03/03/2026

Këndimi i Himnit të Flamurit në Shkolla, detyrues me qarkore shtetërore që nga 3 marsi i vitit 1937

0
Femijet-Flamuri

(Në foto: Fëmijë të cilit të ulët shkollor, duke përshëndetur në stilin zogist)

Nga Albert Vataj

Pse jo, edhe me urdhër shtetëror, në mënyrë detyrues, u vendos jo vetëm të këndohej Himni i Flamurit, por të ngulitet thellë në vetëdijen e brezit të ri, vetëdija kombëtare, dashuria për atdheun.

Në vizionin qeverisës të Ahmet Zogut, arsimi dhe çështja kombëtare nuk ishin thjesht pika në program, por prioritete ekzistenciale. Shqipëria e asaj kohe po tentonte të linte pas trashëgiminë e bajraqeve dhe ndasive lokale për t’u shndërruar në një njësi të konsoliduar shtetformuese. Pavarësisht kushteve tejet të vështira ekonomike dhe sociale, arsimi u pa si “laboratori” ku do të gatuhej qytetari i ri shqiptar.

Ky proces transformimi nuk u la në dorë të dëshirës, por u udhëhoq nga rregulla të rrepta dhe standarde kombëtare, duke e kthyer shkollën në institucionin ku për herë të parë shteti dhe individi lidheshin përmes simboleve të shenjta.

“Himni në shkolla ishte vula e parë shpirtërore që shteti i ri u vendoste qytetarëve të tij, duke e shndërruar shkollën nga një vatër mësimesh, në një tempull të shqiptarizmës.”

Rregullat ishin të rrepta.

(Për ilustrim: Im atë tregon, për në malësi. Për një ditë që unë nuk kam shkuar në shkollë, babai ka bartur me kafshë tre ditë dru në mal për shkollën. Edhe unë nuk guxoja më ta bëja një gjë të tillë tregon babai, por edhe në shkollë kishim dru për t’u ngrohur)

Nga shumë urdhëresa të guximshme që Zogu aplikoi, ishte edhe Këndimi i Himnit të Flamurit në Shkolla. Ky urdhër i vitit 1937 shënon një kthesë institucionale në Shqipëri, ku simbolet kombëtare kaluan nga përdorimi spontan në një protokoll shtetëror të rreptë.

Qarkorja nuk kërkonte thjesht këndimin, por vendoste rregulla për mënyrën e ekzekutimit. Urdhërohej që himni të këndohej me ritëm marshimi, duke shmangur zvarritjen e notave. Nxënësit duhej të qëndronin në pozicionin “Gatitu”, me duar anash dhe shikimin drejt flamurit. Çdo lëvizje gjatë këndimit konsiderohej mungesë respekti ndaj atdheut.

Drejtori i shkollës kishte detyrimin që çdo mëngjes të monitoronte procesin. Nëse këndimi nuk ishte në lartësinë e duhur, mësuesi i muzikës ose mësuesi kujdestar mbante përgjegjësi administrative.

Duhet kujtojmë gjithashtu atë që mund ta quhej hierarkia e edukimit patriotik, që nuk ishte vetëm Himni i Flamurit, si ritual i përditshëm. Ky veprim ishte pjesë e një triade simbolike që Mbretëria Shqiptare po aplikonte në shkolla, i cili pasurohej me betimin mbi flamur, që bëhej në raste fillimesh viti ose festash dhe ngritja e kultit të Skënderbeut, si figura qendrore dhe përbashkuese në tekstet e historisë, etj. Patjetër që zuri një vend të rëndësishëm edhe rezistenca ndaj “Italianizimit”.

Në vitin 1937, ndikimi i Italisë fashiste në ekonominë dhe ushtrinë shqiptare ishte mbytës. Ministria e Arsimit, përmes kësaj qarkoreje, tentonte të krijonte një “mburojë shpirtërore” te rinia. Duke forcuar lidhjen me Himnin dhe Flamurin, synohej që nxënësit t’i rezistonin asimilimit kulturor që po vinte përmes shkollave teknike italiane apo organizatave rinore të stilit fashist që po tentonin të infiltroheshin.

Gazetat si “Drita” dhe “Shtypi” e mirëpritën këtë vendim, duke e cilësuar si një mjet për “çelikosjen e karakterit kombëtar”. Gazetarët e kohës shkruanin se ky ritual do të bënte që fëmijët e fshatarëve dhe ata të qytetarëve të ndiheshin të barabartë para “Këngës së Shenjtë”.

Në shumë shkolla të kohës, pasi mbaronin vargjet e fundit të Himnit (“Se Zoti vetë e tha me gojë / Që kombet shuhen përmbi dhe…”), nxënësit ngrinin dorën e djathtë dhe thonit:

“Betohem për nderin tim, për flamurin kombëtar dhe për Mbretin e Shqiptarëve, se do të jem besnik i atdheut, do të mësoj me zell dhe do të bëhem një qytetar i vlefshëm për Shqipërinë. Rroftë Shqipëria! Rroftë Mbreti!”

Ky betim nuk ishte thjesht një premtim për të mësuar, por një zotim ushtarak e moral ndaj shtetit dhe Mbretit.

Për ta bërë këtë proces sa më madhështor, shkollat ndiqnin këtë strukturë. Nxënësit rreshtoheshin nga më i vogli te më i madhi, duke krijuar një hierarki vizuale të disiplinës.

Gjatë betimit ose himnit, shpesh përdorej përshëndetja e stilit zogist (dora e djathtë e hapur, e vendosur mbi zemër (si në foto) ose e ngritur në nivelin e ballit, sipas rregullores specifike të mbrojtjes kombëtare).

Në shkollat që kishin fushëpamje dhe pol (shtizë), këndimi i himnit shoqërohej me ngritjen e ngadaltë të flamurit kuqezi me krahët e hapur dhe kurorën e dushkut (stema e asaj kohe).

Pse ky betim ishte kaq i rëndësishëm?

Në vitin 1937, Shqipëria kishte vetëm 25 vite shtet. Shumë prindër të këtyre nxënësve ishin rritur nën Perandorinë Osmane dhe flisnin gjuhë të ndryshme ose kishin identitete krahinore më të forta se ai kombëtar.

Qëllimi i Ministrisë së Arsimit ishte, të krijonte një “fe” të re civile ku shteti ishte i shenjtë, të përgatiste rininë për mbrojtjen e vendit (shumë shkolla kishin edhe lëndën e stërvitjes ushtarake). Legjitimiteti ishte te, të lidhte figurën e Mbretit Zog I drejtpërdrejt me flamurin dhe himnin, duke e bërë atë pjesë të pandashme të simbolikës kombëtare.

Nëse një nxënës nuk e këndonte himnin me zë të lartë apo tallej gjatë betimit, prindërit thirreshin menjëherë në shkollë. Në raste të përsëritura, nxënësi mund të përjashtohej me motivacionin “për ndjenja antipatriotike”, gjë që ishte një njollë e rëndë për familjen në atë kohë.

Vendosja e këndimit të Himnit të Flamurit me dekret shtetëror nuk ishte thjesht një akt administrativ, por një projekt i mirëfilltë i kultivimit të vetëdijes kombëtare. Përmes këtij urdhri, synohej që Himni të mos mbetej një melodi ceremoniale, por të ngulitej thellë në ndërgjegjen e brezit të ri si shtylla kurrizore e atdhedashurisë.

Po, dje?!

Po sot?!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok