10/03/2025

KLINË: KATËR MËSIMDHËNËS TË VRARË E TË ZHDUKUR NË DY MASAKRA DHE 18 ARSIMTARË TË VRARË NË LUFTË

0
Heronjte-Mesues

NË DITËN E SHKOLLËS SHQIPE

Përkujtime

Nga Prend BUZHALA

Klina përjetoi dy vite luftë, po edhe terror të rëndë gjenocidal: me dëbimin e popullatës, me një varg masakrash në shumë mese, me shkatërrimin e rreth 45 vendbanimeve mbi 90 për qind, ke keqtrajtime barbare të popullatës, me vrasje civilësh, me plaçkitje e shkatërrim masiv të ekonomisë bujqësore e shtëpiake etj. Në këtë komunë kishte një përqendrim të madh të forcave ushtarake, paramilitare e policore.

Më 28 mars qyteti i Klinës përjetoi dëbimin masiv të popullatës. Popullata ndahet më dysh, disa shkojnë për Pustasel të Rahovecit, ku humbën jetën 106 veta e disa për në Kralan të komunës së Gjakovës., ku humbën jetën 87 veta. Ende ndër ta ka që vazhdojnë të jenë të zhdukur.

“Sulmi i forcave serbe në popullatën civile shqiptare (në Kralan) u bë më datën 2 prill 1999, ditën e premte, rreth orës 16”, duke vazhduar edhe për dy ditë tjera, kurse “banorët janë keqtrajtuar dhe plaçkitur, ndërsa dy ditë më vonë Iliri dhe shumë të tjerë ndahen nga të tjerët dhe më pastaj ekzekutohen. ” (shi libri “Masakra e Kralanit” i autorëve dr. Jusuf Osmani e Ramë Manaj.

Në këto masakra kanë humbur jetën katër arsimtarë të Klinës: Ilaz Gashi (në Pastasel) dhe Ilir Abdyl Kelmendi, Enver Hoti e Sinan Raci.

Lufta e fundit në komunën e Klinës  mori jetën e 28 nxënësve dhe 18 arsimtarëve. Shumë arsimtarë dhe shkollarë të mesëm ishin luftëtarë të UÇK-së dhe ndër ta edhe dëshmorë, të plagosur e drejtues njësitesh etj. Mijëra të tjerë u dëbuan në eksod. Mijëra të tjerë jetonin nëpër male.

Dhe, shkolla shqipe, së bashku me popullin e saj, agoi në lirinë e saj në Qershor 1999.

ILAZ GASHI

Ishte profesor  autoritetshëm në gjimnazin “Luigj Gurakuqi” të Klinës. Meqë ishte lexues i pasionuar dhe e donte shumë punën në arsim, ai merrej edhe me shkrime. Ka shkruar poezi dhe punime me karakter studimor e letrar. Pasioni e entuziazmi i tij nuk kishte se si të mos binte në sy të okupuesve, meqë vazhdimisht gjatë viteve ’90 gjendej mu në ballë të ngjarjeve të kohës e të rezistencës shqiptare.

1.

Edhe në komunën e Klinës, si në gjithë Kosovën, Shkolla shqipe nisi të thurte e të ndërtonte një kapitull të ri historie, që dallon, për shumëçka, nga zhvillimi e organizimi i arsimit në vendet e tjera. Alternativa që zgjodhi arsimi shqip, ishte alternativë e lirisë, alternativë e rezistencës, alternativë e sistemit shkollor të pavarur (të pavarur nga prangat ideologjike-shtetërore, nga njëra anë dhe nga sistemi i dhunës hegjemoniste, nga ana tjetër); ishte alternativë e realizimit të shtetësisë së Kosovës.

Shkollarët morën notat e para, mësimet e para, librat e parë, dëftesat e diplomat e para të një shkolle të brendaçliruar: notat e lirisë, mësimet e lirisë, librat e lirisë, dëftesat e diplomat e lirisë.

Vërtet, burgosjet e mësimdhënësve e të nxënësve nuk kishin pushuar për një dekadë rresht gjatë viteve ‘80, për të arritur kulmin dhuna e regjimit serbe, në ato fundvite, me sulmin ndaj emrit të gjimnazit “Luigj Gurakuqi” dhe me helmimin e gjimnazistëve që më 1989. Klina ishte eksperimenti i parë e shënjestra e parë e këtyre sulmeve. Por edhe rezistenca ishte e madhe: mospajtimi, protesta e nxënësve, arsimtarëve dhe prindërve, nuk pushoi asnjëherë.

Kush mund t’i numërojë mësuesit e burgosur, të diferencuar, të përjashtuar e të diskriminuar?

2.

I lindur më 1955 në fshatin Mleqan të Malishevës (dikur Mleqani ishte me komunën e Klinës), ai ishte vendosur në Klinë. Në gjimnaz, Në Klinë dhe Kijevë (Kijeva aso kohe paralele e ndarë e jimanzit në Klinë), punoi prej vitit 1978.

Rrjedh nga një familje me tradita atdhetare.

Shkollën fillore dhe gjimnazin e kreu në Kijevë, Fakultetin Filozofik (Degën e letërsisë dhe gjuhës shqipe) në Prishtinë. Si profesor filloi të punojë në gjimnazin Luigj Gurakuqi në Klinë, paralelja e ndarë në Kijevë, që nga viti 1978 e pastaj edhe në Klinë.  Rruga jetësore e prof. I. Gashit edhe pse ishte e rëndë dhe e mundimshme siç ishte e të gjithë shqiptarëve të arsimuar, ishte po aq edhe krenare dhe e lavdishme.

Më 1989 bashkë me shumë shqiptarë tjerë përjetoi torturë të rëndë në qelitë famëkeqe në burgun e Pejës. Ishte i martuar me Elfije Krasniqin nga Ceroviku dhe kanë tre fëmijë, të cilët i rritën dhe i edukuan në një frymë kombëtare dhe tradicionale.

Rrathët e dhunës po shtrëngoheshin, kur shkolla shqipe këtu po përjetonte vite të vështira, që nga keqtrajtimet, arrestimet masive të arsimtarëve e nxënësve e deri edhe te vrasjet, që morën hov gjatë viteve 1998-1999, kur për dy vite këtu pati rezistencë luftë të armatosur në krye me UÇK-në. Dhe nuk ishte e rastit përse rreth 78 dëshmorë ose kishin qenë nxënës e arsimtarë të shkollës së mesme “Luigj Gurakuqi” ose ishin nxënës të saj.

“Fryma e tij patriotike vërehej në shërbimin ushtarak jugosllav në vitet e 80-ta dhe që nga ajo kohë ishte halë në sy te armikut. Veprimtaria e tij ngjallet edhe me tepër duke kontribuar në organizimin e UÇK-së jo vetëm në Klinë, por në tërë Kosovën. Daljen në skenë të UÇK-së profesor Iljazi e shihte një fitore historike të Kosovës. Vetëm katër ditë pas fillimit të sulmeve të NATO-s ndaj forcave serbe në Kosovë, caqeve të tyre në Serbi, familja e Iljaz Gashit largohet nga Klina. Së bashku me ta ishte edhe Iljazi. Sikurse shumë të tjerë edhe për ta çerdhe e vetme strehimi ishte fshati Pastasel. Mirëpo, këtu vërshuan korbat duke bërë tmerr. Iljazi e kishte kuptuar se çfarë do të ndodhte me ta. I përqafon fëmijët për herë të fundit, ndërsa bashkëshorten Elfijen e porosit: “Amanet fëmijët rriti dhe edukoi ashtu siç është më së miri në rrugën e drejtë, por mbi të gjitha rriti me frymë patriotike atdhedashuri”.

3.

Kolegët e tij e kujtojnë si njeri të përkushtimit dhe tëi sakrificës. Madje,  që kur ishte nxënës e deri kur bëhet profesor edhe me vonë, te ai shihnin njeriun tolerant, gjithnjë të buzlqeshur kur bashkëbisedonte. Nuk u pajtua asnjëherë me situatat e vështira të popullit shqiptar në Kosovë nën sundimin serb. Ai vazhdimisht këtë brengë e shfaqte jo vetëm në biseda, po edhe në shkrime. “Vërtetë Ilazi ishte njeri dhe profesor i nderuar nga nxënësit e i respektuar nga shokët e tij të punës, që sot e kujtojnë me nostalgji figurën dhe personalitetin e tij, shumë të dashur e të afërt e të sinqertë. Ja që lufta na i mori lulet më të mira. Kur lufta kishte kapluar tërë Kosovën lajmi për vrasjen dëshmorit Skënder Rexhepi nga Mrasori ish nxënës i I. Gashit e kishte tronditur shumë dhe në një bisedë, profesor Ilazi rikujton takimin e tij me Skënderin diku në pyjet e Llapçevës, ku ata ishin takuar. Ilazi rrëfen se si Skënderi nga modestia nuk eksponohet si ushtar i UÇK-së, por kur prof.Ilazi e pyet pse jeni inkuadruar në radhët e UÇK-së Skënderi i përgjigjët: “Po profesor ju na keni mësuar e fiymëzuar ta duam atdheun e lirinë dhe do të isha shumë i lumtur që gjaku im të ujit tokën e Kosovës dhe nga ky gjak të lind liria”,   Ishte edhe gjaku  profesor Ilazit që e vulosi lirinë e Kosovës, pasi qe  ekzekutuar nga paramilitarët serbë më 31 mars 1999 në fshatin Pastasel të Rahovecit.

Të  ekzekutuarit, ishinb thjeshtë civilë, të cilët u masakruan,  shumica nga Rudina (ish-Pastaseli), nga Senoci, Zatriqi, nga Kramoviku, Polluzha, nga Çifllaku, Kozniku, Guri i Kuq të komunës së Rahovecit, si dhe të tjerë, nga Gremniku i Klinës si profesori Ilaz Gashi, pastaj nga komuna e Malishevës, nga komuna e Pejës, e të Skenderajt.

Gjatë viteve ‘90, kur nxënësit u përzunë më dhunë nga shkollat, profesor Ilazi një kohë dha mësim në disa punkte shkollore.  Në kohën e luftës ai ndau fatibn me qytetarët tjerë: “Pasiqë kolona e qytetarëve të shumtë klinas niset në drejtim të Shqipërisë, Ilazi bashkë me disa tjerë u ndanë nga kolona që shkonte në Kralan dhe me shpresë që do të kalojnë me lehtë, niset për në Anadrini. Më 31 mars në fshatin Pastasel dhjetëra mijëra persona rrethohen nga forca të mëdha të ushtrisë dhe makinerisë serbe. Aty po këtë ditë nga bandat paramilitare serbe masakrohen 106 qytetarë më të vetmin faj se ishin shqiptarë. Në mesin e tyre u masakrua edhe profesori i nderuar. Kufomat e tyre i mori armiku me vete dhe i la hapur varret dhe shumë zemra shqiptare… Më 17 janar 2003 varroset në vendin e tij të lindjes në praninë e mijëra qytetarëve të shumtë që merrnin pjesë për të përcjellë në banesën e fundit, trupin e tij.”

Emri i Ilaz Gashit qëndron në themelet e shkollës shqipe në këtë komunë,  shkollë që në ato vite nisi të thurte e të ndërtonte një kapitull të ri historie, që dallon, për shumëçka, nga zhvillimi e organizimi i arsimit në vendet e tjera. Alternativa që zgjodhi arsimi shqip, ishte alternativë e lirisë, alternativë e rezistencës, alternativë e sistemit shkollor të pavarur (të pavarur nga prangat ideologjike-shtetërore, nga njëra anë dhe nga sistemi i dhunës hegjemoniste, nga ana tjetër); ishte alternativë e realizimit të shtetësisë së Kosovës. Dhe me këtë frymë vazhdoi edhe gjatë luftës, deri kur u çlirua Kosova.

ILIR ABDYL KELMENDI

Ishte profesor në Shkollën e Mesme “Luigj Gurakuqi të Klinës, kur qe kidnapuar nga Forrcat serbe në Masakrën e njohur të Kralanit. Në shënimet për Ilirin thuhet, ndër të tjera thuhet:

“Në momentin e kidnapimit Iliri kishte në duar vajzën Elsën. Babi i tij Avdyli, veteran i arsimit, tregonte se ka mbetur i fundit gjatë dëbimit dhe ka dëgjuar disa të shtëna armësh dhe klithma të të rinjve. Iliri ishte i martuar me Shyhrete Gashin nga Kijeva e Malishevës  dhe kanë lindur vajzën Elsën.”

Ilir A. Kelmendi u lind më 4 nëntor 1968 në fshatin Balincë të komunës së Malishevës. Ishte shpërngulur dhe jetonte në Klinë. Pas kryerjes së shkollës fillore, vazhdoi shkollën e mesme (atëherë QAMO) “Luigj Gurakuqi” në Klinë. Pas përfundimit të shkollimit të mesëm, Iliri u regjistrua në fakultet dhe kreu me sukses studimet në Fakultetin Teknik, dega e makinerisë në Universitetin e Prishtinës. Në Universitetin e Prishtinës ishte ndër studentët më të dalluar. Gjatë vitit 1992/93 ishte zgjedhur prodekan student në fakultet. Pas përfundimit të fakultetit Iliri punoi si profesor në Qendrën shkollore në Klinë.

Në vitin 1989 kishte marrë pjesë dhe ishte një ndër aktivistët e organizimit të demonstratave të studentëve të Universitetit të Prishtinës kundër pushtetit serb.

Me fillimin e luftës, përkatësisht të agresionit serb në Kosovë në vitet 1998/99, Iliri u angazhua në shumë aktivitete shoqërore, posaçërisht në lëmin e

informimit. Ai së bashku me profesorin dhe veprimtarin Hamit Krasniqi, u.raportonte shumë agjencive botërore të informimit, KLMDNJ në Prishtinë, Qendrës së Informimit të Kosovës në Prishtinë për krimet dhe gjenocidin që bënte pushteti serb në Kosovë, posaçërisht në komunën e Klinës.”

“Të dhënat për lirin janë marrë nga nëna Sofije Kelemendi, 72 vjeç dhe motra Resmije.

Kelmendi-Hajzeraj më 28.01.2012.

Fillimisht, më 28 mars, një grup i madh i të dëbuarve nga Klina më datën 28 mars 1999, në mesin e tyre edhe familja Kelmendi, u nisën në drejtim të Zllakuçanit për të shkuar në Mal të Zi. “Por, forcat serbe i këthyen dhe u thanë se duhet të shkojnë për në Shqipëri. Te vendi Ura e Haxhisë nga kolona i ndajnë veprimtarët Hamit Krasniqin dhe Emin Deskun. Kolona ka vazhduar rrugën. Është detyruar të shkojë në fshatin Kralan të Dushkajës. Aty më 2 prill 1999 rrethohet nga forcat serbe. Banorët janë keqtrajtuar dhe plaçkitur, ndërsa dy ditë më vonë Iliri dhe shumë të tjerë ndahen nga të tjerët dhe më pastaj ekzekutohen.”

Pas luftës, kufoma e Ilirit është gjetur në fshatin Brekoc të Gjakovës, më 30 tetor 2002. Është rivarrosur më 6 maj 2005 në fshatin Balincë të komunës së Malishevës.

ENVER H. HOTI

Enver H. Hoti ishte profesor i Mbrojtjes  dhe Sigurisë në Shkallën e Mesme “Luigj Gurakuqi” në Klinë. Okuousesi serb nuk ka mundur ta falë këtë profesor,s espe u paska mlsaur nxënësve “taktikat ushtarake”.

U lind më 1 dhjetor 1954 në fshatin Jashanicë të Klinës, e më vonë me familje u shpërngul të jetojë në qytezën e Klinës. Kishte kryer Shkollën e Lartë Pedagogjike, grupi i gjuhës dhe letërsisë shqipe. Më pastaj punoi si drejtor i OP  Kosovatrans”, njësia në Klinë, ku edhe  dëbohet nga puna nga regjimi. Enveri ishte aktivist i njohur, me që ishte epror rezervë ushtarak, përherë ishte në shënjestër të pushtetit serb. Sikurse edhe shumë banorë të Klinës dhe të rrethinës edhe Enveri u dëbua nga shtëpia. Rrugës për në Shqipëri kolona, ku gjendej Enveri, ndalet në fshatin Kralan. Edhe në Kralan ai u printe masës në kolonë dhe negocionte me oficierët ushtarakë. Ai për të shpëtuar masën, siç iu ishte premtuar, grumbulloi nga popullata marka gjermane dhe ua dha. Edhe pse i morën paret, ata nuk i liruan, Erdhi ndërrimi tjetër i cili gjithashtu vazhdoi keqtrajtimet dhe dhunën. Enveri iu ndihmonte edhe të moshuarëve, grave dhe fëmijëve. Edhe ai ishte nisur për t’u larguar, por kur e kuptojnë se kush ishte, atë e kthejnë nga kolona dhe më pastaj e përjeton fatin e njëjtë si viktimat të tjera. Në fillim Enverit ia patën ndalë djalin,  Ilirin, babain dhe vëllain. Më datë 5 janar 2005 trupi i tij është gjetur në varrezën masive në Batajnicë të Serbisë. Enver ishte i martuar me Fatimen dhe në jetën familjare

kanë pasur dy djemë: Ilirin dhe Kujtimin.

Të dhënat e Fatime Hotit u morën më 18.12.2011.

SINAN SH. RACI

Ishte mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkollën fillore “Motra t Qiriazi” të Klinës. Më parë kishte punuar mësimdhënës në Lipjan.

U lind më 10.07.1948 në fshatin Siçevë të Klinës, aty edhe ku jetonte pasi më parë ishte shpërngulur nga vendlindja. Pasi kreu shkollën fillore dhe të mesme, është regjistruar në Fakultetin Filologjik, dega e gjuhës dhe letërsisë shqipe, në Universitetin e Prishtinës dhe e kreu me sukses.

Në profesionin e shenjtë të arsimit punoi me dëshirë të madhe, kurse kolegët dhe nxënësit e tij kanë fjalë miradije për të. Puna e tijkishte ran në sy tç pushtetit dhe nuk ishte e rastit përse e vranë.

Gjatë luftës Sinani qëndroi në Klinë. Më datë 28 mars 1999 u dëbua nga Klina. U nis në kolonë me shumë të dëbuar të tjerë. Sikurse të tjerët edhe.ky u ndal në Kralan dhe më datë 2 prill 1999 ndahet nga familja. Që nga 4 prilli i këtij viti nuk dihet asgjë për fatin e tij dhe shumë të tjerëve.

Sinani ishte i martuar dhe pas veti la dy fëmijë: Armendin dhe Endritin.”

Të dhënat e dërguara nga djali Endrit Racaj, në dhjetor 2011.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok