29/12/2024

KOLONEL FUAT DIBRA- KOSOVË E SHQIPËRI JEMI NJË

0
Sabile-Basha

T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

(1895- e pushkatuan më 9 tetor 1946)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Koloneli atdhetar Fuad Dibra u lind në Dibër të Madhe më 1895, nga babai Xhafer Dibra. Familja e Fuatit ishte një familje mesatarisht e kamur. Pasi kishte përfundua shkollën fillore në vendlindje, kishte vazhduar kursin e oficerëve po ashtu në Tiranë. Pas përfundimit të shkollës punoi në shumë vende të atdheut si oficer ushtarak. Ndërsa në fillim të vitit 1944 u caktua komandant i Regjimentit të IV të Sektorit të Kosovës, me seli në Prishtinë. Me detyrën e komandantit mori pjesë në luftimet për mbrojtjen e trojeve etnike shqiptare nga bandat çetnike e partizane serbe, bullgare e malazeze. Në tubimin e organizuar nga Halim Spahija , më 26 qershor 1944, në Prizren, ku formohej Shtabi i Përgjithshëm Ushtarak për Mbrojtjen e Trojeve Etnike Shqiptare, koloneli Fuad Dibra avancohet në gradën e gjeneral majorit të Ushtrisë Shqiptare dhe caktohet që të organizoj mbrojtjen e vijës kufitare: Dibër- Manastir- Shkup.

Shtabi i Përgjithëshëm Ushtarak të Mbrojtjes të Tokave Etnike Shqiptare përbëhej nga:

  1. Komandanti Suprem: gjeneral Qazim Komoni dhe
  2. Anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë për Mbrojtjen e Tokave Etnike Shqiptare;
  3. Gjeneralmajori Fuad Dibra ishte përgjegjës për mbrojtjen e vijës kufitare: Dibër-Manastir- Shkup;
  4. Major Shefqet Kapiteni, emërohet të mbroj vijën kufitare Shkup- Kumanovë;
  5. Gjeneralmajori Jahja Fusha, do të emrohet që të mbroj vijën kufitare: Kumanovë- Vranjë- Topallë- Merdar- Prepallac- Kopaonik;
  6. Majori Adem Voca, emërohet që të mbroj vijën kufitare Kopaonik-Jeni Pazar
  7. Profesor Ymer Berisha, caktohet që të mbroj vijën kufitare Jeni Pazar- Tivar.

Gjatë mbrojtjes së kufirit komandant i Regjimentit IV të Prishtinës, i cili me zotsinë dhe me mjeshtrin e një drejtuesi të përsosur, kishte detyrua shumë herë që të ikin Brigadat e Divizionet e armikut. Madje në vjeshtën e vitit 1944, kur lufta kishte hy në fazën përfundimtare, në rast të një sulmi kundër forcave nacionaliste në sektorin e Podujevës, ishin shkatërruar tri Divizione bullgare të motorizuara, të udhëhequra nga komunistët. Edhe nga ana e ushtarëve vullnetar, viktimat nuk ishin të pakta. Në këtë luftë të përgjakshme në grykat e Podjevës, duhet përmendur se kishin marr pjesë edhe grat trimëresha, nga këto anë.

Në fakt aktiviteti i nacionalistëve shqiptarë të Luginës së Preshevës kishte nisur qysh në fillim të gushtit të vitit 1944 kur situatat tregonin se kapitullimi i Bullgarisë pritej nga dita në ditë. Madje rreth riorganizimit të mbrojtjes së këtyre trevave më 1 shtator 1944 në Gjilan ishte mbajtur një mbledhje e krerëve nacionalistë shqiptarë. Me gjithë kundërshtimet që u hasën, në këtë takim u vendos që trevat shqiptare të mbroheshin nga depërtimi i forcave komuniste jugosllave. Më 4 shtator 1944 po ashtu u mbajt edhe një mbledhje e parisë nacionaliste shqiptare në Budrikë, komuna e Gjilanit.

Pasi se kufijtë e Preshevës e Kumanovës , nuk mund të përfshiheshin brenda strategjisë së komandës s ‘operacioneve të Kosovës, e drejtuar nga Kolonel Fuat Dibra, ata nuk i ndalnin luftimet nga vullnetarët e vendit, të armatosur kryesisht me sëpata e kmesa, se sa me armë lufte, të cilat u-a marrshin shpesh herë partizanëve që iknin nga fronti i luftës, dhe kështu morali i luftëtarëve shqiptar forcohej e përtërihej për të vazhdua qëndresën. Mbas shumë luftërash e përpjekjesh të përgjakshme që kanë përfundua me dështimin e Bullgarëve të bashkuam edhe me serbët e vendit, në rrethe të Preshevës dhe të Kumanovës, në ditët e mbarma të Tetorit 1944, fuqitë bullgare kanë pushtua katundin Sopot të Kumanovës, ku kanë pushkatua 68 shqiptarë mu para xhamisë s ‘katundit. Në përpjekjet që kenë zhvillua me bullgarët, patën mbete të vrarë Xhafer Maka dhe Musa Tafa me disa të tjerë nga Kumanova. E, edhe Presheva, mbas luftimeve që kanë vazhdua ç ‘prej 9 Shtatorë e deri me 14 Nëntor 1944, bije në dorë të Bullgarëve dhe partizanëve Serbo-Maqedonas që kanë pushkatua një numër prej 500-600 shqiptarësh, ndër të cilët Komandanti i vullnetarëve të katundit, Tefik Asllani nga Rahovica, Alke Norca, Ajet Rainca, Jakup Zhunica, Adem Kamberi, Kryetar i Bashkis, Hafiz Jusuf Haliti, etj. Megjithëse larg e pa kontakte e marrëdhënie direkte, lidhja shpirtërorë e popullit të Preshevës me nënën Shqipëri qe shumë e fortë dhe përzemërt, arsye për të cilën u-quejt dhe mbetë për t’u kujtue si : kohë Shqipnijet…

Për me vërtetua rendësin e humbjeve në luftime, komandanti partizan i Preshevës, me emnin Anton, tue i këshillue popullit bindje e urti, kishte thanë publikisht se lufta e Preshevës, u kishte kushtue 2800 ushtar e partizan. E kështu edhe Kumanova, për rrjedhje tragjike të mungesës s’armvet dhe municjoneve, mbas nji qëndrese e episode luftimesh e sakrificash të mëdhaja, pushtohet prej anmiqvet sllav qi vranë e masakruen disa qinda Shqiptarë, ndër të cilët : Komandanti i pathyeshëm i luftarve të Kumanovës Sul Hotlla e ka vazhdue rezistencen Shqiptare edhe për disa kohë në krye të çetave ndër male, por adhe aj burrë trim, me gjith djalin e tij, tue luftue me partizanët q’e kishin rrethue, do të binte deshmorë për t’a mbyllë qëndresen e asaj krahine Shqiptare. Në ndeshjen e fundit që ka pasë me partizanët sllav kanë kenë vra bashkë me të edhe Kadri Ahmeti, Ali Syla nga Staneci, Mustafa Heta nga Kokajt e Gilanit, si edhe Hasan Alija prej Remnikut të Gjilanit.

Koloneli Fuat Dibra ishte një njeri i pa kompromise dhe i guximshëm. Edhe sot, në Anamoravë, pikërisht në fshatin Koretin të Kamenicës, flitet për trimërinë dhe ndihmën që iu kishte dhënë fshatarëve gjatë një ploje nga ana e bullgarëve. Tregonte gjyshja ime- Huma Keçmezi se si bullgaret kishin hy në fshat dhe kishin marr të gjithë burrat e fshatit për ti pushkatua tek xhamia e fshatit. Në ndërkohë, hynë forcat e Fuad Dibrës dhe gratë e fshatit i dalin para dhe i tregojnë se burrat i kanë grumbullua dhe në çdo moment pritet ti pushkatojnë bullgaret. Tregojnë se me një shpejtësi prej vetëtime dhe me çfarë mllefi e rrethojnë fshatin, bullgaret e mjerë dorëzohen, ndërsa burrat e fshatit, në mes tyre kishin qenë edhe gjyshi- Ali Keçmezi, bashkë me djalin- Shaqir Keçmezin (babain tim) kthehen në shtëpi. Për të falënderuar kolonelin Fuad Dibrën, për shpëtimin e fshatarëve, ato përgatisin ushqime dhe iu japin me vete, në këtë mënyrë shprehin falënderimin e tyre të thellë, ndaj Kolonelit dhe ushtarëve të tij. Duke u largua nga aty, gjyshja e pyet se prej nga ju kemi o trim, ai i tregon se ishte nga Shqipëria. Nga larg paske ardhur o bir, koloneli Fuad Dibra duke i falënderuar për kujdesin ndaj tyre, i entuziazmuar për shpëtimin e fshatarëve ia kthen “Oj loke, po Kosovë e Shqipëria jemi një”. Shpesh në netët e vona më fliste gjyshja për të, dhe me krenari thoshte, ai ishte si luan. Bullgaret e frikësuar e lutnin që tu falte jetën dhe për çudi i fali” mbyllte tregimin gjyshja ime.

Në mënyrë defanzive për fatin e Mbrojtjes Kombëtare të kufirit të Kosovës Lindore në linjën :Prapashticë- Bujanoc-Preshevë- Kumanovë do të ndikojë takimi i kolonel Fuad Xh. Dibrës, Komandant i Regjimentit IV të Ushtrisë së Mbretërisë Shqiptare, me kryetarët e komunave të nënprefekturës së Gjilanit, të mbajtur në fillim të nëntorit 1944, në Gjilan. Me këtë rast i informoi përgjegjësit për mobilizimin e vullnetarëve për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës se kishte urdhër nga Komanda Supreme e Ushtrisë Mbretërore që ta tërhiqte ushtrinë brenda Shqipërisë, i kishin thënë se atje po zhvilloheshin ngjarje dramatike, luftë qytetare vëllavrasëse. Përgatitjet e kolonel Fuad Dibrës për ta tërhequr ushtrinë nga kufiri i Kosovës Lindore, u shfrytëzua nga komanda e UNÇJ-së dhe veçanërisht nga fakti se me komandantin  u tërhoqën nga kufiri, edhe shumica e ushtarakëve dhe e ushtarëve të rregullt.

Më 14 nëntor 1944, Koloneli Fuat Dibra me dy kamion, u drejtua për Shqipëri. Njësisë së kolonelit Fuad Dibrës, gjatë tërheqjes do ti prehet rruga diku midis Prizrenit e Dragashit, dhe në luftë me njësit partizane të Shqipërisë do të vriten shumë ushtar, kurse Kolonel Dibra do të kapet nga partizanes shqiptarë. Ai, më vonë do ti dorëzohet Shtabit të Armatës Popullore dhe të UNÇ të Kosovës e Metohisë.  Se, regjimi komunist në Shqipëri vepronte në një vijë me regjimin komunist në ish Jugosllavi dhe në bashkëpunim të plotë në luftën kundër atdhetarëve shqiptarë tregon edhe rasti i dy atdhetarëve shqiptarë, kolonel Fuad Dibrës dhe profesor Kolë Margjinit. Që të dy këta atdhetarë kishin shtetësinë shqiptare por që forcat komuniste nga Shqipëria i dorëzuan të dytë tek forcat komuniste jugosllave, dhe, ku më pas u vranë që të dy. Profesor Kolë Margjini u arrestua nga autoritetet komuniste shqiptare, të cilat ia dorëzuan organeve jugosllave. Gjykata e dënoi me burgim të rëndë ndërsa UDB-a e likuidoi në burgun famëkeq të Mitrovicës së Sremit, më 1949. Nuk i dihet varri se ku është gjuajtur pas likuidimit. Kolonel Fuad Dibra me 14 nëntor 1944 u shoqërua nga forcat e Brigadës së V-të të Ushtrisë Komuniste të Shqipërisë për në Tiranë ku u arrestua dhe iu dorëzua autoriteteve jugosllave.

U dënua me vdekje dhe u ekzekutua në Korishë të Prizrenit, me 9 tetor 1946, sot e asaj dite nuk i dihet varri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok