Konformizmi
Nga Ndue Ukaj
Një prej problemeve më tragjike të shoqërisë sonë, është konformizmi, që vjen si pasojë e zvetnimit të ndërgjegjës – mungesës së brerjes së ndërgjegjës ose tkurrjes së saj te disa nevoja bazike, sa për bark e për pak dukje.
Prandaj, ndodh shpesh që duket ves të flasësh e të angazhohesh për tema që lidhen me të vërtetën, të cilën, me gjasë e urejmë si djalli temjanin.
Kur e sheh sa pak interesa e shqetësime të vërteta intelektuale, etike e estetike trajtohen ndër ne, atëherë e kupton se konformizmi e ka ngritë flamurin e ngadhënjimit dhe valvit mbi çdo interes tjetër.
Shkrimtari i talentuar italian, Dino Buzzati, te tregim “Fjala e ndaluar” e paraqet këtë krizë njerëzore në një dimension universal, me një fuqi goditëse për secilën shoqëri, që së paku, ta bëjë të mendojë për diçka më sublime se nevojat e barkut e të dukjes:
“Çfarë të pengon atëherë? Ndërgjegjja? Parandjenja e brerjes?
-Oh, ndërgjegjja! I gjori babaqemo. Po, për shumë shekuj ndërgjegjja u ka bërë njerëzve shërbime të paçmueshme, megjithatë, edhe asaj i është dashur t’u përshtatet kohërave, tani është shndërruar në diçka që i përngjan vetëm vagëllimthi, në diçka më të thjeshtë, më standard, me të qetë, do të thosha, shumë më pak angazhuese dhe tragjike.
-Sikur të shpjegoheshe më mirë…
Një përkufizim shkencor na mungon. Rëndom quhet konformizëm. Është paqja e atij që ndjehet në harmoni me masën, që e rrethon. Ose është shqetësimi, halli, parehatia, sikleti, turbullimi i atij që largohet nga norma.”