22/12/2024

KATËR QEN TË BARDHË

0
u6_Tufa-Kur-kendonin-gjelat

Nga Agron Tufa

I

Katër qen lëshohen rrufeshëm drejt meje, me më prishë. Dy të mëdhenjtë më arrijnë në mes të vreshtit. Kam veç

një shkop frashni në dorë. U hodhën në ajër, me më shqye, por i prita me shkop kresë, njenin mbas tjetrit. Ranë coftë në tokë, bashkë me copat e shkopit, që u thye në goditjen e dytë. Po atë grimë, ndjeva prapa thembrave kafshimin e qenve të vegjël. Nuk i shmanga dot…

II

Me del gjumi, por ende ka natë. Nga frëngjia e vetme e qelisë hyn thëllimi me kundërmimin e dëborës së parë. Vjen së largu, si e bjerrë, kënga e gjelave të tretë. Pas 9 muajsh hetuesi të egër po gdhin kështu dita e gjykimit tim. Me ato 4 nenet e tmerrshme… dhe atë, dëshmitarin kyç, Veli S…! Sa qen m’u shtirën në ëndërr? Katër… Të bardhë, të bardhë… Aq sa nenet e akuzës sime: dy të mëdhenj, të frikshëm, dhëmbëçataj e sykuqë, dhe dy të tjerë, të vegjël, me dhëmbët brisk. Si nenet e akuzës sime: dy që të marrin jetën, dy të tjerë që të marrin disa vite jetë. Me bashkim nenesh, të çojnë në pushkatim. Pjesa tjetër dihet: pleqtë, gruaja, pesë kalamajtë… dhe rrugët e pasosura të internimeve… Por, në qoftë se 4 qentë e ëndrrës janë 4 nenet e akuzës sime, puna nuk është keq. Kurrë nuk i kam besuar ëndrrat. Por sot…

III

– Këtë kokë, zëre se s’e ke më tënden! Do të ta shkulim prej supeve, si një rrepë! – më kërcënon ndër dhëmbë hetuesi im, kapiten Kote. Nuk i kthej përgjigje. Habitem me ndjesinë e mirë që kam përbrenda. Sallë gjyqi. Fytyra krejt të panjohura. Fillon seanca me nenet e vogla: 1. “Moskallzim bisedash armiqësore dhe pengim të organevet hetuese” dhe 2. “Armëmbajtje pa leje”. Mbrojtja ime bie ndesh me dëshmitarë dhe prova. “Dy qentë e vegjël të ëndrrës kafshuan”, – mendova. Gjithçka e vendos seanca e pasdites.

IV

Lexohet akt-akuza: 1. “Tentativë arratisje në grupazh” dhe, njëkohësisht, 2. “Tradhëti e lartë ndaj atdheut”.

– Fillojmë me zbardhjen e provave dhe rrethanave, thotë kryetari. – Të hyjë dëshmitari!Nuk ndjej asfarë paniku. Veli S., nuk po duket ndërsa koha kalon. Pëshpërima. Hyn një police e bukur, elegante, sikur po shkel mbi vezë. Shkon drejt bankës së akuzës. Kryetari zgjat kokën e thinjur. Qafën e ka ezmere, me rrudha; fytin me arrëz. Si një breshkë. Policja i çuçurit në vesh. Pa gjeste. Ai tund kokën. Mandej, fill pas largimit të vajzës police, thotë:

“Të vazhdohet përkohësisht me të pandehurin!”. Marr krahë. Refuzoj gjithçka. Gjithçka. Të qena e të paqena.

– Janë shpifje të gjitha, – them, – thirreni dëshmitarin t’jua provoj!

Dëshmitari nuk vjen. Trupa tërhiqet për të marrë vendimin.

V

– Ia hodhe, skile! Të ndihmoi fati “me pak”, – u skërmit hetuesi im në korridor. – Por, mos kujto se na shpëton, – tundi gishtin me një gjest kërcënimi të fshehtë. – Herën tjetër, kaptinën tënde do të ta shkulim supesh…

– Si një rrepë? – e ndërpreva.

– Pikërisht!

– Ruaj kaptinën tënde, kapiten… Timen e ruan Zoti.

Polici që më shoqëron mbrapsht në Degë më flet me dialektin e vendlindjes:

– Sak ta ka ruejt Zoti kryet, or mik… Kujt i shkote ndërmend, se… dëshmitarin tat, do ta bante petë makina, mu para gjykate?

– E shtypi makina!?

– Sa ka hy zotnia juej në sallë…!

– Katër qen! – thashë nëpër dhëmbë.

– A? – pyeti polici me dorën si hinkë në vesh.

– Të bardhë, – i thashë.

– Të bardhë, çfarë?

– Dy të mëdhenj, dy të vegjël…

Polici ndalon papritmas. Kërkon në xhepa dhe nxjerr një paqetë “DS”. Merr një cigare dhe ma vë në buzë filtrin e verdhë. Mandej flaka e çakmakut me gaz. E thith thellë e me afsh tymin, derisa ndeshem me vështrimin e tij të picërruar, hetues.

– A je mirë, or mik? – pyet serioz ai, pa m’i shqitur sytë.

– Shëndoshë e mirë, – i them. – Gjallë!

Polici tund kokën i kënaqur, në shenjë miratimi. Vazhdojmë rrugën, vetëm disa metra, deri në oborrin e Degës.

– Po, po, – miraton me zë lëvizjet e mëparshme të kokës, – S’ka me të gjallë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok