10/11/2024

Komiteti ‘Mbrojtja Kombëtare e Kosovës dhe Isuf Veseli

0

Kadri Tarelli shkruan:

KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS”

dhe Isuf Veseli

Një ftesë e ardhur nga Kosova, se në Pejë, në ditën e parë të dhjetorit 2018, në sallën e Teatrit “Isuf Gërvalla”, sot “Ismet Begolli”, do të përkujtohet 100-vjetori i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, i ngritur në qytetin e Shkodrës, në ditët e para të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, në nëntor 1918. Ideator i përfshirjes në këtë festë, edhe i një grupi nga Durrësi, është Rasim Zeka, me rrënjë e degë nga Peja, si nip i Isuf Veselit, dikur një ndër anëtarët e atij Komitetit. Veç Rasimit, i cili në këtë rast shërbente edhe si shoferi ynë, në përbërje të grupit ishte Vaso Papaj, Naim Kërçuku, Kadri Tarelli dhe Agim Bajrami. Unë kisha përgatitur temën: Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, dhe Isuf Veseli, ndërsa Agimi, një elegji kushtuar luftëtarrit Isuf Veseli.

Pengesat në pikën doganore në Kukës, na detyruan të mbërrijmë në Pejë pak me vonesë, ndërsa kuvendi, (ose akademi siç i quajnë kosovarët të tilla takime), kishte pak minuta që kishte nisur. Akademik Frashër Demaj, Prof. Dr. Isa Bicaj, Dr. Naser Rugova, i cili është edhe deputet i kuvendit të Kosovës dhe Gani Veselaj, mbajtën kumtesa me mjaft cilësi shkrimi dhe mbështetje mbi dokumente historike, mbi ngjarjet e 100-vjetëve të shkuar, lidhur me Komitetin “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dhe shpërthimin e rezistencës së armatosur në Pejë dhe rrethinat e saj. Në fjalën e tyre, hero i luftës nuk ishte vetëm Isuf Veseli (Demaj), por i gjithë populli i kësaj zone, që shquhet për trimëri dhe shqiptari.

Pas këtij kuvendi të suksesshëm, u mirëpritëm në drekën e shtruar në Radavc (më bukur tingëllon “Kryedrin”), në Burimin e Drinit të Bardhë, pika turistike më e vizitueshme nga turistët e huaj dhe shqiptarët e dy anëve të kufirit. Në drekë, pasi u bë edhe një herë njohja jonë, biseda rrodhi lirshëm si vëllezër të një gjaku, që historia na la të ndarë aq mizorisht. Unë i dhurova Akademikut Frashër Demaj dhe Dr. Naser Rugova, librin tim “Kur lexoj një libër”, me kritika, intervista, opinione dhe reportazhe, ndërsa poet Agimi recitoi elegjinë kushtuar Isuf Veselit, më pas edhe poezinë time “Kënga e Bilbilit”, të cilat u duartrokitën dhe për interpretimin artistik. Një kafe pranë zjarrit, në shtëpinë e Rasimit në fshatin Novosellë, na kënaqi së tepërmi.

Në fjalën time, unë përmbledhtas kisha parasysh kohën e krijimit të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dhe veprimtarinë e Isuf Veselit, si anëtar i tij. M’u desh të përpiqem shumë për të gjetur material të shkruar, pasi në dorë kisha vetëm një foto të pjesëtarëve të Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës, ku shkruhet edhe emri i Isuf Veselit (dokument i rëndësishëm, që flet shumë, por jo plotësisht).

Rilexova edhe një herë tekstet e historisë së Universitetit të Tiranës, disa monografi, si “Bajram Curri” të Skënder Drinit, “Hasan Prishtina”, të Prof. Dr. Muhamet Pirraku, “Niman Ferizi”. Pishtar i arsimit shqip. Monografi nga Shevqet Canhasi. Vazhdoj më tej: “KOSOVA” vështrim monografik. Botim i Akademisë së Shkencave dhe arteve të Kosovës, Prishtinë 2011. Më pas edhe librin “Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, (përmbledhje kumtesash). Tiranë, 2004.Mos të themi edhe tekstet e historisë të shkollave të Mesme dhe 9-vjeçare në Republikën e Shqipërisë. Çuditërisht nuk jepet përbërja e Komitetit, vetëm përmenden dy ose tre drejtues të njohur, ose asnjëri prej tyre.

Të gjitha më shtyjnë të bëj pyetjen: Pse? Ç’është kjo, mos dije apo autcensurë, kur bëhet fjalë për studime drejt për drejt të temës përkatëse? Përgjigjen le ta japin autorët, pasi unë e gjeta zgjidhjen në disa shkrime në internet, ku flitej gjerë e gjatë, për krijimin dhe programin e kësaj organizate politike mbarëkombëtare, ku përmendet edhe përbërja e plotë e komitetit.

Ja si shkruan Dr. Jahja Llukaj:

Portali VOAl. Nëntor 06, 2018.

Pas një debati tri orësh, Komiteti. MKK do të ketë këtë përbërje: Hoxha Kadri Prishtina (kryetar), Hysni Curri (nënkryetar), Halim Gostivari (nënkryetar) dhe Bedri Pejani (sekretar). Anëtarë u zgjodhën: Sali Gjuka, Isuf Veseli, Sadik Ramë Deçani, Neshi Hoxhë Sadiku, Avdush Kastrati, Jahja Begolli, Hamdi Zajmi, Niman Ferizi, Rrok Perolli, Tahir Zajmi, Kahreman Begolli dhe Ibrahim Gjakova-Çaushi. Anëtarët e nderit ishin: Hasan Prishtina (mungonte në takim sepse ishte në Vjenë bashkë me 36 prijës shqiptarë, për të vizituar familjen e Franc Jozefit, që kishte vdekur kohë më parë), Bajram Curri, Mehmet Delia, Azem Bejta, Naxhip Draga, Aqif Blyta, Ramë Vllasa, Ilaz Raçaku, Nak Berisha, Dan Doroci.

Siç nënvizova më lart, mes anëtarëve të komitetit është edhe Isuf Veseli, për të cilin kanë shkruar edhe të tjerët:

Dr. Muhamet Shatri, në kumtesën e tij shkruan:

Bardh Isuf Gashi, bashkë me Isuf Veselin e Kryedrinit (Radavci), e me shumë burra të Podgurit, luftoi me heroizëm kundër ushtrive pushtuese serbo-malazeze. Libri “Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, “përmbledhje kumtesash). Tiranë, 2004. Faqe. 170-171. Botuar nga Akademia e shkencave e Shqipërisë. Instituti i Historisë – Tiranë. Instituti i historisë – Prishtinë.

Bajram Halil Gashi, në librin e tij “Ah Shqipni… mos thuj mbarova!”, kushtuar legjendës së folklorit shqiptar, Dervish Shaqa, Demush Neziri dhe grupi kosovar, ku pasi vendos fotografinë, të cilën e ndeshim gati në të gjitha shkrimet dhe botimet, kushtuar Komitetit MKK, kur shkruan për odën e burrave, thotë:

Isuf Veseli është nga Radavci i Komunës së Pejës. Ishte bashkëluftëtar me Haxhi Zekën. Të dy këta luftëtarë ishin tmerri i Turqisë dhe për shovinistët serb. Ai ishte dënuar me vdekje nga Turqia. Pjestarë të kësaj familje: djali Vesel Beka, vëllai Mehmet Veseli, ishin internuar në Turqi për veprimtari kombëtare.

Haxhi Zeka, selinë e tij e kishte në kullën e Isufit. Aty u bënë shumë kuvende, besatime e tubime, besëlidhje e pajtim gjaqesh. Të gjitha lëvizjet patriotike gjatë atyre viteve, zanafillën e kishin në kullën e Isuf Veselit.

Një ngjarje e ruajtur në gojdhana: Tek po rruhej, Haxhi Zeka po i thotë Isufit:“Isuf! Shkijet, s’don me ma lan vendin kund, po don me më vra. Në më vrafshin, qe besa, Kosova mbet’ nën Serbi. Edhe në u çlirofshi, e serbin kojshi, bythën rehat prej Serbije, s’keni me e ba”.

Ushtria serbe kishte pësuar disfatë në vendkalimin e Xhlepit. Luftëtarët shqiptar, me në krye Isuf Veselin, kishin ba kërdinë në serb. Pas kësaj disfate, pushtuesi serb, nën komandën e Velashkoviçit, për hakmarrje kërkon kokën e Isufit, por ai jo vetëm e shpërfill, por edhe e kërcënon, duke i dërguar ultimatumin, se “Lufta kundër teje ende s’ka fillue”. Për pasojë të qëndrimit dhe të kundërshtimit, fillojnë bombardimet e kullës me gjyle topi. Kulla shkatërrohet tërësisht deri në themel, duke i vënë zjarrin dhe duke lënë në qiell të hapur dhjetra familjarë të familjes së madhe të shtëpisë “Veseli”.

Isuf Veseli vdes në vitin 1936, por shtëpia e madhe pati plot burra të vyer. Aktiviteti i tij atdhetar, u vazhdua nga pasardhësit e tij, Muzli Veseli. Haki Veseli, Shaban Veseli, etj, etj.

Kur përmenden këta heronj të mendjes, pushkës dhe shqiptarizmës, mendoj: Cilido nga ne nuk do ta kishte lakmi, që t’i kujtohej emri dhe vepra edhe mbas 100-vjetësh, siç solla këtu, diçka nga jeta dhe vepra e Isuf Veselit.

Historia e shqiptarëve na mëson, se lufta, gjaku dhe përpjekjet qindra-vjeçare të atdhetarëve, të përkushtuar për komb e flamur, solli përmbushjen e gjysmës së detyrës dhe dëshirës: Çlirimin e Kosovës. Ndërsa brezat, do ta përmbushin ëndrrën: bashkimin e Kombit.

Në mbyllje, po kujtoj porosinë e Bedri Pejanit, që tingëllon sikur po na thuhet sot: “Mosni djema! Nuk zgjidhet çështja shqiptare në bashkëpunim me serbo-sllavët”.

Kadri Tarelli

Pejë, më: 01. Dhjetor, 2018.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok