22/12/2024

KËRKIMI I REALITETIT PËRTEJ ABSURDIT NJERËZOR

0
Mehmetali-Rexhepi2

Bajram Kosumi: ENCIKLOPEDIA IMAGJINARE, post roman

Botimet TOENA dhe ARTINI; Prishtinë 2023

Gjuha në historinë e njerëzimit është shpikja më e jashtëzakonshme, ajo e cila i paraprin gjithçkaje, dhe e cila mundëson të arrihet gjithçka me të. Pa gjuhë nuk do të kishte as shkencë… – J. M. G. Le CLEZIO

Nga Meti REXHEPI

Kolonës së këtij libri gërshetimesh stilistike të emërtuar “ENCIKLOPEDIA IMAGJINARE”, për shumëçka i veçantë nga librat e rëndomtë letrar, i prijnë njëzet e nëntë shkronja nga tridhjetë e gjashtë të alfabetit të shqipes, sipas një renditjeje vertikale të secilës s’osh, pikërisht sikurse renditja e të dhënave në një enciklopedi të mirëfilltë. Por, “ENCIKLOPEDIA” e kësisoj në llojin e saj është dukshëm e dalluar për ngërthesat në përmbajtjet, temat, stilin, idetë dhe çfarësinë e ideve që solli.

Çfarë ka “ENCIKLOPEDIA IMAGJINARE” e ish të burgosurit politik, e poetit, e publicistit dhe e studiuesit Profesor Bajram Kosumi? Ka shumëçka apo gjithçka e kondensuar për gjatë kohë në planet shkrimore të këtij autori të shquar. Kur pohoj kështu, më duket se logjika kërkuese do të donte përmbushje lënde edhe me ato shtatë shkronjat e mbetura për radhitje kolonash enciklopedike. Përse? Kam parasysh ngaqë sikurse te shkallëzimi i mbiemrit, shkalla sipërore shpie deri në hiperbolë kërkesash, përderisa shkrimtarit i mbeten edhe pesë bashkëtingëllore e dy zanore, që të përmbushen me kolona shkrimore tërësitë e kapjeve për tekste të këtilla në relievin e shqip-shkrimit… Por, nuk qëndron këtu as pesha, as mangësia, as kërkesa e lexuesit, as vlera e qëllimit të parashtruar të kësaj ndërmarrje shkrimore. E gjitha është kompetencë e autorit: përzgjedhja, renditja dhe emërtimi i kësaj vepre madhore “ENCIKLOPEDIA IMAGJINARE.” Duke lexuar me sy kritik hasim denduri të dhënash, që i përkasin realitetit ashtu sikurse nuk e kemi parë më herët, në një mënyrë apo në një tjetër, i shtrembëruar apo i ideologjizuar, asisoj si nuk i kemi perceptuar të ndodhurat, ngjarjet, personazhet e dukshme dhe të prekshëm, gjithnjë brenda kornizave, që na i përcaktuan interesat e më të fortëve, fati i kontekstit historik, pikëpjekjet, fërkimet e mendësive kurdoherë antonimike: të mbetesh apo të mos jesh etnia shqiptare?!

SIMBOLIKA RRËNIMTARE E BESTYTNIVE

Në këtë lëndë të gjerë temash të shumëllojshme, aq sa kapin përmasat e një enciklopedie brenda kopertinash, etnisë shqiptare iu kërkua e vërteta kundruall shpërfytyrimit, derisa preku dhe hyri në sferën e vetëdijes së vet, të shumtën e pavetëdijshme, ngase u gjend në labirinte të trysnive ekzistenciale duke mos e gjetur vetveten, as shtegdaljet për të mos e humbur burimoren e parësoren e vet të komb-shtrirjes në tërësinë e Gadishullit… Humbjet asimiluese nëpër labirintet e faktorizimit në histori për të tjerët, kujtojmë arvanitasit, dhe, pak për identitetin e vetvetes, pikërisht këtë rrethanë si krye-përmasë në këtë libër e piketoi shkrimtari Bajram Kosumi, duke i qëruar lëvozhgat e absurdit e mbështjella në mitologji:

“Po kush e kupton gjuhën e gurit? Ata godisnin gjithnjë e më me vullnet dhe Gurishenti e kuptoi se po thërmohej përgjithmonë. E kuptoi, por nuk e sqaronte as vetë pse po ndodhte kjo, edhe pse ai ishte dëshmitar i ngritjes së njeriut nga hiqi në gjeni. E tash, ky gjeni po bënte një kësi budallallëku! Ai po vuante ditën e fundit të thërrmimit me vuajtje të papërshkrueshme dhe të pakuptueshme nga truri e ndjenjat e njeriut”[1]

Teksti i publicistikës historike qëmton dhe ngre një realitet të mistifikuar mitologjik, për t`iu qasur pastaj një toponimie në trajtën e një legjende e, e cila ndjek evoluimin e etimologjisë së toponimit jashtë sferës së onomastikës dhe, vjen deri te veshja asimiluese si mbishtresë prej sllavishtes që e bartë emërtimi aktual. Shkatërrimi i gurit simbol i fshatit nga besëtytnitë, përtrolliti logjikën e vetëshkatërrimit të gjeniut krijues të kësaj mendësie… Rikthimi rindërtues i atij guri të shkatërruar mund të bëhej, veçse si një kopje e zbehtë, si dëshmi e zbritjes së njeriut nga një shkallë gjeniu në të marrin shkatërrimtar! Si e këtillë porosia tej kohore shndërrohet në ngërthesa shumë kuptimesh dhe, bartë të vërteta e mistifikime të qëllimshme, të atilla që kapërcejnë sferën e vetëdijes së “ishullorëve.”

Ç`është përmasa emërtuese Ishull dhe ç`janë ishullorët? Janë ata që i japin kuptim dhe përmbajtje Ishullit si krye-hapësirë e ndodhive. Banorët, këta të mëhershmit gjallojnë gjithnjë të shtyrë në tehe zgripesh prej ardhësve, si dëshmi etnie shtrirjesh në udhëkryqe besimesh mitologjike, simbolike, fetare, historike dhe urbane. Në njësitë e mëvetësishme të librit, aty ku rrëfimi vishet me figurshmëri, teksti merr ngjyra të stilit figurativ-poetik. Brenda thënies vegjetojnë aluzionet, prozopopja, figurat e shpirtëzimit të gjë sendeve, që nxjerrin kumte e kuptime ironike dhe absurdin mes imagjinatës dhe realitetit.

Artikull pas artikulli, autori Bajram Kosumi në “ENCIKLOPEDI…” vijon, duke çmitizuar mite dhe legjenda, për të kthjelluar mjegulla e tymnaja mbi hapësirën e Ishullit dhe, të paraqesë trajta specifike të jetës së “ishullorëve.” Toponimi mitologjik Gurishenti kapërcen mesjetën, besëtytnitë e mesjetës dhe i jepet emërtimi i sotëm Gjurishevce, gjithsesi i shartuar nga sllavët. Andaj, kemi narracionin e trajtimit etimologjik sipas një rrjedhe të legjendës dhe, jashtë ligjësisë së etimologjisë krahasimtare, por kataraktet e rrjedhjes rrëfimtare bien tatëpjetës së kohës të zhveshur në rrafshin e aktualitetit.

Nëse shkëpusim fragmente shtjellimesh të temave tjera nga gama tejet e gjerë e tyre, hasim po këtë tipologji të shkrimit, që në këtë libër është shtruar mes realitetit dhe fiksonit. Logjika e diskurseve të krijuesit Bajram Kosumi nuk është thjesht imagjinatë, as vetëm diskurs dokumentar pa një skelet vërtetësie, pa skeletin e lidhur me inde, damarë rrjedhash të rruazave të gjakut, që përçojnë ndjeshmërinë e fijeve nervore në brazdat e hullive, të cilat rrafshohen po nuk u lëvruan vazhdimisht, po nuk u mbollën e, po nuk u korrën me fryte të mendimit. Një diskurs i kësisoj në veprën e gamës me lëndë të vëllimshme trajtimesh si “ENCIKLOPEDIA IMAGJINARE”, edhe kur zbërthehen enigmat e shtresuara mbi “ishullorët”, zbardhja i prin logjikës së ç`maskimit e të çmitizimit. Çmitizimi dhe çjerrja e maskave të padukshme, jo vetëm heton kamuflimin e karaktereve të ngjyrave të kameleonëve dykëmbësh, por nxjerr në pah kurthet dhe grackat brenda llojesh të “ishullorëve”, mpreh vetëdijen njohëse të afrisë së gjuhës së helmët pas shijes së një mjalti tek një zgorre druri mbi syprinë.

Që në krye të herës për t`i kapur qëllimet zbërthyese të lëndës së parashtruar, që në qarqe të caktuara paraqiten të kamufluara, shkrimtarit i duhej mendja e ndritur, vullneti dhe dija përmasash të gjera, e thellë, depërtuese në variantet e lojërave të pista dhe përballë programesh tejet të rrezikshme për shfarosje! Shkrimtari e zbatoi ligjësinë për ta goditur apo arritur pikën e cakut, veçse asisoj, që njeriut i duhet shikim i përqendruar në parimin thelbësor për cakun. Kundrimet sipërfaqësore të një qëllimi apo të shumë qëllimeve nuk e godasin pikën e shënjestruar të së keqes. Mëtimet e qëllimeve të autorit të këtyre shkrimeve mësyjnë thellësitë dhe lartësinë e vlerave, ato duan ta shohin dukurinë në plotninë e vet, ta shohin njeriun e vet të thelluar në gjykime thelbësore dhe assesi në margjina të fatit, andaj citojmë autorin: “Njerëzit, prej natyrës së tyre naive e të lëmuar, nuk i gjykojnë gjërat për thelbin, por për sipërfaqen e tyre. Ta gjykosh një gjë në thelb, pra një mendim, ndërsa njerëzit më lehtë gjykojnë me sy se sa me mendje[2]

PROZA DOKUMENTARE DHE ARTISTIKE

Personazhet e prozës në “ENCIKLOPEDIA IMAGJINARE” e Bajram Kosumit vishen me dy lloje veshjesh stilistike. Njëri lloj i veshjes së tyre është konkretësia. Ata janë konkretë me emra e mbiemra, dukën e prekën, jetojnë e veprojnë në mjedisin tonë, i shëmbëllejnë secilit prej nesh me të mira e vese. Për qasjen e diskursit tonë lë të merret shëmbëlltyra e Arsim Rexhajt. Që në paraqitjen e parë të këtij karakteri, përshkrimi i tij i jashtëm të shpie në llojin e stilit publicistik. Megjithatë, autori vetëm nëpërmjet kësaj trajte nuk kishte si t`ia shpalonte brendinë dhe vlerat shpirtërore personazhit konkret. Si? Pa pamjen e botës së vetëdijes së tij me anë të stilit figurativ. Ana figurative shkrimin e përafron me prozën artistike, ngaqë mjetet shprehëse të figuracionit poetik frymojnë më depërtueshëm. Kështu, del në pah e fshehura, ideja e sinqeritetit, që edhe përmes shqiptimit si apostrofim ideor i përgjigjet titullit të prozës së gërshetuar tek “Adem Jashari dhe sytë e tij”:

“O miku im, nuk e bëra dot për shkak të syve të Adem Jasharit! Sa herë provoja të bëja diçka të pabërë, ai m`i zgurdullonte sytë nga muri ku e mbaja! Sa herë mendoja të bëja ndonjë përfitim, ai m`i rraste sytë deri këtu në zemër. Sa herë mendoja ta shpëtoja vetën ai m`i rrotullonte sytë nga atje. Sa herë mendoja ta ha, ta gërryej, ta përlaj atdheun, lirinë, njerëzinë… ai mi skuqte sytë nga atje…

Prandaj e mora me vete portretin e tij. Nuk e lash në qeveri. Më zi se në varr! E mbaj në shtëpi.”[3]

Rrëfimi i nivelit të ndërtimit vertikal të dëshmisë shfaq pikëpamje të ndryshme në formimet e karakterit nga të korruptuar deri te të çiltrit, deri tek ata që e spikatin pastërtinë njerëzore dhe, për gjithçka të pandershme i gjykon sedra e vetëdijes së fortë për përgjegjësi, për dhënie llogari ndaj idealit të sakrificës sublime! Mirëpo, të ndodhurat kronike janë të shumta e dora-dorës, si dhe rrëfimet për gjatë gjithë gamës lakoreve të jetës kur zgjohen përbindëshit e saj!

STILET E SHTJELLIMIT

Tiposi figurativ dhe real që e përshkon hapësirën e krejt librit është Ishulli me banorët e tij “ishullorë”, që nuk i rrahin dallgët e detit, por rrahën nga dallgët e lukunive armiqësore. Përfaqësimi i emërtimit është i qartë, është metafora e tkurrur e Ilirikut e cila pëson tkurrje prej trysnive kronike nga më të ndryshmet, të kurdisura në sistem kabinetesh për asgjësimin e “ishullorëve!”

Në librin “ENCIKLOPEDIA IMAGJINARE” e të burgosurit politik të viteve tetëdhjetë të shekullit njëzet, gjakimet e kahershme të shkrimtarit dhe Profesorit Bajram Kosumi, pikërisht këtu gjejnë shprehjen e vullnetit të tij të pathyeshëm, për t`iu dhënë qartësi mëtimeve për ndodhitë e heshtura ngjarjeve të kamufluara, për bëmat që nuk mund të varrosen; mësymjet perfide e të hapura dhe zbatimet e programeve gjenocidale… Për paraqitjen e të gjitha këtyre katrahurave, autorit i hyjnë në përdorim tri mënyra të rrëfimit, të cilat mund të ishin të depërtueshme në realitetin, shpesh të fshehur të historisë, në kronikat e njëanshme, veçmas të historiografisë së shpifur serbe dhe, pamjeve ideologjike të historisë shqiptare komuniste.

Në konstatimin për tri mënyrat e pohuara të narracionit kam parasysh tekstet, ngërthesat e tri sferave shprehëse stilistike: stilin e publicistikës historike që shtron të dhëna kronike, data e emërtime personalitetesh, emërvende, parashtrime proces-verbalësh programorë, fusnota dhe prekje rrethanash objektive, subjektive e të tjera. Stili i socio-njohjes, i tematikave shoqërore, i ritmeve të ngritje-rënieve qytetare dhe, stili i kondensimit të ndjeshmërisë njerëzore përmes temash e motivesh me gjuhën e figurshme të prekjes poetike, që përshkon serinë e artikujve tregimtarë, herë-herë puro imagjinare si zbutje e tipit të prozës dokumentare.

Pohimet pararendës i përfillim duke mjaftuar t`i shkëpusim shembujt e modeleve stilistike, njërin nga modelet e tilla i sferës dokumentare-publicistike e hasim për gjatë gjithë veprës, si “Biblioteka kishtare dhe akademike për shqiptarët”

Stili i tipologjisë së publicistikës historike, me përbërës socio-etik, ekzistencial e psikik, me pleksje të mjeteve të gjuhës figurative merr shtrirje në tërë përmasën e caqeve për depërtime

në dukuri e mënyra me mynxyra jete të shumta, në trajta specifike të mendësisë së intrigës e të dhunës; marrjes së dinjitetit të individit sipas mënyrave më perfide… Kjo është tipologjia shkrimore zotëruese, tërësia e shkrimit në librin që tashmë e kemi pronë të bibliotekave tona.

Kjo mënyrë e shkrimit dhe e gërshetimeve stilistike në këtë libër gjithëpërfshirës e vuri në sprovë diapazonin e njohurive e shkathtësitë e autorit Bajram Kosumi. Libri si i këtillë përjetohet shumëfish: edhe si shkrim publicistik edhe si shkrim letrar-artistik edhe si dëshmi sferash shoqërore historike, etike, etnike, shpirtërore në vazhdën e një qytetërimi të trazuar… Gjithë përvojat, sprovat e individëve e të shtresimeve shoqërore, të ngrehinave shtetërore shndërrohen në porosi për ata që kanë kujtesë, për ata që kanë sy e veshë.

Shkrimtari, gjithnjë, në tej shikimet e tija ngre vizione dhe për fund-caqet e të ndodhurave, të asaj që është ekzistencë e rrezikuar e qytetërimit të “ishullorëve”, me të gjitha komplekset njerëzore dhe çnjerëzoren mbi ta, por dhe nga vet ata! I gjithë diskursi rrëfimtar, analitik e sintetik, tregimtar e përshkrues i kësaj vepre përshkohet nën sfondin e ironisë dhe të absurdit. Mendoj se kjo është njëra nga krye-veçoritë e karakterizimit stilistik në librin “ENCIKLOPEDIA IMAGJINARE” e Bajram Kosumit.

ABSURDI I QYTETËRIMIT

Interesimet e autorit të këtij libri përmasash enciklopedike për paraqitje të shumanshme e të gjithanshme, ashtu si do ta bënte romani, të ngjarjeve me shkak-pasojat për formësimin dhe shthurjen e qytetërimit nëpërmjet luftërave perandorake… Mëtimet qytetëruese ngelnin në luftëra dhe, luftërat pushtuese që jetësimin e evoluimit të mirëfilltë të njerëzimit e rikthenin në gjendje barbarie, me fare pak gjasa që të lulëzonte e të qytetërohej paqja e urtësia njerëzore e cikleve të prera.

Pas kërkimesh jetësore në gjithë përvojën e dijes, duke vjelë pareshtur dijen e shkruar, atë të pashkruar të bartur në breza përvojash, të pleqëruara në oda të popullit, dija e ligjëruar në katedra fakultetesh, të shkëputur nën shkopinj burgu, e shfletuar nga kurdisje stivohej historia me ngjyrime e pa ngjyrime ideologjike… Dije e fituar nëpërmjet zbërthimeve të nëntekstit, të mbi-teksteve, me një intuitë që preku dhe rrotulloi gjithçka: gjykime e paragjykime, të vërtetat e gjysmë të vërtetat, përrallat, mitet dhe legjendat, mendësinë e gënjeshtrës të ngritur në sistem dhe, ngarendjet e së vërtetës së etnisë për ekzistencë të shtyrë në zgripe të rrëshqitjes së pakthyeshme…

Për ta përmbushur rrëfimin me të dhëna nga të gjitha sferat e vetëdijes së lashtë dhe të re, shkrimtarit i kishin hyrë në përdorim dijet për metafizikën, trajtat e të gjitha periudhave të sintezave filozofike, etike, teoria politike, artet, idetë historike për kombin dhe shtetin deri te sublimimi i përvojave bashkëkohore për luftën dhe paqen, për kombet dhe pakicat kombëtare, për politikën dhe gjeo-strategjinë politike… Thelbi i të gjithë përbërësve të lidhur në përmasa për kapje të realitetit të Ishullit, për Ishullin dhe rreth Ishullit qëmtohen, ngërthehen, spikaten, veçohen, përzgjidhen dhe, në trajta të sintetizuara diskursesh tregimtare zbërthehen te “ENCIKLOPEDIA IMAGJINARE”

I vetëdijshëm me ballafaqime aq të gjithanshme për hyrje në sfera e periudha diskursesh, të cilat shënuan botën objektive, rrëfimi i shkrimtarit u shtrua në dhjeta, mbase në mbi treqind e nëntëdhjetë e tetë (398) njësi narrative me të gjithë përbërësit e shtjellimit, të dokumentimit të thënies, pasqyrime shqyrtuese të dukurive, qëmtime tipike të ngjarjeve dhe karaktereve të mjedisit, veçantinë dhe përgjithësimet e bëmave të njeriut në personazhet e drejtpeshuara lakoreve të jetës së motivuar dhe të dëshpëruar. Pamjet e këndvështrimeve etike, politike, filozofike, kontekstet e kontestet e kundërthënieve shoqërore të mjediseve e të  personaliteteve në madhështinë, dinakërinë, vogëlsinë, brishtësinë, shëmtinë, falsitetin, egërsinë dhe bukurinë, egon e sëmurë dhe përfitimin në kthesat dramatike, karikaturat  dhe hijet e akëcilit personazh, mëkatet e falshme dhe të pafalshme; programimet e krimit të pandëshkuar në masë e mbi individualitete, dhimbja njerëzore e pa ngushëlluar, paradokset dhe fundi i pa fund i absurdit të njeriut mbi njeriun, janë piketime të ngjeshura caqesh brenda kopertinave të një “ENCIKLOPEDIE” të këtillë letrare.

KËRKIMI PËR NJË REALITET TË RI

Në “ENCIKLOPEDI…” na bie në sy spektri i ngjyrave të pleksura me ngërthesa e zbërthime, mbi fushë-shtrirje e relieve karakteristikash nga përkatësi të ndryshme karakteresh, që tërheqin botën e shkrimit për t`i qëmtuar. Që në krye të nismës autori Kosumi, për t`i përplotësuar qëllim-caqet e tija të shkrimit, e shpalon të vërtetën e tij të çiltër programatike për shkrimin:

“Narracioni në Enciklopedi… nuk është tërësisht tradicional, sepse narratori nuk mund të jetë neutral. Neutraliteti me çdo kusht është i shpifur, edhe pse letrarët nuk pajtohen. Atë që s`e pranuan letrarët, e bënë gazetarët: edhe te rrëfimi më neutral, narratori nuk është neutral. Narracioni herë është biblik, herë historik e herë filozofik e psikologjik. Të veçantë e bën pika e vrojtimit”[4]

Pohimit teorik në fjalinë e shkëputur pohuese të këtij fragmenti të cituar për të veçantën e pikës së vrojtimit, i paraprinë dy premisave teorike dhe shpirtërore për kapje të morisë së shtytjeve, duke prekur, qëmtuar, spikatur për zbardhje veçanësi karakteresh, mandej nxitje për tema periudhave të ndryshme, të hershme dhe të vonshme, të anashkaluara, të anatemuara dhe rikthimin e tyre në bashkëkohësi. Mirëpo, autori po ashtu mëton ngritje çështjesh në tematika të reja, të cilat për një arsye apo pa arsye ishin anashkaluar. Shkrimtari i shqisave për nuhatje të thellë, ua ndjeu dhe perceptoi erëmimin e bëmave, që t`i bashkëngjiteshin shumësisë depërtuese në arkivat e gjallë të kokave të pluhurosa nga dinamika e shtuar e përditshmërisë. Shkrim-qëmtuesi është i bindur në parimet e tija krijuese se “nuk ka tema të vjetra e të reja dhe rrëfimtari flet për temat në rrjedh, pra për ato tema, të reja e të vjetra, që janë pjesë e të sotmes dhe ndoshta e së ardhmes.”[5]

Sipas Shkrim-qëmtuesit rrëfim ideal nuk do të ketë dhe, lë të merret me mend se atë gjithëpërfshirje mund ta bëjë vetëm Zoti i supozuar… Andaj, vullnetin e shtuar për kërkime të pareshtura e dëshmon shumësia e lëndës së këtij libri, në botën që e rrethon dhe që i sjell fatin e përjetuar. Shkrim-kërkimtari “shpiku rrëfimin metakronik”. Ndonëse si shkrimtar që nuk e fsheh kënaqësinë e shkrimit të “ENCIKLOPEDISË…”, ai nuk mëtoi se shteroi temat, motivet, idetë, diskurset kritike, përsiatjet e kundrimeve socio-historike, filozofinë politike, artin e të shkruarit, estetikën e jetës, mospërputhjet e realitetit të mendësive, ngushticat e të jetuarit e të frymëmarrjeve të shtrënguara… Autori ka bindjen e vet se nuk po e përshkruan realitetin ekzistues, por po i jep kahet e veta për ndërtimin e një realiteti të ri, të pamjeve të reja, ashtu sikurse do të duhej të ishte në projeksionet e shkrimtarit për të madhërishmen, për njerëzoren, për qytetërimin, për etikën, për të keqen dhe të mirën, për të bukurën dhe të shëmtuarën. Pa dyshim një ndërmarrje e këtillë krijuese e shkrimit me ngërthesa e zbërthime, që joshin interesimin e lexuesve të niveleve të ndryshme, pikërisht për shumësinë dhe larminë e përfshirjes dhe të anë-kapjes së jetës, mënyrën dhe qartësinë e shtjellimit, kënd-ndriçimet deri në detaje segmentesh; e kurorëzuan këtë vepër me peshë shkencore, publicistike dhe letrare-artistike  me vlera për kulturën tonë të shkrimit  që është “ENCIKLOPEDIA IMAGJINARE.”

PARIMI I KËRKIMIT

I gjithë diskursi perceptues i lëndës në librin përkatës i lë hapur përsiatjet e lexuesit për komunikim të shumanshëm, pyetjesh e përgjigjesh, dilemash për çështje përkatësie të llojit shkrimor. Konstatimi i parë që mund të shtrosh e të ecësh në rrafshin e këtij libri është thyerja e klisheve të llojit ose zhanrit.

Koncepti themeltar, mbi të cilin ngrihet tërësia e ngrehinës shkrimore të librit, por edhe idetë shtytëse për kulturën e shkrimit, për autorin Bajram Kosumi, është parimi i kërkimit. Mbase, përse mos ta apostrofojmë e, madje ta nënvizojmë kërkimin, si njërin nga kreu i parimeve të qëmtimit për bërjen e shkrimit të qëndrueshëm si vlerë, si cilësi prijatare për t`i përzgjedhur vlerat dokumentare e artistike dhe për t`i renditur faqeve të librit? Parimi i kërkimit është procesi shtytës për eksplorimin, zbulimin dhe për gjetje ngërthesave të enigmave në natyrë e në qytetërimin njerëzor. Kërkimi është parim dialektik, meqë duke qenë proces i pandalshëm, veçse si i tillë shpie në depërtime dukurish të epokave, për t`i afruar lëndë mjaftueshëm krijimit. Krijimi është dukuria e përmasave fondamentale që i përngjason Hyjnisë! Nëse Zoti “i supozuar” krijoi gjithësinë, krejt atë që shohim, ndiejmë e prekim, marrim me mend hapësirat e paprekshme kozmike, gjithë ato konstelacione galaktikash, atëbotë mund të pohojmë: se sado kudo njeriu është krijues dhe një shëmbëllesë e Zotit në tokë.

Në këtë libër njëra njësi e shkëputur të zgjon kërshërinë dhe, të josh që t`i lexosh njësitë tjera pashkëputur. Interesimi e ngre pyetjen e logjikshme: cila tipologji e shkrimit e mbizotëron materien e shkruar në “ENCIKLOPEDIA…?”

Shkasi i pyetjes doli pikërisht kur po lexoja njësinë “Kodi i Purpurt i Beratit”(Codex Purpureus Beratinus), nga faqja 336 deri në faqen 346. “Kodiku i purpurt i Beratit” i supozuar se është shkruar nga dora e Shën Gjon Gojëmblit, para shekullit të gjashtë(VI) e të cilin “Njerëzit besonin se ”Kodiku i Purpurt i Beratit” ishte besëlidhja e vërtetë e tyre me Zotin.”[6] Në gjashtëmbëdhjetë shtylla të formatit të këtij libri, nëpërmjet tipit të prozës shkencore, që merr trajtë të tillë nga kronologjia e të dhënave historike, të sakta dhe të supozuara prej gojëdhënash, shtrohet shtjellave e një fati të “Kodikut…” të rrallë, drama e ruajtjes së tij në epoka kthesash përplot peripeci të ndryshme. Pesha e rëndë dhe parësore e “Kodikut të purpurt të Beratit”, që ngërthente të përshpirtshmen e tërësishme të periudhës së Bizantit dhe, rrëfimi kronologjik e dramatik për ruajtjen dhe fshehjen me fanatizëm deri në sakrifica nga pleqësia e priftërinjve beratas; është diskursi prozaik që të mbanë pezull për përfundimin e ruajtjes së “Kodikut…” Rrëfimi i të mbajturit nën tension të lexuesit për epilogun e ngjarjes, ka diçka si ritmika e narracionit të Umberto Ecos në romanin “Emri i trëndafilit.”

Në tipologjinë e tillë të shkrim-paraqitjes, autori nuk fshehët, as vishet me teshat e personazheve qofshin historikë, të imagjinuar apo të rëndomtë. Teksti shkrimor është i drejtpërdrejtë, madje me shtojca shpjeguese në fusnota. Peripecitë e ruajtjes së “Kodikut…”, rrethanat e mesjetës bizantine, mëtimet e forcave armike për ta shtirë në dorë “Kodikun e purpurt” me “paqe”, premtime dinake e forcë ushtarake; ngjyrimet armike të mjediseve të ndryshme, ruajtja e padorëzuar nga fshehja në kushtet e depërtimit të lagështisë, deri te specialistët kinezë, për t`ia rikthyer gjendjen parake “Kodikut të purpurt” të famshëm të Beratit, shpërfaq llojin e prozës me ritme të tensionuara dramatike!

Kësisoj, rrëfimi bartë ndjeshmëri shqetësuese, që nuk mund të jetë karakteristike e gjakftohtësisë së prozës shkencore. Kërkim-qëmtuesi në lëndën e tij të thelluar, nuk ngurron t`ia sqarojë lexuesit mënyrën e ngjeshjes e të dendësimit rrëfimtar të temave të këtij lloji të tregimit.

KOHA METAKRONIKE

Ç`është koha metakronike për të cilën shkrimtari thotë se po e përdorë “Përherë të parë në këtë ENCIKLOPEDI?” Me anë të metakronisë : “Për audiencën ngjarja ndodh përpara syve të saj, si një ngjarje unike. Metakronia ka të bëjë edhe me kohën tepër të gjatë të rrëfimit a personazhit: një personazh mund të veprojë njëqind a një mijë vjet në metakroni edhe ngjarja e rrëfyer zgjatë disa sekonda.”[7]

Në njësitë vijuese kur shpjegimi nuk lyp tërthore, qartësohet tërësisht diskursi i prozës shkencore dhe, tipologjia e shkrimit përjashton stilin e të shprehurit figurativ. Përmes kësaj trajte natyra e tregimit shkencor në njësitë përgjatë “ENCIKLOPEDISË…”, do të prirët t`i shërbejë njohjes dhe, ndërton një tjetër çfarësi tregimtare për lexuesit. Si duket kjo mënyrë e të shprehurit, përputhet me karakterin shpjegues dhe informues, që është dhe një pikësynim i pashmangshëm i “ENCIKLOPEDISË…” Ky lloj teksti nuk mbetet pa reflektime, por reflektimet më të shumta të nëntekstit i mbesin stilit të prozës figurative.

Kur po shtroja dy-mendjet e togfjalëshit për ENCIKLOPEDI dhe IMAGJINARE, kisha parasysh ngërthesat stilistike të njësive sajuese të librit, kompozicionin, kohezionin, funksionin stilistik ideor për të arritur pajtimin e baraspeshës unifikuese dhe, drojën e shkapërderdhjes së lëndës rrëfimtare në sfera heterogjene. Këto parashtesa hapin çështje për diskutime teorike-kritike.

Për shtjellimin e tërësive të këtij libri enciklopedik, në morinë e nëntitujve, ngërthehen e zbërthehen çështje fondamentale të Ishullit e të ishullorëve. Ky Ishull i modifikuar në kohë e hapësirë është udhëkryqi i ndodhive të Antikës, i Perandorisë Romake, i Mesjetës Bizantine, Arbërore, Sllave dhe Osmane, i Luftërave Ballkanike, i dy Luftërave Botërore, mandej dalja nga varret të lugëtave gjakderdhëse të Serbisë! Ky është Gadishulli Ballkanik, emërtim që përjashtoi Ilirikun! Nga të gjithë mëtuesit e pushtimit të këtij Ishulli, vijoi të përshtatej mendësia bizantine e kishës sllave për zhbërjen e të tjerëve… Mbase edhe në sistemet e shtetndërtimeve moderne, u ruajt bizantinizmi i kishës politike, si mendësi e vjetër e bartur në ikonografi që prodhoi  zota,  sipas masës, shijes, preferencave dhe ëndjeve vetjake, përderisa të tjerët janë ferri!

Bajram Kosumi për një periudhë të gjatë vazhdoi të hapte hulli shkrim-qëmtuese dhe, në librin përkatës arriti t`i mbjellë të gjitha kulturat e të mbjellave njerëzore. Si? Kështu, gjithnjë me vullnetin e intuitës së mbështetur në faktografi, me prirjen e një hulumtuesi dhe të eruditit, arriti t`i pasurojë letrat e pashkruara shqipe me fisnikëri të gjithanshme. Shfaq kumte e kuptime, hyrje dhe dalje nëpër labirinte ndëshkimesh të robëruesit përgjatë të gjitha rrjedhave, metamorfozave për mbizotërime të tërthorta e gjakatare të elitave serbe të gjithë regjimeve mbi arbërorët.

BËMAT RRËQETHËSE DHE GJAKFTOHTËSIA

“ENCIKLOPEDIA IMAGJINARE” e Bajram Kosumit ilustrohet me serinë e diskurseve paragjykuese shekullore serbe dhe, pamjet e shqiptarëve dje dhe sot, sipas dioptrisë së tyre estetike të së shëmtuarës. “Të vërtetat” të diskurseve të dijetarëve serbë për shqiptarët, janë mbjellë thellë në breza prej elitave shfarosëse edhe nga bekimet e kishës së politizuar. Shkrimtari kryesisht me anë të prozës së publicistikës historike, nga shumë këndvështrime të përmbajtjes, që zë hapësirë të konsiderueshme të veprës, spikatë me mprehtësi njohjen e një realiteti të errët. Ai realitet kurrë nuk u çlirua prej logjikës mesjetare të mitomanisë, gjysmë të vërtetave, shpifjeve dhe shfrytëzimit e të gjitha metodave e ndërmarrjes së masave, kurdoherë në funksion të luftës speciale për zhbërjen e fqinjëve shqiptarë! Serbia u zgjerua kryesisht mbi trojet e shqiptarëve!

I burgosuri politik i viteve të tetëdhjeta, poeti, prozatori dhe studiuesi ynë Bajram Kosumi, ai që provoi me shpirt e kurriz burgun mizor serb në Nish e gjetiu; dëshmitë paqësore kundruall armiqësisë së pa frenuar shekullore, në dëftimin shkrimor i bëri nëpërmes ironisë, që e përshkon tej e mbanë logjikën e ligë sunduese. Një ironi e këtillë ngjyros tërësinë e shtrirjes së kuptimeve, pas secilit ballafaqim i arsyes me një logjikë të panatyrshme dhe absurde, i autorëve dhe zbatuesve të etnocidit mbi popullin liridashës! Doemos janë rrëqethëse madje tejet çnjerëzore bëmat e serbizimit të dhunshëm të gjithçkaje jo serbe! Ato bëma nëpër artikuj të “ENCIKLOPEDISË…” apostrofohen si fytyra me tipare groteske, si egërsira që ecin dhe vërsulen me dy këmbë mbi barkun e njeriut!

S`kemi si nuk i ndjejmë vurratat e asaj “frymëmarrjeje” të zorshme, sidomos brezi i jetëshkruesit… Ato ishin përballje historike, politike, morale, tragjike e heroike, ndonëse shkrimtari i frenon gufimet e epiteteve stilistike, ngaqë ruan një gjakftohtësi të admirueshme të konstatimeve! Ai e ka tejkaluar vetveten. Qysh dhe si? Ashtu. Ka qëndruar i palëkundur në tabanët e së njerëzishmes, duke i përjetësuar në “ENCIKLOPEDIA IMAGJINARE.”

PESHORJA E KRITERIT

Publicistika historike, sociale dhe proza shkencore e figurative e Bajram Kosumit në librin që po shqyrtojmë, në të gjitha trajtesat që e kumcojnë kompozicionin e librit: ngjarjet, të ndodhurat, personazhet konkrete apo të imagjinuar, autori nuk lejoi t`i përvidhej shkalla e ngritjes në hiperbola për t`u rrëzuar si komprometues.

Të gjitha thëniet, pohimet, mohimet, tezat, kundërtezat, antinomitë, kontrastet e dritëhijeve, figurat e mendimit, të intonacionit, e madhërishmja, e bukura, e shëmtuara, tragjikja, tragjikë-komikja, ligësia, brishtësia, e vërteta-gënjeshtra, heroikja e qyqania, shthurja-thurja e karaktereve, i nënshtrohen peshores së rreptë të kriterit dhe të masës për statusin e vlerave. As më i shumë, as më pak, veçse aq sa peshon apo për kaq sa peshuan bëmat e mirëfillta të njerëzve të shndërruar në figura me vijëzime personazhesh. Parimi i kriterit të tillë përshkon tërësinë e prozës shkencore dhe figurative të “ENCIKLOPEDISË…” I përputhur me këtë kriter, le të nënvizojmë litotën e krahasimit të idesë, të një gjendje të mjerë amullie gjatë kronikës sonë të pushtimit. Amullinë e tillë të një pacifizmi politik frenues, vetëkritikë të pakursyer të autorit e hasim te artikulli “Shtëpia e Shkrimtarëve në Kohën e Tkurrjes”: “Në njëqind metrat e saj silleshin sigurisht një mijë veta gjatë ditës. Tamam si një koloni buburrecash.”

Për një model të reduktuar të kësisoj të shkrimit flet vetë stili dhe ideja e shndërruar në litotë:

“Koha kur tkurrej mendimi në vetëm një çështje.

Koha kur tkurrej ambicia në një banesë tridhjetë metrash në periferi të Prishtinës.

Koha kur tkurrej dashuria në qoshet e pista të rrugicave anësore të qytet-theve.

Koha kur tkurrej atdheu në pragun e shtëpisë.

Koha kur lufta për liri tkurrej në një letër telefaksi.

Koha kur tkurrej fuqia e pushtetit vetëm në një polic.

Koha kur tkurrej historia vetëm në urrejtje.

Koha kur tkurrej feja në vetëm një shenjë.

Koha kur tkurrej njeriu në një mi…”

Stili i tkurrjeve dhe ngrysjeve të këtilla megjithatë, nuk mund t` ia mbyllte të gjitha udhëdaljet guximit dhe besimit, ngaqë:

“Vetëm vizioni nuk tkurrej, po bymehej.””[8]

DISKURSI I PËRMBYLLJES

Libri “ENCIKLOPEDIA IMAGJINARE” solli gjerësi, thellësi dhe shumësi prekjesh e rrokjesh të realitetit të Dardanisë së tkurrur në të djeshmen dhe në sotmen me premisa për të nesërmen. Jepen mundësi të pashtershme qasjesh për shqyrtime, kënd-shtrirje interesimesh të shtresë-ngërthesash brenda lëndës së kësaj ngrehine të kulturës shkrimore. Ky libër, duke qenë i këtillë ngre çështje të teorisë moderne letrare në kahet e post romanit. A do të ishte i këtillë post romani apo i një modeli tjetër stilistik- ideor-estetik?… Çfarë do të jetë?… Vetë fakti e nxitjes së mëdyshjeve e kureshtjeve si këto e përtrollit forcën e ideve që vë në lëvizje, kjo vepër me veçanti kulturore për jetë-shkrimin e për bukurshkrimin.

Autori Bajram Kosumi i mbijetuari i torturave të burgut të Serbisë, pas përfundimit të kësaj vepre kapitale, kaherë të ëndërruar, ka arsye të ndjehet i përmbushur shpirtërisht. Së bashku me autorin edhe ne lexuesit ndjejmë kënaqësinë e shkrimeve të tija inteligjente!

Shëndet e mbarëvajtje për publicistin e shkrimtarin, studiuesin e ligjëruesin, për mikun e një brumi përbashkues Bajram Kosumin!

Gjilan, maj 2024

 

 

[1] Bajram Kosumi: ENCIKLOPEDIA IMAGJINARE, Botimet TOENA; Botime ARTINI, Prishtinë, 2023; f. 34

[2] Po aty; f. 34

[3] Po aty; f. 35-36

[4] Po aty; f. 12;

[5] Po aty; f. 13

[6] Po aty; f. 337

[7] Po aty; f. 346

[8] Po aty; f. 689-690

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok