21/12/2024

Këshilltari i Albin Kurtit më i zi se njerëzit e Sllobodan Millosheviqit!

0
u6_Gashi-Shtypi-Serb

Nga Bardhyl Mahmuti

Deklaratat skandaloze antishqiptare që në vazhdimësi ka bërë Shkëlzen Gashi, morën përmasa më të mëdha për shkak të funksionit të tij si këshilltar i kryeministrit të Kosovës, z. Albin Kurtit.

Shumica e njerëzve që kanë reaguar, kanë shprehur revoltën kundër deklaratave të tilla dhe një numër i konsiderueshëm prej tyre bënë apele publike për shkarkimin nga ky funksion.

Ajo që më shtyri të reagoj ka të bëjë me pasojat e një deklarate të tillë.

Një numër gazetash serbe e shfrytëzuan rastin për të përgjithësuar qëndrimet e Shkëlzen Gashit si të ishin qëndrime të gjithë shqiptarëve! Sa për ilustrim po sjell foto nga kryeartikulli i gazetës serbe “Kurir” i titulluar SHQIPTARËT I PRANUAN KRIMET E UÇK-së! Këshilltari i Kurtit, Shkëlzen Gashi: Dik Marti ka drejtë, kemi 1000 CIVILË SERBË TË VRARË!”

Në “Librin e Bardhë” të Shërbimit Sekret Serb, të botuar dhe të shpërndarë në mars të vitit 2000, domethënë 9 muaj pas përfundimit të luftës kur ende në pushtet ishte Sllobodan Millosheviqi, u publikuan listat e civilëve të vrarë, të rrëmbyer dhe të zhdukur që i atribuoheshin UÇK-së. Në këtë botim zyrtar të shtetit serb, që përfshin periudhën nga 1 janari 1998 deri më 10 qershor 1999, pra deri në datën që për Serbinë konsiderohet përfundimi i luftës, numri zyrtar i serbëve dhe malazezëve që pretendohej se UÇK-ja kishte vrarë është 75, ndërkaq fiks 100 persona të tjerë të këtyre përkatësive etnike ishte rrëmbyer apo zhdukur nga UÇK-ja.

Që të duket sa më tragjik “veprimi i terroristëve shqiptarë”, në listën e personave të vrarë, të rrëmbyer dhe të zhdukur përmenden njerëz të moshave të shtyra, të cilët nuk kanë qenë në gjendje të mbrohen. Në këtë listë përmendet Miroslav Shmigiq, 80 vjeç, Sultana Shmigiq, 76 vjeç, Aleksandar Shmigiq, 75 vjeç, Jovan Vasiq 74 vjeçar, Vitko Kostiq, 70 vjeç, Stajko Andjelkoviq, 69 vjeç, Darinka Vujoshevi, 69 vjeç, Dragoljub Voshtiq, 69 vjeçar, Zhivorad Krstiq, 68 vjeç, Radomir Voshtiq, 67 vjeç e kështu me radhë.

Vlen të theksohet se që nga data 1 janar 1998 e deri më 10 qershor 1999, në Librin Amëz të të vdekurve në komunën e Deçanit, të Pejës, të Rahovecit, të Skenderajt dhe të Drenasit, pra në komunat ku intensiteti i luftës ishte më i madh, asnjë serb nuk ishte regjistruar si i vdekur nga vdekje natyrore!

Imagjinoni për një çast në çfarë situate jemi! Pushteti që zbatoi gjenocidin kundër shqiptarëve në Kosovë e akuzonte UÇK-në për vrasjen, rrëmbimin dhe zhdukjen e 175 civilëve serbë dhe malazezë, ndërkaq, 20 vjet më vonë, Shkëlzen Gashi e rriti numrin e tyre në 1000!!! Për këtë arsye mediat serbe i dhanë publicitet aq të madh!

Pohimet e tilla nuk përfaqësojnë shqiptarët, por dalje në sipërfaqe në kontekst të ri historik të logjikës që ka mbjellë Serbia në Kosovë!

Këtu nuk kemi të bëjmë me të drejtën për të shprehur lirshëm mendimin! Këtu kemi të bëjmë me shpifje skandaloze me qëllim të njollosjes së UÇK-së. I takon prokurorisë që të shqyrtojë mundësinë për të bërë padi për shpifje, në të kundërtën këtë gjë duhet ta bëjnë shoqatat e dala nga lufta!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok