03/12/2024

Konflikti rus në Ukrainë, Konferenca e Mynihut dhe ne shqiptarët!

0
Enver-Bytyci

Nga Enver Bytyçi

Prej vitit 1963 e deri më sot Konferenca e Sigurisë së Mynihut në Bavari të Gjermanisë ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm jo vetëm për të formuluar politikat e jashtme dhe të sigurisë në Europë dhe në botë, por edhe për të afruar qëndrimet dhe zbutur klimën e konfliktit. Në këtë kuptim mund të themi se kjo konferencë i ka paraprirë diplomacisë preventive të konflikteve në shumë, duke bërë të mundur ruajtjen e ekuilibrave në kontinent dhe në të gjithë globin.

Qeveria gjermane, SHBA-të dhe Aleanca Atlantike kanë dhënë përmes kësaj konference një shembull dhe një kontribut të jashtëzakonshëm për ruajtjen e rendit, të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në botë. Konferenca, si kjo e Mynihut, me jetëgjatësi prej gati 60 vite dhe me ndikim kaq të madh, u bë modeli, të cilin bota nuk kishte parë në historinë e saj.

Këto ditë Konferenca e Mynihut po zhvillon punimet e saj të radhës, pas një pauze dy vjeçare për shkak të pandemisë. Tema kryesore e saj është konflikti në Ukrainë. Presidenti rus, Vladimir Putin, ka grumbulluar në kufirin me Ukrainën mbi 150 mijë trupa ushtarake dhe ka mobilizuar në këtë rajon shumicën e arsenalit ushtarak të Rusisë, përfshirë dhe raketat bërthamore. Ai vetë së bashku me presidentin e Bjellorusisë, Lukashenko, ndjekin nga afër stërvitjen e madhe në territorin e të dy shteteve (Rusi dhe Bjellorusi) , pas së cilës udhëheqësit perendimorë shohin dhe ndjejnë një invazion ushtarak kundër shtetit të Ukrainës.

Liderët perendimorë, përfshirë presidentin amerikan, Biden, kryeministrin britanik, Johnson, e të tjerë thonë se sulmi i Kremlinit kundër pavarësisë dhe integritetit territorial të Ukrainës është çeshtje ditësh. Ministrat e Jashtëm të BE-së konsultohen sot për masat që do të merren në rast të një sulmi rus. Presidenti ukrainas, Selenskyj, foli në Konferencën e Mynihut dhe tha se “ne do ta mbrojmë Ukrainën në rast agresioni, pavarësisht nga rrethanat apo nga ajo nëse ne do të duhet të luftojmë të vetëm apo jo”!  Ndërsa Olaf Scholz, Emmanuel Macron dhe të tjerë liderë europianë besojnë ende në një zgjidhje diplomatike të konfliktit.

Çfarë po ndodh realisht në konfliktin ruso-ukrainas. Për më saktë në tentativën e radhës të Moskës për të zgjeruar territorin e shtetit rus?! Pavarësisht marërveshjes ndërkombëtare të nënshkruar nga Rusia dhe të depozituar në OKB për garantimin e sovranitetit të Ukrainës, Vladimir Putin ka vendosur që përmes një agresioni kudër Ukrainës të rikthejë gjeopolitikën e periudhës së ish-Bashkimit Sovjetik. Presidenti rus e ka bërë me kohë të qartë faktin se ai nuk pajtohet me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe me faktin siç thotë ai se “40 përqind e territoreve ruse pas kësaj ndodhen jashtë territorit të Rusisë së sotme”! Në këtë kuadër është përgatit edhe agresioni I radhës kundër Ukrainës. Prandaj dhe në harkun kohor të 6-7 viteve ndërmerr akte të tilla agresioni kundër vendeve fqinjë. (Më 2008 kundër Gjeorgjisë, 2014 kundër Ukrainës në Krime dhe tani kundër vetë shtetit ukrainas).

Çfarë do të ndodhë dhe si do të reagojë bota perendimore ndaj një agresioni të Rusisë kundër Ukrainës, këtë duhet ta shohim në ditët e javët në vijim. Por është fakt se për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore në Europë ndodh një agresion ushtarak kundër një vendi sovran për pushtimin e tij. Nëse bota do ta lejojë këtë, atëherë do të ketë një tronditje të madhe në botë dhe flakët e luftës e të konfliktit do të përhapen kudo. Do të vihet në pikëpyetje sovraniteti i shteteve të shumta në Europë e në të gjithë botën. Një agresion rus për aneksimin qoftë dhe të territoreve lindore e jugore të Ukrainës është preludi i një konflikti të madh botëror.

Ministrja e Jashtme e Britanisë së Madhe tha se mbas Ukrainës në radhë të ekspozuar nga agresioni rus janë vendet balltike si dhe ato të Ballkanit Perendimor. Vladimir Putin kërkon të rikthejë fuqinë ruse të Carëve dhe të bolshevizmit stalinist, me objektiv daljen e tij në Detin Adriatik dhe forcimin e pozicionit të tij në Detin e Veriut, me qëllim që ta kërcënojë Europën me lehtësi dhe ta ketë atë nën diktatin e Rusisë. Kjo është arsyeja pse ai nuk do të ndalet me Ukrainën. Por edhe nëse ndalet në Ukrainë, ai ka hap shtegun e konflikteve të tjera të shumta për pushtime dhe rivendikime nga shtete të tjera.

Nëse pranojmë atë që thotë shefja e diplomacisë angleze, atëherë duhet që politika dhe diplomacia shqiptare të shqetësohet seriozisht. Nga ky këndvështrim duhet rishikuar politika e këtyre tetë-nëntë viteve të Shqipërisë e afrimit, bashkëpunimit dhe aleancës së ngushtë me Serbinë. Pa definuar pozicionin serb në këtë konflikt, nuk mund të vazhdohet me diplomacinë foshnjore të Edi Ramës, me të cilën ai pretendon se Serbia tashmë është “një engjëll paqeje” në rajonin tonë. Ne nuk e dimë se cili do të jetë pozicioni i Serbisë në konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës. Ne kemi mësuar edhe pozicionin e Kinës përmes ministrit të jashtëm të saj, i cili thoshte se “Mbështet sovranitetin e Ukrainës”! Por ende nuk e këmi mësuar poziicionin e Beogradit dhe nëse liderët serbë do të bëjnë një lojë të dyfishtë apo do të mbajnë një qëndrim të vendosur kundër luftës me të cilën Moska e kërcënon kontinentin europian!

Në këto kushte qeveria shqiptare duhet të anullojë me akte jurudike të gjitha nismat pro e me Serbinë, përfshirë dhe iniciativën e Open Balkan! Ndryshe do të kompromentohet pozicioni i shqiptarëve dhe do t’i vihet në ndihmë Beogradit në synimet e tij të ngjajshme me Moskën për gjeopolitikën ballkanike. Ndërkaq qeveria e Kosovës do të duhet që në kushtet e reja të ridimensionojë politikën dhe qëndrimet e saj diplomatike rreth dialogut, me synim krijimin e atmosferës për një trysni më të madhe ndaj Serbisë dhe angazhimit të saj për paqe e siguri në rajon.

Çdo zhvillim i rëndësishëm ndëerkombëtar duhet të shërbejë si indikacion për të përmirësuar projektet politike e qëndrimet tona diplomatike!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok