23/11/2024

KONGRESI I  LUSHNJËS

0

Më 21 janar 1920 nisi punimet Kongresi Kombëtar i Lushnjës, i cili miratoi Aktin Kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë dhe të shtetit shqiptar, si edhe zgjodhi Këshillin e Lartë prej 4 vetash, regjencën, që do të kryente funksionet e kryetarit të shtetit dhe  Këshillin Kombëtar me 37 vetësh, në funksion të parlamentit. Kryetar i Kongresit u zgjodh Aqif  Pashë Elbasani. Kongresi formoi qeverinë demokratike me kryeministër Sulejman Delvinën. Kongresi i Lushnjës me vendimet e tij kombëtare i hapi rrugën Luftës çlirimtare te Vlorës dhe themelimit tw shtetit shqiptar të lirë, të pavarur dhe demokratik.

Me këtë rast, po ju dërgoj një shkrim të thuktë të Mid’hat Frashërit për Kongresin e Lushnjës, nxjerrë nga studimi i tij “Probleme të Shqipërisë Indipendente”.

Uran Butka

KONGRESI I  LUSHNJËS

Nga Mid’hat Frashëri

Situata kishte ardhur në atë pikë fort të vështirë, kur brenda në Shqipëri, prej vetë shqiptarëve, bash nga ana e atyre drejtpërdrejt të interesuar, po përgatitej një ngjarje që do të ndryshonte rrjedhën e punëve brenda në vend dhe do të krijonte një korrent të ri në opinionin politik të botës, duke vënë lakuriq aspiratat e shqiptarëve.

Në të marrë fund të luftës, ishte parë agimi i një kohe të re: okupimet e huaja kishin qenë përndryshe edhe një ilaç i çmueshëm për të formuar ndërgjegjen kombiare; me disiplinën dhe rregullin relativ që kishin prurë sundimet ushtarake, ishte zhdukur edhe dufi i pasioneve, i rivaliteteve personale; ishte ngritur gjer në një shkallë lëngata-fort e vjetër, për fat të keq, e regjionalizmës Këto të mira, në mos me rrënjë të thella, të paktën në sipërfaqe dhe në dukje, kishin ardhur prej kushteve të reja që kishte prurë më tepër se nga çdo tjatër administrata austriake, që kishte stabilizuar autoritetin, kishte shtrënguar botën të punojë dhe të hajë bukën me djersën e ballit dhe kishte krijuar një burokraci thjesht shqiptare, duke shtuar në një mënyrë të çuditshme numurin e shkollave fillore. Këto situata të reja ishin të volitshme për zhvillimin e ideve kombiare, ide, dëshirë dhe vullnet që ishin bukur manifestuar para dhe në kohën që u mblodh Kongresi i Durrësit, kur u formua qeveria provizore.

Shpresat e vëna në qeverinë dhe në dërgatën, që vajti të ankohej përpara konferencës, nuk mbushën premtimet dhe shpejt erdhi një moskënaqësi e shtuar akoma më tepër, kur politika e një mandati italian mbi Shqipërinë dhe projekti i një komisari po merrnin një karakter praktik, tërë duke u konfirmuar dhe me marrëveshjen e re Tittoni-Venizelo: këto janë shtytkat prej të cilave dolli manifestimi kombiar i madh i njohur nën emrin Kongresi i Luslmjës (28-31 janar 1920).

Kongresi i Lushnjes do të kishte efektin e thellë të theksojë në aspiratat e kombit idenë e indipendencës absolute dhe të integritetit të vendit, duke u dhënë të kuptonin edhe të huajve, botës politike, se vendi punon pas parimeve të kombësisë, duke u mbështetur mbi të drejtat e tij pa qënë vegël e ndonjë pushteti të huaj. Mund të thuhet se që nga Lidhja e Prizrenit, ishte manifestimi i parë me një rëndësi fare të veçantë për këtë popull, e një punimi të bërë me fuqinë që buronte vetëm prej trupit të tij.

Vendimet e Lushnjës kishin dy detyra: 1- të realizonin brenda në Shqipëri një qeveri thjesht kombiare për të gjithë vëndin. 2-të mbahej një atitudë gjithashtu kombiare dhe larg çdo dyshimi përpara konferencës; të dy punët aq të rënda, njëra sa dhe tjatra.

Do të kujtojmë këtu se kur u mbështollën të pesëdhjetë përfaqësuësit në qytetin e vogël të Myzeqesë, vendi gjendej nën okupatën efektive, aq ushtërore sa edhe civile të Italisë, sidomos nga Vjosa e në kufi të Greqisë: Shkodra ishte nën një sundim internacional (francez, englez, italian) dhe Korça gjendej nën një administratë franceze; megjithëkëtë, pa asnjë përjashtim, të gjitha viset kishin çuar delegatë, ishin bashkuar në politikë dhe në vullnet.

Realizimi i pikës së dytë të programit lypte një durim dhe hollësi veprimi, me qenë indipendentë prej dëshirës së atyre direkt të interesuar në punë. Por zbatimi i pjesës së parë varej drejtpërdrejt nga aktiviteti që do të zhvillonte vetë populli, prej besimit që do të inspironte regjimi i ri, ky regjim i inauguruar në kondita kaq të vështira .

Marrja në dorëzim e Shkodrës (25 mars 1920) qe i pari sukses politik, bashkë me të dhe një shënjë simpatie e dhënë prej Fuqive të Mëdha. Ishte dhe shkalla e parë për grupimin e copëve të ndryshme të mëmëdheut rreth një autoriteti të vetëm. Të marrët e Gjinokastrës (27 prill), të lëshuarit e Korçës prej francezëve (I5 maj) dhe të bashkuarit e saj në një mënyrë paqësore, plotësoi edhe njëherë suksesin e qeverisë së re, shtoi besimin e saj dhe ngjalli akoma një herë vullnetin e kombit, i cili kurorëzoi veprën e nisur në Lushnje duke mbajtur tre muaj me radhë një përpjekje të ashpër në Tepelenë dhe Vlorë dhe duke parë që (më 17 gusht 1920) ky qytet dhe gjithë pikat e Shqipërisë të zbrazeshin prej çdo ushtrie, prej çdo administrate të huaj.

Kjo pemë s’ ishte arrirë pa vështirësi dhe pa rreziqe të panumurta. Sforcimi i zhvilluar ishte një send titanik kur barazohet me mjetet që dispononte kombi. qeveria dhe shteti i ri: pa organizim, pa ushtri, pa polici as gjindarmëri, pa një ovull në arkë, i ndarë nga bota e qytetëruar, se udhët ishin prerë prej qeverive pak simpatike, rrethuar prej tre fqinjve aspak të favorshëm dhe më tepër akoma, të zvjerdhur prej çdo mbështetjeje morale. pa ndonjë ndihmë reale ose të paktën, simpati efektive diplomatike. Duke marrë në konsideratë këto rrethana, mund të thuhet se vepra e mbaruar në motin 1920 prej shqiptarëve është prej atyreve që s ‘kanë shëmbuj të shumtë.

Edhe kjo energji e dëftyer shfaqet në një formë akoma më kolosale në kujtofshim se kur zhvilloheshin ato përpjekje me ndalimet që ishin ngrehur prej të huajve, një vështirësi jo më pak importente ndezi një flakë të shkurtër brenda në gji të popullit: rreth Tiranës një lëvizje esadiste, një reaksion i vërtetë sërish po ngrinte krye (qershor 1920) duke shpikur një rrezik të tmerrshëm për të lindurin e ri dhe më tepër për prestigjin e tij. Me urtësi të madhe qeveria diti të ndalojë çdo krisje armësh dhe qetësoi nervozitetin duke dërguar një komision pranë Esadit në Paris. Zhdukja e këtij monstre pak javë më vonë, duke thyer idolin e tyre, theu edhe hovin e atyre që vazhdonin të ushqeheshin me ide tradhëtore dhe fanatike, të atyre që kujtonin se lumturia mund të ngrihet mbi çrregullsi, mbi punime arbitrare të influencave personale duke mohuar hamoninë që sjell një autoritet legal dhe kombiar.

Por, në qoftë se fuqia e lindur nga mbledhja e Lushnjës regjistroi në aktiv të saj një nga një kaq fitime dhe nderime,  bash kur vendi kishte nevojë për gjithë fuqitë e tij, kur zhvilloheshin përpjekjet në Vlorë, një vështirësi e madhe. me rrënime dhe gjakderdhje krijohej nga ana e serbëve në veri dhe veri-lindje të Shqipërisë: serbët kishin zënë vend fort më brenda vijës së caktuar më 1913, kështu që kufijtë e njohura në Londër, akoma s’ishin liruar të gjitha dhe kjo situatë përgatiste një vuajtje dhe lëngatë të madhe.

*

Të dy vitet, 1919 dhe 1920, brenda në Shqipëri dhe përpara Konferencës së Paqës, qenë një luftim i paprerë kundër Traktatit të Fshehtë të Londrës, kundër copëtimit të Shqipërisë. Kongresi i Lushnjës dhe përpjekjet e gjakta të Vlorës kurorëzuan veprën patriotike duke proklamuar botërisht dhe me bujë vullnetin e kombit. Këto gjeste zgjidhën në një mënyrë definitive çështjen, duke siguruar triumfin e dy parimeve: indipendencën politike dhe integritetin tokësor. Pas atyre ngjarjeve Konferenca e Paqës më nuk guxoi të vërë në bisedim cënimin e këtyre dy të drejtave.

Por efekti më i madh i luftimeve do të ishte për psikologjinë e brendshme tè popullit, për dinjitetin dhe karakterin e tij. Më 1912 ishte shfaqur tek shqiptarët një besim i rrezikshëm dhe fort i dëmshëm, sipas së cilit Shqipërinë s’e bënë shqiptarët, po e bëri Evropa. Ky mentalitet kishte për rezultat fatal një aparati, një mefshtësi dhe një moskujdesje. Meqenëse na bënë të huajt, atëhere ne më s’na binte ndonjë barrë, ndonjë detyrë. Logjika, vërtetë një logjikë e shtrembër, e donte që, kush e bëri, kush u bë shkak të bëhet, ay le të përpiqet ta kërrejë në krye! Gjykim i vdekshëm që vret dhe shkatërron çdo  përgjegjësi për një komb. Kurse tani, më 1920, Shqipëria u bë, u krijua, u gatua jo vetëm prej vetë shqiptarëve, por edhe kundër Evropës, kundër gjithë pushteteve dhe kombeve të mbështjella rreth Konferencës së Paqes. Punën e bënë vetë shqiptarët, kundër keqdashjes së të tjerëve, pa asnjë ndihmë syresh, as edhe makar  një simpati nuk vonoi të vinte, kur pa bota se shqiptari përqipej për veten e tij, me fuqinë dhe mjetet e veta. Një ngjarje e tillë ka një rëndësi të madhe për historinë e një kombi. Ekzerson një veprim, influencon gjithë jetën e tij. Është një kandil: ndrit dhe duhet të ndriçojë kurdoherë që gjendet në errësirë dhe në të keqe, në çdo kohë dhe në çdo rasje. Të mbajturit mend të akteve të mëdha të patriotizmës është një lumturi si edhe një detyrë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok