Koha për lamtumirën e vitit që ikën dhe mirëseardhjen e vitit që vjen
Nga Albert Vataj
Fundi i një viti nuk është thjeshtë flakja në kosh e hedhurinave të kalendarit që na shoqëroi ditë pas dite, por edhe ndarja me e përgjithmonshme me çdo gjë që erdhi me të dhe largohet njëherash, për t’i lënë vendin të tjera mundësive dhe projekteve, të tjerë spovash dhe ngulmimesh për të mbërritur përmes synimeve te qëllimet.
Shpesh ditët dhe orët e fundvitit karakterizohen jo nga një nxitim për të përmbyllur diçka, por për ta përfunduar sa më shpejt kohën që shterruan potencialet, thua se janë ditët ato që vendosin për përmbushjen tuaj.
Viti i ri, është një nisje prej fillimit, pse jo. Shpesh duke nisur diçka nga fillimi, kemi një shtysë më të madhe për t’i shkuar në fund. Ndoshta përpiqesh t’i bësh gjërat ndryshe, duke u përpjekur për të shmangur pengesat që ju pamundësuan të realizonit diçka, së cilës ju përkushtuat dhe bëtë të pamundur, duke rezultuar gjithçka si e pamjaftueshme.
Në këtë moment të kalimit nga një vit në tjetrin, zemrat ndiejnë një përzierje emocionesh, gëzimi për arritjet, keqardhjeje për dështimet, dhe mbi të gjitha, një shpresë të heshtur për atë që ende nuk ka ardhur.
Ndonëse objektivat madhore mund të duken si majat e pamundura, shpesh janë hapat e vegjël që ndërtojnë urën drejt tyre. Për këtë arsye, fundviti është një ftesë për të vlerësuar jo vetëm sukseset e mëdha, por edhe momentet e vogla të fitoreve personale.
Koha në vetvete është një rrjedhë e pandalshme, por njerëzit kanë gjetur mënyra për ta ndarë atë në kapituj simbolikë, duke krijuar ndjesinë e një fillimi të ri. Ky është sekreti i fuqisë së vitit të ri – jo kalendari, por vullneti për të besuar në mundësitë që ai sjell.
Cilido qoftë ky vit për ju, kujtoni se çdo fillim është një mundësi për të rindërtuar, për të mësuar nga e shkuara, dhe për të krijuar një të ardhme që i përgjigjet aspiratave tuaja.
Krijimi i një atmosfere kaotike dhe shpesh ekzagjerimi në festimet e fundvitit, pjesë e të cilëes jemi të gjithë ne, pavarësisht intensitetit emocional të përjetimeve dhe arsyes për t’u hedhur qoftë edhe për pak ditë në krahët e harrimit, mund të shihet nga një perspektivë filozofike si një mekanizëm simbolik për të përballuar rrjedhën e pandalshme të kohës dhe përkohshmërinë e jetës.
Festimet e fundvitit, me gjithë elementet e tyre të spektaklit dehës, është si një reagim ndaj ankthit ekzistencial që lind nga ndërgjegjësimi për kalimin e kohës dhe afërsinë e fundit të pashmangshëm. Duke krijuar një atmosferë gëzimi dhe harrese, individët përpiqen të largojnë mendimet mbi përkohshmërinë dhe pakuptimësinë e mundshme të jetës.
Sartre dhe Heidegger argumentojnë se përballja me kufizimet e ekzistencës sonë shpesh çon në përpjekje për t’i shmangur ato përmes argëtimit dhe shpërqendrimit.
Festimi kaotik i fundvitit mund të jetë një përpjekje kolektive për të vendosur një rregull simbolik në kaosin e rrjedhës së jetës. Kalendari ofron një ndarje të qartë: një vit përfundon, një tjetër nis, duke krijuar ndjesinë e një cikli që mbyllet dhe një të reje që fillon.
Mircea Eliade thekson se njerëzit përdorin ritet dhe festimet për të shuar kaosin dhe për të ringjallur rregullin, duke përtërirë universin e tyre simbolik.
Festimet moderne të fundvitit shpesh mbizotërohen nga konsumizmi dhe presioni shoqëror për të shpenzuar më shumë, për të ngrënë e pirë në tepri, dhe për të krijuar një iluzion të gëzimit universal. Kjo mund të shihet si një manipulim që përfiton nga dëshira njerëzore për të shpëtuar nga rutina dhe ankthi.
Adorno dhe Horkheimer në “Teoria Kritike” argumentojnë se kultura bashkëkohore, përmes industrive të argëtimit dhe reklamave, manipulojnë individët për të konsumuar dhe për të pranuar normat e vendosura, duke u larguar nga pyetjet e thella mbi jetën dhe qëllimin e saj.
Fundviti shënon një ndarje arbitrare të rrjedhës së kohës, që në të vërtetë është e pandalshme dhe lineare. Atmosfera e festimeve, në këtë kuptim, është gjithashtu një mënyrë për të “luajtur” me konceptin e kohës: duke e shndërruar atë nga një forcë e ftohtë kronometrike në diçka që mund të gëzohet, të festohet dhe të përvetësohet në mënyrë simbolike.
Niçe dhe koncepti i përjetshmërisë së kthimit kumtonte se njerëzit, duke festuar fundin e një viti dhe fillimin e një tjetri, mund të jenë duke imituar ciklet e natyrës, një përpjekje për të përjetuar ndjesinë e përhershmërisë dhe vazhdimësisë.
Çdo vit i ri është një nisje, një start që mund të ndryshojë jetën, një rinisje që të tregon të tjera shtigje dhe rrugë për të shkuar te vetvetja, përmes së cilës ne mbërrimë përmbushjen.