25/12/2024

Kolektivisht të përhumbur!

0
Ilir-Sefaj1

Nga Ilir Sefaj

“Do të vijë një kohë kur njerëzit do të presin në radhë për t’u turpëruar”, është një thënie gjeniale që e kemi parë jo rrallë duke qarkulluar në rrjetet sociale. Nuk e di vulën e kujt emër e mban kjo thënie profetike, por se qytetari ynë ka ardhur në këtë pikë, nuk ka asnjë dilemë. Shoqëria kosovare është në krizë, madje në krizë të thellë, në krizë shumëdimensionale, do të thosha. Është e vështirë të flasim për zanafillën e kësaj krize, veçse me apo pa vetëdije kemi hyrë në një fazë që unë po e quaj, përhumbje kolektive.

Nuk e di nëse ky term është më adekuati, veçse kujtoj se secila sferë e jetës sonë shoqërore tashmë është kapluar nga kjo përhumbje, që siç e thashë, po zgjedh ta quaj, kolektive.

Në dy dekada e gjysmë liri, e në 16 vjet shtet, qytetari i Kosovës kurrsesi ta gjejë rrugën drejt një emancipimi shoqëror, i cili do të ndihmonte në tejkalimin e këtyre situatave të pakëndshme me të cilat po ballafaqohemi në përditshmërinë tonë, e që fatkeqësisht nga një pjesë e njerëzve kanë filluar të shihen si normale.

Por, ku është zanafilla e krejt kësaj? Ku çaluam si shoqëri, si shtet?!

Në dukje të thjeshta, por këtyre pyetjeve vështirë t’u jepen përgjigje meritore. Megjithatë, disa gjëra janë të pastra si loti. Në një përkufizim të parë, do të thoshim se kjo përhumbje kolektive ka ardhur si rezultat i asaj që qysh me përfundimin e luftës ngarendëm të marrim atë që nuk na takon, e të jemi aty ku nuk na përket.

Dhe, kësaj i kontribuuam të gjithë, kush më shumë e kush më pak. Në Kosovën e pasluftës u shit e u ble çdo gjë! U shiten diplomat, u shiten titujt, u shiten gradat, u shit gjithçka, madje shumë lirë, çmimin e lirë të të cilave po e paguajmë shtrenjtë sot.

Sigurisht se në dhjetëvjetëshin e parë të pasçlirimit të vendit nga një regjim i ashpër e kriminal siç ishte ai i Milosheviqit, që disa preferojnë ta quajnë si fazë tranzitore, disa paudhësi edhe do të mund të gëlltiteshin më me lehtësi, mirëpo në Kosovën e 2024-ës nuk mund të qëndrojmë indiferentë kundrejt fenomene me të cilat ballafaqohemi si shoqëri, në të kundërtën, siç me të drejtë e tha dikush, “do të shkojmë për lesh”.

Të hapësh një temë, një çështje, një dilemë është shumë e lehtë. E vështirë është të mbyllësh tema, çështje, dilema. Kujtoj se si individë, si shoqëri, por edhe si shtet nuk duhet të mjaftohemi të merremi dhe t’i përmbushim egot tona nëpër studio televizive duke trajtuar fenomene nga më të ndryshmet, më shumë për t’i vënë në pah “(pa)aftësitë” tona në trajtimin e çështjeve sesa për të zgjidhur diçka në përditshmërinë tonë.

Diskursi i ashpër politik (normal, sa për sy e faqe), që haset në forumet ku bëhet politikë ditore e që është zanat për politikanët, nuk duhet të bëhet normë edhe kur flasim për vrasjet, përdhunimet, ngacmimet seksuale, e fenomenet e tjera të shëmtuara me të cilat ballafaqohemi si shoqëri.

Është e shëmtuar kur në një studio televizive, gratë vetëm sa nuk ia nxjerrin sytë njëra-tjetrës kur flasin për vrasjen e një gruaje tjetër, vetëm sa për të përmbushur egot e tyre me bindjen se dikush atje në kafene apo në ndeja mes miqsh, do të thotë: e pe çfarë i tha ajo kësaj, ose e pe çfarë i tha kjo asaj.

Fenomenet negative me të cilat ballafaqohet shoqëria kosovare duhet të trajtohen nga profesionistë të lëmive të caktuara dhe jo të shndërrohen në tema ku gjithkush thotë çfarë të dojë, dhe askush nuk i përgjigjet askujt për atë që bën e thotë.

Pra, vetëdijshëm ose pa të, kur njeriu rreket pas asaj që nuk është vokacion i tij, do të ngjallë dyshime, dilema e padijeni. Dhe, nëse jemi më të përmbajtur në ato që themi e bëjmë, sidomos kur çështja nuk na përket neve, direkt ose indirekt ndihmojmë në vënien në binarë të gjërave.

Intencë e kësaj përqasjeje nuk është moralizimi, ose tendenca e krijimit të “shtetit ose shoqërisë ideale”, sepse fenomenet negative hasen në të gjitha shoqëritë, edhe në ato më të përparuara se ne, mirëpo është koha e fundit që edhe ne si shoqëri t’u japim emër e mbiemër problematikave që na shoqërojnë në rrugëtimin tonë, e këtë duhet lënë kompetentëve. Përndryshe, letargjia, ose kjo përhumbje kolektive, që unë zgjodha ta quaj, do të na shoqërojë edhe për një kohë të gjatë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok