14/11/2024

KELMENDËT E SREMIT – NJË DIASPORË E ZHDUKUR DHE HARRUAR

0

Nga Adil FETAHU

Kelmendi është një prej  dymbëdhjetë fiseve shqiptare që jetojnë në Veriun e Shqipërisë, duke përfshirë këtu edhe Dardaninë (Kosovën).  Fisi i Kelmendit shtrihet në Malësinë e Madhe, që i takonte Sanxhakut të Shkodrës, në pjesën më veriore dhe më të izoluar të Shqipërisë, me ngulimet kryesore në Vermosh, Tomara, Selca, Lepusha, Vukli dhe Nikçi.  Për shkak të afërsisë  dhe kontakteve me Shkodrën, ku  kishte klerikë nga Vatikani dhe Republika e Venedikut, Kelmendasit e Malësisë së Madhe i përkisnin besimit katolik. Nahija  e Kelmendit (Klementi) përmendet edhe në regjistrat e vitit 1497, kur ishte bërë regjistrimi i popullsisë për t’i paguar taksat shetit Otoman, por kelmendasit me forcë e refuzonin pagimin e taksave dhe sundimin otoman. Për shkak të kundërvënies dhe luftërave të pandërpera kundër pushtetit otoman, kelmendasit, sikur edhe arbëreshë të fiseve tjera, prej vitit 1437 deri më 1744, u detyruan të lëvizin nga trojet e tyre autoktone, të shpërngulën  dhe të emigrojnë në Itali, Dalmaci dhe në drejtime tjera deri në Srem e Hungari dhe në Bullgari.Dom Frrok Zefi,  në studimet dhe në librin  e tij “Shqiptarët Kelmendas në Hrtkovc e Nikincë (1737-1997)”, Zagreb 1997; mbështetur në burime arkivore, kryesisht kishtare, tregon se dyndjet e shqiptarëve nga trojet e tyre janë zhvilluar nga viti 1437 deri më 1747, se  një grup Kelmendas u shpërngulën në Bullgari, në Çiporovac, Kopillovac e Zhelezna, famullitar i të cilëve ishte françeskani Nikoll Kabashi, të cilin e quanin At Nikoll Shqiptari; një grup tjetër u shpërngul në Hungari në vitin 1690; në Zarë të Dalmacisë janë shpërngulur në vitet 1723-1727. Kronikat e Arqipeshkvisë së Shkupit (1629) bëjnë të ditur se në Malësinë e Madhe Kelmendasit katolikë nuk pranojnë pushtetin turk. Në bashkëpunim me Malazezët, Kelmendasit dekada me radhë luftuan kundër ushtrisë Osmane. Udhëtari i njohur turk, Evlia Qelebia, kur e kishte vizituar Shqiperinë e Veriut (1662), e ka përmendur fisin e Kelmendit, si popullsi   pa fe, që nuk e pranon pushtetin turk.  Në tetor të vitit 1680, imz.Pjetër Bogdani  vizitoi fshatrat rrreth Drinit të Bardhë, kur Kelmendasit kishin vrarë 120 turqë dhe kishin marrë  200 kuaj e kafshë tjera. Pas kësaj filloi përndjekja e Kelmendasve të Rugovës, të cilët u vendosën në Peshter të Jeni Pazarit, prej nga (në vitin 1739) kanë shkuar në viset nën pushtetin e Austrisë (në Srem). Më 19 korrik 1737, nga Shtabi i Teshnicës (afër Nishit) feldmarshali austriak Sekendorf, i ftoi të gjithë të krishterët, katolikë dhe ortodoksë,  të çohen në kryengritje kundër turqëve. Nga katolikët, atypëraty iu përgjegjën udhëheqësit  kelmendas  Bic Vata (i Shpajes), Gjon Pjetri (i Hotit) dhe Gjon Martini (i Grudës). Ftesën kelmendasve për kryengritje kundër pushtetit otoman ua bëri edhe  arqipeshkvi i Shkupit Mihajlo Suma dhe patriarku ortodoks Shakabenda, me prijësit e fiseve Vasojeviqi, Kuqi, Piperi  dhe Bratonozhiqi.  Në luftën e zhvilluar kundër ushtrisë turke,  kryengritja u thye dhe kelmendasit e të tjerët u detyruan të tërhiqen, bashkë me ushtrinë austriake. Gjatë tërheqjes, disa kryengritës kelmendas, ortodoksë, u vendosën në rranzat e Malit Rudnik dhe Avalla, ndërsa të tjerët, katolikë,  të udhëhequr nga kapedanët  e tyre, Dede  dhe Vata, bashkë me ushtrinë austriake kaluan lumin Sava dhe u vendosën në fshatrat e Sremit:  Hrtkovci, Nikinci, Shashinci, Bernandina, Mishkovci, Kereshinci, Jurjevci. Wikipedia kroate shënon se me atë rast, në Nikinci të Sremit ishin vendosur 1600 shqiptarë katolikë. Një degë e kelmendasve  shkuan në Bullgari. Sipas një raporti të arqipeshkvit të Shkupit, Matej Mazreku, në kohën e luftës austro-turke (1737), më se 20 shtëpi shqiptare të fisit të Kemendit janë shpërngulur në Hungari, ndërsa 30 shtëpi kishin mbetur në Serbi, të cilët ose u turqizuan ose u serbizuan. Me qenë se kelmendasit ishin vendosur vet në fshatrat e Sremit, administrata austriake e Osjekut, në vitin 1740 iu jep lejen që kelmendasit (e Rugovës, nga Peshteri) të vendosen në fshatin Nikinci. Fillimisht, kelmendasit ishin vendsour në brezin kufitar, për të ruajtur kufirin  e Monarkisë Habsburge ndaj Turqisë. Vendosjen e kelmendasve tjerë në Hrtkovci e ka bërë mbretëresha Marija Tereza, si shpërblim për besueshmërinë e tyre si roje  e kufirit.  Pas pushimit  të rrezikut dhe nevojës për roje të kufirit, që ka zgjatur deri në vitin1881, kelmendasit gjetën qetësinë në tokën e mirë  të Sremit dhe iu përveshën punës  në bujqësi e blegtori. Sipas ndarjes administrative, zhupania e Sremit,  ku ishin të vendosur  kelmendasit, kishte selinë në Vukovar, të banovinës Kroate, në kuadër të Mbretërisë së Hungarisë. Djemtë e kelmendasve të Sremit më të shumtën u shkolluan në Osjek për prftërinjë, por kishte edhe asi që shkolloheshin  edhe në qendra tjera, për profesione tjera dhe për oficerë ushtarakë e që arritën grada të larta. Nga kelmendasit e Hrtkovcit e Nikincit, përveç prelatëve të shquar katolikë: Antun Maletiq, Simon Deda, Karlo Gega, Jakob Losh, Augustin Prentiq, Andrija Marash, Gjelosh Pali, etj,  kanë dalë edhe personalitete tjerë të shquar, si avokati dr.Nika Nikiq, ministër në Mbretërinë e Jugosllavisë; shkrimtarët Mirosllav dhe Sllavko Magjer; profesori Gjon Losh-Marashi-q, gjenerali dhe heroji Nikolla Nikiq-Peko, etj.

Gjatë Luftës së Parë dhe Luftës së Dytë Botërore, ushtria serbe ka granatuar e bombarduar Kishën  dhe selitë e misioneve  katolike në Hrtkovci dhe Nikinci, ka djegur e shkatërruar objektet dhe dokumentacionin e famullisë, ashtu që është vështirë të gjendet dokumentacion autentik të vendit për rrjedhat historike të atyre banorëve.

Megjithëse shumica  dërmuese e shqiptarëve të Sremit ishin shpërngulur prej andej, në qershor të vitit 1971, Famullinë e kelmendasve në Hrtkovci e Nikinci e vizitoi ipeshki i Shkupit e Prizrenit,imz. Nik Prela, me dom.Gasper Gjini dhe profesor Zekeria Cana, të cilët i priti famullitari dom.Ilia Martinoviq dhe vajza e tij kelmendase Tereza Loshi, ndërsa në Nikinci iu shtroi darkë  Milo Pakiq e Manda Mançeta-Mishkoviq. Gjatë asaj vizite, imz. Nik Prela mbajti një meshë në kishën e Hrtkovcit, ku një pjesë të meshës mbajti edhe në gjuhën shqipe.

Asimilimi  i kelmendasve të Sremit

Për shkak të ardhjes së vazhdueshme të Kroatëve, Hungarezëve dhe Gjermanëve në tokën e plleshme të Sremit, me kohë ndodhi edhe asimilimi i kelmendasve të vendosur atje. Ata më së tepërmi u afruan me Kroatët, për shkak të përkatësisë së besimit katolik,  dhe erdhi deri te martesat e përziera midis tyre, por edhe me Hungarezë e Gjermanë, të të dy gjinive. Kjo ndikoi që kelmendasit e Hrtkovcit dhe Nikincit të asimilohen e të shkrihen  kryesisht në popullsi kroate. Qysh në regjistrimin e vitit 1890,  prej 2253 banorëve të Hrtkovcit, pjesa më e madhe e kelmendasve ishin deklaruar si Kroatë. Ndërkaq, në regjistrimin e bërë në vitin 1910, prej 2518 banorëve të Hrtkovcit, 1144 ishin deklaruar Kroatë, 644 Gjermanë, 619 Hungarezë, 70 Serbë, 20 Sllovakë dhe 21 të tjerë, dhe  përkah përkatësia fetare 2381 ishin romakokatolikë e 71 ortodoksë, pravosllavë. Kelmendasit e Hrtkovcit dhe vendeve tjera të Sremit, në ndërkohë janë shpërngulur  nëpër qendrat  të Kroacisë e më larg. Vetëm mbiemrat e disa familjeve: Nikiq, Vuksaniq, Cakiq, Losh-iq, Marash-iq, Pepiq, Koliq, Ivaniq dhe Pakiq asociojnë dhe mund t’ua kujtojnë prejardhjen  e dikurshme kelmendase. Profesori  i historisë, tash në pension, Marko Losh Marash-iq, që jeton në Rumë, tregon se edhe pse askush më nuk deklarohet si kelmendas, në shtëpinë e tij akoma i ruajnë disa tradita të këtij fisi kur është fjala për festat fetare. Në një bisedë në shtëpinë e tij, të cilën e kishte zhvilluar gazetarja Vanja Ratkoviq (më 20 janar 2020), profesori Losh-iq i kishte shpjeguar  asaj historinë e kelmendasve të Sremit dhe i kishte folur për personalitete të shquara  të asaj loze. Ndër të tjerë, i shquan dy sish, të dy me emra e mbiemra Nikolla Nikiq, por që njeni prej tyre, me pseduonimin Peko, ishte një kalorës  i shquar ushtarak dhe i shkolluar në Rusi,  ishte aleat i drejtpërdrejtë i Karagjorgjes dhe fitues i disa beteja në Kryengritjen e Parë Serbe, të cilit më 13 dhjetor 1810 iu organizua pritje soleme në Beograd, si  heroit dhe njenit nga bashëpunëtorët më të afërt të Karagjorgjes.  Pas vitit 1811  Peko është kthye në Rusi,ku ka marrë pjesë në luftën ruse kundër Napoleonit. Ka vdekë si general i ushtrisë ruse. Nikiqi tjetër, më i ri se i pari, ishte ministër i xehëtarisë  dhe besnik i Mbretërisë së Jugosllavisë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke mos dashur të bashkëpuojë as me okupatorin as me NDH,  ka ikur në Argjentinë (Buenos Aires). Vajza e tij Sinka Nikiq i është bashkuar të jatit në Argjentinë, në vitin 1947,dhe atje u martua me një milioner pronar i anijendërtimtarisë. Pasi Senka nuk kishte fëmijë,  për pas vdekjes tërë pasurinë ia kishte lënë kishës katolike të Argjentinës. I ati i saj, Nikolla ka vdekur në vitin1958.

Origjina kelmendase e Karagjorgjes (?)

Në fshatrat Shashinci, Jarkovci e Mishkovci, në të cilat struktura e popullsisë u dominua nga Serbët ortodoksë, kelmendasit u sërbizuan. Në shkrime e botime të ndryshme pohohet se udhëheqësi i kryengitjes së parë serbe (1804), Gjorgje Petroviq – Karagjorgje, ishte me prejardhje  shqiptare, nga Kelmendët të cilët ishin vendosur rrënzë Malit Rudnik në vitin 1737, në Serbi, asokohe nën pushtimin Osman (libri: “Karadjordjeviqi – sakrivena istina”; Karagjorgjeviqët – e vërteta e fshehur; bashkautorë: Millorad Boshnjak e Sllobodan Jakovleviq). Këtë e pohon edhe  profesori i Fakultetit të Shkencave Politike në Sarajevë, Besim Spahiq, që thotë se dinastika e Karagjogjeviqëve janë me prejardhje shqiptare, të fisit Kelmend (“Sputnjik”, 30 janar 2017), sikurse që e pohon edhe Jovan Mrshin Klimenti. Ithtarët e kësaj teorie thonë se fisi i Kelmendit në Shqipëri ishte ai që i garantone ushtrisë serbe tërheqjen nëpër Shqipëri gjatë Luftës së Parë Botërore. Rajko Veselinoviq në librin e tij “Istorija srpskog naroda, Cetvrta knjiga, tom I”, Beograd, 1986, fq.160; Historia e Popullit serb, Libri IV,bleni I), thotë: “Gjorgje Petroviqi, udhëheqësi i Kryengritjes së Parë Serbe është me prejardhje romako-katolike shqiptare, nga fisi i Kelmendit (shih: “Analitika”, 26 gusht 2017).

Krimi i Sheshelit ndaj banorëve të Hrtkovcit

Në luftën e fundit midis Serbisë e Kroacisë (1992-93), banorët kroatë të Hrtkovcit dhe Nikincit, shumë prej të cilëve kishin origjinën nga fisi i Kelmendit, për të shpëtuar nga masakrat serbe, u detyruan të shpërngulën  në Kroaci. Ata i përndoqi  krimineli i njohur serb, Vojisllav Sheshel, me çetnikët e tij. Në një miting të Partisë  Radikale, që mbajti në Hrktovci më 6 maj 1992, lexoi emrat e kroatëve “jolojal”, të cilët duhet të shpërngulen prej aty, ose do të zhduken me gjithë familjet e tyre. Në fjalimin e tij në miting, ditën e Shëngjergjit, ai i porositi Kroatët: “Në këtë fshat, Hrtkovci, në këtë trevë të Sremit serb, nuk ka vend për Kroatët…Edhe këta që i kanë mbyllë shtëpitë e kanë ikur, ndoshta duke shpresuar se një ditë do të kthehen, ne i porosisim – nuk kanë ku të kthehen më. Në shtëpitë e tyre do të vendosen refugjatët serbë. Vëllezër e motra serb-e, pasi që Tugjmani i ka ndjekur më se dyqintmijë serbë, një pjesë e tyre do të kthehen në Krajinën Serbe, por një pjesë  tjetër nuk do të mund të kthehen e të vendosen atje. Atyre serbëve ne duhet t’iu sigurojmë kulm mbi kokë dhe gojët e uritura t’i ushqejmë. Ne nuk kemi para t’iu ndërtojmë shtëpi e banesa, as të hapim vende të reja pune për ta. E buur, pasi nuk kemi (këto) mundësi, atëherë secilit refugjat serb duhet t’ia japim adresën e një familje kroate. Do t’ua jep milicia; milicia do të punojë ashtu qysh vendosë pushteti, e ne së shpejti do të jemi pushteti. Bukur, të gjitha familjet  refugjate serbe do të vijnë në dyertë serbe dhe Kroatëve që i gjejnë këtu, do t’ua japin adresat e tyre që i kishin në Zagreb ose në vendet tjera kroate. Po, po. Do të kemi mjaft autubusë që t’i përcjellim deri në kufi të Serbisë, e prej aty le të vazhdojnë në këmbë, poqese nuk shkojnë vet.”  Pas atij mitingu, filluan rrahjet, plagosjet e maltretimet e banorëve kroatë, ashtuqë  shumica u detyruan të shpërngulën. Për këtë krim të kryer ndaj banorëve kroatë të Hrtkovcit, Shesheli u gjykua me 10 vjet burgim ngaTribunali i Hagës dhe mu fjalimi i cituar më sipër ishte provë për Tribunalin që vërtetonte fajin e Sheshelit për shpërnguljen e dhunshme të Kroatëve.

Tash poullsinë e atyre vendeve e përbëjnë shumica serbe. Sipas regjistrimit të vitit 2002, popullsinë e Nikincit e përbënin: Serbë (69,22%), Hungarezë (11,31%), Kroatë (9,47%), etj.  Natyrisht, Kelmendasit nuk përmendën më, përveç në kronikat  kishtare dhe në ndonjë libër të historisë,të shkruara nga autorë të huaj. Ata janë zhdukur, por historia shqiptare nuk duhet t’i harrojë. Librat e Don Frrok Zefiq, dhe ai i Marko Losh – Marashit, janë lëndë e mirë për mbamendje për kelmendasit e Sremit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok