht dhe realisht, komunizmi kurrë nuk zuri rrënjë në Shtetet e Bashkuara, si regjim totalitar. Duket se me miratimin e këtij Akti, Kongresi i Shteteve të Bashkuara solidarizohet – 35 vjet pas shembjes së Murit të Berlinit — me viktimat e gjenocidit komunist ndërkombëtar, duke kujtuar dhe duke dënuar, zyrtarisht, krimet e komunizmit.  Ashtu që breznitë e ardhëshme të amerikanëve ta njohin më mirë të vërtetën mbi krimet dhe kriminalitetin e regjimeve komuniste kundër miliona njerëzve, anë e mbanë botës, gjatë shekullit të kaluar e deri në ditët e sotëme.

Të gjitha këto përpjekje gjatë viteve të fundit në Shtetet e Bashkuara në nivel federal dhe në nivel shtetëror, në mbarë Amerikën, tregojnë se amerikanët — me gjithë se shembja e Murit të Berlinit mund të ketë qenë një simbol i rënjes së komunizmit të shekullit të kaluar – janë tani të vetdijshëm se ndoshta jo, doemosdoshmërisht, rrëximi i Murit të Berlinit të ketë simbolizuar gjithashtu edhe zhdukjen e trashëgimisë së kësaj ideologjie kriminale shkatërruese për shumë popuj anë e mbanë botës, përfshir Kombin Shqiptar.  Është një përpjekje, mendoj unë, nga populli amerikanë dhe përfaqsuesit e tij legjitim në Kongres, që krimet e regjimeve komuniste kundër njerëzimit dhe 100-milion viktimat e komunizmit, anë e mbanë botës, të mos harrohen kurrë por të kujtohen, ashtu siç ka paralajmëruar Winston Churchilli, me qëllim që historia e komunizmit të mos përsëritet më.

Po Shqipëria, kur do bëjë një gjë të tillë?! Kur do kujtojë viktimat e komunizmit enverist, zyrtarisht, njëherë e mirë dhe kur do të dënojë krimet e komunizmit në atë vend?! Po viktimat e komunizmit në Kosovë, për të cilat nuk flet askush? Kur do të kujtohen ato?!

Merrni shembull nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga shumë vende të tjera ish-komuniste dhe jo-komuniste në Evropë, nëqoftse besoni në liri e demokraci dhe në një të ardhme më të mirë për fëmijt tuaj. Përballuni, zyrtarisht me krimet e komunizmit! Zbuloni të vërtetën për veten dhe për brezat e ardhëshëm. Nostalgjia ndaj komunizmit enverist dhe mos-përballja me krimet e komunizmit të ish-regjimit të tij në Shqipëri, ish-regjimit sllavo-komunist në Kosovë dhe në trojet shqiptare të Ballkanit Perëndimor — nuk ka asgjë të përbashkët me lirinë dhe demokracinë perëndimore as nuk përputhet me vlerat amerikane.

Nëse dëshironi që historia e komunizmit në Shqipëri dhe anë e mbanë trojeve shqiptare të mos përsëritet më, atëherë edhe për hir të brezit të ri të shqiptarëve sot dhe nesër, dënoni dhe denonconi edhe ju krimet e komunizmit sllavo-aziatik dhe mos harroni, por kujtoni viktimat e komunizmit në Shqipëri dhe në Kosovë, në përputhje me vlerat amerikane që ligjvensit amerikanë shfaqen nepërmjet miratimit të Aktit Vendimtar i Mësimdhënies mbi Komunizmin, në mbështetje të studentëve amerikanë për të mësuar të vërtetën mbi krimet e komunizmit –në të kaluarën dhe për trashëgiminë djallëzore të kësaj ideologjie shkatërruese sot e kësaj dite në mbarë botën, përfshir Shqipërinë dhe Kosovën.

Debate on the Crucial Communism Teaching Act | C-SPAN.org

Text – H.R.5349 – 118th Congress (2023-2024): Crucial Communism Teaching Act | Congress.gov | Library of Congress

Salazar’s Crucial Communism Teaching Act Passes House | Representative Maria Salazar

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok