21/11/2024

KËRKESAT E SHQIPTARËVE TË LUGINËS SË PRESHEVËS PËR BASHKIM KOMBËTAR- PËR SHQIPËRI ETNIKE

0

Shkruan Xhemaledin SALIHU

Kryengritja e Dervish Carës

Lugina e Preshevës, së bashku me Luginën e Shkupit, paraqesin rëndësi të madhe gjeostrategjike dhe gjeopolitike në Ballkan. Studiuesit serbë dhe qeveritë serbe e kanë bërë pjesë të programit nacional, për krijimin e shtetit serb. Lugina e Preshevës lidh Detin e Zi me Detin Egje. Autostrada dhe Hekurudha Ndërkombëtare përgjatë lumit Moravë dhe Vardar, pra Korridori 10, të cilat kalojnë nëpër Preshevë, lidhin jo vetëm shumë shtete, por edhe kontinente, Evropën me Azinë.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, me kohë e lidhën fatin e tyre me Kosovën dhe morën pjesë aktive në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe më vonë në të gjitha Lëvizjet patriotike dhe politike të Shqiptarëve të ish-Jugosllavisë për të drejta dhe çlirim e bashkim kombëtar.

Patrioti preshevar, Ibrahim Kelmendi thotë: “Një shtyllë e Kosovës quhet Preshevë”, ndërsa historiani nga Nasalca, Dr. Shukri Rahimi thotë:”Historia e popullit shqiptar është e pa ndarë, prandaj edhe, këto treva i konsiderojë si të tilla, të ndara artificialisht.

Shqiptarët e Preshevës dhe të viseve përreth, siç është treva e Bujanocit dhe e Kumanovës, apo të Krahinës Verilindore të Karadakut, sikundër viset tjera shqiptare , jo vetëm i bënë ballë asimilimit, gjatë robërisë së huaj shekullore, por me pjesëmarrje aktive në të gjitha ngjarjet e rëndësishme të historisë sonë të përvuajtur, por krenare dhanë kontributin e tyre të çmueshëm për liri dhe mëvetësi kombëtare. Kontributi i tyre është i çmueshëm sidomos gjatë periudhës së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare që nga vitet e 30-ta të shek XIX, përfundimisht me organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme Antiosmane, që u kurrorëzua me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, kësaj ngjarjeje më të rëndësishme në historinë tone.”

Lugina e Preshevës qysh në Antikë i takonte Dardanisë, fisit Ilir që kryesisht shtrihej përgjatë lumit Moravë dhe Vardar. Shqiptarët e Luginës së Preshevës me Shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë paraqesin etnikum më të vjetër në rajon. Shqiptarët e Luginës morën pjesë në të gjitha luftërat që i bëri Mbretëria e Dardanisë kundër pushtuesve të ndryshëm.

Edhe pse pas viteve 1454 e 1455, Lugina e Preshevës ra nën sundimin e Perandorisë osmane, ajo asnjëherë nuk u pajtua me gjendjen e vështirë nën sundimin turk otoman, andaj Shqiptarët e Luginës së Preshevës gjatë viteve 1841-1845 u hodhën në kryengritje kundër Tanzimatit. Sheh Hyseni dhe Sheh Salihu, patrioti Sylejman Toli i Mëhallës së Tolëve nga Tërnoci, e shumë patriotë të Luginës ngritën zërin kundër zbatimit të Tanzimatit në Luginë, sepse popullata e këtij rajoni nuk deshti t’i paguajë tatime të mëdha pushtetit otoman turk.

Kjo kryengritje e Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, nën udhëheqjen e Dervish Carës, më vitin 1844, ishte kryengritje për Shqipëri Etnike, e cila kryengritje çoi në këmbë për liri gjithë popullatën shqiptare të këtij rajoni dhe përfshiu tërë territorinë e Dardanisë.
Më 10 qershor 1878, në Prizren, në Kuvendin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit morën pjesë edhe delegatët e Kazasë së Preshevës: Sheh Maksut Efendiu, Osman Çaushi, Mehmet Muhaxhiri, Kamber Aga dhe Haxhi Abazi.Sheh Maksut Efendiu u zgjodh kryetar i Degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për Kazanë e Preshevës.

Pas Kongresit të Berlinit, më vitin 1878, Kazaja e Preshevës i takonte Sanxhakut të Prishtinës, Vilajetit të Kosovës. Kazaja përfshinte nahinë e Bujanocit dhe Tërgovishtes deri më vitin 1912. Më vitin 1918, me themelimin e Mbretërisë Serbe, Kroate, Sllovene, rrethi i Preshevës mbeti në Banovinën e Vardarit me qendër në Shkup, Qarku i Kumanovës. Kështu vazhdoi deri më vitin 1945.

Themelimi i Organizatës Studentore Shqiptare “Besa” në Beograd

Presheva, asnjëherë nuk u nda nga ngjarjet dhe ndodhitë në etnikumin shqiptar, por gjithmonë ishte pjesë e këtij etnikumi si dhe pjesë e Lëvizjes Mbarëkombëtare. Ajo mori pjesë në të gjitha proceset e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Presheva pati emra të njohur, personalitete të shquara, veprimtarë të dalluar të Rezistencës dhe të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, duke filluar që nga Mbretëria Dardane e deri në Luftën e UÇPMB-së.

Shqiptarët e Preshevës nën sundimin e Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene nuk i gëzuan të drejtat politike elementare qytetare dhe kolektive. Ata nuk e patën të drejtën e shkollimit në gjuhën amtare, përdorimin e gjuhës, flamurit si dhe kultivimin e kulturës kombëtare. Bile, edhepse Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene nënshkroi Marrëveshjen e Sen Zhermenit, më 10 shtator 1919, për të drejtat qytetare dhe politike të pakicave kombëtare, ajo më vonë kërkoi anulimin e kësaj Marrëveshjeje, sepse nuk i përmbushi obligimet që dalin nga  Marrëveshja.

Kështu, Shqiptarët e Preshevës qenë të detyruat të vazhdojnë luftën për të drejtat kombëtare edhe pas viteve të 30-ta të shekullit XX. Pra, në të gjitha trojet shqiptare filloi një lëvizje kombëtare, gjegjësisht e inicuar nga studentët shqiptarë që studionin në Univesitetin e Beogradit. Pra, në mars të vitit 1935, në Beograd,  u themelua Organizata Studentore Shqiptare “BESA”.

Këtë organizatë në fillim të vitit 1935, e ndihmoi Sekretari i Parë i Legatës Shqiptare në Beograd, Shermet Xherxhuli. Me ndihmën e tij, filloi së vepruari kjo organizatë nacionaliste me seli në Beograd. Ky diplomat shqiptar në fillim arriti të anëtarësoj 12 studentë nga Kosova dhe Shqipëria Lindore. Ky diplomat shqiptar  organizatën “Besa” e organizoi pastër në baza kombëtare. Kjo organizatë politike, kishte për detyrë ngritjen e vetëdijes kombëtare te popullata shqiptare, në luftë kundër regjimit të egër jugosllav.

Nismëtarët e themelimit të kësaj organizate ishin: Tahir Ismaili, Jahja Osmani nga Kumanova, Shaip Mustafa nga Presheva, Abdulla Saqipi nga Presheva, Sokol Dobroshi nga Gjakova, Xhevdet Pallaska nga Gjakova, Shaip Kamberi nga Tetova, Esat Berisha nga Gjilani, Qazim Bllaca nga Bllaca e Malishevës, Ibrahim Lutfiu nga Prizreni etj., që të gjithë studentë në Universitetin e Beogradit.

Parimet kryesore të Organizatës Studentore Shqiptare “BESA” ishin:

“1. Veprimtaria themelore në zgjimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët.

  1. Bashkëpunimi politik me popujt tjerë të robëruar apo të pakënaqur nga regjimi i atëhershëm jugosllav.
  2. Fshehtësia e domosdoshme dhe veprimtaria gojore.

4.Betimi i detyrueshëm dhe asnjë dokument i shkruar për veprimtarinë e organizatës.”

Veprimtaria e Organizatës Studentore “Besa”, së shpejti shtrihet në disa qendra të mëdha shqiptare, posaçërisht në  Shkup, Tetovë, Kumanovë, Preshevë, Gjilan, ku kontribut të çmueshëm për këtë do të japin përfaqësuesit e konsullatës shqiptare në Shkup: Rexhep Stablea dhe Sylejman Ashkiu.

Takimet, zakonisht mbaheshin në kafenenë “Bojali Han” në Shkup, të pronarit Hasan Shukriu. Ky lokal, më vonë  do të shndërrohet në qendër të rezistencës shqiptare, për të drejtat e Shqiptarëve, kundër politikës hegjemoniste serbe.

Programi themelor i kësaj organizate ishte, çlirimi i trojeve shqiptare me Kosovë, Preshevë, Shkup deri në Veles dhe bashkimi  i tyre me shtetin amë. Anëtarët e organizatës “Besa”, kanë pasur për detyrë, sipas programit të tyre kombëtar që në kontaktet me qytetarë të përhapin idenë për bashkimin e trojeve shqiptare të aneksuara me dhunë nga pushteti Jugosllav dhe  t’i bashkëngjiten Shqipërisë.

Programi politik i organizatës “Besa”, të Beogradit :

“1. Përhapja e propagandës midis myslimanëve, se ata kurrsesi nuk mund të jenë turq, por janë shqiptarë.

  1. Çdo anëtar e kishte për detyrë që të përhapte idenë për Shqipërinë Etnike dhe të luftonte për bashkimin e shqiptarëve; në Kosovë, Preshevë, Bujanovc dhe Luginën e  Vardarit.
  2. Ti jepet rëndësi mësimit të gjuhës shqipe, historisë dhe kulturës shqiptare.
  3. Kërkohej një regjistrim i plotë i popullatës shqiptare, që struktura e saj të jetë më bindëse para diplomacisë evropiane.
  4. Kërkohej që turqit të deklaroheshin shqiptarë dhe të mësonin shkrim dhe lexim në gjuhën shqipe.”

Organizata Studentore Shqiptare “Besa” në Beograd brenda udhëheqjes së saj kishte dy rryma, dy drejtime: drejtimi  djathtist, e cili synonte dhe angazhohej që trojet shqiptare t’i bashkangjiten Shqipërisë Etnike, ishte më radikal dhe  nuk pranonte bashkëpunim me studentët serbë.

Të gjitha takimet e Organizatës “Besa” mbaheshin në klubin “Kosova” në Beograd.

Lëvizja kombëtare për çlirim dhe bashkim kombëtar/LKpÇK/

Më 19 prill 1941, në lokalet e Bojali Hanit në Shkup, u mbajt Konferenca e drejtuesve të Lëvizjes Kombëtare për Çlirim dhe Bashkim /LKpÇB/, ku morën pjesë: Shaban Jashari, Aqif Tetova nga Gjilani, Shaip Mustafa nga Presheva, Jahja Osmani nga Kumanova, Abdullah Haxhi Veliu nga Presheva, Hafëz Lutfi Ahmeti nga Presheva, Abdullah Saqipi nga Presheva, me vendbanim në Shkup dhe Idriz Ymer-Cërcëri nga Tetova.

Në Konferencë është diskutuar për tri pika të rendit të ditës:

1.Informatë nga të pranishmit për gjendjen në territoret  shqiptare, pas vendosjes së ushtrisë bullgare,

2.Themelimi i Lëvizjes për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shqipërinë dhe

  1. Formimi i një delegacioni, i cili menjëherë do të udhëtojë për Tetovë, Gostivar, Dibër, Tiranë dhe qendra të tjera shqiptare me qëllim të informimit reciprok për situatën e përgjithshme shqiptare.

Konferenca për shkaqe sigurie zgjati dy ditë. Në fund të saj pjesëmarrësit sollën  vendimet si më poshtë:

1.U themelua LKpÇB, e cila në të ardhmen do të angazhohet që krahinat shqiptare të pushtuara nga okupatori bullgar, siç ishin Shkupi, Kumanova, Gjilani dhe Presheva, të bashkohen me Shqipërinë Etnike,

2.Me qëllim të informimit sa më të gjerë, nga pjesëmarrësit e kësaj Konference u formua delegacioni, i cili do të udhëtonte për Tetovë, Gostivar, Dibër dhe Tiranë, ku do të bisedonte me autoritetet e atjeshme shqiptare, përfshirë këtu edhe me krerët e qeverisë së Shqipërisë. Delegacionin e udhëheq Shaban Jashari, ndërsa anëtarë tjerë ishin: Abdullah Saqipi-Presheva dhe Aqif Tetova.

Situata politike në Preshevë, më 1948 dhe kërkesa e shqiptarëve për bashkim me Kosovën dhe Shqipërinë

Presheva, gjithmonë mori pjesë në Lëvizjet politike, kulturore e patriotike mbarëkombëtare. Andaj, për ta shqyrtuar situatën politike në Preshevë e rajon gjatë vitit 1948 dhe lindjen e kërkesës së Shqiptarëve të Preshevës për bashkim me Kosovën dhe Shqipërinë, së pari duhet të shkruajmë për situatën politike në ish_Jugosllavinë socialiste dhe më gjërë në botë.

Situata politike në Preshevë e rajon ndërronte sipas situatës politike në botë dhe në ish Jugosllavinë socialiste. Themelimi i Inforbyrosë komuniste ishte vazhdim i Kominternesë, e cila u shua më 1943. Inforbyro u themelua si baraspeshë e botës perëndimore-demokratike. Blloku socialist kërkonte mënyra se si përsëri të bashkojë botën socialiste.

Inforbyroa komuniste pati 3 etapa : etapa e parë : 1947-1948 ishte etapë e përforcimit të shteteve socialiste, e dyta: 1947-1953 ishte etapa kur Informyro e luftoi PKJ, e cila nuk hyri në këtë aleancë dhe e treta : 1953-1956 etapa e shkatërrimit të Inforbyrosë.

Në këtë aleancë hyri Shqipëria sëbashku me shtetet të tjera socialiste, ndërsa jashtë saj mbeti Jugosllavia. Për këtë arsye Inforbyroa komuniste në Bukuresht më 1948 nxorri Rezolutën e Inforbyrosë, e cila më shumë ishte drejtuar kundër Jugosllavisë socialiste.

Askush nga anëtarët e PKJ në Preshevë haptas nuk ishin deklaruar kundër kësaj Rezolute, as në mbledhjet partiake, as  jashtë tyre, por në  mënyrë të mësheftë kundër saj deklaroshin pos të tjerëve edhe disa anëtarë të PKJ me përkatësi nacionale shqiptare dhe në masë të duhur edhe popullata shqiptare e Preshevës.

Më pas në materialet partiake të gjetura në arkivin e Beogradit dhe të Vranjës  thuhet se “elementët armiqësore” shfrytëzuan rezolutën e Inforbyrosë në një kampanjë të fëlliqur për ta akuzuar PKJ për nxitjen e shovinizmit ndaj Shqipërisë dhe kundër Shqiptarëve. Pastaj se Jugoslavia ka mbetur e vetme dhe se regjimi i tashëm do të dështojë. Ndërsa elementi reaksionar shqiptar agjiton se si ky rajon duhet t’i bashkangjitet Shqipërisë sëbashku me Kosovën.

Më tej në material partiak thuhet se u zbulua se këto elemente mblidhnin nënshkrime të qytetarëve të vendbanimeve të Preshevës për bashkim me Shqipërinë.Pra në këtë kohë lindi idea e bashkimit të Preshevës me Kosovën e Shqipërinë.

Material nga Arkivi Historik i Vranjës

Ali Aliu nga Presheva thotë : “Ka qenë “interesante”se kush rrallë nga shqiptarët në atë kohë i ka mbajtur anën Jugosllavisë apo palës kundërshtare të Inforbyrosë. Të gjithë Shqiptarët, sidomos të rinjve studentë dhimbshëm u rëndonte në shpirt kjo situatë konfliktuale, duke ditur se ç’kishte ndodhur më parë me popullin e tyre dhe duke menduar çka do të sillte e ardhmja. Në një bisedë me Kadri Halimin dhe Fran Berishën erdhëm në përfundim se duhet ta përcjellim me kujdes zhvillimin e ngjarjeve për të ditur në kohë të caktuar çka duhet ndërmarrë për hir të çështjes kombëtare”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok