22/12/2024

Kohë pandemie, të mbajmë nën kontroll ankthin

0
u1_Entela-Binjaku

Nga Entela Binjaku

Kushtet e reja në të cilat ndodhet shoqëria jonë falë pandemisë së COVID-19-ës kanë krijuar edhe rrethana për më shumë ankth.

Njoftimi për izolim bëri që në ditët e para qytetarët të vërshojnë drejt dyqaneve duke nënkuptuar ankthin që mund të qëndronte pas frikës se “mos mbarojnë e nuk kanë çfarë të hanë”.

Kishte të tjerë që në ditët e para shfaqnin vështirësi për të qëndruar brenda duke nënkuptuar stresin që qëndronte pas qëndrimit të detyrueshëm me familjarët edhe nëse ndjenin nevojën për disa çaste qetësi.

Dita-ditës ankthit për sëmundshmërinë dhe rrezikun e saj të lartë shoqërohej me ankthin për vështirësitë që priteshin t’u vinin përballë.

Vetmia tek disa apo pamundësia e të tjerëve për të qenë afër njerëzve të dashur, pasiguria për të nesërmen apo thjesht ideja se jemi të izoluar, shërbenin si forma të tjera për më shumë ankth.

Të shumtë janë ata që kanë përjetuar këtë veçim shoqëror si izolim, edhe pse në një këndvështrim më të thellë nuk është  i tillë: njerëzit mund të dalin për blerje, mund të shkojnë në farmaci, mund të komunikojnë online me gjithë cepat e botës.

Zhvendosja e komunikimit tërësisht në mjedisin virtual, i ndihmoi të shohin dhe dëgjojnë njëri- tjetrin,  mund të shohin e lexojnë lajme, mund të bëjnë mësim nga shtëpitë, mund të ndjekin edhe shërbesat fetare, ndërkohë që edhe në rast  urgjence mund të drejtoheshin në spital etj.

Por qasjet ndaj kufizimeve dhe reagimi duhen kuptuar edhe nga perspektivat personale: ka njerëz të cilët për temperamentin që kanë kanë  dallojnë për nivel të ulët ndërvprimi shoqëror. Për këtë kategori qëndrimi në shtëpi nuk përbën ndonjë vështirësi e madhe. Përkundrazi ata i shfrytëzojnë këto ditë për ato lloj aktivitetesh që zhvillohen kryesisht brënda shtëpisë.

Për të tjerët temperamenti i cilëve dallon për nivel të lartë ndërveprimi shoqëror, ky qëndrim i kufizuar  ju kërkon të ndryshojnë mjaft edhe  këndvështrimin, gjë e cila shton nivelin stresin. Në raste të tilla sugjerohet që ata të përqëndrohen më shumë tek çfarë është e mundur të bëhet dhe jo tek çfarë nuk kanë mundësi.

Por në mesin tonë ka edhe të tjerë që ose vuajnë nga ankthi, ose kanë prirjen e lartë për ankth. Në mesin tonë ka njerëz hipokondrikë, ka njerëz obsesivë, me ide paranojake ku niveli i stresit dhe paqëndrueshmëria psikike është shumë e lartë, ka njerëz që janë mjaft të brishtë nga pikëpamja psikomotore. Në të gjitha këto raste këshillohet psikoterapisti apo psikologu.

Në këto 25 vitet e fundit veçanërisht  fakultetet shqiptare të shkencave shoqërore në Universitetin e Tiranës dhe në ato rajonale, publike apo jopublike,  kanë edukuar dhe formuar me mijra specialistë të mbështetjes psiko-sociale. Diplomat që zotërojnë në këto fusha nënkuptojnë edhe kuadrin e njohurive që do të duhet të kenë. Kjo kohë rrit nevojën për më shumë ekspertizë nga ana e tyre.

Duke folur për rrethanat e reja që krijojnë burime për ankth dhe stres mund të kujtojmë se në dy javët e fundit teknologjia ka mundësuar edhe rifillimin e mësimit nga shtëpia.  Shumë të rriturve, prindërve  dhe arsimtarëve ju kërkua zhvendosja në një mjedis që nuk e kishin “takuar” më parë. Përshtatja dhe përvetësimi nga ana e tyre për tu ardhur në ndihmë më të vegjëlve kaloi jo pa vështirësi dhe stres. Herë përjashtimi nga qasja, herë mungesat e energjisë elektrike, herë niveli i ulët i ndërveprimit brenda normave, rritën bazën për më shumë pabarazi dhe krijuan premisa të reja për stres.

Por pavarësisht vështirësive të mirëqena që sjell kjo formë komunikimi,  për të mos u pushtuar nga ankthi i kësaj rrethane, mjafton të pohojmë edhe ndonjë nga anët pozitive. Në shumë raste orët nga shtëpia i frekuentojnë më shumë studentë krahasuar me klasat tradicionale, përfshirja shoqërore ka krijuar edhe premisa për më shumë zhvillim personal nga të rriturit, që në rrethana të ndryshme nuk do të kishin shfaqur këto aftësi.

Në këto ditë pandemie bashkë me higjenën e duarve njerëzit duhet të ruajnë edhe higjenën mendore. Për opinionin e përgjithshëm higjiena mendore është një koncept pak i shprehur, apo dhe pak i njohur. Që në fillimet e epidemisë OBSH kishte paralajmëruar rrezikun e infodemisë, ku informacionet përhapeshin thuajse me të njëjtin shpejtësi si infeksioni vetë, ku revista të specializuara paralajmëronin se lajmet e pavërteta përhapeshin 8 herë më shpejt se ato të zyrtare.

Në kushtet kur orteku i informacioneve është marramendës dhe i gjithanshëm, për të ruajtur këtë higjienë duhen kufizuar  informacionet që  krijojnë ankth,  informacionet e rreme apo të pabazuara, teoritë që nxisin frikë. Sot ka qytetarë që ankohen se të vetmet informacione që marrin  janë ato që kanë në qendër vetëm COVID-19.

Për më shumë higjienë mendore njerëzit duhet të përfshihen në aktivitete që janë të shëndetshme, që sjellin gëzim dhe japin mundësinë për qetësi. Idetë që vijnë nga interneti në këtë drejtim janë të panumërta.   Që të mbajnë nën kontroll ankthin, nevojitet të flenë mjaftueshëm, të rrisin vëmendjen ndaj të vegjëlve dhe të moshuarve si kategoritë që kanë më shumë se të tjerët. Që të kontrollojnë ankthin duhet të ndajnë rrezikun e mundshëm nga frikërat e pabazuara, të ekzagjeruara apo nga skenarët e katastrofës.  Të gjitha këto nuk bëjnë tjetër veçse rrisin dhe theksojnë përjetimet e ankthit.

Në këto kohë komunikimesh në një mjedis të ri, të heqin dorë nga biseda me njerëz që ndikojnë keq emocionalisht, që kanë mendime të frikshme, apo që janë vetëm kritikë. Ka njerëz që në këto ditë mbajnë nën kontroll kufizimin duke shkruar, duke sistemuar shtëpinë, duke treguar aftësi  dhe ide të larmishme në gatim,  etj.

Filmat falas apo librat apo filmat falas në biblioteka të njohura elektronike këtë periudhë kanë qenë më të shumtë. Për të ulur ankthin dhe stresin mund të konsultohen libra në fushën e mbështetjes psiko-emocionale, mund të ndiqen  aplikacione të tipit self-help, udhërrëfyes që  mësojnë teknika  frymëmarrjeje etj.

Këto do t’u vijnë në ndihmë të dinë të ndajnë të arsyeshmen nga e paarsyeshmja, duke rritur prirjen për ulje të stresit.

Në këtë kohë vecimi nga përvojat me tw  tjerw,  kemi mundësi t’u kushtohemi të njohurve  që janë më në nevojë, që bashkëjetojnë me vetminë apo që janë të sëmurë kronikë. Të mbyllur me familjarët, kjo kohë ka rritur mundësinë t’u qëndrojmë pranë, duke rritur dobishmërinë e secilit dhe besimin tek mbështetja kaq e domosdoshme tek njeri-tjetri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok