22/12/2024

Katandisja e vlerave rugoviane në LDK!

0
Florim-Zeqa

Shkruan: Florim Zeqa

Do te ishte e keqja më e vogël sikur unë të isha i vetmi veprimtar që u anashkalova dhe u injorova nga strukturat e LDK-së post-rugoviane, por për fatin e keq janë një numer shumë i madh i aktivistëve dhe veprimtarëve të orëve të para, në mesin e tyre edhe ish themeltarë të LDK-së të cilët u detyruan të largohen nga klanet dhe grupet e interesit brenda ish subjektit rugovian.

Shkaqet e largimit, trishtuese për rugovistët e vërtetë

Dikush u tërhoq zvarë nga Kuvendi i LDK-së, dikujt ju pamundësua hyrja në mbledhjet e LDK-së, kurse disa veprimtarëve iu vërsulen militantët e klaneve të interesit me sharje e fyerje, presion psikologjik dhe kërcënime me jetë derisa i detyruan të largohen nga strukturat dhe anëtarësia e këtij subjekti politik.

Mjafton t’i dëgjosh rrëfimet e të larguarve nga LDK-ja për të mësuar të vërtetën e hidhur. Secili rrëfim i veprimtarëve më i trisht sesa tjetri! Për lexuesit po e ripublikojë tekstin e largimit tim nga LDK-ja nëntë vite më parë: Me dhëmbje shpirtërore dhe zemër të plagosur deklaroj: “Unë Florim Zeqa, nga sot, ditë e dielë, 31.05.2015-të e pushoj aktivitetin tim politik si anëtar i LDK-së nga themelimi e deri më sot. Asnjëherë dhe në asnjë kohë nuk kam vrapuar pas posteve e privilegjeve, por kam punuar pa u ndalur edhe në kohërat më të vështira për interesat e popullit dhe vendit tim të shenjt. Muajve, javëve dhe ditëve të fundit, misioni im prej gazetari, analisti dhe veprimtari të LDK-së ishte vështirësuar tejë mase. Nga bashkpartiakët e mi u “shpërbleva” me mbyllje portalesh, sharje e fyerje të natyrave të ndryshme dhe deri të këcënimi me jetë, vetëm e vetëm pse e mora guximin të bëjë publike të vërtetën e zhvillimeve gjatë procesit zgjedhor në Degën e LDK-së në Klinë. Kjo që ka mbetur, nuk është LDK-ja, janë vetëm klane mafioze dhe grupe të interesit, pjesë e të cilave nuk kam qenë dhe as që do të bëhem ndonjëherë. Arsyet e tërhjeqjes sime nga LDK-ja janë akoma më të thella, për elaborimin e të cilave duhet kohë dhe hapësirë më e gjërë. Andaj kësaj radhe po ndalem me betimin rugovian; “Përjetësisht mbështetës i filozofisë politike rugoviane dhe ushtar besnik i atdheut tim”.

Zoti ju bekoftë vllëzër dhe motra të vizionit rugovian!

Florim Zeqa, 31.05.2015 Treviso (Itali)

Në thumb të kritikës politikanët e papërgjegjshëm

Pavarësisht pozicionimit politik, gjithmonë i kam mbajtur dhe do t’i mbajë në thumb të kritikës veprimet e shëmtuara të politikanëve tonë. I tillë do të mbetem edhe në të ardhmen, kujdestar dhe mbrojtes besnik i interesave të popullit tim.

Aderimi im në partinë GUXO mendoj që është zgjedhja më e duhur për rrethanat politike nëpër të cilat po kalon Kosova, për të kontribuar në interes të shtetit dhe qytetarëve.

Partia GUXO është i vetmi subjekt politik që më guxim dhe vendosmëri e mbron parimet dhe filozofinë politike rugoviane, i mbron premtimet e dhëna para elektoratit në zgjedhjet e fundit nacionale.

GUXO është subjekti i vetëm që më vepra e jo më fjalë e vazhdon rrugën e Dr. Ibrahim Rugovës. Shëmbulli më i mirë është valvitja e flamurit dardan në Presidencë dhe kudo që është prezente presidentja Osmani!

Vetëm inatçorët politik po e kanë të vështirë ta pranojnë këtë realitet të mrekullueshëm, këtë krenari të vazhdimësisë rugoviane në institucionet shtetërore.

Elektorati i LDK-së i ka humbur shpresat për ndryshime në këtë subjekt politik

Përfundimisht mund të themi se elektorati i LDK-së i ka humbur të gjitha shpresat për ndryshime në këtë subjekt. Mashtrimet e njëpanjëshme nga njëra palë zgjedhje në tjetrën, kanë bërë që elektorati rugovian t’mos i besojë më këtij subjekti politik.

Shfrytëzimi i aktivistëve dhe veprimtarëve në grumbullimin e votave në fushata zgjedhore dhe hudhja më pas e tyre si limona të shtrydhur, i ka detyruar ata që të tërhiqen nga aktiviteti nëpër degë dhe nëndegë.

Aq shumë janë katandisur vlerat rugoviane në LDK, saqë edhe sikur të ngjallej prej varrit lideri historik, do të ikte nga trishtimi i kapjes së tmerrshme të partisë nga ish kundërshtarët e përbetuar, nga ata që e luftuan Rugovën deri në frymën e tij të fundit.

Elektorati rugovian më lehtë e kanë të besojë në fundin e botës sesa në ndryshimet në subjektin e uzurpuar dhe ngulfatur pamëshirshëm nga klanet mafioze, grupet e interesit dhe vartësit e tyre morbid.

Rezultati i “reformave” në LDK është ky: instalimi i dhunës dhe kërcënimit si mjet i shantazhit politik ndaj aktivistëve dhe veprimtarëve, presionet ndaj delegatëve përmes këmbimit të votës me vende pune dhe forma të tjera të presionit psikologjik!

Paradoksalisht, LDK-ja rugoviane, nga një parti e besës dhe shpresës së qytetarëve të Kosovës është shndërruar në ‘Lidhje Diktatoriale të Kosovës’, ku definitivisht është vrarë fjala e lirë dhe mendimi ndryshe nga strukturat e partisë!

Shfrytëzimi i tre shkronjave të arta (LDK) dhe portreti i Rugovës në fushata zgjedhore bëhet akoma më i dhëmbshëm dhe i trishtë, kur të njëjtat struktura i përdorin vrasjet e veprimtarëve të LDK-së vetëm për marketing politik, kurse abuzimin me familjarët e tyre e përdorin si kamuflazh për kinse vazhdimësinë e filozofisë politike rugoviane, pa e bërë asnjë hap në zbardhjen e vrasjes së më të dashurve të tyre.

E dihet mirëfilli, se LDK-ja për afro 20 vjet ishte në pushtet, e kishte në duart e veta Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Drejtësisë…, dhe u largua nga pushteti pa asnjë rezultat në zbardhjen e vrasjeve politike, ndërsa sërish dhe paturpërisht në fushata zgjedhore abuzon me aktivistët veprimtarët e vrarë, duke e lënë enigmë të pazgjidhshme vrasjen e tyre.

Ky nuk është përkufizimi i ashpër dhe as ofendues për LDK-në, por është shprehje e gjendjes reale pas zgjedhjeve të fundit partiake në këtë subjekt politik, në të cilat u ruajt vazhdimësia e klaneve dhe grupeve të interesit. Megjithatë, nuk mund të themi se ky është fundi i botës, por është katandisje e vlerave rugoviane në LDK!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok