13/12/2024

Kohë-humbësit e njohjes së shtetësisë së Kosovës!

0
Enver-Bytyci1

Nga Enver Bytyçi

Prej vitit 2017 vende të shumta që nuk e kanë njohur Kosovën kanë patur një arsye për këtë. Prej asaj kohe këto vende kanë pritur “zgjidhjen” me krijimin e Jugosllavisë së re, brenda së cilës të ishte edhe Kosova. Ose kanë pritur ndarjen e territorit të Kosovës e për pasojë edhe ndarjen e saj midis Serbisë dhe Shqipërisë, sipas akordit të kryeministrit të Shqipërisë, Presidentit të Serbisë dhe ish-presidentit të Republikës së Kosovës! Angazhimi i Shqipërisë zyrtare, Beogradit dhe presidencës së Kosovës për realizimin e këtyre dy opsioneve e stepën me të drejtë përpjekjen për njohje të shtetësisë së saj. Qeveritë e përgjegjshme nuk kishin pse të shpallnin njohjen e shtetit e të pavarësisë, sa kohë që vetë presidenti i vendit dhe kryeministri i vendit “amë” ishin në aksion për zhbërjen e atij shteti.

Sot po duket qartë se gjërat kanë ndryshuar, ose së paku po ndryshojnë pozitivisht. Ndonëse ndaj Albin Kurtit po ka kritika, disa herë edhe të ashpra, sinjalet që vijnë japin shpresë më shumë se kurrë më parë për njohjen dhe konsolidimin e shtetit më të ri në Europë, ose shtetit të fundit që del nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë. Kjo për shkak se qeverisja dhe institucionet e Kosovës po e bindin botën demokratike e më gjerë, se ndarja dhe Jugosllavia e Re nuk kalojnë në Kosovë. Krijimi i kësaj situate positive ka vënë në lëvizje edhe njohjen nga dy shtetet me peshën morale më të madhe të globit, Vatikanit dhe Ukrainës.

Papa Françesku njoftoi se përgatitet për një vizitë në Kosovë. Para ose pas saj, kjo vizitë do të sjellë njohjen formale të shtetit të Kosovës. Ndërsa vetë vizita do të jetë konfirmim i njohjes de facto të saj. Lëvizja e Vatikanit drejt njohjes së Kosovës është jetike e ndërkohë është rrjedhojë e faktit se “Kosova është e vendosur për ta realizuar shtetësinë e saj”! Të jesh i vendosur në qëllimet e tua është alfa dhe omega e suksesit. Presidentja Osmani, kryeministri Kurti, qeveria e vendit, mund të kenë shumë të meta. Mund të kenë bërë gabime. Por në një gjë ama ata nuk lëshuan pe: – Në përkushtimin për të implementuar shtetësinë e vendit të tyre. Madje në luftë edhe së paku me gjysmën e politikës në Kosovë e në Shqipëri. Jo vetëm në luftë me Beoigradin dhe lobistët pro-serbë kudo nëpër botë!

Kjo është arsyeja pse gjithashtu Ukraina e ka njohur de facto shtetësinë e Kosovës. Nënshkrimi i letrës në mbështetje të Kosovës nga ana e kryetarit të Komisionit të Jashtëm të parlamentit ukrainas është konfirmim i plotë i kësaj njohjeje de facto. Presidenti i Serbisë “paralajmëroi” Ukrainën se do ta dëmtojë interesin e saj kombëtar, nëse de jure e njeh shtetin e Kosovës. Por politikanët ukrainas e dinë më mirë sesa Vuçiç, nëse dëmtojnë apo përkundrazi mbrojnë veten e tyre dhe interesat e vendit të tyre me njohjen e Kosovës. Vuçiç në këtë rast luajti rolin e zëdhënësit të Vladimir Putin, duke “paralajmëruar” humbjen e Krimesë nga ana e Ukrainës, nëse ajo e njeh shtetësinë e Kosovës. Ndoshta do të ishte mirë që kreut të shtetit serb t’i kujtohej në këtë rast se “Kosova është e humbur për Serbinë, për shkak se vetë ai ishte aktiv në genocidin serb kundër shqiptarëve”, ndërkohë që në Krime nuk kishte e nuk ka asnjë provë për dhunë e terror. Kosova vetëm se mund ta ndihëmojë rikthimin e Krimesë nën sovranitetin e Ukrainës. Ndërsa Serbia ka dëshmuar se është palë më Kremlinin kundër Ukrainës!

Në momentin që Vatikani dhe Ukraina do ta njohin edhe formalisht shtetësinë e Kosovës, në atë moment ajo e ka të fituar betejën morale e politike për pavarësinë e saj. Dhe sa më të vendosur të jenë liderët politikë në Kosovë në mbrojtje të lirisë, pavarësisë, shtetësisë, institucioneve, sovranitetit, integritetit territorial dhe demokracisë, aq më shpejt do të realizohet shtetësia e plotë në këtë vend. Askush nuk duhet të ketë mëdyshje për këtë. Përpjekjet e këtyre pak më shumë se dy viteve për ta mbrojtur shtetësinë dhe territorin e Kosovës janë dëshmi e kthesës së rëndësishme në rrugën e konsolidimit të pavarësisë së saj.

Megjithatë dikush duhet të përgjigjet për kohën e humbur. Kohë-humbësit kanë emrat dhe mbiemrat e tyre. Ata janë aktivë edhe në ditët e sotme. Madje sa më shumë shohin fundin e turpshëm të tyre, aq më agresivë bëhen. Kohë-humbësit e Kosovës nuk duan që shteti i saj të jetësohet plotësisht. Ata edhe sot i qëndrojnë besnik paktit me Serbinë dhe presidentin e saj, Aleksandër Vuçiç. Punojnë pa pushim kundër pavarësisë dhe shtetësisë së vendit.

Por qeveria e Kosovës, presidentja e vendit, Osmani, të gjitha institucionet, duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet e nevojshme për t’i dhënë fund kohës së kohë-humbësve të Kosovës! Të angazhohen me gjithçka kanë në dorë që të realizohet brenda këtij viti edhe njohja formale nga ana e Vatikanit dhe Ukrainës e më pas do të vijë njohja nga pesë vendet anëtare të BE-së!

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok