20/06/2025

Kënga “Zjerm” ndez skenën evropiane – Shqipëria në finalen e “Eurovisionit”

0
Shkodra_Elektronike

Një sukses i shumëpritur për muzikën shqiptare në arenën ndërkombëtare. “Shkodra elektronike”, një dyshe artistësh të rinj që i përkasin diasporës shqiptare në Itali, ka ndezur skenën e “Eurovisionit” në Zvicër dhe i ka rikthyer Shqipërisë shpresën e një përfaqësimi të denjë në finalen e këtij festivali prestigjioz evropian.

Nga Nexhmije Mehmetaj

Nga Shkodra në Bazel, me tinguj elektronikë dhe shpirt shqiptar. Dueti “Shkodra elektronike”, e përbërë nga Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca, i ka siguruar Shqipërisë një vend në finalen e madhe të “Evrovizionit 2025”, që po mbahet në Zvicër.

Me këngën “Zjerm”, dy artistët shkodranë pushtuan skenën e “St. Jakobs” në Bazel, duke u kualifikuar mes dhjetë vendeve të para në gjysmëfinalen e parë. Performanca e tyre u veçua për energjinë, thjeshtësinë dhe origjinalitetin artistik. Me skenografi minimale, por me një koreografi dritargjendtë që pulsuan në kuqezi – ngjyrat që mbartën edhe veshjet e tyre – “Shkodra elektronike” solli një interpretim të denjë për skenën evropiane.

Kënga “Zjerm”, me muzikë dhe tekst të realizuar nga vetë artistët në bashkëpunim me Lekë Gjeloshin, ndërthur motive tradicionale shqiptare me elemente të muzikës elektronike, duke krijuar një identitet të veçantë që u pëlqye jo vetëm nga publiku shqiptar, por edhe nga audienca ndërkombëtare. Votimi në këtë fazë ishte ekskluzivisht në duart e publikut, çka tregon për përkrahjen e gjerë që mori kjo dyshe.

“Shkodra elektronike” u themelua më 2019 në Itali nga dy emigrantët e rinj, të cilët i bashkoi dashuria për muzikën dhe rrënjët shqiptare. Që nga debutimi i tyre në hapjen e Pavijonit të Kosovës dhe Shqipërisë në Bienalen e Venecias, ata kanë për formuar në një sërë eventesh kulturore në Shqipëri dhe jashtë saj. Në repertorin e tyre përfshihen rikrijime të këngëve të njohura shqiptare si dhe materiale origjinale e të pasura.

Përveç Shqipërisë, nga gjysmëfinalja e parë u kualifikuan edhe Norvegjia, Suedia, Islanda, Holanda, Polonia, San Marino, Estonia, Portugalia dhe Ukraina.

Ky edicion i 69-të i “Eurovisionit”, i moderuar nga Hazel Brugger dhe Sandra Studer, po mbahet në Zvicër, pas fitores së artistit zviceran Nemo në vitin e kaluar me këngën “The Code”. Në këtë edicion marrin pjesë 37 shtete, mes tyre edhe Mali i Zi që është rikthyer pas dy vitesh. Pesë shtete të mëdha – Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia dhe Spanja – shkojnë direkt në finale.

Interpretimi i “Shkodra elektronike” është vlerësuar si një pasqyrim me dinjitet i artit bashkëkohor shqiptar dhe identitetit kulturor. Në një deklaratë të shkurtër pas performancës, Beatriçe falënderoi publikun për përkrahjen. Festivali i këtij viti, sipas transmetuesit publik zviceran, simbolizon vlerat e Zvicrës: diversitetin, shumë-kulturat dhe ndjenjën e bashkësisë – vlera të cilat i mishëron edhe vetë ky duet shqiptar me rrënjë në Shkodër dhe rrugëtim artistik në Itali.

Finalja e madhe e “Evrovizion 2025” do të mbahet të shtunën mbrëma në Bazel. Sytë dhe zemrat shqiptare tashmë janë me këngën “Zjerm”!

Nexhmije Mehmetaj

Gjenevë,14.05. 2025

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok