22/12/2024

KOLIQI E CAMAJ, NJË “APOLOGJI” E PANEVOJSHME

0
u6_Koliqi-Camaj

Nga Ndue Dedaj

Gjithkujt që, herët e vonë, ka gërmuar me zell në biografinë e Koliqit e Camajt, por dhe figurave të tjera të kulturës kombëtare, për të gjetur njolla apo për të ngjitur “bishta”, kishim për t’i thënë vetëm një gjë, bëni si të doni me vetveten, por fëmijët tuaj ua “dorëzoni” këtyre mjeshtërve, si bartës të autentikes shqiptare, me çka është përpajnuar vepra e tyre, si ajo hardhia e plleshme që lëshon rrënjë të përjetshme nëntokë e filiza të njomë mbi tokë! Kjo nuk është thjeshtë një metaforë, por një vetëdije që ta krijon ajo “hija e maleve” e tyre, që ata për herë të parë në letrat shqipe, e shndërruan në letërsi moderne, që do të përfillej dhe në qarqe letrare e kulturore europiane. Por e lëmë këtu këtë argument, pasi nuk është vendi për më thellë, çka e kanë bërë studiuesit e letërsisë. Mjaft të themi se fëmijët tanë, përmes kësaj letërsie, do të jenë shqiptarë të kulluar e jo si ca individë me formim ideologjik, që falë kulturës së tyre të linçimit gërricin dhe gërgasin rreth biografive “problematike” të të tjerëve. Kjo tashmë është një modë në jetën shqiptare, për të gjallë e për të vdekur. Ndaj e rëndësishme në këtë qasje është dukuria, se do të ikë një X që turbulloi kësaj here e do të dalë një Y që do të turbulloje nesër…

Dihet që letërsia dhe biografia janë dy gjëra të ndryshme, që rrallë i thonë gjë njëra-tjetrës. Koliqi e Camaj dhe shumë të tjerë sosh, Arshi Pipa, Imzot Zef Oroshi, Bilal Xhaferi, për të përmendur vetëm pak emra, e lanë Shqipërinë bash atëherë kur ajo po përshkohej nga internacionalizmi proletar! Është kjo që meriton të ndriçohet e analizohet sot. Ata ikën për të mos qenë bolshevikë dhe nuk mund të fajësohen për këtë, përkundrazi. Ishte ideali i tyre, për të cilin sakrifikuan dheun e lindjes, familjet e dikush edhe jetën. Atëherë si mund të mendohet një bashkëpunim i tyre me Sigurimin e Shtetit, syrin dhe veshin e diktaturës së proletariatit? A ia lidh duart Martin Camajt një copë letër e nënshkruar nga ai kinse për bashkëpunim me Sigurimin? Asesi! Jo. Ajo është veçse një formë shtrënguese, presioni e organeve të Punëve të Brendshme që nuk prodhoi asgjë kundër askujt nga ky “bashkëpunëtor”. (Kështu funksiononte ai pushtet në çdo hallkë të tij. Po t’i shohësh raportet politike zyrtare të kohës, del se Partia i ngrinte me “vullnetin e lirë” të njerëzve kooperativat bujqësore, ndërkohë që ka pasur gjer vetëvrasje fshatarësh në shenjë revolte ndaj koolektivizimit në malësi!…) Nëse Camaj do të ishte kompromentuar me shërbimin sekret shqiptar nuk do të kishte mundur të ikte në botën e lirë, duke ua lënë pushkën për faqe ndjekësve të tij, por do të zvarritej këtu ndër ne si një hije e atij regjimi, duke mos qenë ai që është si shkrimtar e dijetar. Identiteti i tij është mishëruar në letërsinë që shkroi: “Një fyell ndër male”, “Palimpsest”, “Djella”, “Dranja”, “Pishtarët e natës”, “Rrungaja në mars”, “Rrathët”, “Karpa”, “Gjon Gazulli”, “Kandili i argjandit” etj. Një letërsi e mitit, malit, pëllumbit, gjarprit, barit, njeriut të ndërkallur në lisat dhe krojet e gjenezës së tij buzëdrinase e deri në fushë e qytet, e gjitha e shkruar në një shqipe të bukur, gegnishten camjane.

Camaj bëri që të fliste shqip një katedër e gjuhës shqipe në Gjermani – ai nuk rron prej afro 30 vitesh, por katedra e tij vazhdon të përgatisë në Mynih studiues e përkthyes të shqipes. Kjo është kurora e tij kombëtare. Camaj na pati falenderuar duke na thënë se ju “batë burrinë e më pranuet në mesin tuaj”, por nuk paskësh qenë krejt kështu. E vërteta është se ai bani burrninë e na pranoi ne, siç ishim, me gjithë barrën e mëkateve të realizmit socialist, kurse ne ende nuk e kemi pranuar si duhet. Sepse neve na mjafton vetja dhe (na ngatërron jo pak) e djeshmja jonë…

Ernest Koliqi jo vetëm ka qartësuar se cili ishte ai si shkrimtar në raport me politikën, por ka dhënë dhe përgjigjen për sulmuesit e tij, në vitin 1974, në revistën “Shejzat”, kur shkruante: “E njoh veten jo person politik që merret me letërsi, por letrar që rrethana të veçanta e hodhën në valet e politikës. Prandaj, mbrohem si letrar. Ç’ka flitet për mue si njeri politik nuk më bën as të nxehtë e as të ftohtë: jam vadit me at’ avaz. Nji gja më vjen keq e më prek se ndër shkrime në daç të nënshkrueme në daç anonime ku unë sulmohem, të shumtën e herëve strapacohet ma tepër gjuha shqipe se personi im”.

Kemi folur gjysmë shekulli për 50 shkollat dhe kurset kundër analfabetizmit të Ndrecë Ndue Gjokës në Mirditë fill pas Luftës së Dytë Botërore, padyshim një ngjarje e rëndësishme arsimore në Shqipëri dhe nuk kemi folur një fjalë zyrtarisht për 173 shkolla fillore, 3 të mesme dhe disa gjimnaze të ulëta që u hapën nga Koliqi brenda një viti në Kosovë dhe trojet e tjera shqiptare, që kishin qenë nën regjimin serb. Për shkak të kufizimit ideologjik, kemi pranuar lokalen dhe kemi mohuar kombëtaren. Ndreca, që bëri emër në Mirditë, kishte qenë i njohur më parë si mësues në Kosovë për disa vite, saktësisht në Zllakuqan të Lugut të Drinit, i dërguar atje me firmën e ministrit të Arsimit Ernest Koliqi, së bashku me 200 mësues të tjerë për të përhapur arsimin në trojet etnike shqiptare. Thënë ndryshe, “nxënësi” i Koliqit dekorohet me medaljen më të lartë të arsimit, “Mësues i Popullit”, kurse profesori dhe eprori i tij i lartë dhe i gjithë shqiptarëve nuk kishte tagrin as të përmendej, pasi ai ishte përfshirë në një qeveri shqiptare nën pushtimin italian. Pra, edhe pse Koliqi bën të njëjtën gjë si rilindasit, me hapjen e shkollave të sipërthëna (shkolla shqipe dhe jo italiane!), krijimin e Institutit të Studimeve Shqiptare, botimin e kolanës “Visaret e Kombit” etj. nuk i njihet asnjë kontribut dhe përjashtohet arbitrarisht nga historia. Është po ai atdhetar e misionar kombëtar që nuk ndalet, tashmë në emigracion, me botimin e revistës së mirënjohur “Shejzat”, rreth së cilës përbashkohet gjithë elita diturake e emigracionit politik etj.

Nëse do të ceknim figura të tjera të kohës, dihet fati tragjik i At Anton Harapit, pas Luftës, vetëm se kishte qenë në Këshillin e Regjencës gjatë pushtimit gjerman. Po a e dini si shkruante ai në veprën e tij “Andrra e Pretashit”, në vitet e Luftës së Parë Botërore, kur ishte misonar françeskan në Grudë, territor shqiptar i aneksuar Malit të Zi? Zyrtarët e pushtetit serb “mue më njifshin të gjithë për shqiptarofil deri në palcë…”. Një shqiptardashës i madh, i cili vazhdon me qenë dhe sot i përjashtuar nga letrat shqipe dhe kultura shqiptare zyrtare.

Lufta e Dytë Botërore dhe me pas ajo e Ftohtë “implikoi” shumëkënd, e, megjithatë nga shkrimtarët e ftuar/ shtrënguar për të bashkëpunuar me shërbimet e fshehta, nuk ka dëshmi se ata kanë kryer krime kundër njerëzve dhe vendit të tyre. Çfarë mund të thuhet në këtë anë kur askush nga elita e kulturës shqiptare nuk ka qenë jashtë përndjekjes së Sigurimit të Shtetit, si: Ndre Zadeja, Ndoc Nikaj, Vinçens Prenushi, Eqerem Çabej, Musine Kokalari, Arshi Pipa, Krist Maloku, Zef Oroshi, Injac Zamputi, Lasgush Poradeci, Dhimitër Pasko, Sabiha Kasimati, Ethem Haxhiademi, Gjon Shllaku, Pashko Gjeçi, Martin Camaj, Ismail Kadare etj. Atëherë, këta apo Sigurimi?! “Lahuta e Malcis”, apo pranguesit e saj për gjysmë shekulli?…

Ka rënë sistemi komunist, por ka mbetur ende ndikimi ideologjik e asaj kohe, si një “palimpeset” i trishtë, i mbuluar nga kinse shtresimet kulturore të kohës së sotme, përndryshe nuk do të kishte “gjyq” figurash historike sa herë bëhen përpjekje për të kthjelluar diçka nga e kaluara “reaksionare”. Edhe pse Mit’hat Frashërit iu bënë nderime shtetërore nga shefi i të majtës, njëherësh Kryeministri i aktual, tradicionalistët e të majtës komuniste nuk ndenjën pa e fshikulluar, gardianë të regjur të atij regjimi.

Askush nuk thotë që të fshihet asgjë nga jeta e shkrimtarëve, por e kemi lejen të kapemi pas mëkateve të tyre morale, kur t’i kemi dhënë vendin e merituar veprës së tyre, e cila kapërcen çdo fajësi të supozuar.

Së fundi, shumë vetë këto ditë të debatit të nxehtë kanë cituar poezi të ndryshme të Martin Camajt, kurse mua m’u kujtua ajo me titull “Një ditë e ka dhe korbi”… me mujt (ah, me mujt!) me u ba pëllumb në shpirt!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok