25/12/2024

Kongresi i Manastirit: Europianizimi i kulturës shqiptare në fillim të shekullit të XX

0
Kongresi-Manastirit

Nga Dorian Koçi

Zhvillimi i shpejtë i lëvizjes  kulturore  pas vitit 1908,  kërkoi  si nevojë të ngutshme caktimin e një alfabeti të vetëm për shkrimin e shqipes. Nismën për thirrjen e tij e mori klubi “Bashkimi” i Manastirit. Në një thirrje të klubit “Bashkimi” thuhej: ” Ora e  Lumtur erdhi, kur ne fillojmë punojmë të lirë dhe të papenguar pë lumturinë e kombit tonë, jo me armë dhe barut, por me penë dhe me letër. Ne duhet të fillojmë me çështjen e alfabetit- sepse ndryshe nuk do të arrijmë qëllimin e lartë-përparimin e gjuhës sonë.” (Peter Bartl, Myslimanët shqiptarë në lëvizjen për pavarsinë kombëtare (1878-1912), Dituria, Tiranë: 2006, fq. 201.)

Më 14 nëntor 1908 hapi punimet Kongresi i Alfabetit ose ndryshe Kongresi i Manastirit, në të cilin morrën pjesë 50 delegatë, ku 32 ishin me të drejtë vote dhe 18 të tjerë si pjesmarrës, të cilët nuk e gëzonin të drejtën e saj. Kongresi i Manastirit u shndrua në një kuvend të vërtetë mbarëshqiptar, në të cilin morrën pjesë delegatë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, nga qytetet e të katër vilajeteve, si edhe nga shoqëritë shqiptare të Bukureshtit, të Sofjes, të SHBA-së, të Egjiptit, etj.Ndërmjet delegatëve ishin edhe patriotët e intelektualët e shquar si: Luigj Gurakuqi, Mid’had Frashëri, Gjergj Fishta, Mati Logoreci, Hilë Mosi, Shahin Kolonja, Sotir Peci, Fehim Zavalani, Gjergj Qiriazi etj. Kongresi i Manastirit i zhvilloi punimet në shtëpinë e patriotit Fehim Zavalani.Kryetar  i Kongresit të Manastirit u zgjodh Mid’had Frashëri, i cili u caktua edhe në Komisionin e alfabetit.Kongresi kishte si qëllim kryesor forcimin e unitetit kombëtar, njësimin e alfabetit, njohjen e të drejtave për shqiptarët dhe organizimin e veprimtarisë arsimore e politike në shkallë kombëtare.( Nuri Dragoi, Arsimi në Përmet, West Print, Tiranë: 2015, fq. 29)

Gjatë dy ditëve të para të Kongresit u caktuan mbledhje të gjera e të hapura për popullin, ku përveç intelektualve morrën pjesë edhe nxënës shkollash, si edhe banorë të qytetit të Manastirit. Këto mbledhje u shndruan në manifestime kombëtare, në të cilat u mbajtën fjalime patriotike, për nevojën e bashkimit të të gjithë  shqiptarëve , gegë e toskë, myslimanë e të krishterë.( Akademia e Shkencave, Historia e Popullit Shqiptar, vëll II, Toena, Tiranë: 2002, fq.  392.)

Vendin kryesor në punimet e Kongresit e zuri çështja e caktimit të një alfabeti të përbashkët për të gjithë shqiptarët.Gjatë diskutimeve të zhvilluara pjesa më e madhe shfaqi mendimin se alfabeti që duhej të vendosej duhej të kishte si bazë shkronjat latine.Alfabeti latin shihej nga shumë përfaqësues liberalë si mënyrë për ti bashkuar shqiptarët dhe që do t’i bënte më të ndërgjegjshëm ata për trashëgiminë e tyre.( Miranda Vickers, Midis Serbëve dhe Shqiptarëve, Toena, Tiranë: 2004, fq. 92.)

Edhe Mid’had Frashëri ishte për një alfabet latin. Pas diskutimeve të shumta, lidhur me alfabetin, u krijua edhe një komision prej 11 vetësh, me patër Gjergj Fishtën si kryetar (Peter Bartl, Myslimanët shqiptarë në lëvizjen për pavarsinë kombëtare (1878-1912), Dituria, Tiranë: 2006, fq. 201), i cili nuk arriti të konklundonte në një përfundim për njësimin e alfabetit.Vendimi kryesor i Kongresit ishte miratimi i dy alfabeteve: ai i Stambollit dhe i alfabetit të përbërë vetëm me shkronja latine.

Vendimi për të përdorur bashkarisht dy alfabete u mor për të mos shkaktuar përçarje në rradhët e delegatëve dhe të shqiptarëve në përgjithësi. Kongresi ndonëse nuk caktoi një alfabet të vetëm ishte një hap i rëndësishëm përpara në rrugën e zgjidhjes përfundimtare të çështjes së alfabetit dhe ushtroi një ndikim të fuqishëm në bashkimin politik dhe përparimin e mëtejshëm kulturor të popullit shqiptar. Atë që nuk e çoi dot deri në fund Kongresi i Manastirit, e zgjidhi përfundimisht vetë jeta e popullit shqiptar. Alfabeti latin duke qënë homogjen  e më i lehtë e praktik për shtyp, u përhap gjithnjë e më shumë dhe nga fundi i Luftës së Parë Botërore u bë alfabeti i përbashkët e i vetëm për të gjithë shqiptarët. Ai miratoi edhe një program kombëtar prej 18 pikash, që përmbante kërkesa me karakter politik, ekonomik dhe kulturor. Kërkesa të tilla ishin njohja zyrtarisht e kombësisë shqiptare dhe e gjuhës shqipe, përhapja e arsimit në Shqipëri, krijimi i një universiteti etj.Kongresi i Manastirit për çështjet që diskutoi e zgjidhi vlerësohet me të drejtë si kuvendi më i rëndësishëm kombëtar në historinë politike e kulturore të shqiptarëve në fillim të shekullit  XX dhe Kongresi kombëtar që i hapi udhën evropianizimit të Shqipërisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok