18/11/2024

KONCEPTI “BOTA SERBE” NUK ËSHTË VEÇSE RIPËRTËRIJE E SERBISË SË MADHE

0

Nga Prof. Xhelal Zejneli

“Bota serbe” është term me të cilin kah mesi i viti 2020 disa intelektualë dhe politikanë serbë aktualizojnë lidhjet e serbëve në Serbi me ata që jetojnë në shtetet përreth. Disa prej mbrojtësve të “Botës serbe” flasin për lidhjen shtetërore të serbëve në një bashkësi shtetërore, kurse disa të tjerë flasin për lidhjen kulturore, ekonomike dhe për ndonjë lidhje tjetër të serbëve në shtetet fqinje – me Serbinë.

Disa autorë  theksojnë ngjashmërinë ndërmjet konceptit të serbizimit dhe “Botës ruse” (rusisht: Русский мир) që e paraqiti në vitin 1999 në artikullin “Bota ruse dhe transnacionaliteti rus” autori Pjotër Shçedrovicki (Pjotr Shchedrovicky). Ky ka qenë konsultues politik i lidhur me Kremlin. Prej vitit 2022, nëpërmjet Shtëpisë botuese „Russkiy Myr”, ky koncept promovohet si projekt zyrtar i Federatës Ruse. Në dhjetëvjeçarët e kaluar koncepti i sipërthënë u shfrytëzua për realizimin e pretendimeve të Rusisë për t’i kontrolluar shoqëritë e shteteve fqinje.

Lidhshmëria e Serbisë së Madhe dhe e Botës serbe – Gjatë viti 2021 Aleksandar Vulini u shndërruan në një nga mbrojtësit kryesorë të konceptit të “Botës serbe”. Në shtetet fqinje, ky koncept shikohet si një Serbi e Madhe e rebradnuar (e ripërtërirë). Në qershor të viti 2021, duke e komentuar konceptin “Bota serbe”, për Serbinë e Madhe Vulini thotë: “Për fat të keq, Serbi të Madhe kurrë s’ka pasur, se po të kishte pasur, do të kishim ditur se ku jetojmë dhe cilat janë hapësirat tona etnike”.

Kah mesi i shtatorit të vitit 1921, kryetari i atëhershëm i Malit të Zi Millo Gjukanoviq (Milo Đukanović, 1962- ) i bëri një vizitë zyrtare Republikës së Kroacisë. Me këtë rast ai deklaroi: “Koncepti i Botës serbe është një eufemizëm për konceptin e vjetër të Serbisë së Madhe, që e përdorin politikanët bashkëkohorë të cilët e udhëheqin Serbinë”.

Deklaratës së Gjukanoviqit iu përgjigj ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme i republikës së Serbisë Aleksandar Vulin. Më 23 shtator 2021, në komunikatën e publikuar në faqet zyrtare të asaj Ministrie, Vulini thotë: “Bota serbe është ide e bashkimit politik të serbëve dhe ka ekzistuar shekuj para meje; posaçërisht ka qenë e popullarizuar në Mal të Zi, ç’është e vërteta, para se disa serbë ta kishin zbuluar se na qenkëshin malazias… Ai që e ka njohur shtetin e rrejshëm të Kosovës nuk ka të drejtë të flasë për pacenueshmërinë e kufijve dhe duhet të jetë i gatshëm t’i pranojë pasojat e vendimeve të veta. Parimi i pacenueshmërisë së kufijve duhet të fillojë nga Serbia”.

Historiani serb Aleksandar Rakoviq (1972- ) thotë: “Sipas modelit të Aleksandar Vulinit, me Botën serbe nënkuptohet në të vërtetë ndërlidhja shtetërore e serbëve”, d.m.th. të gjithë serbët, kudo qofshin në rajon, të jetojnë në një shtet, në Serbi, në Serbi të Madhe.

Serbia edhe sot është e madhe ngase i ka me vete dhe nën vete: Kosovën Lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë); Sanxhakun e banuar me boshnjakë; dhe Vojvodinën të banuar nga 26 bashkësi dhe grupe etnike, siç janë hungarezët dhe të tjerë.

Sikundër shihet, Aleksandar Vulini, tanimë i shpallur person i padëshiruar në ShBA, iu kanos Millo Gjukanoviqit. Nga dhjetori i viti 2022, ky njeri e ushtron funksionin e drejtorit të Agjencisë Informative të Sigurisë. Ç’njerëz e udhëheqin Serbinë! Si e lejojnë Uashingtoni, Berlini, Londra dhe Parisi që në një pjesë të Evropës demokratike të ketë politikanë me ide mesjetare!

Profesori i Institutit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Universitetit John Hopkins, Daniel Server (Daniel Serwer, 1945- ), në vitin 2021, konceptin e Botës serbe e quan “version i nxehur i Serbisë së Madhe”, ku qarqet udhëheqëse të Serbisë, synojnë të arrijnë – tani për tani pa dhunë – bashkimin e Serbisë me territore të ndryshme të banuara me serbë etnikë në vendet fqinje, duke u bazuar në mbështetjen e rëndësishme të Rusisë. Shtetet fqinje kurrë s’do ta pranonin një pretendim të tillë. Koncepti i sipërthënë paraqet kanosje serioze për paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon.

Shënim: Aleksandar Vulini (1972- ) është politikan serb, jurist, gazetar, ish-deputet në Kuvendin e Serbisë, ish-ministër i Mbrojtjes, ish-drejtor i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën dhe Metohinë në qeverinë e Serbisë, ish-ministër i punës, i punësimeve, i çështjes së luftëtarëve dhe i punëve sociale nga viti 2014; ish-ministër i Punëve të Brendshme. Karrierën politike e fillon në Lidhje e Komunistëve-Lëvizja për Jugosllavinë. Është një prej themeluesve të së Majtës Jugosllave. Në vitin 2000 formon Partinë e të Majtës Demokratike. Në vitin 2002, me Partinë Socialiste Demokratike të Millorad Vuçeliqit (1948- ) hyn në anëtarësinë kolektive të Partisë Socialiste të Serbisë, nga e cila, në vitin 2006 tërhiqet. Në vitin 2014 Vulini emërohet nga qeveria serbe kryetar i Këshillit për avancimin e pozitës së romëve. Në vitet 2020-2022 ka qenë ministër i Punëve të Brendshme. Nga dhjetori i viti 2022 ushtron funksionin e drejtorit të Agjencisë Informative të Sigurisë. Është i afërt me Vlladimir Putinin (1952- ). Uashingtoni e shpalli person të padëshiruar.

Në prill të viti 2016, Qeveria e Kroacisë ia ndaloi hyrjen në territorin kroat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok