24/12/2024

Kole Miri Dedvukaj, simboli i beses dhe burrnisë Malesore

0
Kole-Miri-Dedvukaj

Nga Gjekë Gjonlekaj, New York

Dyert e shpërnguljeve biblike të shqiptarëve nga Mal i Zi u hapën në fund të viteve 60’ dhe qysh atëherë e sot nuk u mbyllën kurrë. Lamtumira(goodbye) vendlindjes është akt trishtues,sidomos për gra e burra në moshë të shtyrë. Prindërit tonë relativisht të moshuar nuk erdhën në Amrikë për një jetë më të mirë, dhe jo se jo për t’u pasuruar,por për të mos u ndarë nga njerëzit e tyre më të dashur.Kjo periudhë mërgimesh të mëdha meriton studime dhe analiza të shumta nga ekspertët e shoqërisë shqiptare. Rrugët e shpernguljeve nuk ishtin të shtruara me lule,por me lot e dhimbje të mëdha. Historia e mërgimit ishte ndonjëherë edhe tragjike. E tillë kishte qënë për familjen e Kolë Mirit të Hotit. Dy djemtë e Kolës dhe nusja e djalit të madh kishin emigruar nga vendlindja në vitin 1971,dhe ishin vendosur në Itali. Gjatë pritjes për emigrim ata ishin vizituar shumë herë nga të dashurit e tyre. Nëna e tyre Djellushë Lekja i kishte vizituar 9 herë brenda një viti,ngase ajo e përjetonte rëndë mungesën e tyre.Para nisjes së tyre për në Shtetet e Bashkuara,prindërit kishin shkuar në Romë për t’u thënë udhën e mbarë. Pasi kjo bijë fisnike e shtëpise së përmendur të Zek Nikut të Kojës ishte përqafuar e përshëndetur me djemtë e saj aty në vend i kishte rënë pika në zëmër dhe një ditë vonë kishte dhënë shpirt në spitalin e Romës,në moshën 43-vjecare. Ndërsa ata kishin arritur në New York ,nëna e tyre qëndronte e vdekur në morgun e Romës në pritje për t’u kthyer në Hot të Malësisë. Përsëri Kolë Miri “mes dy zjarresh”,do të kishte kënduar rapsodi shqiptar Sali Mani. Kola kishte mbetur qyqe vetëm në rruget e Romës. Për vdekjen e gruas së tij kishte njoftuar menjëherë kushririn e tij besnik Patër Daniel Gjecaj. Ky meshtar françeskan shqiptar shumë i nderuar i kishte qëndrua pranë deri atë ditë që Kola dhe gruaja e tij e vdekur ishin nisur për në vendlindje. Kolë Mirit kjo vdekje i kishte shkaktuar çrregullime që nuk i kishte paramenduar kurrë. Njëra nga ato ishte vendimi për t’u larguar njëherë e përgjithëmonë nga Malësia. Kola nuk e kishte imagjinuar asnjëherë largimin nga ajo tokë.Por pas vdekjes së gruas kishin ndryshuar planet e tij familjare.Nuk shihte rrugë tjetër përveçë bashkimit familjar.Një vit më vonë, së bashku me 4 fëmijet e tij, imigroi në Shtetet e Bashkuara. Ashtu siç e kishin traditë ata punuan ditë e natë dhe pas disa vjetësh u rregulluan shumë mirë në pikëpamje ekonomike. Kolë Miri gëzonte respekt të madhe tek malësorët shqiptarë dhe emëri i tij ishte garanci për shumë suksese të familjes dhe shoqërisë. Ai bënte fushata për ngritjen e qëndrave fetare dhe shoqërore në New York dhë në Detroit. Merrte pjesë aktive në mbledhje e ceremoni të ndryshme dhe vepronte si një misionar për paqë e marrëveshje midis malësorëve kudo. Kolë Miri dhe Mark Miri kishin një të kaluar të lavdishme sepse ishin kryqëzuar në “Kalvarin e Hotit” nga bandat kriminale komuniste të Toger Babës dhe Bajo Stankut. Marku dhe Kola kishin pësuar mundimet e Krishtit për të shpëtuar kapiten Gjelosh Luli nga mizoritë barbare staliniste. Për qëndresën e tyre legjendare flitet sot e kësaj dite. Kolë Miri ishte tepër i sinqertë dhe modest. Ai ishte natyrisht i zgjuar,fliste nga përvoja dhe përjetimet personale. Nuk kishte prirje për dukje as për krye të vendit.Ai ishte natyrisht i mirë dhe besnik. Per mortin e tij para 23 vjetësh me rastin e vdekjes e kisha shkruar se besa e Kolë Mirit ishte më e fortë se Mali i Veleçikut. Për çudi, Kola i kishte mësuar përmendësh lagjet e New Yorkut ku jetonin malësorët. Nuk lexonte dhe nuk shkruante por në aparatin e tij të kujtesës ishin fotografuar pikat kryesore te orientimit.Kur i mbushej mendja Kolës për vizita nuk bente lutje e duva për ndihmë ,por merrte shkopin dhe nisej tek miqtë dhe dashamirët e tij. Pavarësisht se nuk ishte i shkolluar Kolë Miri ishte malësori shqiptar më i nderuar në këtë vend. Merrte pjeë në dhimbjet e mëdha shoqërore,sidomos në morte qofshin ato në Shtetet e Bashkuara ose në Malësi, Prej vitit 1975 e deri në vitin 1990,Kolë Miri kishte kaluar Atlantikun, vajtje e ardhje mbase 100 herë, të gjitha për morte në vendlindjen e tij.Ai mbante titullin e kampionit për udhëtime të kësaj natyre. Asnjë shqiptar ose amerikanë,bile as ndonjë i huaj tjetër nuk mund të ketë bërë aq shumë udhëtime për vdekje jashtë Amerikës. Shumë herë malësorët pyesnin pse nuk po e mbyllim këtë ceremoni cka po presim? Dikush atje më largë përgjigjej po presim Kolë Mirin nga Amerika.Gjatë këtyre udhëtimve Kola kishte përjetuar episode të ndryshme,ngase nuk fliste asnjë gjuhë tjetër përveç gjuhës shqipe. Në një rast në Londër e kishte humbur lidhjen e aeroplanit për New York. Dhe për këtë autoritetet e aeroportit kishin sjellur një përkthyes nga gjuha shqipe në sërbisht,por Kola nuk merrte vesh sërbisht. Pas pak ata kishin prurë një përkthyes shqiptar,por as atë nuk e kuptonte sepse perkthyesi fliste dialektin tosknisht. Mosha e shtyrë dhe vështirësit e komunikimit kishin qënë pëngesë e madhe gjatë këtyre udhëtimeve.Para Luftës së Dytë Botërore,Kola kishte jetuar në Shqipëri në Hot të Ri në Shtoj të Mbishkodrës. Kishte jetuar atje një çerek shekulli me vëllezër e motra.Ai ruante kujtime të mrekullueshme nga jeta në Shqipëri. Kolë Miri tregonte shumë për Shqipërinë e asaj kohe. Kishte parë e takuar personalitete të larta të shoqërisë shqiptare. Ai e kishte pëlqyer shumë kohën e Zogut. Pavarësisht se nuk merrte pjesë në mbledhje partish politike,Kola ishte zogist i vërtetë. Në vitin 1944 ishte kthyer përgjithëmonë në vendlindjen e tij në Traboin të Hotit në Mal të Zi, ku jetoi deri në vitin 1973. Kolë Miri vdiq me 21 Maj te vitit 1992 në moshën 82-vjecare. Gjatë kohës në spital e kisha vizituar disa herë,duke i thënë fjalë të mira e kurajo se do të bënte më mirë,por ato ditë nuk ishte aspak optimist. Nje ditë më vonë vdiq në Spitalin Lawrence në Bronxville të New Yorkut,në qytetin ku kishin jetuar shumë familje të njohura amerikane,midis tyre edhe Familja Kennedy. Nderimet dhe ceremonitë mortore u bënë për dy ditë me radhë në Memorial Day Weekend. Për Kolë Mirin si për asnjë shqiptar tjetër ishin bërë tri ceremoni mortore. Një në New York, një në Hot të Ri në Shtoj të Mbishkodrës në Shqipëri tek nipat dhe mesat e tij ku kishte jetuar 25 vjet dhe nderimet më të fundit dhe varrimi ishin bërë në Vuksanlekaj të Hotit në Mal të Zi. Historianët amerikanë thonë se për Abraham Lincolnin ishin bërë ceremoni mortore në disa qytete të Amerikës para se të bëhej varrimi në vendlindjen e tij në Illinois.Misioni i Shqipërisë pranë OKB në New York ia dha vizën Kolës së vdekur dhe 32 malësorëve tjerë për varrimin e tij në vendlindje. Ky ishte malësori i parë i vdekur që kaloi nëpër tokën e Shqipërisë pas rënjes së diktaturës.Ky ishte mort i madh dhe ceremonial,që nuk ishte parë asnjëherë më parë dhe natyrisht kishte pasur shumë gojtarë,vajtore e gjëmtarë. Por një tragjedi shumë herë më e madhe se kjo u përsërit edhe një herë në shtëpinë e Kolë Mirit në New York më 11 Shtator 2001,kur nipi i tij Simon Dedvukaj ra dëshmor në Kullën Binjake(World Trade Center) në Manhattan. Kjo tregonte se rrugët e tyre të mërgimit kishin qënë të shtruara me gjëmba e jo me lule. Por kjo familje fisnike i përballoi të gjitha me nder e faqe të bardhë.Prej Kolë Mirit mësuam të gjthë.Ai ishte mësuesi ynë më i mirë i jetës,sepse fliste nga përvoja personale. Kurrë nuk kam parë asnjë shqiptarë si Kolë Mirin që mund t’i ketë zbatuar aq bindshëm normat e Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe urdhënimet e Tëzot që janë 10. I tillë kishte qënë edhe vellau i tij Mark Miri. Por Markun e kam takuar vetem një herë gjatë një vizite në New York. Mark Miri dhe Kolë Miri kishin një kod të tyre moral të veçantë dhe për këtë meritojnë monument në tokën shqiptare. Ata ishin nderi i kombit,dhe duhet të respektohen si të tillë sot e përgjithëmonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok