Kolë Mark Gjeku Lulgjuraj (1912-2002) – Njeriu, fjala e të cilit ishte ligj
Nga Gjekë Gjonaj
Treva e Malësisë, e shtrirë përgjatë rrjedhës së sipërme të lumit Cem, për shekuj me radhë ka formuar njerëz me karakter të fortë. Peizazhi i ashpër, guri, toka e varfër dhe lufta e pandërprerë për mbijetesë kanë krijuar një mentalitet nderi, pune dhe respekti për fjalën e dhënë. Në një mjedis të tillë lindën njerëz që nuk mbanin tituj zyrtarë, por gëzonin autoritet moral të padiskutueshëm. Kolë Marku Ljulgjuraj ishte pikërisht njëri prej tyre.
Kush ishte Kolë Marku?
Ai ishte një plak dhe figurë e njohur nga një zonë malore e Malësisë, përmes së cilës kalon lumi Cem. Në komunitetin lokal, ai njihej si “një nga kryetarët malësorë” dhe si udhëheqës (vojvodë) i vëllazërisë Ljulgjuraj, një figurë së cilës fjala dhe autoriteti i respektoheshin pa diskutim brenda familjes dhe shoqërisë më të gjerë. Konsiderohet një nga figurat më tipike të urtësisë tradicionale shqiptare në Malësi.
U lind në Cem të Llofkës në vitin 1912 dhe i përket atij brezi burrash që nuk u shquan për poste apo pasuri materiale, por për autoritet moral, mendim të pjekur dhe ndjenjë të lartë drejtësie.
Jetoi dhe veproi në një periudhë të vështirë historike, kur popullsia shqiptare e Grudës, dhe e krahinave përreth, përballej me varfëri të theksuar dhe sfida të shumta shoqërore. Në këtë kontekst, Kolë Marku u kthye në institucion të pashkruar pajtimi dhe këshillimi, ku drejtoheshin familje e individë për zgjidhjen e konflikteve të ndryshme. Kolë Mark Lulgjuraj ishte një plak thellësisht i rrënjosur në traditën e Malësisë – një njeri, fjala e të cilit ishte autoritet dhe ligj.
Plaku që nuk favorizonte askënd
Veçantia e tij qëndronte në faktin se nuk mbante anë fisnore, nuk favorizonte askënd për interesa personale. Ai vepronte mbi parimin e së drejtës dhe arsyes njerëzore, duke ruajtur baraspeshën mes traditës zakonore dhe logjikës praktike të jetës. Nuk kishte “grupe” apo palë – kishte vetëm një anë: të drejtën. Fjala e tij ishte e njëjtë për të gjithë, e bazuar në arsyen, përvojën jetësore dhe ndjenjën e drejtësisë. Ajo ishte e prerë, por kurrë e rëndë; e thjeshtë, por gjithmonë e thellë. Për këtë arsye, vendimet e tij pranoheshin pa kundërshtim, sepse buronin nga logjika, përvoja dhe ndershmëria. Në Malësi thuhej se, kur fliste Kolë Marku, fjala peshohej para se të thuhej, dhe pikërisht për këtë ajo pranohej pa kundërshtim.
Figurë që linte mbresë
Tiparet kryesore të mjedisit ku ai jetoi natyrisht se patën ndikim në formimin personal. Në Malësi fjala ka më shumë peshë se dokumenti i shkruar, nderi dhe reputacioni vlejnë më shumë se pushteti formal, kurse pleqëria është burim autoriteti, jo dobësie. Kolë Marku ishte fryt i këtij mjedisi dhe njëkohësisht shprehja më e pastër e tij, duke përfaqësuar tipin e plakut malësor që bashkon forcën morale me respektin për vendlindjen dhe traditën.
Kujtesa popullore e përshkruan Kolë Markun si një malësor shtatlartë, me mustaqe , me qëndrim të qetë dhe sy që reflektonin përvojë. Prania e tij impononte respekt, pa pasur nevojë për fjalë të mëdha apo gjeste imponuese. Ai ishte nga ata burra që flisnin pak, por kur flisnin, fjala mbahej mend. Fjala e tij bashkoi Malësinë.
Mikpritje që i tejkalonte kufijtë etnikë
Shtëpia e Kolë Mark Lugjurajt ishte një vatër mikpritjeje, ashtu siç e do tradita malësore. Aty gjetën mirëseardhje burra të njohur nga Malësia e Madhe, intelektualë, njerëz të profesioneve të ndryshme, madje edhe jo shqiptarë, të cilët e vlerësonin për urtësinë dhe karakterin e tij. Mikpritja e tij ishte shembullore: bukë, kripë, zemër, fjalë e nder. Në një kohë kur kufijtë kulturorë e etnikë shpesh ishin të fortë, Kolë Marku ishte shembull i komunikimit njerëzor pa barriera, ku fjala e drejtë vlente më shumë se prejardhja.
“Vojvodë” pa gradë dhe titull
Në traditën gojore dhe në të folurën vendore, Kolë Marku ishte vojvodë, por ky emërtim nuk ka kuptim ushtarako-historik. Ai nënkupton: njeri të rendit, ruajtës të zakoneve, autoritet moral të bashkësisë. Kjo është një vojvodëri e karakterit, jo e hierarkisë. Në këtë kuptim, Kolë Marku i përket tipit të vjetër ballkanik të udhëheqësve që nuk mbahen mend për beteja, por për pajtimin, maturinë dhe qëndrueshmërinë.
Kolë Marku si simbol i “të fundit”
Rëndësia e këtij burri të urtë ( urtak) malësorë u dokumentua edhe në filmin dokumentar “I pari dhe i fundit” të regjisorit malazez Dragan Matoviq, në të cilin ishte figura qëndrore – një plak i thjeshtë në pamje, por me peshë të jashtëzakonshme morale dhe kulturore. Titulli i filmit mban një simbolikë të thellë. Kolë Marku është:“i pari” për nga autoriteti, por edhe “i fundit” përfaqësues i një bote të tërë. Ai nuk është figurë historike e regjistruar në arkiva, as vojvodë me titull formal, por bartës i autoritetit moral, përfaqësues i botës tradicionale të Malësisë dhe dëshmitar i një epoke që po zhduket.
Në këtë film thuhet se Kolë Marku kishte 84 vjet dhe ishte pjesë e një mjedisi fisnor malësor, ku vëllazëria e tij kishte pasardhës edhe jashtë vendit (kryesisht në SHBA). Pra, figura e “vojvodës Kolë Mark Gjekë Ljulgjuraj nuk është karakter imagjinar i filmit të Matoviqit, por bazohet në një person të vërtetë nga tradita vendore- një plak i vjetër dhe udhëheqës i vëllazërisë Lulgjuraj nga Malësia (zona e Cemit të Llofkës).
Në këtë dokumentar ai paraqitet si simbol i mbijetesës së zakoneve dhe vlerave në kohën kur të rinjtë po largohen në masë të madhe. Ky portret synon ta vendosë Kolë Markun në kontekstin shoqëror, historik dhe kulturor, duke u mbështetur në: dëshminë filmike të Momir Matoviqit, traditën gojore të Malësisë dhe analizën antropologjike të hapësirës malësore. Kolë Marku shfaqet në film si një njeri që fjala dhe qëndrimet e tij kanë peshë: fjala e tij ishte “e para dhe e fundit” në kuptimin e vlerave dhe zakoneve – nga kjo frymë filmi merr edhe titullin, ai paraqitet si “njeri i Zotit” dhe simbol i vazhdimësisë së traditës dhe jetës në prag të ndryshimeve moderne.
Puna si parim jetësor
Kolë Marku parim jetësor kishte punën. Pavarësisht moshës së tij, ai çdo ditë kryente punë të rënda rreth shtëpisë prej guri dhe mullixhi duke i mbetur besnik tokës dhe mënyrës së jetesës së paraardhësve të tij. Për këtë figurë të respektuar të Malësisë, puna nuk ishte detyrim, por mënyrë ekzistence dhe lidhje me traditën e paraardhësve.
Përfundim
Kolë Marku Lulgjuraj nuk la pas vepra të shkruara, as dokumente formale, por la një gjurmë të thellë në kujtesën kolektive të Malësisë. Falë filmit të Momir Matoviqit, figura e tij ruhet si: dëshmi e shoqërisë tradicionale, shembull i autoritetit moral pa pushtet institucional dhe kujtesë për vlerat që bota bashkëkohore po i shkatërron.
Vdiq në moshën 90-vjeçare, në vitin 2002, dhe u varros me nderime të larta në varrezat e Kishës së Shën Mhillit në Dinoshë. Nuk ka lënë trashëgimtarë, as shkrime, por kanë lënë gjurmë në ndërgjegjen e Malësisë.
