21/11/2024

KËRKOHET DËNIMI I “KRIMIT TË APOLOGJISË” SË KOMUNIZMIT NË SHQIPËRI

0

Nga Frank Shkreli

Në Asamblenë e Përgjithëshme të saj, Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë, mbajtur javën e kaluar me 15 Nentor, miratoi një kërkesë e cila u njoftua për median dje të martën nga Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Arkipeshkëvi Metropolit Shkodër-Pult, i Përndershmi Angjelo Massafra, drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe Kryeministrit të vendit – që të shqyrtojnë seriozisht dënimin me ligj të dukurive të “krimit të apologjisë” të komunizmit në Shqipëri –siç e quajnë udhëheqsit e Kishës Katolike në Shqipëri fenomenin e shfaqjeve nostalgjike për ish-regjimin komunist dhe liderin e saj Emver Hoxhën, në Shqipëri.  Konferenca për Shtyp – Kisha Katolike Shqipëri (kishakatolikeshkoder.com)

Përfaqsuesit më të lartë të Kishës Katolike në Shqipëri, konstatojnë, ndër të tjera se, “Që nga veriu në jug ka rikthime të herpashershme të neo-komunizmit dhe forma të ndryshme të lartësimit të ish-diktaturës komuniste të cilat fyejnë ata që kanë vuajtur dhe shkaktojnë përplasje…”.  Ata shprehin shqetësimin e tyre duke konstatuar gjithashtu se disa televizione në Shqipëri, “paraqesin ende filma të prodhuar nga diktatura, të cilët, për pasojë mbajnë gjallë komunizmin dhe “injektojnë” pak nga pak, parimet e diktatorit, brezit të rij.”  Si, vërtetim të shqetësimeve të tyre serioze, klerikët e lartë të Kishës Katolike në Shqipëri, në thirrjen e tyre për dënimin me ligj të “krimit të apologjisë”, theksojnë se, “librat e historisë nuk thonë të vërtetën mbi komunizmin në Shqipëri”, ndërsa kujtojnë se, “në vende turistike shiten objekte/suvenris të diktatorit dhe i ngrenë lavde atij.”

Në dokument thuhet se, në mbështetje të mësimeve të “parimeve ungjillore dhe në Magjisterin e Kishës – Kisha Katolike “ndjenë detyrën të denoncojë të keqen kudo që paraqitet dhe të shmangë përhapjen e saj me çdo mjet moral që ka në dispozicion”, të saj.

Prandaj, udhëheqsit e lartë të Kishës Katolike të Shqipërisë e konsiderojnë si, “urgjente vendosjen e drejtësisë shoqërore, si garanci për paqën dhe vëllazërinë mes njerëzve”, në Shqipëri, duke u kërkuar autoriteteve institucionale më të larta ligjbërse dhe ligjzbatuese në atë vend – që, “Të miratohet një ligj i cili të parashikojë krimin e apologjisë së komunizmit njësoj si vendet e evropiane dhe që parashikojnë  sanksione të rënda për krimin e nazizmit dhe të fashizmit…”. Kisha Katolike në Shqipëri kërkon edhe që, “Librat e historisë të shkruajnë të vërtetën e komunizmit në Shqipëri… dhe që burgjet dhe vendet e torturës të ruhen si muze…”, për brezat e ardhëshëm.

Janë këto disa prej kërkesave të ipeshkvijve katolikë në Shqipëri që gjatë dekadave janë paraqitur nga instanca të ndryshme si projekt-rezoluta, por që për një arsye ose tjetër – asnjëra prej dy partive kryesore politike të Shqipërisë — socialistët dhe demokratët — që kanë qeverisur Shqipërinë për tre dekada “post-komunizëm – nuk kanë gjetur forcën morale as politike për t’i miratuar ato rezoluta me forcën e ligjit dhe në përputhje me vendimet e ish-vendeve të tjera komuniste në Evropë gjatë tre dekadave pas shembjes së Murit të Berlinit..

Gjatë viteve, në mënyrën më modeste jam përpjekjur me disa dyzina artikujsh (i fundit: Frank Shkreli: A po përjetësohet e keqja e komunizmit Shqipëri? | Gazeta Telegraf), t’a kujtoj në vëmendjen e publikut subjektin e krimeve të komunizmit në atë vend, një çështje kaq me rëndësi për drejtësinë dhe paqën shoqërore në Shqipëri, që nuk po gjenë as paqë as drejtësi shoqërore dhe politike midis grindjeve dhe mosmarrveshjeve ndër-shqiptare për më shumë se tre dekada, “post-komunizëm.  Është vështirë të arrihet paqa dhe drejtësia shoqërore dhe politike pa dënimin zyrtar të krimeve të komunizmit të regjimit komunist-enverist dhe pa distancimin nga e kaluara komuniste, pasi Shqipëria, siç thekson edhe Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë në deklaratën e tyre drejtuar autoriteteve më të larta të vendit – ndryshe nga vendet e tjera evropiane ish-komuniste – Tirana zyrtare nuk është distancuar, zyrtarisht, nga e kaluara e saj terroriste komuniste.  As nuk është përballur, seriozisht, me të kaluarën e saj të mjeruar komuniste.

Tirana zyrtare, deri më sot, nuk ka dënuar zyrtarisht, krimet e regjimit barbar komunist të Enver Hoxhës.  Dhe Kuvendi i Shqipërisë nuk ka caktuar ende një ditë zyrtare përkujtimore, kushtuar viktimave të komunizmit në Shqipëri, ashtu siç kanë bërë vendet ish-komuniste të Evropës.

Prandaj, është për tu mirëpritur nga të gjithë shqiptarët vullnetirë mirë dhe pa dallime politike, kërkesa e Konferencës Ipeshkvënore e Shqipërisë, që autoritetet shqiptare ta konsiderojnë miratimin e kësaj kërkese me seriozitetin më të madh, për sigurimin e paqës dhe të drejtësisë dhe në të mirën e Shqipërisë dhe të Kombi shqiptar në përgjithësi.

Për fat të keq, kam drojë se është tepër vonë për të bërë ndonjë ndryshim në lidhje me këtë çështje, pasi e keqja po fiton. “Nostalgjikët e komunizmit” — për të cilët jep alarmin Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë, në deklaratën e ipeshkvijve katolikë të Shqipërisë, janë tanimë ftiues dhe nuk do të heqin dorë nga nostaligjia e tyre për komunizmin dhe diktatorin Enver Hoxha dhe a as nuk do të dënojnë krimet e komunizmit, siç ka bërë mbarë bota e qytetëruar.

Nostalgjikët e komunizmit në Tiranën zyrtare gjënden kudo në nivelet më të larta të drejtësisë, qeverisë e të shtetit dhe deri në detyrat më të ulëta të qeverisje qendrore edhe vendore. Ata tanimë i kanë futur rrënjët aq thellë sa që atyre nuk u intereson të përballen me krimet të diktaturës komuniste. Unë nuk pres që klasa e sotme politike nuk është e interesuar të dëgjojë e të miratojë, jo se jo, thirrjet e Kishës Katolike që autoritetet të diskurajojnë lavdet e nostalgjikëve komunistë ndaj personave dhe shitjen e simboleve të regjimit diktatorial komunist të Enver Hoxhës neper rrugë e dyqane.

Për fat të keq, realiteti është ky: Nëqoftse udhëheqsit e Kishës Katolike të Shqipërisë konstatojnë se “nostalgjikët e komunizmit” përbëjnë sot një problem serioz për drejtësinë dhe paqën në Shqipëri – atëherë unë kam drojë se thirrja e tyre është tepër vonë.  Sidomos, nëqoftse nuk mbështetet edhe nga përfaqsues të besimeve të tjera dhe të shoqërisë në përgjithësi. Megjithë vullnetin e mirë dhe përgjegjësinë morale, qytetare e shpirtërore të thirrjes së përfaqsuesev të lartë të Kishës Katolike shqiptare, unë besoj se treni për të luftuar influencën e “nostalgjikëve të komunizmit” në Shqipëri e ka lenë stacionin tre dekada më parë. E keqja e këtij fernomeni shkatërrimtar për Shqipërinë dhe shqiptarët, ka fituar tanimë në Shqipëri me përpjekjet e hapëta zyrtare për përjetësimin e komunizmit dhe të simboleve të tij.  Kjo ka ndodhur me bekimin e autoriteteve të qeverive “demokratike” shqiptare të 30-viteve të kaluara dhe me heshtjen e ndërkombëtarëve ose me mbështetjen e hapur të diplomacisë perëndimore të “nostalgjikëve të komunizmit shqiptar” dhe politikave të tyre në nivelet më të larta të Tiranës zyrtare. E kam thënë shpesh se as përfaqësuesit diplomatikë të vendeve demokratike perëndimore në Tiranë gjatë 30-viteve të fundit, nuk mund të anashkalojnë përgjegjësitë e tyre në lidhje me fenomenin e krijuar të nostlagjikëve të komunizmit në nivelet më të larta të qeverisë dhe shtetit shqiptar.  Kërkesa e ipeshkvijve  katolikë shqiptarë duhet të ketë mbështetjen edhe të ndërkombëtarëve perëndimorë në Tiranë që edhe nga ana e tyre, t’u bëjnë thirrje autoriteteve të Tiranës që të miratojnë kërëkesat e Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë për ligje të forta për dënimin e “krimeve të apologjisë” dhe të simboleve komuniste në Shqipëri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok